Posts

Showing posts from July, 2020

Gilmana Bushati: Fjongo

Image
Dielli edhe pak ka me shku me fjetë mbas majës së malit, që ishte menjiherë mbas shpisë së Dinarites. Ajo vrapoi. La punët që kishte në dorë. Po lante enët te truma jashtë. Fshiu durt me bohçen që kishte para, ngriti nja dy fije flokut ra për ballë dhe shkoi te vendi. Tanë shpija e dinte që ishte vendi i saj. Atje, në fund të kopshtit, pikërisht ku i ati e vllaznit kishin mbjellë misër, pamja binte mbi luginë. Lugina ishte e madhe dhe e gjanë, por nuk kishte dalë aty me pa natyrën, e njifte përmendësh, por atë që kalonte atje poshtë, trenin. Lugina kufizohej me dy kodra të vogla nga ky delte treni prej nji tunelit dhe hynte prapë në tunel. Në momentin që kaloi treni ajo mblodhi dy gishtat e saj, tregusin me të madhin, me e përfshi lojën e mrekullushme të saj, në at’ hapësinë të vogël. Aq sa zanë gishtat krypën për me ba bukën, aq ishte e madhe ajo lojë. Në darkë treni ka me u kthy prapë prej andej kah ka ardhë, por sonte nuk kishte me pasë kohë me e pa, kishte punë. Mbylli sytë, tu and

Gilmana Bushati: Katerina

Image
  Krismat më zgjun nga gjumi, për nji moment nuk u dëgju asgja, as zhurma e perdes që lëvizte lehtë prej nji flladi të freskët, duhet të ishte patjetër andërr. Por nji breshëri tjetër që prishi heshtjen e maparshme, më bani me kuptu se krismat s’ishin të mira. Ishin pak larg, por isha aq e zgjume nga gjumi sa me kuptu menjiherë që çka po ndodhte atje larg. E vetmja gja që m’erdhi në mend ishin ‘kanë lidhje me mu’. Nuk m’u ba me shku me pa natën te dritarja. M’u kujtu baba që sa herë dëgjonte krisma natën afrohej te dritarja për me pa nuk e di se çka dhe i bante me dorë nanës për me na mblu. Ajo mirë mbasi na mblonte kambë e krye mue , dy motrat e mia dhe vëllanë, vinte edhe trupin e saj si mburojë. Gjithfarë historinash dëgjoheshin ato kohë, por frika e nanës ishte shumë ma e vjetër se vetë historinat. Për ne vajzat ishin histori të frikshme me shumë gjak, me shumë vdekje të njerzve të rinj e të vjetër, e kur i njihnim të vdekunit, aty ishte fundi. Për djemtë na ishim budallica,