Ilirjana Stankaj: Njeriu i fortë e ka kërkue, e ka gjetë, ka bashkëjetue e ka vdekë me t'vërtetën



Njeriu ngjason me bimën, 
që po nuk pati rranjë, ka me e marrë era, 
në mos sot, nesër...
E kaluemja asht rranja jonë, 
që duhet t'jetë e fortë për me na mbajtë t'fortë trupin (ekzistencën) tonë.







Duket se njeriu, si qënie, qenka në krizë në shumë shoqni dhe se paska nevojë për ndihmë ‘për me dalë nga kriza njeriu duhet me u rritë, na duhet me shpëtue vedin pikëspari, thotë Peter Sloterdijk, nji filozof gjerman…si asht kjo kriza ndër ne, çfarë pasojash ka me pasë për ma vonë ?

Para se t'i përgjigjem kësaj pyetjeje, e shoh t'arsyeshme me shpjegue ç'asht kriza. Sipas psikoanalizës (po t'i referohemi Frojdit e Jungut), kriza shënon atë moment në funksionim, kur nga nji mënyrë e ngulitun e funksionimit, kalojmë në nji të re, zakonisht ma t'mirë.

Me iu kthye tani pyetjes suej:
Mendoj se historikisht njeriu ka kenë n'krizë me veten, mandej e ka reflektue atë edhe jashtë saj. Njeriu n'krizë me veten asht nji njeri që mendon, prandaj krizën e njeriut me veten unë nuk e shoh si "minus", por si "plus", pasi njeriu (homosapiens), nënkupton krijesën e zgjuar, pra atë që mendon.

Ajo që m'shqetëson n'fakt, asht krijesa që nuk mendon, ajo që priret drejt "robotizimit", pasi ajo mund t'jetë kurdo edhe e rrezikshme. Njeriu n'krizë me të tjerët më shqetëson, sepse ka t'bajnë me kufijtë e qënies dhe shoqnisë, celulë e së cilës vetë qenia asht.

Nuk mendoj se rritja e "shëron" njeriun nga kriza, përkundrazi, rritja asht nji proces që shoqnohet vazhdimisht nga kriza identiteti. Njeriu n'krizë prodhon mendim, mendimi sjell veprim, veprimi ndryshim të gjendjes...

Si asht kriza tek ne? 
Natyrisht, as ne nuk mund t'përjashtohemi nga fenomenet sociale globale.
Ne jemi nji popull me t'kalueme të turbullt historiko-politike, po aq sa ekonomiko-shoqërore. Individi dhe shoqnia vazhdimisht konfliktohen me njeni-tjetrin n'emër t'bashkëjetesës, sepse të bashkëjetosh don me thanë me ba nji kompromis t'heshtun me tjetrin, apo tjerët.

Mendoj se kriza ka me ekzistue gjithmonë si pjesë e pashmangshme e njeriut që mendon, por gjithashtu mendoj se u takon gjithmonë brezave paraprinjës të krijojnë nji "habitat socio-kulturo-ekonomik" sa ma t'pranueshëm për pasardhësit e vet (si detyrim ndaj genit), në mënyrë që individi i ardhshëm t'mos kalojë kriza t'thella ekzistenciale, por t'mendojë vetëm për progresin e njerëzimit, jo regresin e tij...

Kriza e njeriut me veten asht e thellë e ka me kenë edhe ma e thellë, për sa kohë të menduarit (arsyetimi) nuk zgjerohet drejt të përgjithshmes, por përqëndrohet rreth vetes, si nji rreth vicioz. N'këtë mënyrë njeriu ka me u izolue vazhdimisht nga bota, ndaj kriza e individit ka me u thellue pa ndërpremje, fatkeqsisht... 


A mos kjo ‘krizë njeriu’ na ka ndjekë në shumë periudha të historisë dhe s’na ka lanë kohë me pasë mundësi me formue mendimin ?

Kjo krizë na ka ndjekë në çdo periudhë, ndaj siç ndodh rëndom në situatat post-krizë, identiteti ynë asht formatue si "produkt" që mbart si "landë t'parë" pikërisht gjurmët e krizës...

Mungesa e këtij mendimi na ka çue nga njena periudhë e vështirë në tjetrën pa arritë me gjetë dot as vedin ?

N'krizë ka mendim, n'post-krizë ka çlirim, mbase. Ndoshta për këtë arsye mund t'justifikohet disi mungesa e mendimit n'hapsirat kohore mes krizash sociale. 

Në fund të fundit pse duhet me e ditë kush kena kenë ?

E pse mos me e ditë se kush jena? Ndoshta edhe nji lule e din se asht lule, ndaj zgjatet krenare kah dielli. 

Njeriu ngjason me bimën, që po nuk pati rranjë, ka me e marrë era, në mos sot, nesër...E kaluemja asht rranja jonë, që duhet t'jetë e fortë për me na mbajtë t'fortë trupin (ekzistencën) tonë.

A mos harresa me qëllim se ‘kush kena kenë’ na ban shpejt robën të çdo diktatori ose të çdo autoritari që shfaqen në tana format, sepse në thelb nuk ndryshojnë nga diktatorët e maparshëm ?

Çdo diktator asht nji "stuhi e rrezikshme, papritun", ndaj na duhen kurdoherë "rranjë t'forta"! 

A duhet me iu kthye leximit për me përpunue kujtesën, me përpunue urtsinë e më ditë me zgjedhë t’ardhmen ?

Mendoj se nuk duhet me iu shkëputë asnjiherë leximit, por duhet ditë me lexue, me u bâ selektiv...e për këtë shërben formimi i njeriut (e këtu ndikojnë shumë faktorë).

Po a asht shkrimi i vetmi vend ku mund të kërkojmë shpëtimin për llojin tonë ?

Nuk mendoj se asht shkrimi i vetmi vend "shpëtimtar" i yni, ka edhe forma të tjera të njehsimit të "gjurmës sonë" mbi tokë.

A mundet ai me përballue të vërtetën, apo e vërteta ka tana mundësitë që nën pushtetin e penës me u konvertue në nji rrenë të madhe ?

Historikisht t'vërtetat e mëdha kanë kenë t'konvertuara n'rrena t'bukura (jo t'gjitha shpresoj), sepse njeriu e ka ma t'domosdoshme me ndigjue diçka që ia përkëdhel sedrën, sesa diçka që ia trondit atë, 

pra njeriu pamjaftueshmërisht i fortë e ka prodhue rrenën si rrugëdalje, kurse njeriu i fortë e ka kërkue, e ka gjetë, ka bashkëjetue e ka vdekë me t'vërtetën.

Kush duhet me i dhanë kuptim fjalës që me i besue prapë asaj?

Fjalës mundet me i dhanë kuptim çdo vesh që ndigjon me vëmendje. 

Pjesa e dytë

nji fjalë…’traditë'

Traditë-nji gjuhë e vjetër komunikimi mes brezash, që s'duhet injorue, se na thotë shumëçka mbi t'kaluemen tonë, po aq sa s'duhet lejue me humbë, se çdo humbje ia faturon "koston" shpirtit të t'zot, aq ma tepër kur i zoti i humbjes asht nji popull i tanë.

dy ‘në pranverë'

Në pranverë rilind gjithçka, por asht kriza ekzistenciale e dimrit ajo që lind pranverën...

tre ‘qyteti në kangë'

Qyteti n'kangë kishte me kenë kulminacioni i nji pranvere shoqnore, ku ndërgjegjësimi qytetar për nji jetë gjithnji e ma t'mirë për brezat, duhet t'jetë patjetër "refreni" që duhet këndue nga brezat, përgjithmonë ...



Iliriana Stankaj Mësuese gjuhë-letërsie
gjimnazi 'Oso Kuka'
Shkodër





Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde