Posts

Showing posts from February, 2016

James Joyce - ULIKSI

Image
 (Kapitulli i Parë)  [1 Telemaku] Kacagjelthi, i buhavtë, Buck Mulligani u shfaq në krye të shkallëve tue përcjellë në dorë, solemnisht, kupën me shkumë sapuni në të cilën rrinin kryq pasqyra e brisku. Pizhamja e verdhemtë, hapashalë, kalehtazi, shpupurisej mbas tij në frymën e ambël mëngjesore. Ai e çoi kupën nalt e nisi me recitu: - Introibo ad altare Dei.[1] U ndal, kqyri poshtë shkallëve t’errta e gjarpnore dhe thirri brraukushëm: - Hyp nalt, Kinch![2] Hyp nalt, ti jezuit i mnershëm! Solemnisht u nis përpara e hypi mbi shtratin e rrumbullakët të topit. Masandej u rrotullu tri herë e bekoi kullën ceremonialisht, vendin arrokull saj dhe malet tue u zgju. Tevona me ta pa Stephen Dedalusin, u përkul kah ai dhe disa herë, ngutshëm, bani me dorë n’ajri shenja të vrikshme kryqi tue gurgullu ujin në fyt e tue tundë kryet. Stephen Dedalusi, çartaqejfas e i përgjumshëm, i pshteti duert në majë parmakësh të shkallëve dhe ftohtas kundroi n’atë ftyrë tue-u-tundë e tue-gurgull