Gilmana Bushati: Sonte po te pres pa u rritë




***

Në livadh nuk rritet veç nji fije bari
nuk i hap krahët e njëjta flutur që kaloi edhe vjet
nuk rrëzohet prej qiellit veç nji pikë shi
rrezja s’ka ditë me pushue e vetme n’at gjelbrim
edhe gjelbrimi s’kish si me e pasë njat ngjyrë si frymë nadjeje
nëse vasha,
ajo, që del vetëm nji herë
kur hana i ndrin në grusht
e bukuria i vjen rreth xixëllonjë,
nuk e lan shtatin në dashni
në dashninë e kujt ? n’at pra ku ngrihet e s’din me u rrëzue asnji grue
lutu që mos t’i mbyllin sytë, sonte jo
të presin, të presin ma shumë se nji natë
sa të vijnë tanë jeta e të bajnë strehë në këtë livadh
të gjanë, bash i gjanë paska kenë.



***

më shkruen se lufta nga ti asht e gjatë
se janë mprehë mirë gjuhë e mbushë fort armë
njerzit presin dekën si racionin e fundit të bukës
dielli del njiherë në muej
e deti asht mbushë me mërzi, gjaku s’i ka lanë breg me u përplasë
po zemër, unë s’t’i kuptoj fjalët
nuk e di për çka më shkruen
unë jam lule, lulet s’dinë me luftue, 
lulet dinë me dashtë
mblidhena rreth e rrimë tana bashkë
dorë për dorë, ditë e natë pa pushue.
petale i çeli diellit në rreze
jam aty për me pritë nji buzëqeshje mbushë me jetë
kam kërcell të fortë, s’këputem kollaj me dekë në vazo si racioni jot
e nëse ti s’din me më pà, s'din me më dashtë veç nji ditë bahet e ftoftë
e prapë nuk di me u vyshkë
mbyllem e çeli ma e bukur në ditën që e thur vetë 
gishtat më bahen copë
por për andrra dikush duhet me mendue
nuk duhen me u lanë vetëm
jam lule zemër, krejt e vocërr.



***

Zyrtari mblodhi buzët
Njisoj si letrat që shtërngonte në duert e majme
Si e ke emnin ?
di me fluturue
kush je ?
këndoj kur fluturoj
e kujt je ?
krahët me m’i këputë prapë fluturoj
prej nga vjen ?
mos më shif ashtu tanë çudi
fluturoj aq nalt sa askush e asgja 
s’mi shef gishtat e pistë të kambës.
Kur ke lindë ? 
Ah po, s’i iki asnjiherë qiellit tem
tokës po, përditë.
Çfarë gjuhet flisni ?
Ngjyrat atje nalt janë me dekë
Ju që ecni pa krahë s’keni se si me i pa.
Zojë, po mbaron koha e juej, përgjigjuni ?
Po dielli, ah si asht ai
kur asnji magji s’ia gjeti dashninë e tij
nën ré, mbi ré, në ré
veç tue fluturue n’aromën e saj di me u përkundë
e nesër prapë pa u rritë me u zgjue.


***

Ej, ma thuej at’ fjalë
nëse don shkrueje në letër 
kam dritë me lexue kam dritë për me e gërmzue
nëse don pikturoje në mur
kam dritë me adhurue kam dritë me ta kujtue
nëse don qëndise në jastek
kam dritë me ndejtë pa fjetë kam dritë në gërshet më e përfshi
nëse don lene nën derë e shpisë
kam dritë edhe në mesnatë kam dritë edhe kur s’ka hanë
nëse don këndoje, fishkëlloje, virre, nxirre
veç mos hesht, mos më ban me humbë në heshtjen tande
se ajo asht qyteti ma i lashtë që nuk na e mëson kush në shkollë
mos hesht të lutem
se s’kam me pasë dritë me të pa s’kam me ditë ma me të dashtë
asnji dritë s’ka me pasë dëshirë me ndejtë me mue
të paktën në fjalën e dikujt tjetër me të harrue.



***

Nën borë, në borë, mbi borë
çelu shpirt, çelu shpejt, dielli rrahi kambët
ja, edhe pak ka me frye era e yjeve
e pikla, pikla ka me ta zbukurue shtatin
dëgjo andrrat, po bajnë zhurmë
nesër nadje dojnë me u veshë bukur
për ty, që atje në livadh me të këndue
nji kangë të pafillueme, e thuri ajo
e pat shkrue vite ma parë i dha tingullin tand veç mbramë.
Dueje dorën, duert që ta ngrejnë nji lavdi
se të pret, s’din me dekë pritja për nji lule dele si ti
e sa të shofim tuej fërfëllue prej të ftoftit
kena me u gëzue si fmitë, ku ka dhuratë ma të bukur se e jotja kunorë
rri pafajshëm në ballë, në duer a në përpjekjen ‘a m’don a s’më don’.
Sonte shpirt po të pres pa u rritë.


***

Ata hodhën veglat vonë në natë
u shtrinën me fjetë, hana luente hijesh në ftyrat e tyne të lodhuna
gra e burra me duer të ashpra
mbështetë në plep, ashti i vetëm në tanë atë jetë
në gjumë të thellë tue korrë andrrat që kishin thurë ditën
harruen me i mbyllë derën territ që priste në fund t’arës
e ai me dashnoren e tij të vjetër, rrudhë fort nga shëmtia
me katër duer e dy frymë e shuen shpresën për me mbi pak grunë
Pa zbardhë, atëherë, kur edhe zogjtë shtrihen me këndue nën za
ajo u zgjue nga i fundmit ‘ah’ që lëshoi fara shembë pa frymë në tokë
e di që kur të dalë drita punëtorët s’do kenë bukë me hangër
hoqi çizmet, shtyju ma andej lopatën e randë, shallin që i kish shtërngue flokët
fustanin e kuq prej gjoksit e shpalosi, diku kish ruejtë dhe nji buzëqeshje
dy ndriçime sysh për me ba bé dhe zdathtë vallëzoi n’at arë, mallkue pak ma parë
vallëzoi në marri, tanë dashni, fllad e ag i çmendi krejt
e ai grunë, fikë, si për të fundit ditë s’ndejti dot pa e prekë
në gjoks, buzë, në za e kangë, ia shijoi trupin
e kur dielli u kujtue me shndritë, gruni n’faqet e saj të mbyste në gjelbërim.


***

Urë, n’urë koha shpesh ka pasë shënue moshën e vet
ka shënue, se tash nuk po kalon, s’e di, kam harrue me numërue
a mos ka ndërrue urë, ka ndërrue lumë, ka ndërrue njerz, 
nuk shkruen ndoshta ma me dorën e djathtë
ose ka harrue se si shënohen vitet tue i kalbë drrasat n’asht t’urës ?
Unë e di që koha m’asht mërzitë
se asaj, që ish e bukur shumë, nuk i thashë as lamtumirë
s’i dhashë dorë, s’i shkrova dy fjalë, s’e putha n’lug të qafës
por e lashë me e u mbytë n’idhnimin e njerzve të vet
biles e shtyva në ujna të zemruem
tash e di që edhe kam qeshë, me za të naltë, 
qysh atëherë koha ka marrë me vedi moshë e lum
e tash, jam unë dhe ajo urë, thatësinë që kërcet
flas për dashni, thur shumë kangë vaji e pres
por ajo, që ish e bukur shumë, s’e ka këtu kohën me më dëgjue.



***

Në mbramje
kur i kam përshkue tana ditët
i kam lanë mbrapa ngjyrat 
ku ia di shijen e qiellit
të diellit që nuk diti se si më nxehë deri në fund
t’ajrit që më ka rritë
pikërisht në atë mbramje
kam me u gjendë vetëm me nji grusht kujtimesh
data, muaj, vite, radhitë keq,
të përzime, tërthur, e bukura me të shëmtuem bashkë
të lamet e të palamet në nji vend
aty janë edhe ato që kam dashtë me harrue
të tjerat që kam dashtë nji jetë me i kujtue i kam harrue se ku i kam vue
(nana më thotë ‘nji jetë e mbrapshtë me kujtimet ke kenë)
në këtë lamsh drita më pret
duhet me e fikë dreqin edhe pak
por i duhet me pritë, duhet me e ditë para së me fjetë
se kush isha unë në tanë këto ditë
si e kisha emnin
kur e kam ndje dëshirën e parë me dekë
kur e kam ndje se për dashni njisoj kam me dekë
prit, se asht fjala e parë, e jemja, e fmive
trenat që kam marrë ata që i kam humbë
udhëtimet nga gjini i nanës deri të cepi tjetër i botës
hajt edhe pak, kam shumë det, krypa m’asht ba lëkurë e dytë
hapësinat që i kam shkelë me ritme të ndryshme hapash
dhe frymë, shumë frymë mbushë me mund e andrra
i paskam edhe disa vaje, këto s’kisha dashtë me i pasë
por ja, që janë njeshë fort për grusht e duhet me i përmendë.
Po zbehet drita, duhet me kursye po thojnë, asht ba ftoftë
e kam edhe nji dëshirë me u pa në pasqyrë
ah sa e bukur po flej sonte
jam shtri me nji grusht kujtimesh, 
sa nji bisedë 
dhe drita fiket vetë.


***

Zanë, 
njerzit që nuk flejnë pa numërue ditët në kalendar
të tregojnë me gisht si të marrë
të janë largue, mallkue pak asht me thanë
me vite u armatosën, donin gjakun tand
por s’kanë gjetë ende kuaj, me galop me t’ardhë me të vra
ti e ke ditë
gjithmonë e ke ditë
dija të ka përherë e ma të bukur
bukuri me të marrosë pa fund
e tue qeshë koridoreve të tyne
me za të naltë, shkujdesshëm, me fustanin që ta merr era
(veshë të njëjtin fustan në tana stinët
pranverë, dashni, vjeshtë e mërzi)
del nëpër ballkone, me sy të shkruem tanë poezi
nuk ke asnji frikë
se dikur, disi, ndoshta papritë, deka ka me ardhë të ti
e prapë qeshë
qeshë e më thue ‘po ti je e marrë
na jena gra, jena magji
prej nesh lulëzon edhe lulja që e harrojnë me e ujitë
deka kurdo me mbërritë, 
bashkë kena për ta rrejtë
ti bahesh Zanë e unë Hanë
e premte asht, askush s’ka me guxue me na kërcitë
nesër unë Hanë e ti Zanë
po pinë venë në fushën e betejës së pafillueme 
asht e shtunë, edhe pse me za armiqsh, kanë me na e këndue nji kangë'.



***

Sonte jam det
s’e di, më duket se nana kështu më ka lindë
s’e ka ditë notin por ka ba në mue nji det
u lut ajo, nji jetë i shkoi në gjunjë 
që unë me kenë e kaltër, e bukur, e pamatë mblue në diell
me kambë me shkue deri në horizont me ia marrë vendin qiellit
Por sonte jo, s’jam ajo për të cilën u ndezen qira, u pashë në pasqyrë
jam det me flokë qull të zinj, synin pishë
s’kam nevojë me u lutë, por bahem valë 
me nji frymë kam me t’ardhë në ballkonin tand 
due me të mbytë, për këto duer që kam
prej puthjes kam me të marrë
kam me t’i vjedhë përkëdheljet
kujtimet, librat, andrrat, ditët e javët
letrat që i ke shkrue për njerzit që s’dinë se çka asht liria
kam me t’lanë atje ku s’kam dritë, deri sa të më thuesh të due
e sipër, kur të qetohem, me zbardhje
kam me lanë veç kanatieren teme
harrue n’atë shtrat
le ta gjejnë ajo nji breg, 
dy sy e dy duer me e thà.



***

Mirjam mbramë dëgjova hymnin që ta kishin kushtue
nji violinë e vjetër luente në duert e rreshkuna të nji plaku
nji tjetër, ndoshta mik ma i lashtë se violina, e shoqnonte në fizarmonikë
të dy tretë sysh, tue të kujtue ty ashtu të bukur edhe pse plot thinja
dukeshe si mall që asnjiherë s’ka me zbardhë lulesh edhe nëse vijnë pranverat papritë.
Unë e di që ishte për ty, ma kishe thanë, por s’e dija se ata të dy 
mblue në tabare të vjetra, nji kasketë përtokë për ndonji lëmoshë të ndonji njeriu të përkorë
e tjetri me nji republikë ma të vogël se kryet që në buzë mbante nji cigare të fikun 
dinin me të dashtë ashtu ty, tue të mendue në muzikë e në tingull.
ka vite që ke ikë e s’e ke dëgjue tue qa këtë melodi në qytet
s’i ke pa këto zotni që sa herë u kujtohesh desin nga pak për ty
sa herë e lozin për vedi a për të tjerë zoja e zotni prapë desin
e ti s’iu ringjalle asnjiherë, s’je as në mesin e turistëve që vijnë me pi venë të nxehtë.
Shkova në shpi Mirjam, kambët zvarrë, pa i dëgjue asnji trotuar
dritat e zbehta të rrugës ma ndriçonin shpirtin e vramë mbramë
deri sa mbylla derën me çelës s’u kujtova se kisha nevojë për nji kangë
dhe nën za, me dy fletore shënimesh, askush me më dëgjue, asnji s’ka me e kuptue
këndoj në gjuhën teme hymnet e tjetër kujt, që më duket se janë në mue
‘oh shpirt sa të due
ndalu njiherë e fol me mue
zemra jeme përmbas teje ka mbarue…’
dhe ringjallem, Mirjam, bahem ma e bukur se ti
e shkoj si stinë plot luleborë në duert e tij.



***

i la tana jashtë derës kur të vij
qytetin me festën e tij deri në kulm
fmijët që lozin në lojna rrotulluese tue qeshë me za të naltë
qiellin përflakë prej dritave që as në sy nuk mungojnë
kujdesin për me u kujtue për njerzit e dashtun
shkrimin për me shkruejtë nji kartolinë me dy fjalë
shkrepsen që ndez zjermin e kështejave
lidhesen e flokëve e baj palë me fjongon e dhuratave
të tana, të tana jashtë
te ti vij si Evë, në dritaret aty pranë përshendetem me Eva të tjera
e shkëmbejmë vështrime që kuptohen edhe pse flasim gjuhë të ndryshme
në këto dhoma me pamje nga qyteti a nji lis i vjetër
i lamë n’akrep të orës zanore e fjalë që djersiten
duer që ngërthehen e hukasin trupa
se asgja, asgja s’duhet me na e prekë dëshirën e vjetër e të marrë
me nji shpatull, veç me nji shpatull këtë botë tanë jetën me e bajtë.



***

Ma le qiellin në dorë
‘jepu nji emën yjeve
fillo prej ma të dashtunit
ka kohë deri kur të lindin dielli’
‘ah, po janë pak yje
janë shumë pak
koha ma e paktë se yjet
ka ndonji rè 
po s’më del nji jetë
me emnue atë me dashni
ule sonte, le të flejnë vetëm me nji natën e mirë
natën e mirë
edhe pse qiell s’ju ban lakmi
e diku po bie borë, vetimë, shi a vetmi
natën e mirë
nesër me diell mos harro me na dashtë
qoftë edhe pak
sa pak, sa me na thanë ‘nadja e mirë’.



***

Ajo nadjeve me detin
e pyesin, e flasin, gjatë, pa u ndalë
në breg përditë janë të dy
‘a ke fjetë mirë
a të ka dashtë njeri
a të ka dhimtë gja
a ke pasë nevojë për ndihmë
a të ka puthë djali e vajza
a kishe shumë varka nëpër kambë
kocat a të kanë kërcitë
a u mbyt kush mbramë
çka don me ba me hangër 
a don me kenë i trazuem sot
stina a t’ka çilë e bukur ty
E s’iu mbaroi kjo bisedë e gjatë
ai atje rregullon tanë atë hapësinë
ajo zdathtë në ranë ban punët e shpisë
dhe bluja, bluja i çelet në sy sa herë del diell
ajo s’e shef, por ai ia ban blu e ia mbush me dritë edhe errsinën.
Nadjeve ajo dhe deti nji jetë kanë me kenë bashkë.



***

jo sonte, as nesër
s’e di, duhet me e mendue
ndoshta s’e bajmë fminë e dashnisë tonë
të rrijmë vetëm, vetëm, me dritë ndezë mbi krye e vetëm
të largohena në shtrat e mos ta bajmë atë fmi
na përkëdhelena, le të vazhdojmë të përkëdhelena
po fminë jo
unë kam lindë pa përralla, s’e di se si fillojnë
ninullat e di që kanë tingull t’ambël, por ajri asht mbushë me vaje
e më janë përzi kangët, më ngatërrohen vdekjet ndër vargje
jo zemër, fminë jo
asht lumtuni që ta shkulin prej gjoksit 
ta zëvendësojnë me nji grusht gozhdash
me reklama ushqimesh, lojnash me manuale se si me i përdorë
ta bajnë ushtar të nji ushtrie që s’mban mend kur kishte moshën e andrrave
ushtri që flen përnatë me dhambt e shtërnguem prej urrejtjes
e asaj ka me ia falë bijtë e lindun në kampe fushimi.
e na të dy mbetë me krye mbrapa tue pa për postierin 
tue përtypë fjalët si ranën e baltë
kena me pritë kur t’na e sjellin lumtuninë tonë hi
hi i mbështjellun bukur, në nji kuti, e mbi të fjalë ngushulluese të askujt
e mbrapa nji zarf shpërblimesh
me të cilat s’kena me pasë mundësi me ble asnji lutje
vetëm perde ma të trasha për shpinë. 
le të bajmë dashni, harroje dreqin atë fmi.



***

Isha shpend, shpend i lirë në shpinë tande
mësova me ia hapë ajrit krahët 
gjoksin ma mbushe me erna formue në lug të maleve
në qerpik më randonte dëshira e atyne që donin me fluturue
dhe i pushtoja dashnitë, nji nga nji binin si hapësina me perëndime përflakë.
Kam kenë e marrë, ke rrejtë, ti vazhdon me rrejtë
në shpi askush s’asht gati me fluturue
shoh fotot, koha aty asht ma e vogël se unë
bubrrecë paskam kenë
bubrrecë në shpindë të kokrrës së krypës
tue rrahë kambët me gjetë dramcen e bukës
se zemër s’ka pasë
se zemër s’ke pasë
edhe pse i këndoje dashnive nën hanë.



***

Këtu doli nji diell
gjethet që deri dje kishin ngri
po flasin, fjala e tyne më kërcet në derë
a i dëgjon
po duhen
dikush kalon pakujdes mbi ‘to
e prapë po duhen
po na dojnë
a i dëgjon
apo dimni jot asht ma i ftoftë?



***

Dje t’erdha 
t’erdha e të zgjova
të zgjova e të mora
të mora n’aromë
n’aromë e në flokë
në flokë harrue dy duer
dy duer e dy fjalë
dy fjalët e mia ah s’mundem me t’i thanë
mos i kërko e kam alfabetin e vështirë
shkronjat janë të thepisuna
e herë kryeneçe dielli pa lindë
e dojnë hanën e mirë
tanë shëndet me u pa në ballkon
atëherë ndoshta mundem me t’i radhitë
po prapë s’mundem te ti me i lanë
duhet me t’i marrë
jeta asht sa nji kangë.



***

Ajo mbështjell bukë
gishtat i mëdhasin, por i hukat
ajri që del prej gjoksit asht i nxehtë
me atë frymë mbi bukë pushojnë kujtimet
që i ka mbajtë vetëm për vedi
për këtë ditë të ftoftë
ku as limonat nuk e ngrejnë kryet
nji pasqyrë s’ka për me pà a i çelin ndryshe buzëqeshjet
dikur, asaj i kujtohet si sot
dikur bante nxehtë
aroma e bukës e merrte me vedi
tinguj gazi e ndiqnin mbrapa
udhëtimet ishin të gjata, por buka valë
asnji stinë s’i thoshte ‘më hukat’
frymën e kishte veç për flutra
flutra, flutra mbyt me ngjyra
dhe kërcente zdathtë
atëherë e kishte nji vend ku me bà palë teshat
kishte ku me i ruejtë rrugët
dhe i gëzohej si fmija luleve të kumbullës çelë n’oborr.
Asaj i kujtohet, atëherë ishte dikur
Sot, po sot, ecën rrugës me bukën bà gur.



***

Po qajnë jashtë zemër
më duhet me u çue me e pa kush e ka këtë vaj
asht vonë e askush nuk qan natën për mall,
më len të veshem e të dal në ballkon
më duket za i njoftun
vaji ka tinguj që ngjajnë me nji njeri
njeri të vogël, të mbledhun grusht
më len të baj dy minuta pushim nga kjo dashni
duhet me e gjetë tash, më len ta gjej
se më kujtohet se si pushohet
më kujtohet se si duhet nadjen me ia ba 
se si me ia qeshë diellin në buzë
se si me ia gjetë rendin e ditëve në gjoks.
Më len, jam e sigurtë, tash e di se kush asht
ja dy minuta jashtë të dal
jo, jo, mos ki merak, nuk harroj me të dashtë.



***

Dikush troket në derën e dhomës së gjumit
ajo dorë më heq me përdhunë prej andrrave,
njena sa filloi pa u zbardhë,
kërkon me ia hapë tue më kujtue ‘jam e shtunë’.
Hiqe atë dorë prej deret moj ditë
të mallkofshin ty të dielat
të hanat e tana ditët e javës
më len kam edhe nji andërr me pà
mos ma len përgjysë
m’len n’mesin tand e të premtes në darkë
aty kam me mbajtë frymë
me emigrue siç di unë
mbartë me kujtime, malle që nuk përkthehen në asnji gjuhë
s’kam me e harxhue as ajrin as diellin
kam me ngritë nji strehë për hanat
ku kam me i mbrojtë gjysmën tjetër t’andrrave nga të shtunat e marra.



***

Të lutem ma len dimnin tem të ftoftë
se di me i ba duert bashkë e me e ngrohë
i hedh nji tabare të trashë
nji kapuç të kuq
shallin e gjatë
çadrën për ditët me shi
vrapin nën nji strehë kur borë ka me ditë me rà
nji çaj për fytin e skuqun
këshillat e nanës për kollin e thatë
e nji gotë venë për të shtunat që terrohen me mall,
se stina e pestë që me gishta ma konturon mbi shpindë
s’ka emën, s’dihet prej kah dreqin vjen as kur ka me ikë
po ia ngatërron radhën diellit e hanës
hinin po e ban prush e prushin pa asnji krande po e ban zjerm. 
ma len pra dimnin tem vetëm me mërdhitë.





















Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde