Anxhela Çikopano: Duhet me folë e me shkrujt me çdo kusht, që e liga të mos marrë udhë



'...sot ka më shumë dije, 
por jo aq shumë urtësi'


'Po nëse ne sot harrojmë Musinenë 
me shokë, natyrisht që do kalojmë 
drejt diktaturës së radhës



Duket se njeriu, si qënie, qenka në krizë në shumë shoqni dhe se paska nevojë për ndihmë ‘për me dalë nga kriza njeriu duhet me u rritë, na duhet me shpëtue vedin pikëspari, thotë Peter Sloterdijk, nji filozof gjerman…si asht kjo kriza ndër ne, çfarë pasojash ka me pasë për ma vonë ?

Nga aq pak sa kam lexuar (se mendoj që nuk kam lexuar asgjë, krahasuar me ç’kam për të lexuar ende), mua më rezulton se njeriu është në krizë të vazhdueshme, por kjo nuk është thelbësisht diçka e keqe. 

Krizat janë pika kritike, që na çojnë drejt shpalosjes së mëtejshme të jetës a të vdekjes, por edhe sikur të ndodhë kjo e dyta, gjithmonë në fund do të ketë të mbijetuar, madje të mbijetuar më të fortë. 

Unë besoj në ekzistencializëm, mungesa e krizës do të na kthente në ujë të amullt, që qelbet erë. Përsa i përket një krize të identitetit, a nuk është pikërisht kjo krizë, që na shtyn drejt njohjes më të mirë të vetes, pasi fillojmë të zbulojmë atë anë të re, që shpërfaqim para së panjohurës dhe që shpesh nuk e dinim se ishte brenda nesh? 


A mos kjo ‘krizë njeriu’ na ka ndjekë në shumë periudha të historisë dhe s’na ka lanë kohë me pasë mundësi me formue mendimin ?

Mendimi njerëzor për mua nuk është i mangët, por natyrisht që është ende dhe gjithmonë i paplotësuar. Në një univers pa kufij, me një mendje që i shkel këta të fundit, me një shpirt që nuk e kornizojmë dot, mendimi njerëzor, ashtu si gjithçka që na rrethon, është në evoluim të vazhdueshëm. 

Në këtë kontekst nuk do ta shihja si “mendim i paformuar”, por si një kërkim i vazhdueshëm për ta formuar atë, një shteg ku ecim një pas një, si stafetë, në kërkim të së përkryerës. Ajo që na ka çoroditur sot janë mallrat e pavlera para paçmueshmërisë së mendimit, po unë them se është ngadalësim e jo frenim. 

Gjithmonë do të ketë mendje të bukura, që do të shqetësohen për palcën e ashtit të mendimit e të shoqërisë njerëzore.


Mungesa e këtij mendimi na ka çue nga njena periudhë e vështirë në tjetrën pa arritë me gjetë dot as vedin ?

Sado të përparojë mendimi, prapë periudha të vështira do të kalojmë, sepse, o nga Perëndia, o nga natyra njerëzit, nuk janë njësoj të mençur, madje mençuria është virtyt jo fort i përhapur. Ja shikoni sot, ka më shumë dije, por jo aq shumë urtësi. 

Pra, mendjet e paditura (edhe pse jo domosdoshmërish të pashkolluara)  janë ato që kanë prodhuar vështirësitë historike dhe mendja e mençme është në minoritet para tyre, ndaj shpesh gjendet e pafuqishme. 

Në fund të fundit pse duhet me e ditë kush kena kenë ?

Nëse s’dimë “kush kena kenë”, nuk mund të jemi gati për ta përballuar me lehtësinë më të madhe të mundshme se “cilët do të jemi” dhe kjo si në planin individual, ashtu edhe në atë shoqëror. 

Shpesh më rastis të pyes veten pse veprova njëfarësoj në një rrethanë të panjohur më parë dhe pastaj, kur thellohem kuptoj se ato çka kam kaluar më herët në jetë më kanë parandaluar të bëj veprime, fundi i të cilave nuk mund të shkonte ndryshe nga më parë, duke u dhënë formë reagimeve të mia të panjohura, por mbi baza të gjurmëve që jeta ka lënë në mua. Njëjtë vlen edhe për shoqërinë. 

A mos harresa me qëllim se ‘kush kena kenë’ na ban shpejt robën të çdo diktatori ose të çdo autoritari që shfaqen në tana format, sepse në thelb nuk ndryshojnë nga diktatorët e maparshëm ?

Absolutisht po! Për ta lidhur me realitetin, unë kohët e fundit jam gjithmonë e më e ndjeshme ndaj leximit të shenjave diktatoriale në politikën e vendit dhe mendoj: 

“ku ku! njësoj do ketë vuajtur edhe Musine Kokalari e të tërë ata që lexonin shenjat e instalimit të diktaturës në Shqipëri, përballë një populli entuziast, që nuk kuptonte ç’bëhej”. 

Po nëse ne sot harrojmë Musinenë me shokë, natyrisht që do kalojmë drejt diktaturës së radhës dhe nuk e shpjegoj dot pse shoqëria jonë prodhon diktatorë të njëpasnjëshëm. Megjithëse, brenda meje them se e di mirë psenë… 

A duhet me iu kthye leximit për me përpunue kujtesën, me përpunue urtsinë e më ditë me zgjedhë t’ardhmen ?

Unë kam fatin e madh të punoj me librat, ata janë vendi ku strukem për të shpëtuar nga idhnimi i realitetit, po natyrisht edhe ushtrimi i vazhdueshëm i mendjes. 

Falë librave lexojmë, nuhasim, hamendësojmë shenjat e së ardhmes, po sikur në këtë vend të lexohej më shumë!

Po a asht shkrimi i vetmi vend ku mund të kërkojmë shpëtimin për llojin tonë ?

Jo, libri nuk vlen në izolim, mendimi duhet përballur, përtypur bashkë me qëndrimet e të tjerëve. Fjala vërtet ishte e para, po nuk rron pa një vesh që ta dëgjojë e një mendje që ta vlerësojë, për ta çuar më tej.

A mundet ai me përballue të vërtetën, apo e vërteta ka tana mundësitë që nën pushtetin e penës me u konvertue në nji rrenë të madhe ?

Shkrimi është manteli më i mirë i së vërtetës. Dikush do të thosh kinemaja, unë do të preferoja teatrin, por në fakt, shkrimi është burimi i të gjithave. 

E shkrimi ia thotë të vërtetat mendjes, po aq sa ia thotë edhe zemrës. Dikush do të më thotë: pse s’ish fjala ajo që vrau hebrenjtë? Fjala di të kthehet në rrenë të madhe, madje fort të rrezikshme, por aty del Brehti e të tërheq veshin se si duhet ta fusim të vërtetën në hullinë e vet, përmes… FJALËS.

Kush duhet me i dhanë kuptim fjalës që me i besue prapë asaj?

Unë mendoj që Kulla e Babelit nuk janë gjuhët e huaja, oh, gjuhët e huaja mësohen e ndonjëherë nuk janë burim keqkuptimi, se jemi më të kujdesshëm me to. 

Kulla e Babelit është mënyra se si e kuptojmë fjalën, nëntekstin poshtë saj, sfondin shumëplanësh pse është thënë pikërisht ajo fjalë: shpesh keqkuptohemi sepse nuk mendojmë për atë që kemi përballë dhe gjithë kompleksitetin e tjetrit. 

Po fjalës fuqinë ia jep e vërteta (e sheh si u kthyem prapë në rreth vicioz?) dhe e vërteta nuk mund të jetë relative, për sa kohë thelbi i saj është krijimi e jo vrasja.

E pra, duket se shkruhet shumë, por prapë këshillohet me shkrue, e pse me shkrue kur në fund të fundit janë thanë tana gjanat, e kur sot fjala duket se merr kuptim vetëm në rastet kur e keqja kthehet e bahet e mirë në pak rreshta?

Nën këtë diell nuk ka më asgjë të re, por ama çdonjëri prej nesh, në këtë jetë apo në atëbotë ka qenë dhe është i ndryshëm nga tjetri. Kështu, gjithë të thënat, janë të pathëna në sytë e këtyre njerëzve “të rinj”, them të rinj se duke qenë unikë, s’i kemi ndeshur më parë. 

Mënyra se si lidhim e krijojmë, duke kaluar nga prizmi unik i vetes gjithë të thënat, na vë para detyrës të themi e të shkruajmë. Më lart fola për Kullën e Babelit: ne flasim e keqkuptohemi, po sikur të mos flasim, sikur fjalën ta mbajmë brenda vetes a nuk do të krijonim më shumë të liga, duke thurur skenarë të paqenë për tjetrin? Ndaj duhet me fol e me shkrujt me çdo kusht, që e liga të mos marrë udhë, të paktën nga mungesa e fjalës. 


Pjesa e dytë 


nji fjalë ’gjuha'; dy ‘unë akuzoj'; tre ‘nesër ma mirë'

Gjuha… kocka s’ka, po kocka thyen, i thyen vërtet kur unë akuzoj, sidomos me të padrejtë. Po prapë ajo i ngjit me fjalë të zemrës. Të zemrës së bardhë. 

E kështu, nesër ma mirë duket gjithçka… edhe në mos qoftë vërtet ashtu! 













Anxhela Çikopano
regjisore, përkthyese

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde