El Krasniqi: 'Po t’ishte zoti feminist Kisha me i besu!'

Përmbaruese

Asht e dielë
Këmbanat e kishës më tregojne që edhe nji orë kaloi.
In nomine Patris et fili et Spiritus Sancti.
Imagjino si duhet të ndjehen burrat
Mbi shejtninë e tyne qenka ndërtu bota

Këmbanat bien përsëri
Duket sikur janë në dhomën teme
Google translater më thotë:
Pedicabo Patris et Filii et Spiritus Sancti
Amen!


***
I dashtuni jem m’i lanë flokët, ngadalë, gjatë, lehtë
Me frymën e tij m’i thanë kaҫurrelat
E ato, u ngrejnë kurthe gishtrinjve të tij.

Atij i pëlqen brishtësia jeme, i duket feminine
Ja ushqen gjysmën tjetër të patriarkut
Nuk di nëse i dhimbsem a më dashunon.

I dashtuni jem kujdeset për mue.
Si trumcakun, kokërr për kokër, me shegë më ushqen.
Thotë që shega i heq toksinat, nga kryet e zemra jem.

Atij, kryeneqësia jeme i pëlqen, sikur e joshë
E patriarku thellë te ai, herë qetësohet, herë xhindoset
Dergjet e dergjet por brenda tij nuk vdes.

I dashtuni jem më thotë që më dashunon, vetëm mue
...në zemrën e tij të madhe prej profeti, për të gjitha gratë ka vend
I shpëton nga lufta, e të qenunit grue, u ban strehë në gjinin e tij.




***
Zotin e paq me veti më thotë nana
Po une hyjnitë moti i kam lëshue
E pashë që nuk asht zoti por asht burri në tokë
Që e krijoi zotin për me m’shtyp mue

Ku ta gjej une nji zot, që nuk ka gjini
Që nuk e shtron pushtetin mbi mu
Si nji burrë seksist
Si nji burrë me ego
Që kërkon veç ate me adhurue

Ose si nji grue burrneshë, që patriarkun e ka përbrendesue
Më thotë imani i grues asht shtaga
Më thotë mos e qit kamben mbi kambë se sundon te baba
Mëthotë kij frikë Zotin e burrin

A ka zot që nuk më vjen si nji patriark

Po t’ishte zoti feminist
Kisha me i besu!



***
U pengova n’shikimet e njerzve që m’përbuzin
U rrëzova, gjak u bana
Kafshova gjuhën kur rashë
Deshta me i kafshu gjuhët e tjerëve pas shpinës teme
Më marrin për të marrë

Mindilin e futa në gojë mos me më rrjedh gjaku
Gjaku si këmisha që vesha sot
Si ngyra në zhdukje në flokët e mija
Si duert e atyne që më prekin e më ndyjnë
Mendojnë se e marrë jam

E marrë jam e marrë
U marr erë jorgovanëve të varuna në mure të fqinjve
Veshi xhaketën e dikujt që ma fali bashkë me fajet e veta
Qorapet e nji burri, bashkë me këpucë
Bredh botën me përparse të bardhë kuzhine.



***
qetësi e dielles
trumcakët paskan mrri
blinat i kanë nxjerr sytë
para dyqaneve që edhe pak do mbyllen
fustanet e nuseve varen në dritare
të dorzueme, si para pushkatimit
më duket se kundermojnë sprej flokësh, avuj djerse

e shoh mësusen Karanfile
ka të njëjtin model flokësh
si para 20 vjetësh
të bardha, të mbështjelluna prapa, si karanfil
qenka ba flâneur sot

unë kam qenë te mësuesi Hamdi
i vetmi burrë mësues në shkollë
e mbaj mend me duer thellë të futuna në xhepa
sot butë  zani i tij më tingllon:
- 1 + 1, bajnë?
- Nji
- Jooo. Nji këpucë edhe nji këpucë, bajnë?
- Nji këpucë.
- Jooo - shfrynte me nervozizëm

msusja Karanfile shkoi
nuk bleu ‘ahengun’ në dyqane
dyqanxhia po i fut fustanet brenda
(gratë shtrenjtë i pagujnë)
tash e fshin dyshemenë
me fshesë heq gajlet e blersve
që përtoke bijnë, si kimet e flokëve
puplat e fustaneve, karanfilat dekorues
shfryn, e pastaj ulet
ban hesapet në letër
sa fustane shiti sot?

unë baj hesape nëmendje?
sa ditë? sa vajza? sa nuse?
sa orë qëndrimi në kamb?
sa muj gëzimi? sa muj pagjumë?
sa kilometra deri në shtëpi?
sa korrigjime mbiemnash?
sa mbiemna të shtuem?
sa toka pa hise vajzash?

dera me grila e dyqanit ra me zhurmë
1+ 1 kurrë nuk bajnë dy.



***
Copa malli më fshihen
Nër pore, damarë zemre
Bulzojnë me djersën e ftohtë
Cicrojnë
Timbra të përvajshëm
Më rrjedhin pastaj, mblidhen
Vorbull në gji
Vyshkë dashunie
Me grushta i bie
Fort me grushta
Si nëpër ditë zije
Për me mujt me nxjerr, të tanin
Mallë



Si n'andërr

Asht muzg i purpurtë
Tymnaja midis kulmeve duket
sikur vjen prej larg
Karruselit poshtë qytetit i dëgjohen tingujt
Gjyshja kalëron në nji kalë të filxhantë
Flokët e thinjuna të gjata si Rapunsel
I kreh ngeshëm, me nji krahën të moçëm
I ka nda në mes, i thurr gërsheta
Fundin e lidh me një tërkuzë
Baba asht i mplakun, më shikon si i mpimë
Unë jam fmijë, u druhem thundrave
Kërkoj sytë e nanës
Ajo gjithnji m’andrron si foshnje që jam shplu
e po mërdhij. Kuajt hingllijnë
Nana i ka mshelë sytë
Unë e kam vështirë me u ngi frymë
Mundohem me i thanë nanës - çeli sytë.
Jam hala e vogël, nuk di me folë.
Du me folë.
Nuk di.
Nuk marr frymë.
Karruseli sillet.
Nuk marr frymë.
Nanë pashë mu, çeli sytë.



Pikëllojkë

Më pikë pikllimi
Cdo ditë, derisa
Më shterrë

Pikëllimi më pikë
Prej gishtave të brishtë të dorës

Mbushem përsëri dashni
Lum bahen
E pastaj kthehem në pikëllim
Pikëllojkë bahem
Pa za
Pikoj
Pikoj
Ti.


***

Më dukesh je përmallu sonte, shpirt
Kisha pasë qef dorën me ta mbajtë
në faqen teme, me ta puth shuplakën
E me të ba vend afër meje.
Kangë të vjetra, mallin lëkundin.
Kujtesën ujitin.
Gabimet e krenaria mblidhen në fyt.
Zbuten kur jehu i kangës i fërfllon
Në kohna që ma s’i kthen.
Shpirt e dritë, ngashrehu, qajë
Requiem për rrjedhat që shtratit janë tha.
Lotë valë.
Trup i ftohtë.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde