Nji kangë asaj


Daim Miftari

Nënës

dua të mbështes kokën
në prehërin e nënës
të ndjej mëngjesin
tek lind
nga duart e saj
që miklojnë kokën time
e të them
se nuk ka dhembje burri
që e mposht
zemrën e fortë të nënës
se ti je fëmija i saj
edhe kur flokët të të jenë thinjur
rrudhat të kenë bërë punën e tyre
se ajo është e vetmja
që të dëgjon deri në fund
dhe mbledh pjesët e tua
nga rrugët e largëta
si plaçkat nëpër dhomë
sepse vetëm ajo
ua lidh gojën të ligave
si plagët e vogla në gjunjë
ditëve të verës
sepse vetëm nëna
i del përpara zemërimit të babait
kur ti je me faj
se nuk e dëgjove fjalën e tij
se ajo është nëna
se është nëna ajo
kur të tjerët duhet ta dijnë
se ti je i pathyeshëm
sepse ajo e nxjerr anën më të fortë të saj
nga butësia e vet
dhe ta falë ty


Sueton Zhugri 

Për Elizën

Litarë shiu teposhtë varen,
Oh me ç'zhurmë, e me ç'ushtim,
Me një prej tyre qiellin të ngjitja,
Thua retë do kishin kundërshtim.

Se shumë gjërat kanë ndryshuar,
Qëkur pushove në shpirtin tim,
Sikur fryma drejt vetes më mori,
Në më të bukrin amëshim.

Këtë copë shpirti kjo tornado,
Prej flokësh ngre me uturimë,
Në vorbulla ndjenjash, visesh, vrantjesh,
Lart më çon në adhurim.

Ti e di për ne s'ka ndarje,
Merrmë, merrmë shpirti im,
M'rrotullo pëlhurës tënde,
Thithmë lart në përçudnim.

Kur të më lëshosh teposhtë,
Do jem unë fjalë, hi, o vegim,
I sigurtë për një gjë unë jam,
Në paqe do prehet shpirti im.

Se zot e di çfarë dritën ngjalli,
Që ndriçoi në honin tim,
O m'e bukura e yjeve mbarë,
Je parajsë, je përdëllim.


Adem Gashi

Ishe ti 

kur s’prisja asgjë pos asgjësë
u shfaqe terrinës së tunelit të gurtë
të pamundësisë
si në strukturën e pleksur të ëndrrës
përtej napës së tyltë me dritë në prapavijë

midis vajit e ndjeva përkëdhelinë e butë
ai djali vajs isha unë kur qeshë fëmijë

përballë meje mrekullia e botës:
në trajtën e nënës gruas mikes e motrës
ishe Ti
që më bëre të zgjohem
e t’i jap kuptim çdo gjëje
duke e dashur pafundësisht dhe pritjen dhe boshin



Shqiptar Oseku

Gruaja e fortë

kur e has gruan e fortë
e ndjen në çast

e di që e ke dashuri e ke dhembje
e ke krah të fortë në jetë
nëse fati do nëse ajo don nëse lejon

gruaja e fortë mund të ketë halle
mund t'i vijë tmerr t'i zgjohen
anët e buta anët e dobëta zemra e thyer

përvoja mund ta ketë mësuar keq

gruan e fortë shpesh e vret rritja e vet
atë e tremb t'ia pranojë vetes të ta pranojë ty
sa i duhesh sa ka nevojë për ty

gruan e fortë e flakëron kur sheh
se i je bërë qendra e universit pika zen
ku gjithçka që ka ikur ndër vite i kthehet e i vjen
si dashuri

e pra nevojën ta ka më fort se dritës në sy
e pra është krejt e humbur e palumtur pa ty

ndodh që gruan e fortë dashuria e tremb
ndodh që asaj dashuria i dhemb

e ti o njeri këtë e kupton e merr me mend
e vendos ta hash hekurin me dhëmbë
do të jem i fortë thua do të duroj e dua atë

edhe je i fortë me vend e pa vend
derisa nuk shkon më

e kur ti të thyhesh kur ti çahesh copash ndahesh
kur ajo e sheh që po të humb

gruaja e fortë diqysh ndërron binarë
- qysh e bën nuk e di qysh mëson përsëri të ecë si fëmijë -

e ai moment ajo kohë ai vend

ai akt i thjeshtë i pranimit i vendimit
kur gruaja e fortë ia thotë vetes e ty ta pranon se të do
se po në fakt mbijetoj edhe pa ty por nuk ndjej lumturi
është thjesht magji

send që ndodh një herë në jetë
send që nuk i ndodh as i duhet më përsëri

kur gruaja e fortë bën paqe me të kaluarën
kur vendos ta marrë të tashmen me të mirë

është dita kur jeta të qesh në sy
kur gruaja e fortë e lidh jetën me ty.


Leonard Morava

Vajzës sime!! 

Je ti, Fiore dhe Eva,
kjo dashuri e kristaltë ujë pafajsie,
si aroma e flokëve të tu,
e ëmbël si qumështi që nuk të thahet mbi buzë,
ku ndjek fjalitë e tua të para,
vjollca që i buzeqeshin vesës së vet.
Pastaj të puth sytë, mbyll të mitë,
dhe dehem me mrekullinë të jem At,
pa difektet e burrit që kam veshur dhe po paguaj Solo At,
pa mure, pa gjyqe, pa ditë e pa muaj…
Kohën e blertë të shpirtit jetoj me ty
Të përqafoj ngadalë e fluturojmë të dy
atje ku Ajrin që thith,
dritën që shikoj,
detin që dua,
ëndrrat që s’mohoj,
fjalët që kam thënë dhe të tjerat që kanë mbetur,
ç’ka kam mësuar e për çfarë jam i etur,
çdo pikë të vetme të kësaj jete që më rrjedh,
si flladi që ja pëshpërit gjetheve të një bime
ja pëshpëris zemrës tënde brenda zemrës time.


Klodian Kojashi

Prej teje

për ty kam ken barrë
e dashni
kam ken 'shyqyr që ke pshtu'
dhimbje,
frymje
gjak
e lumtuni

m'kanë matë me javë
me muaj
kam pasë shumë emra
n’kuti shkrepset
kam ken aty
kur ditët quheshin të tujat

dhe kam dalë prej teje
pa asgja
m'ke mblu me krahë
pastaj me garza
e me fjalë të amla
e me qumësht
e me preokupime
e me pagjumësi
pastaj m'ke mblu me libra
me shkolla
me deftesa
me nota
pastaj m'ke mblu
me 'ku je'
'sa vonë'
‘pse vonë'
‘kaq vonë’?

pastaj t'kam mblu me largësi
me mall
me aeroporte
bileta
valixhe
me hajt se shifna

pastaj t'kam mblu
me nji mrekulli
që ndërsa t’shkruej
ma shtyp tastierën

t'kam dashtë
e t'kam rrejt
ma shumë se gjithkend

kam marrë jetën
prej teje
por jo peshën e saj

m'ke ba të lehtë
prandaj shkruej poezi

deksha për ty


Alban Bala

Këngë 

Ti je një këngë, je një zë, një shteg
Që vrapon pas diellit në rrugën e kopshtit
Ku trëndafilat heshtin si fëmijët në gjumë.

Ti je prania e asaj që mungon prej një jete
Kthimi i Uliksit, shamia që tundet
Dëshirueshëm

Gjurmë dore e mbetur në trung të mimozës
Fjalë që valëvitet nëpër retë e shkurtit
Lule që s’mund të këputet.

Sikur të dija të këndoja...Ah, ti mbetesh një këngë
Një tingull prej gjakut të gjelbër të trupit
Të bredhit të mbetur mes stinësh hutueshëm.

Më bëj të lumtur, të lutem...


Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde