Alban Bala: Jam kujtesë më e fortë se aroma e tokës



Një vit pas...


I shoh mollët dhe më kujtohesh…
Te shkëlqimi i tyre i përmbajtur, i butë 
Sytë e tu janë ajo dritë që unë tani marr me vete
Në ëndrra kur s'kam gjumë. 
Si një gur
Filozofik është malli. 
Mungesa jote ndërton kështjella uji 
Në brigjet e detit të syve. 
Kam nisur 
Të ëndërroj gjëra të mundshme.
I qëroj mollët si ti. Kam zbuluar 
Se përtej ngjyrave plot ngjyra të lëkurës
Brenda kanë po atë ngjyrë dhe shije 
Të mrekullueshme.
Shpesh ha në këmbë, jetoj si udhëtarët
Dhe gjumin u bë një vit që e kam pupël.
Nuk flas më për lodhjen dhe dhimbjen e këmbëve
Në mbrëmje jam i heshtur por në mëngjes jam si një pizg 
Drite
Jam gati të këndoj. Miqtë i shoh në sy 
Njëlloj si armiqtë. Më mallëngjejnë bimët
Petali i përlotur i trëndafilit, avulli
I tokës pas shiut…

Nuk kam më frikë, veç keqardhje
Për kohën që iku si ti
Një shkëlqim që shuhet i ëmbël mbi mollë
Dhe mbi kujtime.



Zbulesat e mia 


Frika nuk vjen kurrë vetëm.
Dashuritë varrosen në zemër.
Burrat i ngjajnë rrallë njëri tjetrit.
Gratë mes tyre nuk ngjajnë asnjëherë.

Njeriu ndryshon më shpejt se stina.
Fjalët zakonisht e sjellin zërin me vete.
Zjarri pa tym është një gënjeshtër skenike
Dhe era ka gjithmonë lidhje me detin.

Koha fiton çdo duel. 
Dielli fiket kur njerëzit nuk e shohin.
Qielli është një tokë e mbjellur me ëndrra.
Dashuria është themeli i çdo force.

Jeta nuk mbaron asnjëherë, veç ndalet.
Dita dhe nata jane dy këmbët e dritës.
Vetvetja është një i huaj që e njohim ngadalë
Dhe sa më shumë e përbuzim, më shumë na dhimbset.

Guximi është një lojë me fatin e mirë.
Heronjtë i nderon vdekja që të mos përdhosen
Historinë e shkruajnë zakonisht burracakët
Dhe fëmijët e varrosin në kujtesën e njomë...

Zbulesat e mia, urtia e panevojshme
E një rutine...


Kam vendosur të mos shoh më ëndrra 


Kam vendosur të mos shoh më ëndrra
Tani shtrihem vonë, zgjohem herët
Zgjohem gjithmonë përpara gjumit tim
Flej me kokën nga këmbët. 
Këmbët
Nuk shohin ëndrra. 

Kam vendosur të jetoj pa ëndrra
Mjaft e kam blerë lirinë 
Do të doja ta dija pse vijnë e shkojnë si kukullat
Në teatrin e hijeve
S'e kam mësuar ende e ndoshta më mirë...

Por kam vendosur që të mos shoh më ëndrra
Ta vë shpirtin në paqe e të gjalloj pa drithmën
E dyshimit se shpirti e ka parë të ardhmen...
Për njerëzit
E ardhmja gjithnjë është gjumi i thellë
Pas ëndrrës së parë...


Ti ma sjell Zotin afër! 
Je një mendim që u hap derën syve
U bën rrugë dëshirave, u prin hijshëm fjalëve 
Drejt mirënjohjes dhe lotëve që kanë humbur pragun 

Ti ma sjell Zotin afër! 

Kur ma ringjall në deje ninullën e detit 
Kur pëshpërit si pranvera u flet pemëve në maj. 
Ti nuk u merr erë luleve; i bekon me ajër... 

Ti ma sjell Zotin afër! 
Kur mendon si fëmijët, kur je një prej tyre 
Kur lodron në heshtje me hijen e zemrës 
Askush nuk më njeh më mirë dhe kur s'njihem 

Ti ma sjell Zotin afër! 

Jam një lutje që flet ndër frymëmarrje të bardha 
Jam petal që po thinjet nëpër dritën tënde 
Jam një tingull që shuhet të të dëgjoje zërin 
Jam pasqyrë e gëzimit dhe liqeni i dhembjes 
Jam një ishull i shkretë dhe i gjelbër, jam vetja 
Jam vetmia e ndezur në ëndërrime të nxehta 
Jam një trup me dy zemra dhe një gjysëm e madhe 
E heshtjes, e këngës së përralltë të sytheve 
Që kthehen çdo vit mbi krahë dallëndyshesh 

Jam era, era e detit, e trupit që vallëzon, e mallit 
Jam ikja e dallgës drejt harresës së bardhë 
Ku jeton 
Krijimi dhe loti i kripur 

I përjetshëm është Zoti dhe dorëzimi im 
Tek lutja e imët e një zemre që ndahet 
Por nuk vdes... 

Nuk do vdes për sa kohë 
Ti ma sjell Zotin 
Afër...



Nganjëherë


Nganjëherë përpiqem ta kuptoj heshtjen tënde,
Hijen që ikën butë nga një dhomë tek tjetra
Si zog që hyn e del nëpër stinë.
Shtëpia mban erë të mire. Ndër cepa
Gjej gjurmë drite dhe lodhjen tënde. 
Pas dyersh 
Ende koha na mat sesi po rritemi.
Fëmijët flasin si ti
Qeshin si unë dhe mendojnë në mënyrën e tyre.

Je lodhur me mua. të kam sfilitur.
Duke jetuar me ty disa herë kam ikur.
E kam kërkuar veten me ethen e frikës
E kam humbur konceptin e kohës, hapësirës
Jam rilindur
Në dhimbjet e tua. Besoj se ashtu si fëmijët
Disa herë më ke lindur, më ke ushqyer
Më ke rrahur 
Dhe shumë më ke dashur - si njeriu
Trupin e tij të sëmurë, më ke duruar si dhimbjen
Dhe ke kuptuar se në fund të fundit 
Më kollaj është të rrisësh një fëmijë sesa një burrë.

Të kam dashur, në mënyrën time,
Gjithmonë të kam dashur
Unë që as duart e mia nuk i lyej me krem në dimër
Unë që dentistin e kam zene mik sa per ta zgjuar ne mesnatë
Unë që e urrej shtirjen
Përpara teje kam zgjedhur të luftoj
Nganjëherë
Edhe me fatin e mirë.

Tani ndodh që lodhem ta kuptoj heshtjen tënde
Kokën e mënjanuar në gjumë, buzëqeshjen
E brengave që lundrojnë në kujtesë si anijet
E Odiseut. Jam unë
Anija e jetës sate dhe ti vetë je Itaka.

Udhëto me mua!

Gjej fjalët që ke fshehur në sytë e së shkuarës
Qeshjet që ke dhuruar
Dhe ndoshta kjo legjendë do shkruhet përsëri
Pavarësisht fundit...

Udhëto me mua ! Jam një stuhi
që ka nevojë për qiejt e tu
Dhe ti për fuqinë e pafund të një burri...



Epokale 

E gjitha është një epoke tjetër...
Dita ikën dhe vjen në të shkuarën
Edhe ëndrrat janë si kepucët, 
Gjithmonë 
Të ngrëna shtrembër në shuaj.
Lëvizim në hapësira që tkurren
Si drita e muzgut. 
Kjo është
Një epokë tjetër. 

Paraardhesit
Lindin çdo ditë e me të huaj
Trendafilat tani kane kryesisht gjemba.
Ecim neper të njëjtat rruge
që nuk na njohin me, ne rruge
që shpesh nuk jane rruge: jane monopate kujtese.

Hapat janë shenja të zbehtë ekzistence
të një moshe të gjatë heshtjeje.

Gjithçka jeton në një epoke tjetër.
Tani edhe e shkuara jeton në të shkuarën e saj 
Në pragun e harresës kemi mbjellë emrat 
Në fidanishten e varrezave punojnë gjithnjë e më shumë 
Njerëz. 

Epokë e vdekur
Pa shpresa, pa heronj, pa diej
Ku stinët janë emra fushash të braktisura 
Djerrina 
Në cepa qytetesh...



Me bojë të bardhë...


Nëna ime ka nisur të shkruajë
Librin e jetës,
Vjersha, kujtime, ëndrra
Ka nisur të flasë me të shkuarën si njeriu 
Me hijen. 
Ka nisur 
Të lërë gjurmët e fundit mbi një tokë të brishtë 
Letrash me faqe të bardhë.
Nëna ime shkruan për të gjetur një arsye 
Për të qarë 
Dhe për të parë përmes lotëve ditët 
E lumtura 
Nëna ime 
Shkruan me bojë të bardhë...



Cirk 

Në cirkun e madh ekuilibristi ecën mbi tel
Si unë mbi flokët e brishtë të fjalëve
që era ka ndehur mes nesh.

Tani eci pa frikë. Kushedi sa herë 
Kam rënë
Mbi keqardhjen e syve të panjohur, mbi fytyra
të trishta dimrash, mbi netë vere, mes shirash
Jam rrëzuar si një vetëtimë.

Në këtë cirk shëtitës spektatorët 
Janë gjithnjë e me pak të dhembshur. 
Ka vite që ne tregojmë sa mirë i zbusim kafshët
Por jo zemrat...

Flokët e brishtë të fjalëve 
Nën hapat e mi
Dhëmbin.



Amanet pelegrinësh 

Me kujto me lutje, me fryme, me permallje
Tek nisesh tani nder qiej, drejt dritës
Emrin kur ta thuash, shqiptoma ngadale
Ne rrokje që të bien prej syve.

Më kujto me lutje në shtëpinë e parë
Që Zoti i dhuroi njeriut të dlirë
Kur të prekësh gurët që mbajne erë parajse
Mbi gjurmët e lashta më lësho si hije.

Dhe më thirr në emër në kodrën e Ademit
Ku historia filloi si një ëndërr e rrallë
që mëshira e solli dhe dashuria e zgjoi
Por lutja e mbajti gjallë.

Më kujto me frymë, me fjalë e me shpresë
Më rilind nga gjoksi si një mall të vrazhdë
Që bota e gjakosi por zemra e fshehu
Në thellësitë e besës së parë.

Më merr tej me vete në udhëtimin tënd
Dhe kur të çelë agimi me dritën do të flas
Për ty e vete, Pelegrini im
Ka shekuj që botën e masim me ëndrra, jo me hapa.

Më kujto me lutje se më ka marrë malli
Për Parajsën...




Po vjen stuhia 

Po vjen stuhia mbi det e sterë
Gjurmë vetëtimash vrapojnë ndër qiej
Dhe era klith me etje zërash
që po arrijnë nga thellësia...

Po vjen stuhia, po vjen stuhia.

Dhe nata struket ndër qelqe fikur
Njerëzit përqafin më butë fëmijët
Mbi qerpikë lilash pikojnë ca yje
Rrugët janë re mbetur pa qiell.

Po vjen stuhia, po vjen stuhia...

Vapa ja plasi buzën muzgut
Kjo verë e nxehtë si ëndërr vajze
Me vrull e taft e luzma ere
Mezi pret natën që të flasë.

Po vjen stuhia, po vjen e freskët
Do zgjohet ëmbël borziloku
E plot aromë do jetë mëngjesi
Si një kujtim që del prej gjoksesh

E si kërcej lulesh qiellore
Do na rikthehen vetëtimat
Era e marrë që mban përdore
një det të ngritur gjer në qiell...

Po vjen stuhia, po vjen stuhia...



Shpirti është ende një vegël e dobishme 


Shpirti është ende një vegël e dobishme
Kur gdhendim gurët, kur i thyejmë plisat 
Para se ta mbjellim qiellin me yje
Dhe fushën tonë të ngushtë me grurin e frikës.

Shpirti është ende një vegël e dobishme 
Kur zbusim kafshët dhe mbrohemi nga njerëzit 
Kur ndërtojmë, sidomos kur ndërtojmë 
Por ca më shumë kur prishim 
Miniaturat e botës që na humbi nga sytë.
Kur mjelim qumështin e diellit
Kur lajmë fytyrën... 

Ah, sa vegël e dobishme është shpirti!
Kur dalim për gjueti si të lashtët 
Tani 
Ne dimë të qëllojmë veç mbi hijen tonë 
që na bie tek këmbët si një zog i ngrirë
Prej dimrash që nuk kanë ardhur ende
Por shpirti e ndjen se po vijnë.

Shpirti është ende një vegël e dobishme
që shitet në muzeume...



Motrat



Motrat ulen gjithnjë pranë njera tjetrës
Qëndisin fjalë, thurin heshtje, 
Sy me sy shihen pa e ngritur kokën
E dinë orën nga zërat që vijnë prej tryezës
Motrat janë një fëmijë i vetëm
Që jeton në më shumë trupa ku rreh e njëjta zemër
Motrat janë si hijet e pëmeve mbi hënë
Shquhen vetëm kur ulesh në karriken e tyre
Me sytë e mallit e gjejnë gjithnjë rrugën
Që i bashkon
Dhe rregullojnë frymën.



Si quhet?


Si quhet era kur bën emrin tënd?
Yjet si tinguj tash lundrojnë nëpër qiej
Jam një kujtesë më e fortë se aroma e tokës
që rilind shiu. 

Kam frikë
Se do ta humb dëgjimin, dritën e syve, dridhjen
E lëkurës kur më merr malli.

Kam folur më shumë se ç'duhet me heshtjen
Dhe kaq pak me fjalët...

Tani era bën emrin tënd nëpër natë
Dhe bota rizgjon aroma të fjetura lulesh
Vesa ka mbetur mes syve si mirazh
Qytetesh që do të lindin mes lutjesh...

Veç ma kujto pak
Si quhej era kur bën emrin tënd?



Fuqia e burrit 

Fuqia e një burri është guximi për të humbur
Ethja për ta matur jetën me buzëqeshje të patradhëtuara
Forca për të puthur me buzën e kafshuar
Nga dhembja
Kujtesa e dhuruar në heshtje.

Fuqia e një burri është dashuria e verbër
Dhe dëshira për të krijuar horizonte që s'arrihen
Dridhja e zemrës para lotit të huaj
Dhe shtrëngimi i dorës në ikje pa lamtumirë.

Fuqia e një burri është sy që nuk vret dritën
Eshtë paqja për t'u bërë mik me të vërtetën
Dhe kur e vërteta është armike.

Një burrë është një kujtim që dhurohet
Vetëm një herë
Por mbahet mend tërë jetën...



Kur të vdes 


Kur të vdes, dua të jem në rrugë
Duke parë diellin sesi bie pas malit
Të mbahem tek horizonti para se të bie në gjunjë
E fjalën e fundit t'ja them veç Zotit.

Kur të vdes dua të jem duke ecur
Hapi i fundit do të jetë si i pari
Dhe qeshjen e dua veshur, dhe përshëndetjen
Ta kem dritë të pastër.

Dhe nëse vetëm do të jem a me njerëz
Vdekja është një kujtim fëminie:
Të biesh do të thotë të ngrihesh përsëri
Po aq i lumtur, i pafajshëm, i dlirë...

Vetëm rruga ndryshon. Çdo hap që unë hedh
Eshtë një rrugë e re dhe e panjohur.
Kur të vdes dua të jem duke ardhur, jo duke ikur
Aty ku kam dashur të jem gjithmonë.

Fati është me ata që udhëtojnë.
Zoti me ndihmoftë...



Lutje 


Emri yt vjen në lutjen time
Si bleta brenda një luleje

Në buzën time ti ulesh butë 
Si drita
Mbi zambakun e hajthëm të ujit

Përmbytem lumturie, ethem i pafrymë 
Si një dallgë lumi ne delta pa brigje...

Të të gjej në lutje është si të shkel në Parajsë.
Eshtë si të zbres një nga një nëpër shkallët e brinjëve
Për të ardhur tek ti, tek zemra jote e brishtë

Ah Zoti i kujton të sinqertët me frymën e të mirëve...

Në lutjen time ti vjen si agimi
Mbi një botë që mezi pret të lindë...

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde