Kohë me u ndalë




Kanë pré jonxhen. E kanë paketu, mbetet veç me e sistemu ndër magazina për me e ruejtë për dimën. E kanë korrë mbasdite vonë. E fusha e gjanë lëshon aromën e milionave fijeve të preme e të përplaset në ftyrë me tanë fuqinë, shpejtësinë bashkue edhe me ndriçimin e nji diellit, që me kujton shpejt bisedën me ty. Po, tash ti ke erën e tokës. E kësaj toke që rrit çka don me mbi vetë,  çka mbjellin, rrit çka nuk ka kenë e tash asht, e i kthen tanë në nji cikël, lind-gjallno-zverdho-mbaro. Të vjen era tokë, e ndjej, kjo asht gjaja e parë që më vjen ndër mend e deshta me ta thanë. Të vjen era tokë. Ja, asht gati tuj u ba edhe gruni. Sot, nji ditë, s’ka randësi emni, e ndala makinën në anë të nji fushe. Nadje heret, zbardhë kish, gjithçka ishte zgjue, njerzit hala, gjumashë të mëdhenj. Gruni, të mbjellunat e tjera dhe ato që mbijnë për qejf të vet, e kanë farën e lashtë ato, ishin zgjue. U ndala. I hyna fushës me kambë. Ka kenë nxehtë këto ditë, por nadjeve lagështitet gjithçka. Mora nji grusht të mbjellunash që priten me e lëshue edhe për pak fushën. I këputa, ishin të thata, sepse ashtu e dona, të thata, të verdha, se pastaj me mendje e me duer e përpunojmë për tavolinën tonë apo për nji vakt kafshësh. Nuk e njofta bimën, por çka këputa zbukurova makinën brenda. Po, po, e përshendeta dhe diellin, shpresoj ta kesh kapë të paktën fundin e pëshëndetjes, ishte nji dorë e ngritun për ju të dy. E di, kam nji zakon, s’e di prej kujt e kam trashëgue. Ndalem shpesh në anë tokash, fushash, liqenesh, lumejsh, detesh, deri edhe oqeanit dhe marr diçka të tynen me vedi në shpi. Nji pjesë të mirë i kam ende në shpi. Janë përzi mes vedit kjo mori kujtimesh, por po t’i rri afër, t’i vëzhgoj me kujdes, t’i marr erë, e gjej prej cilit cep vjen. E tash tuej folë me ty e kuptoj pse të lidhi me këtë aromë te hershme sa s’ka ma, sepse ti je tokë.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde