Arlinda Brühl: Ma paska ënda të ngopem me ëndrra






Dua!

Dua...
...në kristalin e kripës
të jetoj,
të djersës tënde të nxehtë.

Nga trupi yt të buroj,
mbi lëkurë të të derdhem
si det.

Të të jem një bulzë mbi buzë...
tek vërtitesh dua të shkëlqej,
të të rrjedh pastaj mu në gojë.

Shijomë ... që të të ndiej!!



"kafé financiare"


në dashurinë tënde për mua,
do të ketë gjthmonë një "faleminderit" për çastet e mbushura me të qeshura frenetike, dhe
një rracion të mirë trishtimi dhe
urrejtjeje të mbimerituar
për dhimbjet e shkaktuara pa, ose me dijeni të plotë.
do të ketë
një mbidozë te fjalise "artiste muti qe jeni!" dhe
një rracion të konsiderueshëm malli djegës për romantikën
e epokës me shikime oqeanike.
do të ketë
dhe një rracion të majmë magjepsjeje për dlirësinë time
qafëthyese, vetëshkatërruese (se s´i di ti të pathënat mbrojtëse!)
do të ketë
edhe pak idioti mashkullore, shtriqur rrëfimeve të kota
mbi ish-dashnoret e tua të çcuditshme, qe kam dashur t´i shfaros
(edhe) pa i njohur.
do të ketë
në dashurinë tënde për mua, një mirënjohje të mjalttë
prej burri-bir, për adhurimin tim infantil ndaj atyre (prindërve të tu) që janë
njerëz.
do të ketë një ligjërim astronomik
se si mund të dashuroja më mirë, më bukur, më fort,
më gjatë e gjërë dikë, ndoshta ty prapë
ose kurrë, ose çdo herë
për herë të parë.
do të ketë një ngërç, si nyje kafshuese xhelozie hidhrake
sa herë më sheh të zbukuruar si për qejf,
kur i afrohem pragut të asaj që dikur ishte çerdhja
e dashurisë sonë
të parë.
dhe ti,
do të marrësh një pikëz nga këto të tëra,
do ma fusësh fshehurazi në kafenë e rradhës
e do të më pyesësh:
"Perëndeshë, si e do kafenë e sotshme,
me farmak dhe sheqer, apo,
me dashuri të përjetshme?
jashtëtrupore?
me aventura intelektuale?
me ëndërra boshe ?
dhe unë s´do të ndjehem kurrë vetëm
duke e rrufitur,
por veç,
e mbytur deri në fyt
në borxhe.



Utopi


Ta kishim bërë një fëmi bashkë,
si ne, nga brenda, edhe nga jashtë
Ta kishim bërë bashkë një fëmi,
më t´keq se unë, më t´mirë se ti.
Ta kishim nisur që me natë; me hënë të bukur
ta kishim zënë; puthje t´i jepnim për të ngrënë.
i mbrujtur t´ish me dashuri!! t´marramendej bota n´jug,
n´veri! femi t´vërtetë!
si ti naiv, të keq si unë, monstër që
të lë tërë pa punë!
Ta kishim bërë një fëmi të gjallë,
botës pa kohë t´i thoshte
"Ndal! Bëj dashuri moj! Mos bëj fjalë!“
Ta kishim bërë pa Zot, pa kryq!
Sfidë do kish qenë për perënditë,
patentë kam vetë për mrekullitë...
Ta kishim bërë, ashtu, të tërë!
Ta rrisnim në një kështjellë me rërë ! Si unë
i egër t´ish e i thartë, si ti, i bukur , kryelartë,
dhe i përhumbur n´tjetër botë
pa lekë,
xhami,
pa kryq,
pa Zot!
Po unë mendohem dhe ti
mendon. Akull e ftohtë them
"A ke kondom?"
Ta kishim bërë plot me gabime, nga rraca jote,
nga rraca ime,
mbrujtur me ëndrra
pa kushtëzime. Ta kishim bërë,
dhe
le të bëhej edhe bankier,
llogaritar a kamarier.
Ta kishim bërë të paqtë,
të butë, as për të mitë, as për të tutë.
Ta kishim bërë veç një fëmi
mos kish as emër dhe as gjini,
as ngjyrë mos kish,
as kombësi.
Bota,
ta thërriste
Njeri



Pa dhe me

Shpirt nga i yti pa
dhe me vetëdije
qiellit bojrozë
shkëputur; në
timin, pa
dhe me vetëdije
çukitur e
futur.

E ndrojtur, habitem unë dhe e
turbulluar,
qenkam…
dashuruar!!




Bëj sikur më do!!


Sot ma paska ënda
Të ha bukë me ëndrra
Ti pa buzë më puth
Unë dhe pa zjarr digjem
Prushi është i kuq
Zjarri është pa dru
Unë jam e marrë…
Ti tutje tëhu
Sot ma paska ënda
Të ngopem me ëndrra




Të dua


Si lum ti që e njohe dashurinë Anne!
Edhe pse për pak,
Ti e njohe.
Sa kishim pa u parë!
Herën e fundit para 10 vjetësh,
s´i pëlqeve shoqes së sime bije atëherë,
s´ishe revistë mode,
Thashë të ta prezantoja ,
je xhevahir i rrallë.
Të dua Annë.
U njohëm kur isha 14 vjeç.
Më dilje në ëndërr Anne, sa mirë flisje shqip!!

Kam tre fëmijë unë sot , po ti, ti sa do kishe pasur?
Bëhen fëmijët nëpër bodrume hollandeze Anne?

Ti s´ke ndryshuar mbi kopertinë,
as ajo,
s´është rrudhur, s´është mpakur fare
miopja plakë, lulëzon nga dita ne ditë, abuzon me botoksin ;
eksiton paturp
padijen, pjell
lart
e
poshtë
shumënjakeë
të verbër.
Urrejtja s´është plakur Anne
dhe nuk fshihet më, krekoset,
e pushtoi promenadën
këndej pari.

Ku ta hedh hapin e kujdesshëm
që të mos ngaterrohem në llumin e saj ?
Si lum ti që e njohe dashurinë Anne,
Edhe pse për pak.
Ti e njohe.

Të dua Anne,
E ç´të bëj tjetër?



Qorrsokak


Më je
qorrsokak mjalti
që me tërbim lakmoj
tej pirgjeve me tesha e me letra.
E s' du' andej të dal.

Hataja u bëftë!
Mjalti më shkon!!

Çdo punë ndërpres
tek ndiej jehonën e zërit tënd
që më thërret:

"Furtunë moj, pa ndalu pak një herë!!“

Ndal hapin, papritur
bëhem puhizë.

T'avitem,
t'burgos n'ledhatime
e ashtu...
ndalem
pak …
përtej faturave të Damokleut … të t`bëhem
ai
më i ëmb'li

qorrsokak!



Betohem


Në këtë qytet frymojnë të paktën
dy burra që ia dinë mirë fuqinë
zjarrit tim
të çmendur, dy
me numër, që kanë paturpësinë
të mos jenë bashkuar
në një mendje
të vetme
dhe trup
të vetëm, nën
një çati, dy
të paktën, që shumë thjesht e quajnë
dashuri.
dhe unë që të dy do t´i dua të paktën
pak
pa cak.



t´pata harru

aq shumë sa pothuajse
nuk të pashë, aq shumë
sa besova edhe vetë se jam nguju
nga qefi. ti m´pate harru
po aq, aq sa
pothuajse s´kuptove se u gëzove kur m´pe. s´ndjeve se si buzeqeshe, pa dashtë
t´pata harru një dite me një pianist; sa duar
t´zhdërvjellta kish! pastaj
me një skulptor. t´harruam bashk´n´duet. i kish duart
t´ forta dhe buzët
mishtore. më vonë
t´pata harru me një poet. pak i ri n´moshë
po pikonte i tëri
poezi. edhe flokëve
u sajonte orgazma. dhe meqë
t´harrova kaq mirë, biles as nuk
shkruaj më për ty, asnjë fjalë, asnjë rrokje, asnjë gërmë. dhe po
gënjeva, me pickoftë një bletë mu në qafë!
au!!! au!!!!! au!!!!!

kupton bleta shqip?



N´kurbet

Veç pak para se
t’ m’çahet shpirti...
kursema at’ gënjeshtër t’ fundit ,
atë t’ pashpirtën,
atë qafëthyesen ,
dhe ik,ik pa më vrarë ende bukur
e shpejt,

para
se t’m’çahet shpirti ... se amël
vret ajo buzëqeshje
që e dija t’ çiltër krejt , pa vetëdije
vret boll mire ai vështrim dhe ajo fjalë e kendueme n’ gjuhë nane, ...
i kujtimit ...fillim ...

t’ mjaltë unë puthjen s’e pata pritun,
as prekjen, s’ e kisha andrru ...e pse...
...
kaq hidhun u dashka pra
m´u harru ?

ndaj ruje q’at gënjeshtër për tjetën ditë
e tjetën kand
n´tjetrën jetë

e si ke me dit vallë se...
e çon dam ?

ç’ ka zemnës e shtrenjtë m´i fanitet,
si legjendat mohoj,
po ta them vete.

(e si barut me ta ofru mundem , e shes lire bre!)

Po a je shurdh, a?!
n’ gjuhë t’ nanës tingulli
ma shumë se plumbi n’ ballë t’ vret...

Pse do me m’u ba hasëm
n’ kurbet?!

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde