Gilmana Bushati: Sandra





Ato qeshën me të madhe, deri edhe pylli sikur u trand prej gazit të tyne. Gjashtë veta, gjashtë gra, nuk u ndryshonte shumë mosha, ulun afër nji zjermi të madh, ba afër bregut të detit me nga nji gotë venë në dorë dhe me nga nji pjatë plastike para, ku kishin ushqime të sapo pjekuna aty për aty. I kishte ba me qeshë Zyraja, lezeti i asaj shoqnie, e cila gjithnji në këto raste ruante gjanat ma pikante me ua tregue shoqeve. Xhina, e cila ende po qeshte, u shërbeu edhe njiherë venë të tanave, nji venë e kuqe, e trashë, e ambël, që e kishte ble te nji i njoftun i saj nëpër fshatrat afër detit.
'-Ka lulzue këtë javë Xhina gra- tha Zyraja, tuej ngacmue shoqen që sapo ia kishte mbushë gotën me venë. Xhina u llastue pak dhe i bani me dorë asaj që ta linte atë muhabet që sa kishte fillue.
'-Fol vetë Xhinë, se po fola unë, pastaj ti e di se si flas'- vazhdoi Zyraja.
'-Si nuk m'le rehat mori dreq...ja mori gra, don me thanë që m'erdhi kangëtari këtë javë, ndejti nja dy ditë në qytet', tha Xhina, që dukej se e kishte pasë siklet me folë.
'-Po pra, e mos thuej në qytet ti shoqe, se u ba nami në shpi teme ato dy ditë, a e kujtoni tërmetin e 1979, ashtu krejt, shyqyr që Biku kishte shkue me rrue misër në katund, se ta kishte këndue kangën ai te Ura e Bunës'.
Shoqet edhe njiherë qeshën me të madhe me fjalët e ma të voglës në moshë e në trup në tanë atë grup. E si mos me e lanë këtë natë me e kalue tuej numërue yjet, që ishin po aq të shumtë sa hallet e jetës së tyne, Zyraja ju drejtue Sandrës për me u tregue ndonji gja të bukur. Edhe Neta, që ishte nji nga shoqet e ngushta të saj, e lëvizi me bërryl Sandrën, e cila mbante në dorë gotën bosh të venës.
Sandra, ishte nji grue me forma të bashme, gjoks gjanë dhe të madh, shpatulla plot, që dukej se i ishin mbledhë pak prej shëndetit, kofshë të mbushuna. Nëse s'do kishte kenë aq e gjatë, gati dy metra femën, do ishte dukë si nji grue topolake, por shëndetin ia hante gjatësia, të cilën shoqet ia kishin zili. Me flokë gjithmonë shkurt, faqekuqe, si ndejti si nuk ndejti afër zjermit, madje ato nuk e kuptonin se kur skuqej ajo prej turpit, se gjithmonë dy topa të rrumbullakët e të kuq i rrinin te mollzat e faqeve. Sa iu përmend emni prej shoqes së vet, gjoksi, që dallohej fort mirë prej bluzës së bardhë, me nji të preme në formë V-je deri te ndamja e gjijve, ai gjoks që deri pak ma parë i ishte hedhë prej së qeshunës me të madhe, iu ndal. Asnjena nuk ia pa ndaljen e gjoksit, asnjena nuk e vuni re, që as fryma nuk po ia lëvizte bluzën, këtë e kuptoi vetëm ajo, Sandra. Zgjati dorën drejt Xhinës, që t'ia mbushte prapë. Gota u mbush. Sandra e pa në dritën e zjermit se si gota e bardhë u skuq, tashma me nji lang që po merrte ekuilibrin e vet.
U mendue edhe njiherë, ngriti vetëm nji hurdh venë, e në qetsinë e shoqeve që prisnin që ajo të fliste, Sandra foli, s'ishte e detyrueme, por foli, kishte mundësi me thanë gjithçka tjetër, ose me ia kalue radhën Netës, Tushës, a Gretës që kishte përballë, por e mbajti për vedi tanë randësinë e asaj që kishte me thanë. Duket se për të ishte momenti, i ardhun ashtu, në pikë të natës, afër zjermit, detit me nji gotë venë e me plot yje mbi krye pa as ma të voglën shenjë të hanës. Niveli i nxehtësisë së trupit herë ngrihej e herë ulej, por ajo kishte nevojë me folë.
'A e keni njoftë Jonën?' - pyeti Sandra shoqet.
Tana e kishin njoftë Jonën, dikush ma shumë e dikush ma pak, por të tana i thanën që po. Madje Greta ia dinte historinë e jetës së saj, e cila, sipas saj, kishte kenë e trishtë dhe që mbaroi po ashtu, e trishtë. Tusha u interesue diçka ma shumë, se vetëm për ftyrë e kishte njoftë Jonën, jo ma shumë. E Greta i tha se e njifte Jonën se e kishte pasë kojshie te shpia e vajznisë së saj. Gretës iu ndezën sytë ndërsa fliste për historinë e dashnisë së Jonës me Fredin. Tanë qyteti e dinte atë histori, tanë e dinin se ajo e priste atë për me e marrë për nuse. Ai edhe pse u martue me nji vajzë tjetër prapë shkonte te Jona, deri sa ajo nji ditë papritë vdiq. 'Thonë se plasi nga dashnia', e mbaroi Greta fjalën e vet. Të tana gratë pak a shumë e dinin kështu historinë e Jonës. Por Neta u kthye nga Sandra dhe e pyeti: 'a nuk asht kështu historia e Jonës?'
Sandra nuk foli. Uli gotën bosh në ranë dhe i vendosi dy duert e saj te goja, duke e mbulue edhe pak hundën, i kishte sytë e mbyllun dhe s'lëvizte fare.
'Jona më ka shpëtue dy herë, e kur ajo kishte njiherë nevojë për mue unë s'ia dola me e shpëtue', - tha Sandra, duke tërheqë vëmendjen e shoqeve të tjera, që po diskutonin si nën za historinë e vajzës. Sandra uli duert nga ftyra dhe filloi:
'Kur kam ardhë në qytet, ishte njeriu i parë që kam takue te Gjendja Civile. Punonte atje n'at' kohë. Atëherë isha krejt e ndrojtun, kisha ikë prej nji jete të ashpër, me nji mijë e nji plagë, e kur e pashë nuk më doli asnji fjalë para asaj vajzeje. Atë ditë kishte veshë nji bluzë ngjyrë mollë, nga ata mollat starkinge ku lazdrohet ambëlsia e natyrës. Kisha nji letër në dorë nga kryetari i komunës teme, e ajo po më dridhej, s'doja as me ia dhanë, por s'kisha si mos me ia dhanë, më duhej me patjetër rregjistrimin në qytet. Aty te dritarja e vogël e Gjendjes Civile, ku mezi hynte dora, e jo ma të shihej ftyra, kisha mbetë dhe tuej kujtue se çka kisha ndër mend me kërkue, ajo që doja s'ishte e shënueme askund, por ishte nji dëshirë, që e kisha prej kohësh, e aty më erdhi deri te fyti, e s'mundesha me e shqiptue. Më kapi vaji. Ajo u ngrit prej karriges, i kërkoi shoqes së zyrës me vazhdue me radhën e të tjerëve që po prisnin dhe erdhi jashtë, më tërhoqi nga radha e njerzve, disa më shihnin me mëshirë, disa të bezdisun se po i vonoja me krye punët e tyne, disa filluen me folë nën za 'katunare, injorante'.
Por ajo u tregue e mirë, më mori dhe më futi në nji kafe aty afër ndërtesës së Gjendjes Civile. Mbaja kryet poshtë, sytë ma poshtë se kryetin, shihja kambët e tavolinës, e kisha zor me folë me këtë vajzë, e cila porositi dy kafe. Dikur, mes lotëve i tregova historinë e jetës së kalueme në fshat; përdhunimin në moshë krejt të njomë, pastaj kthimin prej shpisë së burrit që s'më kishte gjetë të virgjën, e s'kishte se si; nëpërkambja e nji pjese të mirë të fshatit; baba që s'ishte i zoti me më dalë në krah; pa nji nanë e motër afër me ia qa hallet; se si me njimijë halle e strese e kisha marrë edhe atë letër prej kryetarit të komunës, i cili për atë mut letre ma kishte lypë nja tre herë. I thashë se ishte njeriu i parë që ia tregoja tanë historinë, askujt s'kisha guxue me ia tregue kështu, por kisha nevojë, pavarësisht se çka kishte shkrue kryetari i komunës, kisha nevojë për me fshi të kaluemen teme; s'doja me kenë ma ajo vajza me atë emën e mbiemën që kisha lindë, doja me fillue nji jetë të re, me gjithçka të re. Ajo më kërkoi dokumentet që kisha me vedi dhe i tregova letrën e kryetarit të komunës. Nuk e fshehu tronditjen prej historisë që i tregova, por tundi pak kryet kur lexoi letrat, 'e ke emnin Keqe?' E ula prapë kryet, kësaj here prej marres që kisha prej emnit, histori e gjatë ajo e emnit. 'A ke ku me ndejtë në qytet - më pyeti - tunda kryet me i thanë që jo'. I tregova që në çantë kisha do lekë, që m'i kishte falë im vlla, Ndoja, dhe isha gati për me ba gjithçka për me ia dalë asaj që po kërkoja. Ajo u mbështet për karrigen ku ishte ulë dhe më pa në sy, edhe sytë, aty ia pashë, i kishte ngjyrë mollet. Mori ato pak çelësa që kishte me vedi dhe u ngrit, më tha që të prisja aty deri sa të vinte sërish. Duhet të kem pritë rreth dy orë a mos më shumë. Isha krejt në siklet, e ky siklet kuptohej, sepse njerzit që hynin e dilnin në lokal më shihnin me kureshtje, ndonji edhe me nënqeshje. S'dija as ku me i çue sytë, as kambët s'dija me i mbajtë, as duert, as çantën, që herë e vija poshtë tavolinës, herë në karrige, herë në tavolinë, e shfryeja herë pas here. Kamarieri erdhi e më pyeti dy herë nëse doja me marrë gja tjetër, por unë i bana me krye që jo. U mërzita aq shumë tuej pritë, saqë edhe u pendova që ia kisha besue vedit të panjoftunës së parë që kisha takue, edhe pse ajo kishte ftyrë miqësore. Ndërsa po i thoja vedit që të ngrihesha dhe të filloja prapë radhën te Gjendja Civile, u duk Jona te dera. Ishte veshë me xhaketë dhe me çantë, dukej se e kishte mbyllë për atë ditë punën. 'Sonte do flesh te nji konvikt, ka nji dhomë të lirë atje, jetojnë vajza aty mos ki merak. Po të çoj unë atje, se ti nuk e di se ku asht, nesër në drekë vij të marr unë', dhe më kërkoi me e ndjekë nga mbrapa. Iu afruem nji makine të vogle, aty ma hapi derën mue e pastaj vedit dhe filloi me e nisë. Kur kam hypë në makinë të Jonës gra, i kam thanë vedit, që o e marr edhe unë patentën ose vdes. Sa i shkonte makina nji grueje, s'kisha pa ndonjiherë. Te ne, vetëm Leta niste traktorin, por ai ishte aq i madh, i shëmtuet dhe tanë baltë, ma shumë prishej se sa ishte në punë dhe dukej sikur ajo e niste prej hallit se sa isha e zoja e asaj makinerie. Jona më shoqnoi deri te dhoma, që duhej të ishte e jemja. Ishte në nji korridor të gjatë, gjysëm ndriçuem nga nji dritare që gjendej në fund të tij, ndjeheshin tana aromat, supë; sapun; këpucë; banjoje, se aty ishin tre banjo për gjithë ato dyer, që në fillim nuk e dija se sa ishin. Ajo ma shpjegoi se do rrija këtu deri sa të më rregullonte disa letra, se drejtori i atij konvikti ishte shoku i saj dhe mund t'i drejtohesha për çdo nevojë, ndoshta ai mund të m'angazhonte edhe me ba ndonji punë të vogël ndërkohë. Drejtori e kishte emnin Fredi. Atje kam ndejtë nja dy vjet, në fillim kam punue pastruese për korridorin ku rrija dhe kështu nxjerrja ndonjë lek, pastaj edhe për ndërtesën. Nuk ishte lekë i madh, por dija me kursye, s'kisha shumë nevojë për rrangullina e zbukurime për vedi.
Jona erdhi nji ditë e më tha nëse më pëlqente emni Sandra? Unë s'kisha asnji kundërshtim për nji emën normal, s'm'u duk i shëmtuet. Ajo ma shpjegoi se i kishte pëlqye kangëtarja Sandra, nji grue amerikane që këndonte e kërcente bukur dhe se mue më shkonte ai emën. Mbajtme lidhje gjatë me njena-tjetrën, megjithëse nuk e konsideroja krejt si shoqe, e shihja ma shumë si bamirësen teme e më pengonte kjo gja për me kenë dy shoqe të ngushta.
Pastaj, siç e dini edhe ju, unë u martova me të zotin e shpisë ku fillova me punue pastruese. Ai ishte plak krejt i lodhun, por i kishte të katër fmitë në emigracion, e kështu kishin lekë për me pague nji pastruese, e ma vonë edhe si kujdestare e kështu erdhi puna që u martova me Feritin. 75 vjeç ai, as sytë s'kishte mundësi me i ngritë e jo me ngritë gja tjetër. Atë e kishte lodhë jeta shumë, e jeta jeme s'kishte ndonji të ardhme tjetër, kështu që martesa, ju e dini, që ma shumë asht shërbesë se sa lidhje e ndërsjelltë, se s'po tham dashni, e mora si gja normale. Isha Sandra, edhe pse Jona, ma kishte thanë me kohë, që sado të jesh emni i ri, prapë se prapë s'ke si i ikë kujtimeve, sado që i vret ata. S'fjeta asnjiherë me Feritin edhe pse më dhimbsej se kishte pasë jetë të vështirë. Për secilin fmi kishte shkrue nga nji ditar, që nga dita që kishin lindë e deri në moshën gjashtë vjeçe. E kishte ndalue të shkruemunin e tyne pikërisht në kohën kur fmitë kishin fillue me lexue. Te shpija e tij fillova me msue me lexue e me shkrue. Kur nji ditë ia gjeta ditarët. E hapa me frikë faqen e parë. Mënyra e shkrimit më bani menjiherë për vedi. Leximi jem u pasunue nga jeta e atyne fmive, që aq bukur i kishte shkrue ai njeri, sa të bukur e kishte pasë gruen Feriti, edhe pse në foto s'dukej aq sa e bante ai në ditar, sa të vështirë e kishte pasë jetën pa të, kur kishte lindë fmija i katërt, sa kishte kërkue pak dashni te gratë që i merrte me ia rritë fmitë, e s'e kishte gjetë. M'kanë ba me qa ditaret e tij, e shpesh ngrihesha me shkue te dhoma e tij, me fjetë me te, thjeshtë me ndje pak ngrohtësi grueje, por sapo shkoja atje, ai vetëm gërhiste. Ndërkohë, për vedin teme e kisha gjetë nji burrë, Danin, që ma knaqte shtatin, kisha ndërrue garderobë, kisha ndërrue stilin e jetës, kisha marrë patentën, kisha ble makinën, e isha ba taman zojë qyteti, asgja nuk më mungonte. Atëherë thoja asgja, ma vonë e kuptova që më mungonte diçka e randësishme. Nji natë Feriti vdiq, ashtu tuej gërhitë, s'u dëgjue ma dhe iku, pa u ndje hiq se kishte kenë. I lajmërova fmitë, e vetëm dy vajzat i erdhën në ceremoni, dy të tjerët s'mundëm me marrë leje te puna e tyne, të paktën kështu më thanën në telefon. Pas dy javësh, më vjen policia në shpi. Kontrollon andej e këndej, më kërkojnë me ditë se ku e kisha dhomën. Ia tregova me qetsi, e hodhën brenda, as më thanën se pse e për çka bahej fjalë. Mendja më shkoi menjiherë te Keqja, mos e kishin marrë vesh pas tanë këtyne vitesh se kush isha? Më kërkuen me shkue me 'ta në komisariat. Shkova pa u ndje. Atje e mora vesh, dy fmitë e Feritit, pikërisht dy djemtë, që s'kishin pasë mundësi me ardhë në varrimin e babës së tyne, më akuzonin se ua kisha vra babën për me ua marrë pasuninë. Dy vajzat, s'flitnin me vllaznit, e nuk u banen të gjalla. Mue më ra si bombë nji gja e tillë. Kërkova që të merrej dëshmia e doktorit të Feritit, etj etj, por hetuesi që kisha përballë më tha lehtë 'zojë, kanë hedhë pare të madhe ata, duen shpinë, asgja tjetër, dojnë me ba pallat aty, u duhet nji motiv me të nxjerrë prej aty'. Po unë vetëm kam lindë në këtë botë, unë pa pasuni kam kenë e do rri, e s'e kam problem, dal menjiherë, due me marrë disa libra që kam lanë aty, çelësat e makinës, e ta gëzojnë pronën e tyne. Hetuesi qeshi me vedi, e ma shpjegoi se tashma ishte hapë nji dosje për mue me akuzën e vrasjes, e s'mund ta mbyllte kështu, vetëm se unë kisha mall për librat e makinën. Mbylljen e dosjes mund ta bante vetëm prokurori që kishte në dorë çështjen. E pyeta, se kush ishte prokurori. Ai m'u përgjigj Fred...Ishte ai i Jonës. I kërkova leje, nëse kisha mundësi të lëvizja prej komisariatit pasi të mbaronin me pyetje, e të tjera si këto. Hetuesi më tha, deri sa të gjejnë nji provë, do më merrte vetëm dëshminë e mund të lëvizja. Ndejta nja dy orë atje, hetuesi ishte djalë krejt i mirë, e dinte për çka ishte hapë çështja dhe nuk më lodhi shumë me pyetje. Biles më shoqnoi edhe në shpi. Me Danin në atë periudhë nuk flisja, se kishte probleme me gruen e tij dhe s'kishte kohë me më kushtue mue, prandaj as nuk u mundova me i thanë gja. E mban mend Netë që ta kërkova numrin e telefonit të Jonës, për këtë gja e doja. I thashë në telefon se kisha nevojë me pi nji kafe me të. Pas dy ditësh do ishte e lirë e kështu që u takuem për herë të dytë. Ia shpjegova tanë historinë dhe ia tregova se isha e gatshme me lanë gjithçka atje, vetëm të mos i hynin këtyne punëve të pista, se unë, jo se ua kam dashtë babën atyne, por s'më ka shkue mendja me e prekë me dorë e jo ma me ia dashtë vdekjen atij. Jona më dëgjoi mirë e mirë. Më tha që me Fredin ishin nda prej kohësh, se nuk donte me i kërkue asnji nder, se nuk donte me ndërhy në punën e tij. Por kur më pa mue aq të dëshpërueme, më qetsoi, tuej më thanë, se kishte për t'i çue disi fjalë. Më tha, nëse do ishte në dorën e saj, kjo dosje as ishte hapë hiq, por ia kishte frikën se edhe vetë Fredi kishte marrë ndonji lek, prandaj më qetsoi disi kur tha që do i bante telefon atij. M'u duk e lodhun atë ditë. I kërkova të falun që s'kisha shkue ma përpara te ajo, ashtu siç shkoja dikur për ndonji drekë te shpija e saj, apo që nuk e kisha pyetë për jetën e vet. Ajo me nji lëvizje dore bani 's'ka gja' dhe qeshi ambël.
Dy muej ma vonë, kisha marrë nji shpi me qera, makinën po e po që e mora, se e kisha ble me lekët e kurrizit tem të thyem, por mora edhe ditarët e Feritit, nja tre libra të tjerë dhe shpinë ua lashë pa e prekë. Më erdhi keq për atë shpi, për vajzat e asaj shpije, që nuk u dëgjuen njiherë, nuk më morën njiherë në telefon me më thanë se si i kisha punët, edhe pse kur vdiq Feriti më falenderuem tej mase për atë që kisha ba për babën e tyne.
Dhe ia fillova nji jete tjetër, me ma pak shpi, por s'ishte problem, ishte shpija jeme, s'kisha kujt me i dhanë llogari, jepja vetëm qiranë, lekët e ujit e të dritave e asgja tjetër. Po merrja frymë ma lirisht, gjeta edhe nji punë tjetër dhe ndjehesha mirë'.
'Netë të kujtohet kur ishte Lida e shtrueme në spital?, pyeti Sandra shoqen që kishte në krah. Neta u tremb pak kur u përmend fjala 'spital', e tuej pa zjermin, që kërciste herë pas here me dru, i tha mendueshëm 'po', nji po që mund ta kishte thanë për tana pyetjet që mund të ishin ba në atë moment. Lida dhe Sandra ishin në nji lagje me Netën. 'Shkova me e pa nji shoqe në spital, se kishte kenë e ftohun, ngaqë punojmë bashkë, m'u desht me shkue. Atje te koridori i spitalit takova Jonën. S'e kisha falenderue si duhet për atë që kishte ba për dosjen teme, vetëm nji telefonatë të thatë e aq. Kur e pashë atë ditë ishte krejt e lodhun nga hera e fundit që e kisha takue. Me erdhi zori që isha tanë shëndet, që kisha tanë këto kile, ndërsa ajo dukej sikur ishte zvogëlue, sikur i kishin hy sytë në rrashtë. I fola tanë gaz, e ajo mezi ma ktheu. Kur e pyeta pse kishte ardhë në spital, Jona ma tha shpejt, që kishte nji të afërm të shtruem. Unë s'kisha ba asgja për këtë vajzë aq sa kishte ba ajo për mue, prandaj, meqë isha në humor, e ftova me hangër nji darkë, kur të kishte kohë të lirë ajo. Më tha që kishte me më marrë vetë në telefon. Doja me pa nji buzëqeshje te ajo, por ishte e pamundun dhe atë ditë më mbeti mendja te Jona. Kaluen nja dy javë a ma shumë, s'e mbaj mend, kur më mori në telefon për atë darkën që e kisha ftue. Mue më kishte dalë krejt prej mendsh, por ajo më tha që të shkonim te nji restorant jashtë qytetit, e m'u kujtue menjiherë se e kisha ftue për darkë. Ajo m'u lut që të shkoja ta merrja me makinë në shpi, se e kishte pak problem me e nisë makinën e vet natën. E mora dhe shkuem te vendi që kishim zgjedhë. Ishte përpjekë me u zbukurue Jona, por pse më dukej e këputun, e zverdhtë, ndoshta e kishin fajin dritat e lokalit. Kur e pyeta, nëse e shqetsonte ndonji gja, më tha shkurt 'ky qytet ta merr frymën'. S'doja me e pyetë për Fredin, por ndërkohë që po pinim pak venë, atëherë ishte e bardhë, ajo vetë tha diçka. 'Kur je e lirë burrat të duen vetëm për seks, e s'ta duen ditën, s'duen me e nda përgjysë ditën, e kur je e nënshtrueme edhe të martojnë, edhe bajnë me ty fmi, ndoshta dy vitet e para edhe të dojnë, e tanë jetën tjetër s'të dojnë. Martesa u shpik për ta, vetë i vendosën rregullat e saj, pasi e ngrejnë nji strehë, e janë të qetë se kanë edhe fmi, mundem shumë kollaj me mendue me e shijue prapë jetën e na s'e kena as lirinë me mendue për nji martesë të ndryshme nga kjo'. Mbeta shtang nga fjalët që tha ajo vajzë, dikur plot energji, e tash dukej e dorëzueme para diçkaje, por unë mendoja se si Fredi ky qytet ka plot burra që mund të dojnë me e lidhë jetën me Jonën. Ajo që ma kishte ndryshue mue jetën, kushedi edhe sa të tjerë kishte ndihmue, kishte arritë me i thanë ato fjalë. 'Të paktën ta kisha ba nji fmi', - më tha ndërsa trazonte pjatën e nuk e hante. Ma vonë tha, që ishte e lodhun dhe donte me hy në shpi. U ngritëm dhe e përcolla deri në shpinë e saj. Kisha hy dikur në atë shpi, por atë natë m'u duk edhe ma e heshtun se herët e tjera. U ngjit disa kambë shkallë, ndërsa unë po i thoja natën e mirë, e isha ba gati me i thanë kur po takohena prapë të nesërmen për nji kafe, kur krejt papritë u këput dhe ra prej shkallëve, erdhi si nji gja e mishtë deri te kambët e mia. U tremba shumë. Iu afrova. Nuk e shihja shumë, se ishte edhe errsinë. Por e ndjeva që merrte frymë. E kapa në krahë dhe u ngjita me të para krahëve deri nalt. Ah moj gra, ta dinit se sa e lehtë ishte tanë ajo Jonë, s'kishit për ta besue atëherë, por s'e di nëse edhe tash e besoni. Me zori gjeta çelësin e dritës të korridorit. E gjeta dhe u drejtova për nga salloni. Atje ende ishte ai abazhuri i vogël, që e dija se ku ndizej. E shtriva te divani, që ishte i gjanë mjaftueshëm. Atëherë e dallova se ishte krejt e verdhë e nuk jepte shenja. Pashë që ishte gërvishtë ndër bërryla e pak ndër gjunj. Por ajo që ma futi frikën ma shumë ishte se këmisha e bardhë, me të cilën kishte dalë atë natë, ishte gjakosë afër gjoksit. U ngrita menjiherë në kambë. Njolla e gjakut po zgjanohej gjithnji e ma shumë. Po, duhej me thirrë ambulancën, e vetmja ide që më erdhi në atë moment. Nga frika e stresi s'po e gjeja dot telefonin në çantë, m'u desh me e përmbysë tanë në dysheme, aty afër divanit e më duer që më dridheshin mora telefonin për me formue numrin. Ajo, duket ishte zgjue prej zhurmave, të lehta ishin ato të shkreta, të rraqeve të çantës që ishin përplasë në tokë. 'Mos, të lutem Sandër, mos e ban...s'ia vlen ma', më tha me gjysë zanit. 'Jonë, çka asht ajo në gjoks, je ba tanë gjak', i thashë me zanin ku dukej trembja jeme dhe sytë i kisha hapë aq sa kanë mundësi me u hapë. Ajo u ngrit ndejun. U mbështet pa shumë fuqi për shpindën e divanit, duke lëshue nji 'oh' të lehtë. Hoqi këmishën, poshtë rrexhipetave rridhte nji vijë e trashë gjaku. Ma pas i hoqi edhe ato...dhe...ah moj gra çka kam pa, çka më zunen sytë me pa...' Sandra u ndal dhe nuk foli ma.
Zyraja ndoshta ma në zjerm se zjermi vetë i tha shpejt: 'pashë perëndinë Sandër fol çka pè'.
'...Jona... ajo nuk e kishte njenen cicë...e rreth vendit ku kishte kenë ndoshta dikur nji gja e bukur dhe e plotë, ishte nji plagë e madhe...nji lëkurë e shpërvjelun, si me e kenë e preme me gërshanë hardhijash, kishte nji ngjyrë të frikshme, e pikërisht, në shumë vende të saj, dilte gjak, që bashkohej pastaj në nji rrjedhë, e cila e kishte kalue edhe brezin e fundit të kuq që ende e kishte të veshun. M'u këput zemra, në fakt u këputa krejt, s'isha e zoja për asgja, as me dëgjue, as me folë, vetëm e shihja. Kur ma pa nji lot të vockël që ishte ba gati me dalë, Jona më tha: 'Sandër harro çka pè...shko në shpi sonte zemër...më fal, s'doja që ta merrje vesh kështu...shko të marr unë në telefon, ta premtoj, nesër pa dalë ti në punë, të marr në telefon, due me pushue pak, kam nevojë me harrue pak...po e kupton edhe vetë pse'...
Sandra u ndal prapë. Dukej sikur historinë po ia tregonte vedit duke e shoqnue edhe me imazhe të asaj që kishte kenë dëshmitare.
'Sandër mos ma ha zotin, por na trego, a ike?,- i tha Xhina.
Prapë heshtje...e dikur nisi...
'...Unë i kam shërbye nji burrit plak, krejt pa e njoftë, pse nuk po e ndihmoja Jonën. Jo nuk ika. Iu luta që të kujdesesha atë natë për të, nji natë, jo ma shumë. Nuk foli. E mora për krahësh, ajo u mbështet krejt në shpatullën teme, e çova te dushi. Aty e zhvesha, ndërsa vaska mbushej me ujë të nxehtë. Jona kishte fillue me qa, pa za, por e ndjeja që qante, e ndërkohë u përkul deri te veshi jem e më tha lehtë 'të lutem Sandër, mos qaj për mue, mos qaj asnjiherë për mue, as sonte, e asnji herë tjetër, s'due me kenë vaji i dikujt tjetër'. Nuk qava, por lotët më ishin mbledhë gur në ballë, e ai ballë mezi po më rrinte në krye. Doja me e ditë, pse, se çka, se kur, doja me i ditë të tana prej asaj vajze, që ishte pendë e lehtë. Isha gati tuej plasë kur e pashë ashtu të zhveshun e aq të hollë, gati tuej u thye në dysh a tresh. I kishte përparue shumë ai kancer që kanceri e thaftë ishalla atje ku asht. E kishte lanë vetë moj gra me e çue deri në atë pikë, s'ishte kujdesë për vedin, deri sa kishte shkue në gradën e fundit. Kur e kisha takue në spital, kishte kenë dita kur ia kishin heqë më kot njenën cicë, sepse doktori ia kishte ba të qartë se nuk kishin çka i banin ma, vetëm me ndjekë do seanca rrezesh, por s'kishin çka me bombardue ma parë, se metastazat i kishte gjithandej. Më tregonte dhe nuk e donte vedin që ishte ba për mëshirë. S'kishte dashtë me ia tregue askujt, s'ia dinte as e ama, as e motra, nuk bahej fjalë me e ditë Fredi, po e mësoja unë, krejt rastësisht po e dija unë. Hyni në vaskë me zori, gati tuej u rrëzue, gjaku i plagës i bani do vija të kuqe nëpër ujin e ngrohtë. Po qante, më thoshte s'e donte vedin, kishte vite që s'e donte, 'ah ta kisha pasë nji fmi të paktën, se fmija të don tanë jetën'. Pastaj s'donte me u çue prej vasket, se sikur po çlodhej, sikur po e merrte vedin pak e nga pak, por i thashë që duhej me u çue, sepse avulli i nxehtë nuk do i bante mirë as asaj e as plagës. Kam marrë nji peshqir të madh, e kam mbështjellë dhe e kam çue në dhomën e saj të gjumit. Gjaku rridhte, jo aq shumë si në fillim, por ishte aty, për mos me e harrue se prej çka vuante ajo vajzë. Mora disa mjekime që gjeta te rafti i ndihmës së shpejtë. Fillova me ia pastrue plagën, e cila dukej që ishte ashtu prej kohësh, sepse i tërhiqte fijet e pambukut, të cilat mbetshin nëpër të çamet e shumta të lëkurës. Ia mjekova mirë e mirë dhe gjaku sikur pushoi pak, i kërkova me ditë se ku të merrja ndërresa me e veshë. I mora te rafti i saj dhe fillova me e veshë, ngadalë, butë, pa e randue, pa ma kuptue dëshirën teme që ajo të ishte Jona e dikurshme, me bluzën ngjyrë molle, me sy tanë dritë e jetë dhe jo ajo e asaj nate. Por pastaj...'
Sandra u ndal prapë dhe filloi me e pi venën tjetër që ia kishte mbushë Xhina, e cila e mbante gati shishen.
'Tash na hedh dekun sonte Sandër me këto heshtje' - i tha Zyraja.
'S'e di a me ua thanë ma gra, s'e di se çka keni me mendue për mue' - tha Sandra me sy të trishtuem, e me shpatulla të mbledhuna, si e zanun në faj.
'Sandër, të kena motër, kjo asht ajo çka kena me mendue për ty, çkado që të thuesh' - i tha Tusha, me za të butë.
Sandra i pa edhe njiherë tana, nji nga nji, pa që Zyraja po hante thojtë me dhambë, Tushën e qetë, Gretën që po gëlltiste venën, Xhinën me sy që i shndrisnin, Netën që ishte gati tuej qa.
'Po i vishja nji rexhipet të lamë, pa njolla gjaku, në ato krahë aq të hollë, që mezi i lëvizte në fakt, dhe po ia mbërtheja, por duke qenë ballë për ballë me Jonën, me krahët e mi të fortë, që ia kishin përshkrue atë shtat. U pamë në sy. S'më thoshin asnji gja të mirë vështrimi i atyne syve. E pyeta 'a je mirë Jonë', m'u përgjigj 'tash po, tash jam ma mirë', më tha nji rrenë, se trupin e kishte të lëshuem në krahët e mi, prej kushedi sa dhimave. Atëherë ia pashë buzët, iu afrova ngadalë, nuk u përpoq me u shmangë dhe e putha. Ia putha ato buzë, për këtë natë, ia putha ato buzë të thame nga temperatura, pa gjak prej lodhjes e dhimbjes. Por ju baj be, s'kisha hasë herë tjetër buzë aq të ambla, aq të shkrifta, s'e di pse burrave me kalimin e kohës i idhtohen buzët...Jona i kishte të vrame prej sëmundjes, që kishte muej që po e mundonte, por po shueja etjen e po mbushesha plot përbenda, e kisha shpirtin tanë dashni...dhe...'
Sandra heshti për të satën herë, po shifte gratë, shoqet e saj, se cila prej tyne ishte gati me e goditë me ndonji gja, me u çue prej vendit, me i thanë ndonji fjalë që thuhen në këto raste nga njerzit e tjerë...Të tana po shihnin Sandrën dhe prisnin prapë fjalën e saj. Zyraja nuk foli, por u pa që ishte në pezm për me msue ma gjatë, biles vështrimi i saj donte me thanë shumë...
'...mos më kërkoni me ju thanë ma gjatë, por...ju të tana keni nëpër shpija drandofila dhe keni ba shurup prej petaleve të tij...e keni parasysh kur e merrni drandofilin që asht i plotë, e merrni dhe e mbushi dorën plot, ashtu i butë, tanë ngjyrë, ia hapni petalet nji e nga nji, zhytni hundën aty me u mbytë prej aromës së tij, e kur mbërrini te vesa, atje e fshehun mes qindra petaleve, ajo pikë ju duket si nji gja e çmueme që keni gjetë, aq të freskët, e aq me lang, e kur ia merrni petalin ma delikat, kuq, flakë dhe e shtypni me buzë, edhe pse pak i idhët, ju duket sikur po ia thithni palcën, po thithni jetë prej atij drandofili'.
Zyraja kishte mbetë si ma e pakënaquna në tanë këtë shpjegim të Sandrës për drandofilin. Sandra e vuni re dhe qeshi idhët nën buzë dhe u tha shoqeve të veta...
'...më falni, por ishte nata e parë që bana dashni me nji femën, s'kena lindë tuej ditë se si bahet dashnia, e mëson atë vetëm kur e takon, ashtu të plotë, por ishte edhe nata e fundit, sepse vetëm me nji si Jona munda dhe u ndjeva se ai drandofili që ju thashë' dhe Sandra vazhdoi...'unë kisha kohë pa ba dashni, ashtu dukej edhe ajo, se u bame shpejt nji,u shkrime shpejt në njena-tjetrën...ia kam ndje lotët e saj gjithandej,...e tash, ndërsa kujtoj ata lotë, më vjen me qa edhe mue, por ia kam premtue se s'due me qa për te dhe s'kam për të qa.
Në të zbardhun të nadjes, ndërsa ajo kishte fjetë randshëm në gjoksin tem, i cili kishte marrë pak ngjyrë të kuqe prej plagës së Jonës i thashë se më duhej vetëm të shkoja në punë, e se pas pune do vija rapë me u kujdesë për plagën, për të si njeri, kishte nevojë për atë kujdes, për pak ngrohtësi, për mos me e harrue. Më buzëqeshi vetëm me sy. Ndërsa po vishesha, më përkëdheli lehtë shpatullat, u ngrit ngadalë, me ndjeu aromën e flokëve dhe u shtri në anën tjetër të shtratit, 'derën hapë ke për ta gjetë, se unë s'po çohem me e mbyllë, më duhet me fjetë, me ia ndje lezetin gjumit'. S'e di se si kam punue atë ditë, e kisha mendjen te ajo natë, në tana detajet e saj, tanë ajo gja, sigurisht duhej të më kishte zanë turpi prej tanë asaj çka kishte ndodhë, por nuk u ndjeva në asnji moment ashtu. Ma në fund mbarova punën e leshit, me makinë vrapova për në shpi, ngroha nji gjellë që e kisha lanë në frigorifer, e futa në nji kuti plastike, e vrapova për te shpija e Jonës. Doja me e hangër drekën me te. E thirra dy-tre herë ndërsa shtroja tavolinën. S'mora përgjigja. Atëherë shkova te dhoma e saj e gjumit dhe e dini...s'e gjeta...s'e gjeta ma...s'ishte ma e kësaj jete. Ishte në mes të dhomës e shtrime. Kishte veshë bluzën ngjyrë molle, s'kishte arritë me veshë fundin, se dukej ishte rrëzue. I shkova afër, e zhyta hundën në flokët e saj, por s'i lëvizte asnji fije, s'doja me e besue se kishte ndodhë ajo që s'duhej të ndodhte, të paktën atë ditë jo, të paktën për mue jo...E ktheva mbarë, ah, më knaqi me atë buzëqeshje, i kishte të ngrime buzët, por i kishte lanë të qeshuna, i kishte lanë edhe faqet tanë gaz, qepallat i kishte mbyllë aq butë, sa kujtova se kishte për t'u zgjue me më thanë nji fjalë, por unë isha e marrë që besoja nji gja që s'kishte me ndodhë ma. Bluza ngjyrë molle ishte e mbytun në gjak, i cili ia kishte skuqë edhe mbathjet, kishte skuqë tapetin ku kishte dhanë frymën e fundit...mue më mbet tavolina bosh...asht e vërtetë, ajo plasi, plasi me dëshirë, e la vedin me plasë, por jo prej dashnisë, por se ajo dashni i kishte mungue në jetën e vet'...
Sandra çliroi shpatullat, që dukej se i kishte pasë në ngërç, lëshoi frymë...Ishte frymë e fortë, kushedi ku e kishte ruejtë tanë atë ajër, se zjermin e kishte larg, por flakët lëvizën prej asaj fryme...
'T'raftë pika Sandër, jo nji, por tana pikat e mundshme me të ra e me të mbytë aty ku je...të mos kishe shkue dreqi e hangërt në punë atë ditë, të kishe ndejtë me 'te...Si vjen kjo dekë, tuej kërkue tanë jetën nji gja, që ndoshta s'asht andej nga po e kërkon, por e ke para e s'e kupton, por kur e shijon aq shumë, t'i mbyll sytë në kohën e paduhun, e marrtë dreqi...t'marrtë dreqi edhe ty Sandër bashkë me drandofil, se na e këpute shpirtin', - qau Zyraja. Hera e parë që qante ajo grue.
Në skaj të atij qiellit të gjanë, filloi diku me ba shenjë drita, Xhina e përqafoi e para Sandrën, e kështu banen tana shoqet e tjera, por Zyraja jo, s'pushonte dot, ia kishte kthye shpinën zjermit dhe qante, edhe pse Tusha përpiqej me e pushue.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde