Mirela Petalli: Dhimbja është grua e ndershme


Unë grua

Pashë gjymtyrët e mërzisë sime
të lëpiheshin si flakë mbi kurmin
e brishtë të një dashurie.

Gërmova me thonj
të miat dhimbje të pafytyra
për një palë sy te rinj.

Zhvoshka shtatë lëkurët e mia
të fjetura për një të paprovuar
ndjesi.

Shkula gjilpëra të ndryshkura
prej kujtesës veç për
një belbëzim.

Gjithë këto për të t'dhuruar
ty tënden tradhti e vetes
një nga e para dashuri.


...
Aroma të qe fillesa e marrosjes?
Më pëlqejnë sfumaturat,
një prekje këputi fillin...

Me det m'i mbush sytë e më vjen
të derdhem ujëvarë...

Del të vdesë në breg një fokë,
kaloj faqen se nuk e dua heshtjen
që të pllakos pas shterjes
në dhe me mua...

...

Nuk di ç'të solli këtu
sonte pikërisht,
pikërisht tani,
që as erë s'po fryn.
Tërë shqisat e mia u ngritën në këmbë,
thanë s'ka mundësi! - dhe mbi mua gjunjëkëputurën
ranë sërish.
Po s'është mall, jo, ky që ndjej,
as kokëmbrapa nostalgji,
është një shterje që më mek,
ishte vapë...
jam e dehur...
gjeografi...

...
Shkërrmoq misër në një cep
të oborrit
gjyshja e vdekur qyshkur
thahen domatet mbi çatinë
e kuqe
luan vetja ime me guralecë
dhe rrëzohem nga kjo ëndërr
kohëngecur
mbi pse-të që duan të më
veshin grua...



Pezull

Pezull mbi një ndjesi që më shpejt
se unë fluturon,
sigurisht.

Mjegull dhe pezull mbi një dashuri
jetëflutur dhe
fatdritë.

Qelizat e mia nuk dehen
më, vetëm dhembin
vërtetësitë.

Do rrëzohem dhe këtë herë
mbi vetvete esëll
pavarësisht...


Copëtim

Fjala

M'u rrudh fjala
merr frymë dhe plasaritja në mur
këmbët me ngelën në prag....

Dashuria

Thyeje për mua
qiellin në një mijë lulekaltra,
ma vendos njërën mbi gjoks...

Harrimi

Ka flokë të mitë
atje ku s'më dinë se isha,
mos e fshi shpirtin...

Vetvetja

Zgjatur jam gjymtyrë
përmbi, përtej, majë gishtave,
pas diellit m'u përplas koka...


Diçka për dimrin

...
Jam lindur në Gusht,
kërthi siç isha mësova
se dashuria ishte e para.

...
Toka është bujare,
mban ngrohtë filizat
që të mos vdesë gruri.

...
Më duhet të kuvendoj me dëborën
një nga keto ditë para se
ta gjej veten skulpturë akulli.

...
Ka diçka prej burri tek dimri,
dashuron një grua patjetër,
ndaj gjithsesi vjen pranvera.

....

Letër në kohën e ardhme të përbërë

Një ditë s'do ma dëgjosh më cicërimën në orën
vendin rrethanën perfekte ku bota kthehet në
dekor të vdekur.

Hapi ca vrima kovës së mbushur me ndjesitë që
pa dashje të dhurova duke të vjedhur limfë
të çmuar jete.

Heshtja ime gjuan me llastiqe shpirtin që pulson
pritjen po grija është ngjyrë pa atdhe lindur nga
një inçest.

Më pate dhe s'më pe, më pe po s'më kishe
trishtueshëm si fatet e dhimbjeve që enden
kujtesës njerëzore.

Do bëjë ftohtë, Jeta ime, gjithmonë
e më hidhur do dhembë silueta e ikjes
deri kur...

Në divanin e butë një kotele gërrhet
historinë e maceve se frymë do marrësh
pavarësisht.

Do ta kërkoja për ty një fund të lumtur
po mos ta dija se e pate ndër gishtërinj
tashmë....


Më mjafton mendimi

Më mjafton mendimi yt që më mbështjell
dëshirën e pakonturuar sepse s'më janë rritur mjaftueshëm
flokët.

Mjaftimi në fund të filxhanit të kafesë, kam dy herë akoma
cigare te thith.

Thithja është dhenje po aq sa marrje, ekuilibrin e shpik
sa herë më dhembin të çarat e gjoksit të parë
në grafi.

Fotografon pemën një fëmijë harrakat
dhe qeshet me puthjen e zogjve dimërorë
kokëposhtë.

Rri si të duash, po nuk preke me lot shiun
nuk e dallon dot ku është ndryshimi i gjendjeve
të ujit.

Thonë që motet maten me kujtesë të ujitur
me muzikë qaramane dëgjon atë që s'di
të ndjesh.

Pashë dhe unë mbrëmë ëndërr çudi
e madhe (?!), frikë mos qeshë zgjuar kam, do
fle vetëm...

Nëse s'ikën vetë do e përze këtë vit
me majë, i është djeristur koka nën kurorë dhe gara
vazhdon...


Dëshirë e mysët

Sfumuar mishi yt tek duart zgjas
të të prek gjysmëmbyllyr sysh nëpër ëndërr,
përvëlon mungesa mollëzave të gishtërinjve
drithërues, sa gjatë fjetur nën lëkurë
kjo dëshirë e mysët ngjyrë zjarri.
Harrova gjuhën e mjaltit kur arinjtë e hirtë
iu vërsulën qiellit të sfidonin forcën
e rëndesës së një çasti kokëposhtë
që ndërgjegjen time kafshoi keqaz.
Pije gjakun e trëndafiltë që shpirti im
rrjedh gurgullueshëm, konturohu
nën mollëzat e mia të lëmuara e mos fol.
Dhemb lëkura e kujtesës që si gjarpërit
më ra në endjet e mia për të blerë një emër
në festën e ditëlindjes së kohës.
Shkruamë një ndjesi të re mbi gjoks,
e m’i ujit sytë me gjak të trëndafiltë
vetëdijeje të sythtë.


Le të bëjmë sikur

Le të bëjmë sikur Adami nuk ishte gomari i parë,
e pas tij ne të gjithë,
le të bëjmë sikur gjethja e fikut të Eves nuk qe aty
dhe nuk e rrotullojmë akoma botën rreth kësaj.
Le të bëjmë sikur nuk linda me kokë të përplasur,
e vazhdoj të endem e trullosur
nëpër ekzistencën time të përciptë.
Le të bëjmë sikur unë kam turp, fikë dritën, mbylli sytë,
le të bëjmë sikur duhemi moralisht.
Le të bëjmë sikur unë jam më e mençur se poezia ime,
sikur mendimet nuk më vijnë si shuplaka fytyrës
sikur përtypja e fjalëve është tregues serioziteti
Le të bëjmë sikur nuk zhgërryhemi në baltë
gjunjëcoptuar për një cope dinjitet-letër kalk
ku të vizatojmë emrin tonë që më pas
të na e qëndisin në Wikipedia.
Le të bëjmë sikur atdheu nuk është gropë thithëse
sikur sipër tij nuk ka një shtresë bajgash që përsërisin
vetveten epokë pas epoke ndërkohë që ne qetësisht zhytemi.
Le të bëjmë sikur habitemi kur të tjerët janë të pacipë,
grindavecë, lakuriq, me mendime të palara, pahekurosur.
Le të bëjmë sikur bota është një skandal i madh, po ç’ne ne?!
Le të bëjmë sikur dimë, sikur kuptojmë, sikur shohim larg,
më shumë se tërë gomerët shkencëtarë bashkë.
Le të bëjmë sikur tashmë gjithçka është shpikur
e ne qëndrojmë mbi një pirg plehu që është historia
se ne jemi patjetër më të mirët.
Le të bëjmë sikur kur nxjerrim dhëmbët tanë të verdhë
prej nikotinës u bëjmë një nder njerëzve
(se kush tha që të zgërdhihesh është OK ).
Le të bëjmë sikur s'na e ndjen se ajo, se ai, po ia luan asaj,
po ia luan atij që është imi, që është imja.
Le të bëjmë sikur duam më shumë se veten,-
altruizmi, ky helm i ngadaltë që i hodhën sheqer.
Le të bëjmë sikur ne jemi të drejtët, e shtrembër
është pasqyra, në dreq ai që e shpiku!
Le të bejmë se Zoti është shpikje në çdo rast
si të jetë si të mos jetë, po të mos jemi ne
kujt i duhet Zoti?
Le të bëjmë sikur unë e shkrova e sikur ju e lexoni,
le të bëjmë sikur Vdekja është grua Zonjë
e vjen me rradhë, e zgjedh me rradhë,
veç për një gjë le të mos bëjmë sikur,
...jemi njerëz...



Kameleon

Nuk më pëlqen të ngjyros. Sepse duhet të qëndrosh brenda
kontureve. Më pëlqen të zhgarravis, ta le lapsin të lirë nëpër fletë,
vija, rrathë elipsoidë, pika, ndërkohë që nuk mendoj, ndjek lëvizjet e
lapsit drejtuar nga dora, që nga ana e vet drejtohet nga pjesa e errët e
trurit. Në fund, katrahura që del nuk është gjë tjetër veçse në
marrëdhënie, një kapërthim, mbivendosje, dashuri-urrejtje e vijave,
rrathëve elipsoidë dhe pikave. Transkriptimi i pjesës së errët të trurit
tim... sa frikë! S'ka gjë, as unë, askush s'mund ta lexojë, gjithçka
vazhdon të jetë e mireruajtur, por unë ndjehem më mirë. Ndonjëherë
ndodh të ketë gërma, fjalë, copëza fjalish....Oh jo! Kjo fletë duhet
grisur menjëherë!

Nuk shkruaj letra. Vendosa t’i shkruaj një letër vetes njëherë. Shumë
vendim i gabuar. Njësoj si të jesh para një pasqyre të pacipë,
zmadhuese, nën një dritë të fortë, e të zbulosh se ke ca qimëza të
shëmtuara mbi fytyrën tënde perfekte... Që atëhere më kap shpesh
ankthi e shoh ëndrra me djegje letrash, sa i poshtër ky hiri i zi, nuk
më ikën që nuk më ikën nga duart!

Në kokën time ka kangjella. Jam krenare për to, i lyej çdo vit të ri,
fiks me 31 Dhjetor, pak para 12-ës, e bërë tapë sigurisht.
Ngjyrat më ndjekin, duan të më puthin. Duhet të jenë franceze. Dhe
puthja është numër çift. Gjuha ime është bërë si kameleon.

Coptimi në vetvete është i thellë. Nuk jam një e tërë, që kur linda
thanë: shiko: një copë mishi është! Gjatë rritjes nuk u bëra një copë
më e madhe (për fat), por vazhdova të shumohem copash, së fundi
më duhet të bëj një listë, për arsye gjeografie, kam ca copa përtej
oqeanit...

Po kuvendoja me një milingonë. Sa thjesht e keni ju, i thashë. Jeni të
gjitha të bukura. Ajo më pa nga koka te këmbët një hop dhe ngrysi
vetullat: një kokërr grurë është një kokërr grurë, mua më ngop, ty jo.

Mendimet janë struktura fijezore. Kaskada është fenomen i
mrekullueshem natyror. Argëtohem duke bërë piramida
mendimesh, nga një pike vese ngre një perandorí.

U takuan një e vërtetë dhe një ndjenjë. Ndjenja u bë e vërtetë, e
vërteta u bë relative.

Mbi kurorën e botës është një oaz. Jam pronare. Kur të mësoj të
fluturoj, do vete të rri me ëndrrat.

Ëndrrat janë fëmijë të lumtur, kur u del koka mbi tavanin e arsyes,
bëhen të dhimbshme.

Dhimbja është grua e ndershme(?!), rri aty edhe pse ti e tradhton
vazhdimisht. Dhe si çdo grua e ndershme, fryhet e fryhet... S'di pse e
ka kaq qejf zemrën, atë godet kur shpërthen...

Gishtërinjte e mi kanë mollëza të ndjeshme. Perfeksionoj prekjen si
ritual, sepse është rrugë me dy kahe.
Kur ka trafik, krijohen ngricat, mund të të gurëzohet zemra.

Nga biologjia: sa më i komplikuar një organizëm, aq më të pakta janë
mundësitë e tij për t’u rigjeneruar.

Zemra është një bretkosë, shpejtësia e rigjenerimit varet nga
elasticiteti i trurit, që më ngjan me plëndsin e bagëtive, ka xhepa pa
fund...

Te zemra i ka rrënjët dashuria. Bimë kacavjerrëse, lulëzon
shpërthyeshëm ne çdo qelizë. Duan ta martojnë me Përjetësinë, por
përgatitjet për dasmën janë të gjata, kështu vjen dmri...

Për fundin e lumtur: duhet ta ketë sekretin te fundi....

Ndodhja është gjëja më origjinale që njoh. Kur dhjamosen receptorët
e nuancave të imëta të ndodhjes, mërzitesh.

Për pseudo-dashuritë dhe Kazanovat: Një shpirt i mërzitur
marramendet edhe vetëm nga mendimi shoqërues. Ekziston rreziku
të ngrihet fluturim papritur si breshka nën kthetrat e shqiponjës.
Përplasja e zhguallit mbi shkëmb bën zhurmë. Shqiponjat më habisin
me altruizmin e tyre, do doja t’i shihja duke notuar...

Kam dy thasë, një me pyetje, një me aksioma. Qep shtesa për thesin e
pyetjeve, aksiomat se nga firojnë gjatë jetës...

Pasi janë dehur me botë, disa kthehen te Zoti, disa vazhdojnë të
dehen. Unë kthehem te vetja sa herë më pihet ujë. Pastaj shkoj të
dehem sërish. Të vdesësh i dehur duhet të jetë fat.



Për njerëzoren dhe disa mendime të tjera

1- Për njerëzoren

Kam veshur me shtresa butësie bërthamën e qënies sime. Kohë kam
shpenzuar, jam përqëndruar, përkushtuar, përkufizuar në këtë
ndërrmarrje si në një punë me grep, ritmikisht, njëtrajtësisht. Por, si
në një punë me grep, ngjeshja nuk është kurrë e mjaftueshme, sado
shtresa të mbivendos, edhe pse tërthorazi, duket ende bërthama.
Ndjej lakuriqësinë, e prek atë sa herë një ngacmim i jashtëm tërheq
fillin, zhbën tërë punën time në një moment. Moment i varur në fijen
e mendimit me të cilin unë thur. Ndalem të kundroj bërthamën e
qënies sime të zhveshur. Çuditërisht nuk ka ftohtë. Qëndron ashtu
natyrshëm, si një grua e shtrirë në shtratin e dashurisë.

2- Për Lirinë

Mundem, edhe të gërric me thonj ajrin e lirisë sime. Lirinë që
kërkova, lirinë që e pagova me gjithë ç’pata të vlertë, me hundën
time të gjakosur, por që ende mbetet hundë. Lirinë time që më
tepron. O Zot, mos ju teproftë kurrë liria!

3- Për zemërimin

Zemërimi është veshja e ditëve të festës. Kaq e pacipë, sa nxjerr
jashtë të përbendshmet dhe fut shtatë pashë nën dhé lëkurët e mia
njerëzore. Ndjehem një qënie e neveritshme, e paformë dhe e errët,
kutërboj erë kalbësirë. Dhe pas festës kam dhimbje koke si pas një
dehjeje. Sikur të mund të villja...

4-Për dashurinë

Dashuroj rrëmbimshëm. Shpërthej fishekzjarre. Dritë, më shumë
dritë. Verboj me dashurinë time. Drita është ushqimi im, ndaj kur
dashuroj jam e tejdukshme.

5-Për mëmësinë

Qumështi është i bardhë. Mbaj në dorë një dhuratë tepër të çmuar.
Më dridhen duart, mendimet, ndjesitë. Zot, mos guxo të më kërkosh
mbrapsht atë që më dhe... të lutem!

6-Për miqësinë

Po të duash rri, po të duash, prapë rri. Marr me një dorë, jap me të
dyja. Ma jep dorën të kalojmë bashkë lumin tënd, s'ka gjë, timin e
kaloj dhe vetë...

7-Për martesën

Një pasqyrë që përplas imazhet vazhdimisht, vish rroba sa të duash,
në ke sy gjen të vërtetën me ulje çmimi, paguaj një, merr tërë
dyqanin.

8-Për vdekjen

Une mendoj se e kam parë. Por jo, thjesht kam qëlluar aty, është e
ftohtë. Më tej nuk di, unë vazhdoj të jem e ngrohtë.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde