Ditë maji






Kjo fotoja asht ba në momentet kur ti po merrje rrugën për lirinë tande. Qëllova larg, si gjithmonë në fakt, larg, isha me lirinë teme, se liria jeme s'ka kenë kurrë e plotë aty afër, biles tanë ajo hapësinë që përmbante afërsia jote, pra vendi jem, ka kenë, asht e për shumë kohë ka me kenë vjedhësi e dhunuesi ma i madh i frymës, i tandes, i temes e i tanëve.

Pak orë ma parë ishte ende natë e thellë, kur u zgjova e hapa dritaren e dhomës, vajzat flenin mes andrrash fmish. E hapa për me dëgjue kangët e natës, ishte shumë pa zbardhë e nata ka shumë kangë, sepse feston edhe ajo vedin e vet. Qielli ishte plot me yje e ajo muzikë më bani të lehtë, si nji pupël shpendit që s'i peshon as pika e ujit. 

Këtu atë ditë ishte dita e nanave, me 26 maj, e i kisha ba dhuratë vedit pikërisht nji vend ku liria e shpirtit e trupit merr krahë e aty gjenden shumë përgjigje pyetjeve që në jetën e përditshme të duken të vështira, por aty të bahen të thjeshta. Ti s’e ke pasë kurrë këtë mundësi.

Ja, na të dyja përballë njena-tjetrës, me dy liri të ndryshme, me flatra krejt të ndryshme, që në fund të fundit kanë kuptim të përbashkët, frymëmarrje. 

U çova herët, ashtu si dhe ti, dola fushave afër fermës, që kishim që të premten që bujtnim, e mblodha lule të egra për vedi. A ishte festë...vajzat më kishin ba dhurata, ia pashë rastësisht, dhurata të bleme, e unë kisha dëshirë për dhuratë të çelun në bar, në ferra, gardheve. E ke pasë kuptue me kohë që kurrë s'kisha me u ba si ti, mbeta ashtu, e egër edhe pse me të thanë të drejtën, më ka zbutë shumë jeta, por prapë ruej zemërim.

Kurse ti u zgjove herët me u ba gati për lirinë tande, kaq vjet ma, duhet me e ba diçka për vedi. E vendi jot e i jemi ka përdorë gjuhë të frikshme, për të vegjël e të mëdhenj, që lirinë mos me kenë ma e quen shpëtim, e quejnë edhe tash, e kanë për ta quejtë kështu edhe për shumë kohë. Pastaj me gjetë shpëtimin te Zoti asht krejt mit, asht nji karamele që mezi e rren edhe nji fmi. Po hajt, çoju tash zojë, edhe banu gati ashtu si e jetove jetën, e përkulun e shtypun dhe gjeje derën për lirinë që të mungoi.

S'e di a e ke gjetë atë që ke kërkue. S'kam si me e ditë, kena kohë që nuk flasim. Por me të thanë të drejtën, s'më pëlqen asgja n'at që ke gjetë, por ky ishte vullneti jot e unë i përkulem, ka me më thye edhe për pak kohë. Duhet me e pranue, se ndoshta asht hera e parë që të dëgjoj pa ta ba fjalën e vullnetin dysh. Herët e tjera, tana herët, ta kam thye zemrën, s'kam pranue fjalët e jetën që kishe ndër mend me më afrue. Dhe a e din pse ta kam thye zemrën, sepse, thjeshtë tuj pa se pranimet tueja që e kalonin kufinin e të pranueshmes, i kam thanë vedit, 'jo', mjaft ishe ti stoike e nji realiteti absurd. Unë kisha plasë, prandaj sa herë e kam pasë afër momentin e plasjes, pa ta dëgjue fjalën, kam marrë rrugat, me e fillue, e me fillue, gjithmonë me fillue, gjithçka me kenë fillim, mirë a keq, kanë kenë fillime. Ti e ke kuptue, shumë shpejt e ke kuptue, por në sipërfaqe, për hir të shoqnisë, i ke lëshue kritikat tueja, sepse e dije shumë mirë që unë nuk të dëgjoja prej atij vesh.

Prandaj të shkruva sipër, lirinë që ta morëm, sepse edhe unë baj pjesë në morinë e njerzve që të morëm diçka. Dhe e di shumë mirë që në lirinë tande krejt të re, pa njerz përreth, ke shkue me shumë vramje zemret, e ke të plasun në mijëra copash, unë kam gisht në disa prej atyne copave. Por ta dish, me këtë lirinë tande të çuditshme, më ke lanë pa shpi, pa atdhe, pa tokë veç me sy nga qielli e tuj folë me ré. Po më kthen mungesat e mija ndaj tejet. E meritoj. 




































Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde