Në prag me diellin



(koha dy)



E di, në këtë kohën teme, lindjet e perëndimet e diellit janë ba magjike. Kanë kenë gjithmonë të tilla, por tash po i shijoj ma tepër, se në rrugën teme të shkumjes e të kthimit, i shijoj tuj bisedue me mend me ty. Nuk e di a ke pasë ndonjiherë kohë me i shiju ti, a e ke pasë ti atë kohën tande për me kenë vetëm me diellin, në fillimin e mbarimin e tij në këtë hapsëinë gjeografike. 

Kur dal, dielli asht tuj i skuqë rrezet dhe i shoh vetëm majën. E di që pak kilometra ma andej, ndoshta janë dhjetë, e kapi diellin të plotë, në nji zonë ma të naltë se shpija jeme. Atje, e shof në sy dhe bisedoj me ty. Mendoj se je ti që e ban të bukur, bashkë me nji vizatim kryebeprër resh përreth. Adiku, në nji pikë, para nja katër ditësh ndala makinën në mes të rrugës, s’kisha asnji makinë mbrapa. U ndala dhe e shijova, mora frymë thellë, sa bisedat i paskena pasë ndër mend na të dyja. 

Kurse në gjashte të nadjes, lindja e tij, shpesh në anën ku nisi makinën, shoqnohet, jo vetëm tash ma me rrezet, por edhe me nji brymë të lehtë mjegullet që i përkëdhel fushat e mbjelluna. E bisedojmë. Ti me gjuhën tande, unë me temen. Due ndonjiherë me i regjistru bisedat tona, po askush s’ka me na i besu. Nuk flasim me gojë tanë pjesën tjetër të ditës, por në këto ekstreme ditet s’na pushon goja. 

Ishte e zorshme me folë me ty ma përpara, shumë s’jena marrë vesh, ti në pikën tande unë në ekstremin tand. E bisedat e mia i ke pritë me tundje kryetit, nganjiherë me rrudhje buzësh dhe ndonjiherë tjetër me shprehjen tande të zakonshme, ‘tash jeni të zojat e vedit e nuk ndigjoni kërkend’. E unë të kam dëgjue pak herë. Por tash të dëgjoj shumë mirë. Flasim për gjana që nuk i përkasin ditës, temat tona janë krejt tjetër, tashma merret frymë, lirshëm, askush s’asht mbas perdes me na dëgjue dhe sa mirë kuptohena.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde