Muhamet Ademi: Motet ikin ma shpejt se andrrat

Muhamet Ademi, portret nga i biri, Leka Ademi



Një jetë në Kërrabë

Një jetë në Kërrabë
Ka nga këto gëzime:
Të presësh autobuzin
ditën e shtunë
me njerëz të largët dhe të afërm,
me kujtime
e ngjyrë dhe mall
Tirane e Shkodre.

Dëshpërimi më ndrydh më shumë:
- Ne s'jemi nga të ardhurit
por të këtushmit
të qëndrueshmit
Jemi nga ata që presin e gjithnjë presin
me vite, me jetë...
të mbeturit.


Motet kanë ndrrue

Prej gëzimesh që kurrë s’njohta
prej zanesh që kurrë s’dëgjova
prej grash që kurrë nuk pata
Unë vuej.
Kujtimi
bren jetën time
mbi mue,
mbi ninzat e ftohta
të zmadhueme e t’rrita
m’ep dhimba,
më gjakon,
më pervlon,
dejt e shtrime
me dëshira kote.
Motet kanë ndrrue
më shpejt se andrra ime.
I njëjtë mbeti kujtimi.
Prill 1944
(Botue në “Fryma”)





Kështu

Kështu qe,
dhe s'qe
puthja të ishte e përkryeme
e të mos linte shijen e pandreqshme
të mëkatit, të vonesës.
U detyruem në shpërdorime,
heshtja qe e tepërt, këtu,
por e ligjshme.
Ajo u përsërit nga një kujtim te tjetri
pa formë, pa ngjyrë, pa tingull, pa titull.
Lehtë s'kalohej shthurja e planifikueme.
Me hapsinën e krijueme u përmbysën:
ndërgjegje e ndershmëri.
Goditja e origjinës
zbriste gjithnjë e ma thellë, ma në brendi.




Poezi

Poezi,
në çdo skutë tanden
po i shkrij fyerjet,
goditjet, rrëshqitjet, ikjet;
se mos një ditë,
pa pritë,
(të) nënshtroj dobësinë e kalueme,
 e të shkundi
plogështinë e lirisë,
që më zotnoi.
Si mund të fali
të kaluemen e të tashmen,
kur urrejtja
ia ka behë
në thellësinë e thellësisë sime?




Jam
Skice, Muhamet Ademi


I ganduem
e i gozhduem
për emrin
e mbiemrin,
jam.
I lidhun
për zjarrin e ferrin
në biografi,
jam.
Në frikë notojnë
shpresa e andrra
e drithërime t'imta
e vetmi.
Liria s'pret
e s'jam i lirë.




Edhe muret

Edhe muret kanë veshë
këtu,
edhe shtretërit, karriget
kanë ethet e shpresës
si ne, me ne.
Ajo, uzdajë, drithëron,
zbehet e ikën
si zogjtë larg nesh.
Sa e vështirë dhe e hidhtë
të qëndrosh i gozhduem në shtrat
dhe në qiell të lundrojnë retë e yj!




Atë ditë

Një ditë e dij,
e dij se do të vijë,
kur unë të jem gati,
për të panjohurën,
të paditurën,
të pa zbuluarën,
të padëshirueshmen.
Sigurisht,
Do të vijë,
por s'do të jem i vetëm.

Atë ditë i qetë dhe jo
i heshtun ndoshta jo
i ngriem jo se jo
i ndëshkuem nga jeta po.


E fundmja

Edhe pa shpresë
Në ferrin tonë u jetoka.

Poezi 

Ma e mbramja brendi e fazë,

e fundmja shkëndijë e pritjes.




Sa dhimbë! 
Skice, Muhamet Ademi


Sa dhimbë!
Sa dhimbë
me kujtue jetën,
fluruese me zanin tim!
(Kur dita shkimbet
e nata ende s’duket)
Sa dhimbë
me të kujtue sytë,
sytë tuej të kaltër.
Rini
që një ditë hija e muzgut
do t’i mertisë.
13. 2. ‘43




Erna…erna…

Erna…erna…
a i ndien?
Rrshqasin mes gjethesh
të lagun
nëpër rrugë të heshtuna
me kangë të grisuna
me lotë të ftohtë.
Tjetër asht e nesërmja
e tjerë janë hapat
e ngjyrat,
nuk dij se cilat.
Erna… erna…
mikeshë,
a s’i ndigjon?
Janë tinguj,
që zgërdhihen me mue e ty,
janë tinguj të marrë,
asht koha.
Të e due kohë
rrashtën e frikshme
tanden me rrokë.
Digjem
me krahët e mij të brishtë,
me duert e mija t’ hajthta
me t’i gërrye vargjet
e dheshme.
Mikeshë,
hesht e ndigjo,
a nuk të ngjajnë kto erna
si andrra flatrash?
Kjo asht jeta,
që t’peshon
mbi qepallat e zbeta
e mbi duert
e djersituna.
Fruer 1944
(Botue në “Fryma”)




Natën nuk mund…   
Skice, Muhamet Ademi


Natën nuk mund ta kapi
ndër gishta t’mij ta shtrydhi,
ta thaj, si lulen në gji ta ndrydhi.
Fryma e saj valëvitet,
hija e saj dridhet
ndër buzët e sytë tanë,
derton,
si heshtja përmes gjetheve
i përshkon.
E rrjedh në pika gjaku
e gjaku asht kangë,
e gjaku asht Lumni,
e gjaku asht bukuri.
Por bukuria ban
që lodhja të jetë natë
e nata kangë,
që s’pranë
në mue.
Kallnuer, 1944                   
(Botue në “Fryma”) 




Pranë shtratit


Në dhomën e mkatit,
pranë shtratit
frushulloi fustani
e ra pa jehonë,
si pika e gjakut
prej plagës së njomë.
Bardhësia e shtratit
rri në vorbullën e mkatit.
N’pasqyrë u fiksuem
lavirë cullake,
të dy në fytyrë u zbemë.
Shpirtënt tonë s’u pushtuen,
mishrat tonë u shkrumuen,
Vrag tretme e u mekue.
1943




***

Hesht,
Mos fol, mikeshë!
Ndër buzët tona,
Fjalët kanë jehona
që t’shastisin.


Hesht,
mikesha ime!
Gjethet shushurisin,
Buzët tona murmurisin
të përjetshmen melodi.




Shpeshtim

Durimi i ashpër s’ikte aq lehtë,
egërsohej edhe urrejtja,
por s’i mjekonte plagët
qe më forconin qëndresën.


Çdo gja vjetrohej:
edhe hapat e përqafimet,
grusht mblidheshin gishtat
e goditnin gabimet e mia.


Shpresa e besimi, të gënjyem,
lehtë gjunjëzoheshin
e binin në laqe.


Boshllëku u zëvendsue
për aq e kaq vite
me gënjeshtra, mashtrime.



Pasiguria 
Libri ku jane botuar poezite, ''Liria e fijes se barit'


Pasiguria,
ajo zuskë muer fluturimin
nga kafshimet e shqelmimi i njerzve.
Pezull ngelen në përgjim
Koha dhe shprehja


Pasiguria,
Ajo lavire ndërhyni e u zhyt
Në ngjarjet e mia të ngrohta e intime.
Ndëshkimi e godijet e dobësitë
Filluen që në ditët e para të çlirimit.
Rrugëzgjidhje s’u gjetën.


Tashti po hetohemi
në çdo lëvizje
S’arrijmë të pushtojmë ma,
Pasigurinë, as besimin tonë.
Korrik, 1978



Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde