Posts

Showing posts from June, 2019

Kohë me u ndalë

Kanë pré jonxhen. E kanë paketu, mbetet veç me e sistemu ndër magazina për me e ruejtë për dimën. E kanë korrë mbasdite vonë. E fusha e gjanë lëshon aromën e milionave fijeve të preme e të përplaset në ftyrë me tanë fuqinë, shpejtësinë bashkue edhe me ndriçimin e nji diellit, që me kujton shpejt bisedën me ty. Po, tash ti ke erën e tokës. E kësaj toke që rrit çka don me mbi vetë,   çka mbjellin, rrit çka nuk ka kenë e tash asht, e i kthen tanë në nji cikël, lind-gjallno-zverdho-mbaro. Të vjen era tokë, e ndjej, kjo asht gjaja e parë që më vjen ndër mend e deshta me ta thanë. Të vjen era tokë. Ja, asht gati tuj u ba edhe gruni. Sot, nji ditë, s’ka randësi emni, e ndala makinën në anë të nji fushe. Nadje heret, zbardhë kish, gjithçka ishte zgjue, njerzit hala, gjumashë të mëdhenj. Gruni, të mbjellunat e tjera dhe ato që mbijnë për qejf të vet, e kanë farën e lashtë ato, ishin zgjue. U ndala. I hyna fushës me kambë. Ka kenë nxehtë këto ditë, por nadjeve lagështitet gjithçka. Mora nji

Në prag me diellin

(koha dy) E di, në këtë kohën teme, lindjet e perëndimet e diellit janë ba magjike. Kanë kenë gjithmonë të tilla, por tash po i shijoj ma tepër, se në rrugën teme të shkumjes e të kthimit, i shijoj tuj bisedue me mend me ty. Nuk e di a ke pasë ndonjiherë kohë me i shiju ti, a e ke pasë ti atë kohën tande për me kenë vetëm me diellin, në fillimin e mbarimin e tij në këtë hapsëinë gjeografike.  Kur dal, dielli asht tuj i skuqë rrezet dhe i shoh vetëm majën. E di që pak kilometra ma andej, ndoshta janë dhjetë, e kapi diellin të plotë, në nji zonë ma të naltë se shpija jeme. Atje, e shof në sy dhe bisedoj me ty. Mendoj se je ti që e ban të bukur, bashkë me nji vizatim kryebeprër resh përreth. Adiku, në nji pikë, para nja katër ditësh ndala makinën në mes të rrugës, s’kisha asnji makinë mbrapa. U ndala dhe e shijova, mora frymë thellë, sa bisedat i paskena pasë ndër mend na të dyja.  Kurse në gjashte të nadjes, lindja e tij, shpesh në anën ku nisi makinën, shoqnohet, jo vet

Bisedë me tokën

(cikël kohet) Ku e kena pasë lanë bisedën…po, ‘alo, unë këtu jam, të dëgjoj shumë mirë’. Ah, po ty ka ditë që të dhemb veshi e nuk dëgjon mirë, pak t’asht vështirësue dëgjimi për shkak të viteve e për shkak të sëmundjeve…(kot me ta thanë, ti tash e din mirë, ty të kishin përgatitw me i humbë betejat, s’kishe si me e fitue edhe këtë të madhen)….nejse, unë po vazhdoj, kam shumë me thanë, këtë herë e di që s’e kam kundërshtimin tand, as pickimin, shenjë e hershme, mësue qysh fëmi, që donte me thanë veç nji fjalë ‘mos fol’ ose ‘mbylle’. Tash po të tregoj, m’u duk sikur të pashë. Nuk ta kam tregu se punoj natën, se e di që kishe me u shqetsue, kishe boll tuejat. Të hanën, aty nga ora 00h15 dola u bana gati e dola në punë. Semafori i parë këtu afër shpisë, ishte i kuq, u ndala. M’u përballë meje, poshtë nji peme të madhe, e cila ban hije të madhe e s’e len ndriçimin e rrugës me ba pak dritë, ishte nji gja e bardhë, si çarçaf dukej. Shikimi s’ishte i mirë. Ishte natë e pak larg. 

Ditë maji

Image
Kjo fotoja asht ba në momentet kur ti po merrje rrugën për lirinë tande. Qëllova larg, si gjithmonë në fakt, larg, isha me lirinë teme, se liria jeme s'ka kenë kurrë e plotë aty afër, biles tanë ajo hapësinë që përmbante afërsia jote, pra vendi jem, ka kenë, asht e për shumë kohë ka me kenë vjedhësi e dhunuesi ma i madh i frymës, i tandes, i temes e i tanëve. Pak orë ma parë ishte ende natë e thellë, kur u zgjova e hapa dritaren e dhomës, vajzat flenin mes andrrash fmish. E hapa për me dëgjue kangët e natës, ishte shumë pa zbardhë e nata ka shumë kangë, sepse feston edhe ajo vedin e vet. Qielli ishte plot me yje e ajo muzikë më bani të lehtë, si nji pupël shpendit që s'i peshon as pika e ujit.  Këtu atë ditë ishte dita e nanave, me 26 maj, e i kisha ba dhuratë vedit pikërisht nji vend ku liria e shpirtit e trupit merr krahë e aty gjenden shumë përgjigje pyetjeve që në jetën e përditshme të duken të vështira, por aty të bahen të thjeshta. Ti s’e ke pasë kurrë kë