Posts

Showing posts from September, 2016

Gilmana Bushati: Duer

Hana ishte e plotë, ishte fresk, biles po bante ma ftoftë se duhej për nji mbramje vere, por Hasani, edhe pse në moshë, ia lejoi vedit me dalë në bahçen e vogël pas shpisë dhe me u rehatue te stoli i drunit që ishte afër nji tavoline. Rreth nji orë ma parë e kishte marrë në telefon nji zojë, ishte prezantue me emnin Ema, nga zani i ishte dukë vajzë e re. Ajo i kërkonte nji intervistë, si nji prej muzikantëve ma të vjetër të nji orkestre, që pesëdhjetë e sa vjet ma parë kishte pasë sukses për disa vite. 'I vetmi mbetë gjallë', ajo nuk ia tha në telefon, por ai e kuptoi. Ishte nji nga gjanat e fundit që po i kërkonin me ba, ndoshta mbas dy a tre muajsh a vitesh nuk kishte me kenë ma, ‘prandaj shpejtohen njerzia me të marrë kujtimet’. Ema kishte ndër mend me ba nji libër me histori se si ishin krijue kangët e vjetra popullore. Kështu i kujtohej të paktën që i kishte thanë. Por ai i kishte lexue thuajse tana librat që ishin shkrue për këtë gja, ishin shkrue edhe nëpër gazeta co