Elona Çuliq: Asht bukur mos me mbajtë mend


***
Mik
Më thuej
Dhe unë do e mbjelli
Nji andërr veç për ty
Që saher’ të takohena
Qielli të shkoklohet
Si nji prru* i lamshuem duerve
E mandej të derdhet i freskët,
I etun
Në urinë e kohës.
Më thuej
I dashtun
mik,
Nji fjalë
Që të psherëtijë kujtimet
e buzëve të stisin nji mall
të ndryshëm këtë herë,
krejt të ndryshëm
nga ai i herës së fundit.
Të kujtohet
Ajo hera e ishullit,
Që të pritte në fundin e rrugës
Në fundin e andrrës.
Ishulli që vegjetonte
N’vetminë e oqeanit?
Nji ditë
Do të kthehesh
Vetëm për sytë
Për krahët e arnuem të zogjve
Që marrin mort në supet e mia.
At’ ditë lutu çmendí t’gjejsh!
  


***
U mbyt edhe nji derë tjetër,
në dalldinë e agut t’pagjumë
që tjerr nji shteg t’andërrt
larg dy pllambëve humnerë
nderun n’prag t’syve.

A më thue,
çka do t’jetë kjo teshë
që m’asht ba lëkurë?
Aq e huej,
Sa nuk e përshkojnë as stinët,
As dimnat me sy ciklopi
As vjeshtat zevzeke..

E kam pa
sesi frymon,
si nji makth që pret me u çue
prej nji vakti t’randuem zhgjandrrash!?

Nuk më kupton
Kur flas!?

Pse kush kupton kend?

Askushi kupton gjithkëndin!

Të kuptuemit asht iluzioni që kena për uratët.
Ke parasysh,
Litarët e g’jatë e t’frymtë
Që tendosen drejt qiellit
E na diktojnë nji rrugë
Që na përngjet thue se po shifena n’pasqyrë!?

Bash për at’ po flas!

A më thue
Kush e kuptoi sozinë e qelqët
që mbrendsohet n’ne
si nji vete në veten e parë?
Po veten e parë t’arnueme
Në pasqyrime qelqesh
Kush u mundue me e dëshifrue
Si bregu ban me dallgën?

Askushi pra..!

Sepse vetëm askushi ka përgjigjen
Për dallgën!

Askushi ka pá!

Ai ka shque!

Ai ka thye pasqyrat
E ka deshifrue qelqet!




Tre hapa larg

Çmendia asht nji bimë mishtore
që përshkon fjalë
në mure prej letre
e heshtjet tona
I përndih' bzashëm
si dy shkrettina
yjore
që shkreptijnë ndër duer
valë poezish që shkrihen
si buzët n'pragun e andrrave.

Si dy botë t'huazueme
hijet tona përplasen
etshëm
në përrallat e pashkrueme
Muret përpijnë
largësitë
tu'i ngushtue shtigjet e fjalëve,
dhe poezitë tona derdhen
n'shtratin e territ
si drejtë lumnisë.

Tre hapa larg
tashma,
dhe muret mbarsen
me heshtje t'kulluet.

Tre, dy,
Nji
Hap
Njishi i tanë
që dridhet
si kumt hyjnor.

Lundrojmë n'heshtjet tona
tue lexue poezitë e mureve
që janë lamshue n'ne
si nji poezi e tanë
kaotike
që mbart mëkatin
e poezive
tre hapa larg.




Prej netësh

askushi vjen me terrin,
me heshtje murgeshe më pagëzon buzët. 
Në sytë e tij përfytyroj rrëzimin tim 
si nji kishë e braktisun 
ku mëkatet ngrenë kryqe t'kithëta
me qenien time. 
Ai ushqen më thërrime pragun e dëshpërimit tim,
shkambinj më dalin prej kreje
si lutje t'gurta për me thye synin e keq.
Më ndodh edhe mue t'më shkunden
qerpikët nga drita
dhe terri t'më përthyejë gjunjët
e t'mos kem faltore nji lutje me e mësue. 
E kështu pres terrin, 
me ardhë ti me sytë plot natë
me ma mësue nji mëkat,
e mbas tij nji lutje,
e mbas lutjes me ndezë nji qiri
e mbas qirit, 
me gjetë
nji pllambë qiell ku me varrosë
heshtjen teme prej murgeshe.


***
Kam andrrue një palë sy
zgjimin e rranjëve t’fjetuna, 
me shkrue nji alfabet për frymën
që mbrun heshtjet e mia noprane.
Duart shkrumben përditë. 
Përkëdheljet mbesin pa qiell
shpirti pa stinë, 
njeriu nji këmbanë shurdhmemece
që mëshiron erën përreth vetet
dhe statuohet n’nji lot
metalik e t’bzashëm
që gjunjëzon stuhitë
dhe forcon gjunjët
dorëzuem dheut.
N’mu asht mbjellë nji ag i pangjyrë,
frikë e ngratë,
mekje kangësh mes buzëve
që na mëdýsh
si drejtëza t’kithta palumtunie
që jehojnë kumtin
e nji andrre ma t’madhe
se vetë stina.
Ti gjallon si nji hije e zashme
dhe saher’ vjen 
ma mbush krahnorin me kangë
dhe kur ik’
len mbas hapit tand
nji heshtje t’zhurmshme
si gjethi n'palat e nji vjeshte kërce.




Pa pikë e presje

Sytë
Nuk shohin atë çka shpirti din
Nji dridhje
Nji kërcù
Që përshkon kohnat e qiejve
Përgjatë trupit
Nji Kishë pa dyer
E andrra t’përunjuna
A ndonji rranjë fryme n’dorë
Sa për adet
Sytë
Nji faltore hyjsh
Që ndezin andrra
E përkujtojnë mëkate
T’qendisuna n’kînde veladonësh
E dikund nji lutje
Ngatërrueme ndër duer
T’bashme e t’unshme
Si ûnja e borës për fushën e blertë
Rruga e shtrueme me hieroglife andrrash
E uni nji destin pa destinacion
Mëson me kenë unshëm
Nji zhgjandërr që lajmnon
Me sinjale drite
Andrrën ma t’madhe t’syve
Terrin.




***
E nesërmja asht etja e së djeshmes
dhe burim i pashterrshëm i t’shkuemes.

Ti je e nesërmja,
ujti i gjetheve,
që zhdeshin pemët,
për me i mësue përskuqjen e stinëve
saher’ ti afron dorën e lëkurës i mëson
nji tjetër përkëdhelje.

Le t’zverdhen stinët n’mue
dhe qielli t’pikojë mall,
për fjalën që trandi hapat
dhe i shkrumbi n’erë.

Sepse andrrat kanë nevojë për gjysma hyjsh
me i shndërrue në njerëz
dhe me i dashtë.




Hanë e zezë

Askush nuk guxoi me t’pa
t’zezë,
nji sy t'unshëm
ku andrrat përthithen
dhe shndërrohen në 
fjalë që i kapërdijmë përposhtë
me frikën me i thanë.

Sepse dritën 
e shohin veç t’bardhë,
nji kundërshti e dukshme
që vjen e kërset në sytë tonë
si era ndër qelqe. 

E tash nuk di si me ia ba
kujt me i thanë
që ti për mue
je nji hanë e zezë
që noton n’nji pëllambë
drite t’marrshme
që s’din asgja tjetër
përpos bardhisë 
që frigon
e mpin
përkarshi dyshimit 
nëse mundena po aq t’bardhë
me pasë hukatjen e frymës!?

Ti je hana 
që tutlon andrrat
dhe shuen etjen
për ngutjen drejt qiellit.
Por unë s’jam msue me i ngut kohët!



A si andrra

Unë nuk i mbaj mend poezitë e mia,
as vargjet kur vijnë
e mbushin damart e gishtave
me ylberë njingjyrëshe
nji t'zezë fisnike,
elegnate e me erë prushi
që mbush me fjalë t'amshueme
fletët e bardha
të shkyeme shkujdesun
nga fletoret e detyrave t'shpisë,
që kur mendimet janë t'pakjarta
mrrolen në nji shuk letre
që mbushin çoshet e errta
t'odës tu kujtue
klasën e gërmës A.
A si andrra!

Nuk mbaj mend kur kam mësue gërmën e parë,
se për mue sa herë që shkruej
asht dita e parë e shkollës,
asht dita e parë
e magjisë A,
asht dita e parë
e dridhjes së dorës njelmtë
n’fletoren e mbështjellun
me andrrat euforike t’fëminisë
me çorape deri te g’juni
e bishtalecat me kordele.
Unë kam zg’jedh mos me mbajtë mend
asgja,
sepse asht bukur
përditë në nadje me u çue
me dëshirën me shku n’shkollë
në biçikletë e përqafueme mbas babës,
e në çantë nji lule karajfil me ta marrë era
e me mbush mahallen me aromën e tij.
Prejse nuk mbaj mend asgja
çohem përditë me dëshirën
me shkue n’klasën e gërmës A.
A si andrra!




***

E ndjej 
vuejtjen e engjëjve 
që kanë ngatërrue kohët e lutjeve.
Ajo çka ishte 
asht 
vetëm një dyshim,
dhe 
ardhja asht 
vetëm 
një uri andrrash, 
që s'dijnë
a kanë me mujtë me dalë
nga barku 
i natës. 




Nji hurth ag’

Mbas teje
tash vi tuj ngâ
hapat tu i mbledhë
një buqetë me erën e gjetheve
t'mallit me ta pru. 
Tash vi pa u ndi, 
si vesa e nadjes
n'lëkurë kam me t'u shtri, 
e andrrat që prej syve m'i ke marrë
buzve tueja kam me i pâ. 
Mbas teje 
tash vi, 
tuj ngâ,
pa ndâ
një hurth ag' me e gjerbë bashkë. 




Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde