Sueton Zhugri: Rrënojat e zemrës




Zemër e muruar

Merre këtë ar me vete.
Mua më rëndon
me faj
një mal.

Mund të ofroj
veç
një zemër të varfër,
ose atë
që ka mbetur prej saj.

Le të luajnë me të
qentë e tu të ngopur
ose
macet e komshiut
...unë s'ndihem

Këto rrënoja
duhet ti rindërtosh
me duar tē lodhura,
që çdo natë, të ngrata,

dridhen.

Zemrën time murose të gjallë,
s'ka gjë,
tashmë nuk jam

i fyer.

Të fortë do ndërtosh
ngrehinat e tua
mbi
sakrificën e qumësht
të shpirtit tim
të thyer.

Do ushqesh dhe foshnjën
e lumturisë tënde
me gjakun tim
mbetur
mes gurëve.

Në kalanë tënde
do rriten
mahnitëse

Lulëkuqet
e arta
të mureve..




Jashtëtrupore


Kam rënë në dashuri me Hënën,
e dua!
Mos më vështro
me atë shikim prej káli.
Nuk jam i ngurosur në këtë trup,
Nuk jam në këto vena maví,
Nuk jam,
ky kryqëzim
dejesh,
Nyjesh kockore,
hartash nervore,
kafkoj jashtë këtij dimensioni,
kafshën brenda meje e kam asgjesuar.

Këtë çast jam
Cicërima e harabelit
që fluturoi mbi bahçen tënde,
jam era e detit
që ta mërdhin ballin,
jam klithmat e kërmijve që mbyte këtë pranverë,
Jam lulëzimi i trëndafilave të hijshëm
mbi gjakun e tyre,
Jam dhimbja e barit
nën peshën e sandaleve të tua,
Jam shiu që ti lag qerpikët me lumturi,
Jam mornicat e mishit tënd,
nën bukurinë e poezisë së atij tjetrit,
Jam lëngu i jetës nën ullukët e zemrës tënde.

Kam rënë në dashuri
me Hënën,
Dhe sot do marr udhëtimin
mbi krateret e saj..



Poezia më e thjeshtë në botë


E pra tani që erdhi ndarja
do të gjej nj
ë tjetër,
të mos ngjajë fare me ty.
Buzët t'i ketë të trasha e të majme,
Jo si ty që i kishe të holla e të ëmbla, ëmbla,
sa më zuri diabeti duke të puthur.
Do ta gjej me sy blu, apo të gjelbër,
apo edhe të zinj,
por me sa më pak kadife
që të mos rrëshqas e thyej kokën në to,
si me ty,
me hundë sa më të vogël,
se e jotja si e babëzitur,
më dukej sikur thithte edhe frymën time,
sa herë rënkoje në gjoksin tim.
Do gjej nj
ë tjetër me duar më të mëdha se tuat,
që te mos humbasin më,
në shtrëngimin e duarve të mia.
Do ta gjej dikë me hap më të rëndë,
të më zgjoj
ë kur te vijë në takim,
prej ëndrrës së hapit tënd fluturak,
Dikë me flokë të mbledhur
ose bishtaleca
E jo si tuat të lëshuar
ku humbisja si nën kristalet e dëborës mbuluar..
E pra do t'i kërkoj fytyrat të ndryshme, të ndryshme prej tëndes,
por nuk jam i sigurtë
se në fund..
në fund nuk do shoh në to
fytyrën tënde..
Zemër e vogël
të betohem,
do p
ërpiqem me gjithë shpirt
të të harroj,
me aq sa mund të harrohet
..e paharrueshmja.




Nëse ti je muzika


Nëse ti je muzika,
Unë jam pauza midis notave.
Ne jemi së bashku
vallëzim i pafund i stinëve.
Ti je gjethet, lulet, frutat
Unë jam fryma që i mban veshur pemët.
Ti je kënga e zogjve shtegtues,
unë jam era që u bën íso.
Ti je kerthiza e detit në epje,
unë,
përsëritja
e vrulltë e dallgëve.
Ti - flladi i turbullt i reve,
unë - shiu që derdhet i mekur.
Ti - mushkëria e qiellit,
unë - ajri tungues i ëndrrave.
Ne të dy,
Jemi së bashku kaq shumë...
me buzë do ta rrethojmë Hënën,
një herë të fundit.



1. Mbi hijet

Hija ime më ndjek,
si e errët pendë pëllumbi,
si një bisht i hirtë
që diellit i frikësohet me dridhje.
Është kohëzgjatje e mendimeve të mia
mbi sende,
mbi erë,
kujtesë e abisit të natës karshi dritës.

Kur unë fle edhe ajo fle me mua,
brenda meje diku mes brinjëve,
se ndoshta përrallë e Evës-brinjë,
ish veç hija e Adamit që fliste.

Hija ime zgjohet me diellin si dhe unë,
përtyp ushqim, ajër, vetmi,
pi kafe të zezë,
edhe pse unë preferoj çajin gri.
Vrapon me mua mëngjeseve,
djersin,
më ruan nga syri i keq,
psherëtin,
edhe pse pa zë me gulç hije..
Kaq shumë, kaq shumë
do të doja ta pyesja timen hije,
a ndjen dhimbje, a ka uri, etje,
a ndjen nevojën e fjalëve,
syve, të qeshurën diellore,
a ja zbut vetminë prania ime,
siç ajo zbut timen,
apo është e lodhur prej meje,
kërkon shoqëri të re,
dikë tjetër të kundrojë,
të përkëdhelë,
a mos ndoshta i duket se në këtë jetë është e dënuar të jetë besnike me apo pa dëshirë,
skllave e njê fati të hidhur.

Ndoshta do të vijë në varrimin tim,
kur të më përcjellin në tokën e butë
Shpresoj t'i kem lënë kujtim të mirë,
se ndoshta netëve do të vijë të bëjë roje mbi qefinin tim,
apo do bashkohet me sishoqet e saj hije,
në gëzim të lirisë,
pavarësisē së saj të merituar.

Ndoshta
në fund,
s'mund të jetojë dot pa mua,
e si një qen besnik
do më ndjekë,
e do vijë të fle
me mua,
mbi mua,
në mua,
sigurisht..



2. Mbi hijet


Hija jote është sensuale,
sa ti,
dhe ndoshta më e mirë.

Më lër të bëj dashuri me të një herë të vetme,
t'ia ledhatoj format e buta,
errësirat e errta,
ta pyes
sa i mungojnë sytë e tu, sytë e mi..

Do më thuash që kam qenë një kafshë,
që mbeta një kafshë,
që s'kam ngopje në pangopjen time,
për të tradhëtuar tradhëtinë.
Do më thuash jam një polaroid ndjenje,
një retush kallp,
një ripërtypje,
do më thuash asgjë s'më mjafton,
që jam një instinkt i largët gjallese,
një përsëritje spermatozoidësh,
do më thuash...

Por unë i tillë jam në pangopjen
time për ty,
të dua të tërën, të tërën..
çdo frymëmarrje, çdo psherëtimë
çdo gjest, çdo mimikë,
çdo dridhje, çdo ëndërr,
çdo qelizë,
çdo imazh qelize tënden,
përfshi
edhe ato tē hijes tënde
me gjithsej..



Takimi

Paqe,
pëshpërit i liqentë fllad
mbi gota të kristalta,
e kamerierë të bardhë,
shpinat thyejnë
me tavolina simetrie..

Flokët e tua janë
ar diellor që rrjedh supeve.
Nga cepat e gojës tënde qershi,
fluturojnë dallëndyshe gëzimi,
e në gropëz të faqes
fle nje puthje.

Nuk di ç'buzëqeshin më shumë,
buzët apo sytë e tu të qielltë.

Mbërrin porosia
e buzët e tua
hapin fjalët:
"shumë aromatike"

Të shoh
e ndjej
që bukën
e ekulibrit tim mendor
po e përtypin
në një planet tjetër.



Nëna ime


Para udhëtimit për Shqipëri
kthehem në një fëmijê.
Duar më dridhen
gjumi s'më zë..

Para udhetimit për atje
dy zemra më duhen
kur njëra më le,
në prehrin e tjetrës të hidhem
ta shoh me nge
nuk mundem
as të ha
as të pi
asnjë farmak
vetëm raki.
Duart më dridhen
por ta thashë
Nuk jam i çmendur, as i trashë,
para udhëtimit për atje,
dy shpirtra më duhen
kur njëri më le,
si mbi flamur
të bëhem urë mbi veten,
ti them
shpirti im ne jemi dy
por siamezë
dhe pa atdhe
Oi, oi
përgjysëm shpirtin e kam
kur nisem për atje,
në Shqipëri,
është nëna në aeroport
kur më pret me buzë të tretur mallit,
qajmë bashkë me minuta dhe qeshim,
dridhem më pak, jam burrë..
Lotët i ndërrojmë ashtu rastësisht,
siç ndërrojnë buzët cigaret
"Mirëseerdhe shnosh
të ka bo nona grosh!"
"Pse qesh?
dhe qeshim të dy
se ata sy
janë pritja vetë..
Jane deti që njeh vetëm dhimbje,
ja ku erdha nëna ime..

Kur shkoj në Shqipëri,
më duhen dhjetë shami,
t'ja thaj lotët shpirtit
edhe pas ikjes.



Mos të lutem...


"Se ne jemi si dy peshq me gojët e puthitura,
e do të ketë ujë në retë e qiellit
për të na mbajtur gjallë,
ose e frymtë do jetë dihatja e fundit,
e përbashkët
që bashkë me erën do humbë larg..

Se do ketë një qiell për buzët tona
të përskuqura si tullumbace të majit,
mbushur me lutje, e puthje e lot,
E unë lakuriqësinë tënde të ëmbël
do ta vesh me dashurinë e syve të mi,
si Van Goghu vesh me ngjyra gjaku
tabllotë që i varen nga veshët e mureve të dhimbjes.

Se ne jemi dy akrobatë mbi një litar të padukshëm shtrënguar në skaje,
përdridhemi përjetësisht në ankth,
nga njëra anë tendosur prej jetës,
nga tjetra me gropa vakumi zbrazur mungesës.

Ti merre këtë lule,
është gonxhja jonë e ndrojtur,
mbuloje me fryme e me lot zemre,
se është kaq e trishtë
të bësh dashuri,
nëse ajo
nuk është me ty."



Ndarja


Gjaku është pak për të thënë
që e skuqur është jeta,
në damarët e mi shkruhen vetëtimat.
Është një përngulje që formon rrathë dhe ikje,
nga sytë këmbët gëlltitet errësira,
më trego ku netët shqyhen lumturie,
më thuaj ku e ka t'ëmën dhimbja.
Të kapur gladiatorësh në një shtrat që ulërin,
kapërthehen eshtra me vargje gjuhësh të etura.
Një gjysmë hëne e zbehur djersin
me afshin e një pele të lodhur kalërimi.
Mëngjesi është një pellg vetmie..
zemra e natës pikon
nga kafshimet e ënjtura,
gjakun e mungesës.



Dëgjomë


Si t'a them sa më thjeshtë,
dëgjomë
më dhemb shpirti pa ty,
më dhemb..
Lëngon çdo pore
çdo qelizë,
ose më mirë
ndjej mungesën e lëngesës brenda tyre.
Në trup,
në tru..

edhe në ferr,
do më dhembë shpirti pa ty..

Jam me një tjetër por s'është e njëjta gjë,
këtu është si në llaç,
pas pak ngrin,
të dal sa më shpejt
ose do rrjedhin të bardhat mureve.

Gjithë ky krem mbi trup për të të çngjitur nga unë.
buzë që më kafshojnë,
por të tuat nuk i çngjis dot
se më puthin zemrën..

Ç'është ky makth,
lesh i zi,
klithma pulëbardhash
dhe e bardha llaçi mureve të trurit.
Jam si peshk, i gjithi gojë,
dridhem
në krahët e një tjetre.
Pa ty në vete nuk jam..
por kam kohë,
shumë kohë,
kam gjithë jetën time,
për të të mos kujtuar.



Barceloneta


Derdhesh buzëve te mia
si uji prej nje gote të stërmbushur,
e gurgullon
gurgurgur,
si ngjitës
etjesh
përhumbjesh
fentjesh..
Nuk dua të dua,
të huaj,
hua
nga buzët
e tjetrës
të shkruaj
vuaj.
Më thuaj
ç'të ruaj
ç'të tres
ç'të shuaj,
ujvarë e një ëndrre
të bie
thellë
oshëtimë
mbi
ty
ty
ty
zanor
frymor
trenor
hepor
vrullmor,
përbashkuar
në një deltor
oqeanor
dhimbor
shkumor
epshor,
dritë të rruzullit
verbor
diellor..
Një goditje në tru
fundimtare,
e shenjta
e lehta,
e tímes
Jeta,
e bukra
e mira..
Barceloneta.



Sytë e tu


Dy ëngjëj
në një piedestal eterik,
të butë si mëndafshi,
të thellë si drita e yjeve.

Do ti pija unë ëndrrat e tua,
e do të dehesha mbi re,
kalorës antik shekujsh të harruar,
flokët e kometave do të ti thurja gërsheta,
buqeta ylberesh do të të dhuroja.

Për të parë ata
Sytë e tu.

Nën rrahje qerpikësh,
gjer në fund të ditëve të mia,
do të shihja
si përhapet
E përmbyllet,
GJITHËSIA!



Mungesa


Imagjino:
Një jetë të tërë,
pa yje,
det pa valë,
tokë pa qiell,
qiej pa re,
netë pa hënë,
dete pa ishuj,
pemē pa gjethe,
gjethe pa ngjyrë,
lëndina pa bar,
këngë pa tinguj,
tinguj pa vlerë,
pentagrame pa nota,
ditë pa diell,
diell pa zjarr.

Një jetë të tërë,
buzëheshtur,
buzëqarë,
buzëdredhur,
buzëvrarë,
detesh të huaj,
i palarë,
Lot yjesh
i tretur.
Një jetë të tërë
Pa ty.


I gjithi

Jam i gjithi shpirt,
mos më prek,
mos më fol,
bën mirë as të mos më shohësh.
Atje, bregu i liqenit
më ulet mbi shpatulla,
valët i frigohen ndezjes sime.
Jam i gjithi shpirt,
gati për ndezje resh,
mos më shih,
veç dorën shtrengoma
fort, fort, fort..
ajo mi tregon,
tërë
etjet e tua.



Meka ime


Dorën time
mbi dorën tënde more,
si fallxhore lexon
mbi vija,
udhëkryqe,
vraga plagësh të qëmoti.
Vija e jetës
për nga gjatësia.
Rrahjet e këmbanave të shpirtit,
për nga gjerësia.
Trokitjet e orëve të fatit
për nga thellësia..
Ti mendon,
beson,
dora ime është një busull e pagabueshme,
e të nesërmes së lotit tënd..
E megjithatë të them
te gjitha rrugët
dimensionet,
thellësitë
e zemrës time
kanë një drejtim,
një fokus,
të vetmen pikë konvergjence,
permblidhen në të vetmin
atom themeltar
buzëqeshje..
tek
Ti...


Flamuri


Nga vrimat e kafkës sime,
I pashë të puthen në buzë
Simotrat,
Jeta dhe Vdekja.

Se dihet
Pa njërën tjetra dot s'jeton.
U shtrinë mbi një det të kuq
Si dy qelqe mbushur me ëndrra,
Me barqet ngjitur si siamezë,
Pa uri, mëri, vuajtje.
Me njëra tjetrën duart shtrënguan,
Kokat mënjanë në vështrime të skajshme
Lëshuan,
.. në heshtje.
Mandej flatrat e zeza
Shkundën gjithë uturimë,
Shqiponjë dykokëshe
Para të fundit
Përleshje.



Një ketër u mbyt dje


Një ketër u mbyt dje
një ketër..
mbi një kovë me ujë shiu
jetën braktisi..
pa frymë
gjoks e bark i bardhë,
kadìfe mbështjellur
bashkë,
bisht e kokë..
fjeti..
mbi duart e mia.
se një jetë
është një jetë
për të gjithë,
piskamë
që vjen nga askundi
e humbet
në askund.
Shpirti më shumë
nuk do më qante,
edhe sikur sytë të më
shkulnin,
nuk do më dhimbte më shumë..
as vetë jeta ime.
Të gjitha zemrat
një ditë,
e pushtojnë
...paqen.



I huaj


Ky mëngjes.
Kompas hapash diellorë mbi pasqyra,
përgjysmë hapur qerpikë të lagur,
Spektrojnë,
vorbuj ylberthësh të qeshur mbi mure.

Vetëdija ende fle
e ngrohte mbi qepalla..

Një puthje.
Ca pika adrenaline,
pikojnë prej buzëve,
për të vënë në lëvizje gjymturë të lodhura,
lëshuar mbi gulçe
jastëkësh të ngopur me gropa fryme.

Unison.
Nata e lodhur ne gjatësinë e saj,
të ndezur shuajtjesh,
zgjohet.
Ajri i dhomës i lë vend,
trupit tënd në ecje
e pas e ndjek..
Gjurmë e fytyrës tënde
mbi të bardhat e shtratit,
Kseroks alternativ,
fotokopje trupash, trupash të djeshëm,
Në pasthirma djerse.

Zgjohem.
Vesh kujtimin
e zjarrit të kësaj nate.
Kam nevojë për buzën tënde,
një herë të fundit.

Ikja,
e një të mbyllur dere,
Lë pas pezull,
një njollë faji,
që pluskon verdhshëm,
hapësirën.



Aromë kafeje


Dashuria ime zemrën e ka të ngratë,
E frymë merr me mundim,
Ankthin si natyrë të dytë veshur trupit,
Çdo mëngjes mure shpresash ndërton gjithë durim,
E mandejme kryet që i pëlcasin,
I godet sërish për ti shembur.

Si njē ulkonjë që këlyshët ka humbur,
rënkon.
Ditën e mat me metrin e bindjes,
Natën,
me atë të dhimbjeve.

Dashurinë time e kanë rrahur, dhunuar,
Ata katilët,
rojet e kështjellës së mendjes tënde.
Lavire rrugësh,
Mbështetet mureve të shpirtit tënd,
E në heshtje pret,
që të vijë pranvera,
E një ditë të bukur maji,
ta ftosh,
brenda sarajeve të tua,
që profumojnë aromë,
arabe,
Kafe të zemrës.



Në plazhin "Mar Bella"


Sot plazhi ngjan me kopështin e Edenit.
Ka më shumë topless se koka njerëzish,
që lulëzojnë dunave,
si kërpudha të mishta
me maja çadrash të përndryshkura,
të sheshta, të epura, të rrudhta,
të kuqe, të zeza, të bardha,
gati për tu mbledhur nga dora e erës.
Duket si një vdekje klinike diellore.
Ca duhet të jenë helmuese,
por kjo nuk është puna ime,
unë jam sfondi i rërës që i mban,
i huaj.
Një lëkurëzezë fundgjatë kërkon të shesë
ca xhingla,
kavilja e saj ka një përdredhje
interesante
kockore..
Megjithë lutjeve të mia kërpudhat e saj
mbulohen
vetëm për syrin e natës..
Pritja nganjëherë derdhet e artë,
dhe agimi
do të nginjet vese të mishtë..


Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde