Rudi Erebara: Njeriu nuk e përballon dot të vërtetën kur fillon e shpik vetë



'Po ka nevojë të dijmë kush kena kenë. 
Që të mos hapim varre ku ka sëmundje vdekjeprurëse. 
Që të mos mbjellim fara që nuk mbijnë. 
Që të mos bëjmë fëmijë kur nuk kemi ushqim as për veten. 
Që të mbajmë pleqt gjallë të rrisin më të vegjlit, 
kur ne jemi në punë të prodhojmë që të vazhdojë jeta, 
njëlloj siç ndodhi për ne.'




Duket se njeriu, si qënie, qenka në krizë në shumë shoqni dhe se paska nevojë për ndihmë ‘për me dalë nga kriza njeriu duhet me u rritë, na duhet me shpëtue vedin pikëspari, thotë Peter Sloterdijk, nji filozof gjerman…si asht kjo kriza ndër ne, çfarë pasojash ka me pasë për ma vonë?

Njeriu nuk është, mendoj unë, në krizën e qenies. Ka qenë në fillim të shekullit XX deri nga mesi, kur makina eci më përpara se nevoja. Njeriu është në krizë për shkak të shoqërisë. Qytetërimi i konsumit është në krizë, edhe këtë krizë e gëlltit dhe përpunon edhe e nxjerr nga trupi njeriu, duke mos ia ndryshuar krizës as përbërjen fizike, as kimike. Ndotja që prodhon kriza e konsumizmit ka ndotur njeriun. Edhe njeriu vazhdon të prodhojë ndotje.

Kështu që unë nuk kam arsye të kërkoj kriza të qenies te ky njeri që është kthyer në një fabrikë që konsumon ndotje dhe prodhon ndotje. Është si të thuash një makineri e cila përmirëson ndotjen, derisa e çon në përsosjen e saj si ndotje. Për shembull, do të sillja lumejtë e feçeve dhe helmeve të shampove e pluhurave larës, vajrave të makinave, naftës së djegur, tretësave, bojës, pigmenteve, pesticideve, ndryshkut të qytetërimit, që shkon në det, edhe njeiu ha peshkun si bio. Pastaj arritjet: malet e plehrave.

Kemi prodhuar aq shumë plehra, sa sot në hapësirën rreth tokës janë miliarda copa metalesh, motorrë rraketash, bomba atomike të plasura e të paplasura, deri edhe qen kosmonaut e njerëz që enden pafundësisht të ngrirë, si kapsula kohore pa fatin të kalben të bëhen pluhur nga ai që u krijuan. Kemi një kontinent qesesh e shishesh plastike në mes të Oqeanit Paqësor. Sa Franca ose sa Teksasi thuhet për krahasim, 400 metra e trashë, mbi ujë.

Kemi krizë të qenies kur njeriu ka konflikte të mëdha shpirtërore, siç përshembull, njeriu i shekullit të XIX përballë makinës, simethënë, dashuria për kalin iu bë pis me vaj për kuajt fuqi të makinës. Pastaj iu tymos nga qymyri për të endur shpejt si fishkëllima e lokomotivës. Pastaj për t’u robëruar në endjen e pareshtur të kapte shpejtësinë e makinës. Pastaj kemi shek. XX, edhe krizën e njeriut përballë makinerisë së luftës.

Kriza e njeriut mund të jetë vetëm kur njeriu ka një kapsllik shpirtëror si në këto raste, jo një diarre të pashpresë siç e ka. Një diarre e cila po i shkarkon shpirtin edhe po ia çon në det bashkë me mutin e orizit plastik me shpejtësi ferrarri. Njëlloj si 2000 e ca vjet më parë, ka prapë fe monoteiste. 

Po, ka edhe shumë luftë e po derdhet shumë gjak nga këto fe. Por këtu nuk ka asnjë ndikim kriza personale e njeriut në qenësinë e vet. Njerëzimi po derdh gjak pa ndërgjegje. Edhe kjo vjen si pasojë e luftës së dytë botnore, ku njeriu nuk kishte më asnjë rëndësi përpara fitores së ideologjisë mbi ideologjinë. Të gjitha u justifikuan pastaj me etalonin e lirisë dhe peshën e demokracisë. 

Kështu edhe sot, njerëzimi ecën me kutin e luftës së dytë botnore. Bomba atomike i vret njerzit në tufë si shqelmi milingonat. Fjalë. Njeriu shkoi në hapësirë, pastaj në Hënë, edhe njerëzimi pak a shumë harroi se po ndjek një ëndërr. Po i shkon pas me çdo kusht një rruge që e çon në vdekje. Universi është i pabanueshëm. Është vrastar. 


Njeriu e ka vendin ne Tokë. Aty ku e krijoi Zoti i madhnueshëm. Aty ku kryen proçesin e jetës, vdekjes edhe përjetësisë me shpresën që nuk e di me ligje se ka jetë tjetër të pasosur. Por është i lëvduar ai që ka ëndërr universin. Simethënë me fjalë të tjera, shkenca është hallall si ushqimi, të bën dëm kur e përdor pa pasur nevojë.


A mos kjo ‘krizë njeriu’ na ka ndjekë në shumë periudha të historisë dhe s’na ka lanë kohë me pasë mundësi me formue mendimin ?

Mendimi është tejkaluar. Sot kur kemi rraketa e bomba atomike, i kthehemi për të kuotuar të vërtetën filozofisë dhe artit të ashtuquajtur grek. Politikës së të drejtës romake, madhështisë organizative të egjiptianëve, misterit të majava. Mishtores të ringjallshme të kinezëve dhe hinduve. 

Çfarë është mendimi? Kemi celularë që mendojnë me shpejt se 1 milion njerëz njëherësh. Po pastaj? Nuk ka më krizë njeriu. U zbulua edhe ndarja më e fundit e atomit dhe mendimi e pranoi ndarjen të qenësishme. 

Njeriu ka harruar të rrojë atë që ka për jetë. Kushton një tas sa një lugë me vezë peshku sa ari me ushqy një qytet. Një sahat që mat kohën, kushton sa një xhungël që prihet me spat. Mendimi sot ka ec përpara jetës. Ashtu ka qenë jet e mot, por sot, celulari psh, i ka heq njeriut kohën të mendojë a shkon dot a nuk shkon dot nga pika A në pikën B i gjallë. 

Njerëzimi i kthehet mbrapsht gjithë klasikëve që rendnin me penë e bojë të ndriçonin përpara shekujt, kur vetë e kishin jetën me qiri. Edhe ata me qiri e me kandil, mbërritën pa makinën që ndan atomin, pa mikroskop, pa satelit, pa teleskopin Huble, pa Lajkën e shkretë që vdiq nga asfiksia bolshevike, mbërritën pra në këto përfundime të mendimit që kemi edhe sot. 

Ne sot në botën moderne, nuk po tejkalojmë dot paqen që arriti Muhamedi vetë sa ishte gjallë dhe politika e tij njerëzore për shekuj. Ja edhe islami vetë, pasi u përdor si konsum, jashtë thelbit të vet, ka sjellë pas dritës, errësirë, pas paqes, luftën. Po ashtu edhe krishtërimi. Por këtu nuk e ka fajin feja, e ka fajin njeriu që ha patatina pasi ka ngrënë plot një derr. Nuk e solli feja komunizmin, kapitalizmin, imperializmin. I shpiku njeriu nga nepsi, kur feja ishte si një dietë. Pastaj njeriu nga grykësia e hëngri edhe fenë edhe tha: e vrava Zotin.

Kur jam njohur në fillim të viteve '90 me islamin, përkoi të lexoj edhe “Të huajin” e Camus, pasi e kisha parë dy, tri herë filmin francez. Në libër ishte ndryshe, sepse për shkak të leximit, duhet fizikisht të ecje me personazhin e librit. Edhe islami në libër ishte ndryshe nga historia e jetës që kishim dëgjuar. Pra ishte një udhëtim tjetër. Edhe ky udhëtim që kryhet përmes leximit, nuk mund të kryhet përmes asgjëje tjetër. 

Unë që dilja nga ateizmi i diktaturës komuniste, e kam ndier veten shumë shpesh si Mërso, personazhi i librit, kur ecën anës detit e ka vapë, ndërsa lexoja Kuranin. Të gjitha ishin aty, të vërteta absolute, si deti tek “I huaji” që ecën e ecën edhe nuk futet të freskohet të shpëtojë nga vapa, por shkon e vret algjerianin, edhe e dënojnë në fund me vdekje. 

Ai ikën nga vdekja e të ëmës, ku nuk qan, edhe për këtë bëhet me faj, pra ai është veshi që pret në heshtje të marrë spermën e fatit, dënimin, edhe ndjek rrugën e panatyrshme anës detit, ku çmendet, kryen krim dhe përfundon keq. Sepse njeriu, fatin e ka në përdorim, nuk e ndryshon dot të shkuarën, jeton në të tashmen edhe kjo që bën sot, menjëherë bëhet e shkuar edhe i përcakton të ardhmen. Kështu si “I huaji” isha dhe unë. Por unë vendosa të futem në det e të freskohem aq sa të mos mbytem sigurisht.

Ku përplasemi ne sot edhe ata dje? Te pushteti. Pushteti nuk është mendim kur sot kemi ne shtëpi më shumë këpucë se dollapë. Kur flemë ngushtë, vetëm që të kemi më shumë dollapë rrobash. Sa për kujtesë, këpucët u ndanë me numra gjysma e çerek, të ngushta e të gjera, aty nga fundi i shekullit të XX, si prodhim serie. Por deri në atë kohë me këpucë me porosi, apo me 3 numra, për fëmijë, të rinj dhe të rritur, njerëzimi mbërriti në Hënë.


Mungesa e këtij mendimi na ka çue nga njena periudhë e vështirë në tjetrën pa arritë me gjetë dot as vedin ?

Mungesa e mendimit erdhi nga përshpejtimi i jetës për shkak të nepsit. Konsumojmë sot më shumë se mund të mbjellim. Djegim më shumë sesa shfrytëzojmë. Celulari ka prishur njerëzimin. Edhe ky mjet ishte i shpikur gjatë luftës së dytë botnore, por ata burra e gra atë kohë e menduan se mund t’i bënte dëm përdoruesit. Sot, se sa dëm i bën përdoruesit rrezatimi i valëve, kur ka një shkencë për hamburgerat, mollët, birrat, rrezet e diellit edhe kremin e e flokëve, nuk ka më asnjë rëndësi. Pse? Sepse vazhdojmë të ndjekim një ëndërr të marrë që të shkojmë sa më larg problemit, atje ku nuk ka probleme. 

Në hapësirë. Në shtetin absolut të së drejtës, ku ka disa burokratë të përsosur. Këtë çështje e ka zgjidhur Aldous Huxley në vitet 30 me “Brave new world”, “ Më e mira e botëve”, në shqip. Problemi është nepsi jo mendimi. Është uria e njeriut që pas darkës së shtrenjtë shkon e blen një pako patatina fabrike me përmbajtje pambuku.
Sot celulari na ka përshpejtuar jetën për kot. Njeriu po rri me mendimin e tjetrit 24 orë, edhe nuk po e ndalon dot luftën. Shpejtësia e internetit e ka tejkaluar shpejtësinë e plumbit me vite dritë. Njeriu lexon më shumë se kurrë në historinë e njerëzimit nga inteneti, edhe i gjithë ky lexim është si patatinat. Hahen por nuk të ushqejnë.


Në fund të fundit pse duhet me e ditë kush kena kenë ?

Po ka nevojë të dijmë kush kena kenë. Që të mos hapim varre ku ka sëmundje vdekjeprurëse. Që të mos mbjellim fara që nuk mbijnë. Që të mos bëjmë fëmijë kur nuk kemi ushqim as për veten. Që të mbajmë pleqt gjallë të rrisin më të vegjlit, kur ne jemi në punë të prodhojmë që të vazhdojë jeta, njëlloj siç ndodhi për ne.


A mos harresa me qëllim se ‘kush kena kenë’ na ban shpejt robën të çdo diktatori ose të çdo autoritari që shfaqen në tana format, sepse në thelb nuk ndryshojnë nga diktatorët e maparshëm?

Komunizmi ka sjellë këtë harresë. Shpikja e shtetit parti të gjithfuqishëm si zëvendësim i Zotit të madhnueshëm. Edhe kjo i erdhi njerëzimit kur makina po prodhonte më shumë sesa mund të prodhonin 1 milion njerëz me lopatë. 


M’u këtu njeriu e harroi se do të vdesë, kështu që u bë pre e ilaçeve për të kundërshtuar me çdo kusht e në çdo moshë, vdekjen.


A duhet me iu kthye leximit për me përpunue kujtesën, me përpunue urtsinë e më ditë me zgjedhë t’ardhmen ?

Leximi në epokën e celularit është sëmundje. Është sëmundje e kujtesës. Njeriu po lexon më shumë edhe më shpejt sesa mban mend truri. Shkolla ne historinë e njerëzimit u krijua që të përshpejtojë procesin e prodhimit për konsum brenda normave të natyrshme. 

Sot shkolla ka shkuar në atë pikë sa nxjerr nxanës që nuk e dinë pse e ndjekin më. Nxanës që dalin nga shkolla 40 vjeç, edhe i dinë të gjitha edhe përsërisin atë që kanë mësuar për vite e vite me radhë. 

Si mbërritëm ne këtu kur shkolla është si komunizmi, një ideologji vrastare? Si erdhëm ne në këtë ditë kur nga shkollimi i arsyeshëm disa vjeçar për nevojë, të përfundojmë në shkollimin e pafund, i cili nxjerr njerëz që nuk i shërbejnë më dot as vetes?! Si arriti njerëzimi të ketë njerëz të shkolluar pa punë? Arriti sepse makina po kryen punën që duhet të bënte njeriu, por njeriu që shkon në shkollë nuk kthehet më të punojë tokën. 


Kështu që ne po mbjellim me beton plagë ndotje mbi tokën që na ushqen, aq shumë sa nuk kemi më vend të kthehemi në pluhur, por po djegim trupat me gaz t’i bëjmë hi.


Po a asht shkrimi i vetmi vend ku mund të kërkojmë shpëtimin për llojin tonë ?

Shkrimi ka qenë thelbi i njerëzimit. Pa shkrimin njeriu do ishte një hiç. Për këtë arsye, Kurani zbriti si shkrim. Shpëtimi është personal dhe jo kolektiv. Sado që shekujt e kanë provuar se ka krime kur mund të vdesin në të njëjtën sekondë me mijëra njerëz, prapseprapë secili vdes për vete, ashtu siç rron. Sado që ne mund ta ndajmë jetën me të tjerë, jeta jonë personale është ajo që konsumojmë.


A mundet ai me përballue të vërtetën, apo e vërteta ka tana mundësitë që nën pushtetin e penës me u konvertue në nji rrenë të madhe ?

Njeriu nisi të shkruajë me figura. Pastaj me simbole, pastaj me germa e gjuhë. E vërteta në të gjitha këto raste, nuk preket nga mënyra se si e dallojmë ne njerzit, se edhe kafshët me muuuu e me beeee, e me ulërima, e thonë të vërtetën. Njeriu, pa asnjë dyshim e përballon të vërtetën, njëlloj siç mbijeton pasi pi sasi të mëdha alkoli, apo merr drogë e zgjohet gjallë prapë të nesërmen. 


Njeriu nuk e përballon dot të vërtetën kur fillon e shpik vetë. Edhe ja ku i kemi në histori e sot, këta që shpikin të vërteta personale fetare edhe vdesin me bomba a me shpata, e kryqe të hekurt, a me uri, a me ku e di unë, helme... por ç’ndryshim kanë këta nga ateistët e komunistët me yll të kuq? Asnjë. Kanë harruar se kanë lindur e do të vdesin.


Kush duhet me i dhanë kuptim fjalës që me i besue prapë asaj?



Burrat kanë nëpër testikuj qenie të vogla me miliarda. Nuk e di askush a janë gjallë gjithmonë, apo ngjallen me raste. Megjithatë këto qenie nuk bëhen njerëz pa vezën që e mban gruaja. Kështu është edhe fjala. Hidhet edhe duhet të bjerë diku të dëgjohet a të shkruhet. 

Pa vendin ku bëhet e vërtetë, edhe merr jetë, nuk ka asnjë kuptim e asnjë vlerë për jetën. Por ama për të qenë është aty e gjallë, siç është edhe veshi në heshtje.
Fjala bukë ka kuptim, edhe nuk hahet si buka, por ama të ngop, se ka plotkuptim shoqnor, jetik, politik.



Pjesa e dytë

 

Nji fjalë…'komunizëm'

Komunizmi është pasojë e inercisë së njeriut që hidhet nga një mjet në lëvizje. Është mohim i të gjithave për t’i shërbyer një djerrine ku bëhen mbledhje për të shpikur një shpirt njerëzor kolektiv. Shpirti është personal si gjykimi. Nuk të dënon as gjykata sot për një krim që ka kryer dikush tjetër, por ama njeriu sot vazhdon të vjedhë të mbjellat e atij bujkut që nuk ka kohë të mbajë edhe pushkën edhe farën në dorë.


Dy...'pse shkruej' 

Unë shkruaj se më shkruhet. Nuk e kam detyrimisht që ta lexojnë njerëzit. Kjo do ishte shumë mirë, por nuk e kam menduar kurrë që unë shkruaj se dua të më lexojnë të tjerët. Jam i bindur se ka plot që mendojnë si unë edhe nuk u duhet të lexojnë atë që shkruaj unë më shumë se 5 rreshta.

Tre...'letërsia, kjo grue…'

Letërsia u shpik që të tërhiqte njerzit të lexonin. Edhe këtu bëhet fjala fizikisht për dije. Letërsia u shpik me fabul që të barazonte njerzit në kuptimin e inteligjencës. Nuk janë të gjithë njerzit njëlloj psh në matematikë, fizikë a kimi. Por që të mësonin duhet të zbukurohej me një fabul. Feja këtu nuk ka lidhje. Fetë monoteiste për njerëzimin në të shkuar janë si ligjet që kemi ne sot e në të ardhmen. Diçka që ndodh edhe ne nuk e shohim, por e provojmë në lëkurë.



Rudi Erebara
shkrimtar, perkthyes



Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde