'Me u taku'

 

Tri javë tashma dhe shiu nuk po gjen që nuk po gjen qetësi. Me të njëjtin ritëm natën e ditën. Ritmi e lagështina e tij më ka hy ndër andrra. Kur filloj u mërzita, por pastaj u mësova. Kur kam kohë, e këto po arrij me e gjetë, vëzhgoj piklat e tij, asnjena njisoj, secila e veçantë kur bjen ose kur lagë.

Jam n’autobus. Jena ndalë. Ka trafik e mezi ecim ma tutje. Me centimetra. Janë momente e duhuna për me ndjekë rrugën që pikat e shiut bajnë në xham t’autobusit. Ndjeki njenen që sapo ra, u shtriq në lagështinën e xhamit, e pa pasë asnji ngut filloj me u ulë poshtë në nji shteg, e bani vetë shtegun, tanë dredha dredha, pa asnji llogaritje apo ligj fizik, thjeshtë tu ra në terezinë e vet. Ndjeku at vijë për të cilën asht tu ra, e kur filloj me u paku deri sa u ba edhe ajo lagshtinë e rafshtë e pa dallushme ma, ra tjetra e tjera. Secilën tu e pa me andje, ndërkohë që mendimi më ngacmoi, ma trazoi pamjen me pytjen ‘po ti ?’, kur s’ka asgja të bamun me mu aty. Ndërsa kundërshtari i tij, mendimi tjetër, që del si reaksion i të parit përgjigjet ‘lene mar rehat tjetrën me shiju pamjen’ dhe m’ikë humbë tanë ajo andje tuj dëgju mendimet e mia që formohen zinxhir tuj e tjerrë e tjerrë, asnjiherë me shkaklu, por tu më ngatërru përherë e ma shumë. Ikën piklat, trafiku u liru, autobusi eci përpara, njerzit fillunen me u lehtësu se secili ishte vonë për ditën e vet, ndërkohë që mu m’erdhi nji dëshirë mos me u ulë prej tij.

I harrova piklat e shiut, papritë gjithçka u ba e mërzitshme, e pistë, si dera e xhamat e autobusit, që i prekin mijëra durë e i hokasin mijëra të tjera. Edhe unë ndjehem si ajo derë. Jo, gabim, jam ajo derë, jam ai xham, ato xhama, jam si këpucët e këtyne adoleshentëve, që deri sa t’i shkyhen e bijnë copë as nuk i ndërrojnë dhe as nuk i lajnë, pasi presin me ua la apo ble dikush tjetër. E të thush që ka qindra anonimë, si unë, që çdo natë mbas orës njimbëdhjetë të darkës sfiliten tu i la autobusat me pisllekun tonë të jashtëm.

Kthej krytin nga xhami. S’ka gja ma me pa n’autobus. Jena në qendër dhe randohet prapë trafiku. Përtej janë makina të tjera, të tanë tuj shku në punët tyne të përjetshme, në fatine tyne të ditun. Papritë shof nji gru në timon. Më duket ftyrë e pame, sikur e njof. Përpiqem me e kujtu se ku mundem ta kem pa, taku apo hasë. Asgja nuk më bjen ndër mend, por e kam të sigurtë njohjen. Ndërsa lodhem me e gjetë se si e kur, zoja kthen krytin dhe shifena në sy. Kena kohë me u pa gjatë. M’u duk se me njohi edhe ajo mu. Heqi njenen dorë prej timonit e më bani me dorë. Kaq ishte, se radha e makinave lëvizi e autobusi ndoqi nji drejtim tjetër. Kush ishte ? M’u kujtu vetëm që nuk e çova dorën, vetëm ballin e kisha të ftoftë, duhej të kisha ndejtë gjatë me ‘te mbështetë për xham. Kur erdhi stacioni jem, ende në mjegullën e asaj që sapo kishte ndodhë, u ula, sa vendosa kambën në tokë, hapa sytë, ‘ajo isha unë’.  Nuk binte ma shi.

 

***

Në timon ha thojtë me dhambë. Durve m’i vjen ende era e voeve të fërgume që bana tesh nadje, nuk pata kohë me i la durt, isha vonë, vonë. Në trunin tem fjala ‘vonë’ asht çekiç përditë dhe e përkthehej shumë mirë me togfjalëshin ‘s’ke me hangër sot’. Nuk du me e mendu se sa vonë kam me shku te klientja jeme, ajo asht e sjellshme boll, por n’at mënyrën e saj, me buzeqshjen e ambël e tanë mirësi, ta tregon se kush je. Ku munden ta kenë ba këtë shkollë këta njerz, se kisha dashtë me u rregjistru edhe unë, ndoshta kisha mësu diçka. Ma mirë po marr këtë drejtimin këndej se ka punime andej. Por gjithandej asht e bllokume mutin. Asht fillim jave, ditë shkollet, punime në rrugë që i shtohet edhe shiu. Nuk e di kur ka fillu e kur ka me mbaru. I kam nervat në tavan. Tavani I makinës asht I vogël, por me tavan në këtë rast flas për qiellin. Përpiqem me ndezë radion për me u qetsu disi, sepse me nerva nuk shtyhet trafiku, veç përkeqësohet gjendja jeme. Muzikë gozhdash gjithandej, spikera që flasin shpejt, reklama leshi, asgja me të qetsu, veç çka me të marrë edhe dy mend që më kanë mbetë. Si u bana edhe unë kështu. Robot, pa pikën e kthimit a pushimit, trupi e kryti punojnë me kohë të plotë edhe kur nuk jam në punë, ata punojnë për punën. Ky asht lajtmotivi jem tashma, mbase edhe i qindra të tjerëve. Më duket se vetëm unë vuej. Po sa e padrejtë paska kenë ky mësim. Vuejnë të tanë, në mënyrën e tyne të tanë vuejnë. Edhe klientja jeme, tanë klientët e mi vujnë në mënyrën e tyne. Njeni që ka ndërru gjininë e asht ba vajzë, por edhe ashtu asht i mërzitun, nuk don me e pranu që ka ba zgjedhjen e gabume dhe shpik mijëra probleme piskologjike e mbeti ndër psikologë e psikoanalista. Asht e kotë me e përmendë gjendjen e shpisë se si ia gjej. Tjetra, që e din se kam me shku e nuk din se si me e tregu faktin që asht në nji stad shumë të lartë shoqnor se unë dhe e ban mutin në çimenton e banjos, e di që kam me e gjetë të freskët mutin, jam mësu tashma me ‘te. Tjetra që sa herë që shkoj ma shton përherë edhe nji punë ma plus, i duket se nuk punoj aq sa duket, kur për vedi mbeti në shpi me raporta mjekësore. Duhet me e largu mendjen, se edhe unë s’kam dërrasa ma shumë se ata. Punoj për higjenën e tjerëve e në shpi teme pluhni e pisllëku zanë vend mirë e mirë, bahen me u kru.

Jena blloku mirë. Plus kena edhe autobusat e nadjes, plot me nxanës e punëtorë. Autobusat kalojnë fiks n’orar me të çu në punë e shkollë, nuk ke as mundësi me rrejtë me thanë që nuk erdhi autobusi se klientët menjiherë hyjnë në internet e shofin oraret e ta përplasin në hundë rrenën. Autobusin e marr për punët që kam në qendër të qytetit se parkingu asht shtrejtu shumë e nuk ia vlen me punu veç me ushqy bashkinë. Kthej krytin me pa nga autobusi. Kur ç’ka me pa, nuk i besoj syve. Shof nji gru. Ajo asht unë. Ka mbështetë ballin në xham e më shef. Shof makinat e radhës teme që levizin e më duhet me lëvizë. I baj me dorë, nuk e di pse, por çoj dorën me e përshëndetë. Ajo rrin e ngrime. Nuk ma kthen dorën.

Më duket se deri te shpija e klientes më çoi kujtesa e asgja tjetër, unë nuk isha as në makinë, as në qiell e as tokë.  

 

***

Mbasi mbarova punën te klientja, e shkreta ka fillu me ba shurrën në dyshek, njisoj kam me kenë në moshën e saj. M’u desht me e ndërru e pastru e me e lanë të pastër. Më duket se atë nuk e ka lanë veç kujtesa e disa frazave, që i përsëritë çdo herë të njëjtat, e për tanë njerzit që i vijnë për vizitë, se tana të tjerat e kanë lanë tashma. Hy në makinë, kam gjysë oret kohë për me shku te klienti i radhës. Nuk di se çfarë emnit me i vu asaj që pashë nadje. Apo nuk e kam pa ? Nuk pata nji moment të lirë me mendu se te klientja kishte shumë punë me u ba në pak kohë e pjesën tjetër të mendjes nuk e futa hiq në punë hiq.

Shiu nuk paska rifillu. Aty në makinë m’erdhi nji ide e marrë krejt. Me e marrë në telefon numrin tem. I formova shifrat. Çuditnisht operatori ma kaloi telefonatën. Zilja po binte, po andej nuk përgjigjej njeri. Shof orën, më duhet me shku te klienti, se erdh orari. Edhe atje më doli bishti tuj punu, u djersita e kur mbarova më vinte era qen. Në makinë kisha nji bluzë tjetër e u ndërrova dhe hangra shpejt e shpejt tasin me drekën, kam edhe nji kliente, ma e shtrume kjo e fundit, mundem me pushu pak. Ndërkohë që po shkoja te klientja më ra telefoni dhe ashtu me nji sy në trafik e nji sy në telefon, dallova numrin tem. Ah kjo ditë kështu. Nuk kisha mundësi me e hapë e mendova sa të mbërrij te tjetra aty te parkimi po e rimarr. Nuk vonova dhe e rimorra. Më dridheshin durt. Tjetra u përgjigj.

 

***

Fundjava ishte e bukur, më diell e tanë gaz, ashtu u çova. Kisha me u taku me tjetrën si vedi. Patme folme gjatë javës në telefon dhe meqë ishim të ngarkume me punë si njena e tjetra e lamë me u taku këtë të shtunë. Kisha shumë pytje, që nuk ia bana në telefon, kur më mori, di që kena të njëjtin numër telefoni dhe at ditë që e pashë prej autobusit ajo niste makinën, të njëjtë si e jemja. Po zani ? nuk e kam dëgju ndonjiherë zanin tem në telefonin e dikujt, nuk më ka qëllu. Kena makinat e numrat e telefonit njisoj, por nisjen nuk e bajmë prej të njëjtës shpi. Kush duhet të jetë ? Në fakt nuk u prezantume në telefon, se tjetrës andej telefonit iu dridhte zani.

 

***

Në mesin e teshave gjeta diçka të hajrit me veshë. Qeshi me vedi tuj pa raftin. Kam ma shumë tesha punet se tesha me dalë. Po nëse jena njisoj, në cilin raft e me çfarë teshash po vishet ajo? Kush duhet të jetë? A thu ka mundësi që në nji perimetër kaq të vogël sa ky qytet me u gjetë dy veta njisoj? Me aq sa din rradakja jeme, na jena qënie unike, kena të ngjashme shumë gjana, deri edhe ndërgjegjen, por biologjinë jo. A quhet edhe ajo si unë? Harrova me e pytë për emnin kur e mora në telefon. Po nëse kena të njëjtin numër, ai asht i rregjistrum me të njëjtin emën. Mezi po pres me shku te vendi ku e lame me u taku, i njëjti vend i pëlqente edhe asaj. Kush duhet me kenë  Dielli shndriste si asnjiherë, sepse asnjiherë nuk ia kam vue vëmendjen me ia pa ndriçmin, prandaj po më duket si hera e parë që e shof tuj ndritë aq bukur. Qielli blu, nuk kishte asnji ré me e pengu dashninë e asaj ngjyre. Dola. Me vrap pa u ngatërru në shkalla e pa u ba me djersë. Jam e bukur.

 

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Alban Bala: Jam kujtesë më e fortë se aroma e tokës