Gilmana Bushati: Sot due me kenë verë




***

Në kodrën e roztë 
shëtisin dorë për dorë
nji bylbyl e nji pëllumb
dorë shtërnguem
njeni-tjetrit mbetë në fyt
tretë, mbytë
krahë këputun
sqep lëmuem
ai i ma i vogli këndon
tingujt e nanës që e harroi
ai i bardhi shtegun pastron
me puplat e vetme 
nga pluhni i plumbit teprue
dhe duhen, duhen e nuk shuhen 
nën këtë diell oriental
me palma të kuqe. 
Gjurmët e fisit të njeriut kërkojnë
për pak bukë, dramca jete
në shkretina të verdha teprue 
me ranë historinë shkrue 
për me gjetë pak fluturim
a në nji kafaz me u mbyllë
tanë jetën bashkë me jetue. 
Njeriu i parë bart pikëpyetje
të krijuesit e të vetes
e ka mbetë vetë n'atë hapësinë
e s'e kupton
e dyert e mendjes ende s'i ka hapë
për me dëshirue
për me andrrue
dashninë e dy zogjve
që folenë s'e kanë ndërtue
asnjiherë njisoj. 


***

Mungesën tande s'di se ku ta çoj
mbetën pa shpinë edhe këta thonj
gishtat s'lëvizin se nuk gjejnë dot atë gojë
mbramë e mbajta, nji fjalë mos me më folë
buzët, ah, po i la të rrëshqasin  në shi, fjollë
e trupi, asht aty, 
kërkon det në male, lugina, në këto shkrepa shkretë
dhe shtyhet në hapësinat bosh
për me kërkue lëvizje që s'janë për të sot
të harrueme, të kalueme, të ndjeme
të dhimbta janë dëshirat që s'i jepet formë
atje në pasqyrë ngjiti, fshiji, kaloji. 
Femën, unë e ti, 
sikur zoti të ishte këtu
me fuqi me e shndërrue këtë dhomë
në dashninë tande të harrueme në vite
të ikun shtegtimesh që kurrë s'perëndojnë
s'të kish ba ma të bukur kolonë
dy kambë 
që mbajnë sipër nji botë të gjanë
me pranverën si kunorë në krye
e kjo e tanë 
të betohem, mban frymën e çdo zoti gjallë
e i jep jetë vetmisë së yjeve
planeteve të pazbulueme 
dhe puthje me djegë çdo vdekje
edhe nëse ajo vjen tinëzare 
e ndonjë ditë na ban hi
mos harro se jena grimca shpirti
që i ngjitena në trup dashnisë tonë.



***

Me vite
strehëm teme e kam ngritë
në nji gjethe
qysh kur ishte syth 
e deri sa jepte shpirt. 
Në shtatëqind pranvera 
e kam shtrue shtatëqind herë
në fillim me nji të gjelbërt të fortë
e në vdekje me nji kafe të njolltë.
Sonte m'u rrëzua prapë
para kambve bani nji zhurmë të thatë
kafen e darkës ma la përgjysë
e m'u thanën duert
e më lagu shiu
e s'më desh njeriu
e ku me e gjetë pak shpëtim
vetëm te ai det 
aty po harrohem e tretem pak
deri sa streha të me çojë fjalë
se asht gati me më përkëdhelë këtë krye
dhe po ndezet në të parin lulëzim
me diellin në prag.



***

Sot due me kenë verë 
due me kenë ajo ditë
due me kenë ato pak orë
due me kenë ato tinguj
që në nji dashni të pagojë
u shkrinën në melodi duersh
trupash, çmendurinash të vogla
sa edhe perdet u ndjenen të lumtuna
e na ndejtën tanë kohën të puthuna.
Sot due me kenë ngrohtë
mundësisht pak gusht
se due me humbë 
zhytë valëve të Atlantikut
njisoj si në ty, njisoj si me ty
trupi me kenë njish me erën
syni më përshëndetë veç at'  breg të lirë
e mos me e ngritë as at' vetull
me të thanë lamtumirë.



***

Dhimba asht nji anije
e vjetër, e punueme shpejt
për me kapë ajrin e ambël 
për me e pushtue me dhunë. 
Bashi iu gdhend i naltë
ska nji direk, s'ka horizonte me prekë
as orar nisje as mbërritje
s'ka nji ekuipazh për me u kujdesë
për qiell e ré, për me i pa ata yje
netëve të errta, kur hana flen pas atij diell
ka vetëm ngarkesa të mëdhaja
që i merr dhe i mban me frymë
krahë të fortë e shtyjnë
nji tambur i fortë rreh shpesh
deri në gjunjë, atje, dëgjohet 
klithma e lëkurës s'e di se kujt
atje fitorja asht e sigurtë
kur ata në nji formë harkore
nuk ngrihen ma
por në qetësi rrinë përkulë
dhe luten për me u zhdukë
ai lundrim 
a me u mbytë në shpirtin 
e atij që shpiku këtë anije të gurtë. 



***

Jam lindë në nji fushë të fortë
me gurë me cepa, me ana e thepa
të myrrtë, të hirtë
jeta në vrimat e tyne tuej ikë. 
Janë fajet tona, më tregoi ajo nanë
duhet me i la, sa të jena gjallë
se kur të na shkelë kamba në fusha të tjera
s'kanë për të na lanë me ecë
me pa diell e me vdekë. 
Dhe e kam thye shpinën tuej i la
të parin fajin tem, e shpejt m'u ba gurore
e madhe,
sa edhe për malin më merrte marrë malli me e pa
nuk shihja bash nji pemë
nji fletë luleje të bjerë
nji tufë drite, 
e lodhun perëndimeve s'dinte të ma gjente atë faqe
e më më rà.  
E i laja, me ujë shiu, ujë liqeni e lumi
ai i detit nuk m'i gërryente nga pak ata gurë
randë rrinin në qafë, duer 
gishtat në nji përkëdhjelje të dishirueme 
s'më lanë me i lëvizë
e buzët m'i shtypën, me vishnje m'i banen
ngjyrë e bukur, por ah sa dhemb në mish.
E atë vend për hir të katër syve, 
e kam braktisë
e lashë në mes betejën e gurtë
e në fusha të tjera
po lundroj, gëzoj, hidhërohem
trishtohem, dashuroj, gaboj
e po pushoj 
në fijet e holla të barit të fildishtë.



***

Flutur, flutur ti
fluturo në nji vallëzim
të lehtë, ndër qiej
gjumin mbi qepalla mos e lëviz.
Nadja ka ndje tanë brymë
mjegulla ka shtrue
e s'po din me çilë asnji shpi
po ti hedhi hapat
në nji kërcim qoftë edhe pa muzikë
nji 'do re mi', diku, dikah, po jehon
pas dritareve të qepuna 
njerzit pas tyne fshehun rrinë,
fmitë gjunjtë po ua shtërngojnë
dhe ua ndukun veshjet
ditën prej tyne po e kërkojnë
e nëse ajo s'vjen as më dy rreze të vogla
të diellit të pagojë
kërce ti, merrja mendjen errsinës
e ne na çmend
pas perdeve, pas ngjarjeve, pas friknave,  
hapi ngjyrat e ngjyeje ktë vjeshtë
grinë bane të kuqe të flaktë
shiun ndeze ndër oxhakë
dhe na duej
ashtu si na nuk dimë me dashtë 
dhe para se me t'u shkri ai vallëzim
para se me t'u zhdukë ato kambë
na e len amanet
kërcimin tand të mbramë. 
Asht darkë vonë, 
pas derës teme, rrin nji violinë, 
me tela të njomë
e di, asht shpirt, flutur, shpirti jot. 


***

Në nji anë të minierës 
due me e shitë pak kohë
me nji tavolinë të vogël
katër kambë prej druni 
shtrembët rri në hymjen e vdekjes
me dy minerale të zinj po rri
në ekuilibër, të brishtë, mos me thye
mos me plasë asgja nga e shtrenjta
që kisha deri më tash 
dhe e kam nda, mijëra copash e kam ba
vit, minuta, sekonda, frymë
dhe i kam radhitë
dy gisht vend për emën, shtatë vend me qa
tre me la trupin e ndërresat, 
njimijë orë tuj mendue, 
aty, tuej rà prej cepit, janë minutat që kam dashurue
rraqe, shumë rraqe, shtyjnë njena-tjetrën
gati me u vra.
E pres minatorin e parë nadje për me më ble
me çka t'i ndodhet në xhep
dy dromca buke, nji copë djathë
nji kafshatë byrek të nxehtë
me gjithçka po due me e shitë
se me mbet' në shpinë si peshë
e kam kaq vite, asnji tingull fizarmonike
luejtë si tango diku në qoshe të Europës s'mu shit
e të fundmit minator 
ia mbështolla në nji bohçe 
e vetmja ngarkesë, ditë pune e pagueme
prej meje
m'i ço këto rraqe atje
në dreq
nëse buzëqesh ti
unë kam për t'u knaqë
do e fik ambël ditën 
e do flej tuej qeshë.



Dashnija e kësaj nate

Sonte s'due me ba dashni me ty
rri aty në shtrat gjysëm i zhveshun
e më shih tek mbështes kryet për dritare
ma kundro shpinën
rreth saj krahët e mi
mbështjellë për mos me pasë frikë
ftohtë, mornicat në ecjen e tyne
të më përshkojnë për këtë shi
mezi e kam pritë
si dashninë tjetër të kësaj vjeshte gri.
Magnetofonin mbaje ndezur
ta shijoj veten në tingujt e 'Purple rain'
e mos u përpiq me më prekë
e due trupin lirshëm prej duarve tueja
me gishta të fortë
që digjen me më përfshi edhe kur laj enët
sonte po ndjej në zhurmën e tij
sonte mos prit prej meje afshe
por shpresë se kjo natë e fillueme kështu
mos të zbardhi në orën gjashtë.
Ja po e hapi dritaren
pikla uji të m'i lagin gjinjtë
mos m'u mërzit
kojshitë kanë fjetë e askush s'më sheh
lakuriqësia jeme asht e vogël
e huej, pa za, pa fjalë
s'më dallon kush ditën me rroba veshë
jo tani, që vetëm dritat e verdha bien në rrugicë
në qytet, në atë kishë
si terapi gjumi, terapi të fjetjes pa andrra.
Dëgjoje Princin, 'u' e tij të gjatë në fund
i ngjan vajit tim
që edhe nëse s'ekziston ky shi
s'ka për të më pushue
i ngjan mungesave të mia
e tuej qenë se s'je aq i gjanë sa ky që bie nga qielli
s'mi plotëson dot as ti.
Vetëm më puth e fli gjumë
në shtrojën me andrra të rrxueme
Shiu asht dashnija jeme kësaj nate
gjithmonë e dishrueme.



***

M'u thye dielli
në dysh kërciti
e si kristal m'u hap ndër duer
e më ra në tokë me dhimbë
asnji rreze nuk shpëtoi
zvarrë e dhanën frymën
aty poshtë shtratit
u fikën
e në terr,
pa as atë hanë që me të mirë të merr
po due
nji diell pa u plakë
me lindë
që kur të hapi sytë nadjeve
të di kë përshëndes
'diell të mbarë
diellin mos harro me vedi me e marrë'.



***

E shtrina brumin në tavolinë
me ba pak bukë
dy racion për fmi
nji për ty
unë s'ha
s'kam për të hangër asnjiherë
se ngihem sa herë kam me pa vedin
në të tuejit sy.



***

E di,
jam vetëm në këtë faqe mali
e heshtun, e vrame,
dhe shtyp me kambë
pika shiu
në rè s'ngrihem dot
mos me e lanë me rà
e me ta heqë atë fije të trishtë
ngatërrue në ballë
ardhë rreth në vetlla
shtri në gushën e mprehtë.
Krahët që m'i bani nana
m'i dha për me lëvizë
me shtye, thye në dysh gurë
dhimbë,
me krehë flokë të shtrime
me bajtë jetë, fmi, rrugë
shpinë në kurriz me e ngjitë.
E i kam të randë,
flatrat e mia s'fluturojnë ma, asnji natë
se doja me e ndalë shiun në qiell
asnji pikë e tij mos me të cekë
e me diellin me ardhë me hangër me ty kaftjall.



***

Lufta u nis për rrugë,
dy hapa para meje
me të njëjtën jehonë
si gjithmonë
kur zgjohet nadjeve pa u krehë
nji oqean të zhytun në nji gotë
shpirtin e marrun nji fjalë pa folë.
Due me e zanë
me ia kapë ritmin
me i kapë kangën me hap rreshtor
me iu mbështetë valvitjes së flamurit
por jam e vonueme
hapat lodhen në të dytin vrull
s'më qepi kush këpucë për betejë
parzmore për mos me qa
s'u skalit në kundër nga askush
ajo vrapon
në gjakun e tjetrit madhështi kërkon
e unë pastroj njolla
që kujtimet e tyne më tregojnë
diçka të trashëgueme ma lanë
në dorë,
diku me çue nji copë medalion
diku nji faqe me puthë
diku dy sy me mbyllë
diku nji përkëledhje me e kalue në të ftohtë
diku nji derë shpie me trokitë
diku nji grue me e përkulë
dhe unë ngrij
kallkan si njollë e kuqe
t'isha lufta
t'isha në luftë
ma shumë se kaq s'kisha me vdekë.



***

Në nji anë të minierës
due me e shitë pak kohë
me nji tavolinë të vogël
katër kambë prej druni
shtrembët rri në hymjen e vdekjes
me dy minerale të zinj po rri
në ekuilibër, të brishtë, mos me thye
mos me plasë asgja nga e shtrenjta
që kisha deri më tash
dhe e kam nda, mijëra copash e kam ba
vit, minuta, sekonda, frymë
dhe i kam radhitë
dy gisht vend për emën, shtatë vend me qa
tre me la trupin e ndërresat,
njimijë orë tuj mendue,
aty, tuej rà prej cepit, janë minutat që kam dashurue
rraqe, shumë rraqe, shtyjnë njena-tjetrën
gati me u vra.
E pres minatorin e parë nadje për me më ble
me çka t'i ndodhet në xhep
dy dromca buke, nji copë djathë
nji kafshatë byrek të nxehtë
me gjithçka po due me e shitë
se me mbet' në shpinë si peshë
e kam kaq vite, asnji tingull fizarmonike
luejtë si tango diku në qoshe të Europës s'mu shit
e të fundmit minator
ia mbështolla në nji bohçe
e vetmja ngarkesë, ditë pune e pagueme
prej meje
m'i ço këto rraqe atje
në dreq
nëse buzëqesh ti
unë kam për t'u knaqë
do e fik ambël ditën
e do flej tuej qeshë.



***

Ka hanë, sonte ka hanë zemër
kishte ditë që me ne ishte mërzitë
po i mbyt me dritë
majat e kishave e katedraleve
po na i mbyt me shpirt
trupat tanë të etun për me e pa
E dora jote zgjatë me e prekë
mbet' e shtrime në të mia flokë
e përshkon ambël trupin tem të ftohtë
melodi po drithëron
dhe më ndalet në gjoks
dhe më tretet në sup
dhe më shtërngon fort
dhe yllin ma ul këtu në mue me më ngrohë,
e zani jot vjen si kumbim balade të harrueme
'pashë dritën e asaj hane
me më dashtë pak, pak zemër, sot'



***

Shkuen tre ditë,
tridhjetë vjet
treqind
tre mijë
tre milionë
dhe nji numër që s'asht shpikë ende
e asnji s'e kaloi rrugën
ku ulun rri njeriu, veç nji
asnji ma shumë, ai dhe hija e tij
shpatullat i mbetën pa mbulojë
e ia rrahën stinët
e ia hangrën deri në kock
pikat e shiut,
shtresat e dhimbjes
lëkura i asht rrjepë,
s'i mbet as nji cep buze për bukën
por ai s'e kupton
gjithë skeleti i asht shembë nji nga nji
por ai shpreson
se zemra, mbetë ende e kuqe
me e rritë
kur asaj rruge t'i kalojë
e dëshirueshmja përkëdhelje
e munguemja fjalë
e ndriçueshmi diell.



***

Qielli u hepue
në pemën për karshi
i pëshpëriti fjalë në pëllambë
të kafta ato duer
të plasta
me qoshe të vrame
por strehë për korbin
që këndon kangën e zogut të diellit.
E përkëdheli atë fmi toke
me erën mbetë pas reve
dhe e fundmja ngjyrë jeshile
mbet' në fustanin e vajzës
që po vallëzon sonte nën shi.
Nga përkulja e tepërt
qielli s'po këndon asnji baladë
flokëve s'po u kujtohet asnji sinfoni
e nga vjeshta e tepërt
po gdhendë pa prà dashni
në kambët e valltares së natës, së stinës, së jetës
që s'di me vdekë në asnji hap
tuej kërkue me gjallue zjarr
në këtë pemë me zemër të lagësht.



***

Asht stina e korrjes së mëndafshit
fije më fije
ah sa diell ka në to
ngjyra plot,
dritën nuk e lanë vetëm në këtë mot
me dridhjen e fjalës 'të due' këputet në agime
me trembjen e dashnive në fluturim përpëlitet
për me fjetë, qetë,
në punimet e grave
që me gishta të përkorë
punojnë shpirtin e tyne
dhe derdhin vedin pa dhimbë në nji perde të hollë
në trupin e tyne veshun me erë
dhe u valvitet kënaqësia
si shkëlqim i atij mëndafshi të butë,
ngaherë si jetë.


***

Shekujt u lodhën
tuej i mbjellë detnat me lumturi
tuej i veshë me dashni
për zemërim lindën dallgët
për trishtim nji zgalem
që fluturon si shpresë për të humburit
e kësaj thellësie
e asnjiherë s'e kuptuen se ai asht nji arë e madhe
zemër e përbashkët
për ata që dinë me përkëdhelë bukën
aromën e saj me ia ndje prej larg
ujin me ia pi tuej u ngi, përditë
e krypën me e shijue si qënie e thjeshtë
e në lindjen e diellit të paqtë
shekujt mos me u plakë
në valëzimin e kësaj fushe të begatë.



***

Perëndimi lëngon për nji tigër
qan
në gjak lëshohet atje cep të qiellit
si sy i largët
në vullnetin për pak dëshirë
me vrapue, me këndue
e në fund të saj me fjetë
me e harrue zgjimin tand krejt.
Këtij perëndimi që e mbaj në dorë
ujq i afrohen
për me i shkye të bukurën formë
dhanë nga pika e horizontit
ku ndodhin ngjarje të flakta
dashni që ndezin re pa prà
ujna që krypin trupat në harresë
e dojnë me ma marrë
në dhambtë e tyne që s'presin asnji hanë
gjysë, të plotë a të mallkueme
e me shtegtue në pyjet
ku gjallojnë strofka të nguluna si thika në tokë
atje ku ndezin sytë për me u ba trima
pas lufte të pafillueme asnjiherë në ballë,
por pas shpine, pas zemre, fshehun shpirtit.
E unë e due këtë perëndim
asht i jemi, asht aty për mue
vetëm
atje mbi shkambin gati me m'u shkri nën kambë
me u ba pluhun
mbi përkuljen e shpijave të plakuna
arrij me gjetë tigrin në mue
e me ulëritë
deri në pikën e fundit
dhe në gjumin e ambël me andrra tanë shkallë
marr me vedi
nji dorë rrezesh që më qeshin.



***

Pulëbardha fjet' tash sa vjet
e kish nji vend
ndër pendë me u fshehë
mos me i pa perëndimet
lindjet e diellit
vuatjet e vedit në lindje të vështira
jugun e ngrohtë
veriun e shkretueme nga bora
mos me dallue nëse asht e dielë
e mërkurë, mars, shtator a dhjetor.
Era e stinëve
harrue në ashklat e liqeneve
ia ledhatoi qafën e lodhun
nadjet ia pëshpëriu në vesh
darkave i dhuroi nji zjerm
dhe ia këndoi kangën
me violinën e gjetheve mbetë shtri përtokë
aty ndjeu ngrohtësinë
shkrue nga nji pëllambën me dhjetë magji
dhe u çel,
lule e mungueme e këtij kopshti të vogël
hapi pendët
dhe fluturoi në hapësinat e ngjyeme gjak
flakë
tmerr bukur me vdekë.



***

Andrrat po ia fal
shiut që më ra në këpucë
erës që mori aromën tande
dritës që po të tret ndër netë
këtij liqenit që nji përrallë s'e di
rrugës për në shpinë e harrueme
qytetit të lodhun për dashni.
Gjumin e zhveshi,
due të jetë në mue
në ditët me diell
me sy shigjetë nga qielli i huej
netëve të fle në krahë të mi
në jastëkun që e mori vetëm nji mall
në errsinën me lëvizje të çmendun në mue
dhe të tres, pa vdekë, në turmën e njerzve
që s'dinë se çka asht 'nadja e mirë'.



***

Harresa varë më ka mbetë
në gjethin e fundit
në vjeshtë
me gjysëm qiell
me errsinën që më kap në rrugë.
Zgjatem me e kapë
si kujtim i verës së mbrapshtë
me duhet si cung
me mbajtë me dritë
dimnin e thatë
e në ranien teme të lirë
harresa asht dashni pa iluzion
e shtrime në buzë
ledhatim që të mban
nji jetë
edhe pa vdekë
ngrohtë.



***

Zani hyni i pambrojtun
çau ajrin e çka gjet para tij
merimanga, harresa
dy diga
malin, ferishten shtri në luginë
e mbërriti i lodhun
deri në vesh
ia doli
me më ushtue
si jehonë
me më rrahë për ftyrë
si ernat që kryqëzohen në atë qytet
që rriti fmi me qamjen e vet
me ngjyrat e pamunduna
me kangë të ftohta
borë krejt
por me dashni
si ai zani që m'u derdh në mue
e prej zjerrmit të tij
s'po mundem të digjem
vetëm me e dashtë
me e shtri dorën ambël
mbi timbrin e tij
e me i thanë
'hyr, e më prit në shpirt'.



***

Tri kocka zemre do t'i blej
në tregjet e dhimbjes
në fushat e vdekjes me shumicë
me të shtrenjtë
me të lirë
por do i blej si antikuare
të asaj jete që s'asht ma,
e preme në gjysë në fyt
e përshkueme në plumbin shenjali
e harrueme në kenetën për bukë
e thame në qershinë ku askush nuk u ngjit vetë.
Do i mbështjell me kujdes
në çantën e shpinës do i ngarkoj
humbja jeme më randon ma shumë
rrugë të gjatë do baj,
do udhëtoj, hapësinat bosh t'i bashkoj
t'ua kthej rranjëve të këputuna atë shpirt
aq sa mundet tre kockat me mbajtë
ta lidh me shpresën e të gjallit
që pret ditën kur derën kam me e kërcitë:
'hej, këtu ke eshtna,
m'u skuqën rrugës
u zbutën nga përpjekja e ardhjes
por kujtim mbaji
bani nji varr
dhe mos i shif ma në andrra
nuk e di a asht nana apo baba
motra, vllai apo djali
por janë për ty
dhuratë në këtë shekull që të gjet pa dritë'.
E ai me qeshë me tragjedinë e ditës së vet
dhe me më puthë fort
në krahë me më lëshue ofshamën
e ruejtun për andej
me e tregue se ç'ka ishte kjo botë;
'po të parin tim e bluen në çekiç,
s'po kërkoj ma eshtna
por thërrmijat e tyne
mbi 'to dikush ndërtoi lumturinë
s'due me ia marrë buzëqeshjen kujt
por para se me ikë
t'i baj nji gropë diku, kujtimit tim të trishtë.



***

Nji grusht borë e ruej prej vjet
e butë, si gjumi jot
e rreshkët si andrrat që të kalojnë
kur flen në sallon
të dashtuna kur më rrin në krahë
dhe nuk thue nji fjalë
e kuqe si zjarri që sjell me vete
dhe e merr, s'kam nevojë për krande.
Kur të shkosh në punë
për rrugë
në qytetin tand
a ndonji ditë bahesh ajër
borën kam me e marrë
fije fije tuj e hollue
ta hedhi si flokë
me e shkri ngadalë
te vendi ku të kaluen kambët
te njollat e venës mbi çarçaf
te bisedat e gjata
te mesazhet telefonike e shkrueme keq
te kangët e Celentanos
te përpjekja me u njoftë...
te qetsia jeme që la gjithçka tanden jashtë...
Kaq flokë ishte kujtimi jot i ftohtë
mbuluem me harresë të bortë
e unë s'do ta di a ke pasë emën
por dashninë e tretun në netë të vështira
s'kam me ditë me i hedhë asgja përsipër
s'due me mbulue me asgja
do e la të lakuriqtë
se më mban duert ngrohtë
deri sa e bardha e re të bjerë sivjet.



***

Anë, duert e tueja
janë të thella
ato s'hapen
ti nuk flet
e unë due me ditë
çka fshihen pas tyne
pas premjeve
vija horizontesh
shtigje honesh.
Zemër më trego
pse i ke duert e trishta,
ke fshehë aty
dhimbjen e stinëve
çmimet e rrituna të bukës
tufën e luleve që vyshket në kalendar
trazimet e viteve të fmive
lëkundjen e reve pa u ba shi
buzëqeshjet e hirta plasë në fotografi
puthjeve të pa puthuna në asnji stacion?
Anë, sot u ba që në mëngjes natë
por dëshira e pathanun asht këtu
ma jep atë pëllambë
ta di deri sa thellë të hyn kjo jetë
që t'i mbledh duert grusht
gjak të pikoj
në rrugë të qytetit të la gjurmë
askush, zemër, mos t'i ndjekë,
fmitë të rriten me pyetjet e thellësisë
e jo me ithtësinë e thellësisë vetë.



***

Dans les Pont des Mortes
on attend le soleil
në mesnata të errta
të shpeshta, ditë thuajse s'ka
shkrepja e vetëtimave rrahë për ujë
shkrepsja e duhanxhiut mbështetë në prag
dhe mbi dritë të mungueme
asht dëgjue grindja e tyne
lëvizja në ajër e duerve
rrahja e kambëve për fund
gojët pa za, e fjalë pa u thanë
të dëshiruem vetëm për at' zemër
E unë ua kam dëgjue psherëtimën
e thellë për frikë ndjellë
e gjatë me përshkue nji jetë
e lodhshme si ky lum që mezi rrjedh
dhe kam qa
si fmija i parë i kësaj bote
e kur dielli erdh me më pà
nuk dit ma
se si ato lotë me m'i thà.
Dans les Pont des Mortes
askush s'e pa atë diell
askush s'e ka nji zemër me ta dhanë.



***

Dy shega më gjenden në nji oborr
larg
ah, sa larg, ky tetor po ju pjek
Tivareshe e Devedishe diell po ju skuq
zemrat gjak, ndjenjën prush
si motra mes vedit
të idhunueme me mue
tuej pëshpëritë pa pushim n'at cep Shkodre
se si nuk iu fola me gojë për kaq vite
e m'i numëroni vjedhjet
hypë në ju, zdrypë me gjoksin plot me ju
për me i gëzue
ata që në pemë kurrë s'u përpoqën
me ju pa të lumtuna.
Sot më shpon kjo shija juej
si gjembat të munguem në mishin tem
që gjak, plasë, ma nxorët me radhë
pa me falë
asnji ditë
asnji stinë
dhe unë pi venë
gjakun tuej me kujtue
e askush s'ma bekon këtë të lumnueme
si plagën tuej
si kujtim mbet' i huej
e unë në mallin e shishes bosh
me pushue.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde