Henri Michaux prezantohet ne shqip nga Mirela Petalli

Henri Michaux


Poezi për Fuqinë

I. Unë po vozis

E mallkova ballin tënd, barkun, jetën tënde
Mallkova rrugët ku shkelën hapat e tu
Gjërat që preke me duar
Mallkova brendinë e ëndrrave të tua.

Të vura një pellg në sytë që më s’shikojnë
Një insekt në veshin tënd që më s’degjon
Një sfungjer në trurin tënd që më s’kupton.

Të ngriva në shpirtin e trupit tënd
Të ktheva në akull në thellësitë e jetës tënde
Ajri që thith të mbyt
Ajri qe thith ti është si ajër qilari
Është një ajër që e kanë shfryrë tashmë
Hijenat
Ky është një ajër që askush s’mund ta thithë.

Lëkura jote është e tëra e lagësht
Lëkura jote djersit ujërat e frikës së madhe
Sqetullat e tua kutërbojnë deri larg prej shpellës së nëndheshme.

Kafshët ngordhin në vend kur kalon ti
Qentë ulërijnë natën, me kokat drejtuar nga shtëpia jote
Nuk mund të arratisesh
Nuk mund të mbledhësh as fuqinë e një milingone në majën e këmbës tënde
Lodhja ta kthen trupin në një cung
Lodhja jote është një karvan i gjatë
Lodhja jote shtrihet deri në vendin e Nan
Lodhja jote është e papërshkrueshme me fjalë.
Vetë goja jote të kafshon
Vetë thonjtë e tu të çjerrin
S’të përket më, gruaja jote
S’të përket më, vëllai yt
Shputën e kembës ia ka pickuar një gjarpër.

Dikush pështyu mbi pasardhësit e tu
Dikush pështyu buzëqeshjen e vajzës tënde të vogël
Dikush u kapardis duke pështyrë në pronat e tua

Bota ikën larg teje

Unë po vozis
Unë po vozis
Unë po vozis kundër jetës tënde
Unë po vozis
Unë shumohem në vozitës të panumërt
Që të vozis më me forcë kundër teje

Ti bie në mjegull
Ti ke mbetur pa frymë
Ti rraskapitesh me perpjekjen më të vogël

Unë vozis
Unë vozis
Unë vozis
Ti zvarritesh i dehur, lidhur pas bishtit të një mushke
Dehja si një çadër e stërmadhe që errëson qiellin
Dhe mbledh mizat
Dehje marramendëse e kanaleve semicirkulare
Fillesat e pavëna re të një hemiplegjie
Dehja nuk të lëshon më
Të shtrin në të majtë
Të shtrin në të djathtë
Të shtrin mbi kalldrëmin e rrugës
Unë vozis
Unë vozis
Unë po vozis kundër ditëve të tua

Ti hyn në shtëpinë e vuajtjes

Unë vozis
Unë vozis
Në një shami sysh të zezë janë shënuar veprimet e tua
Në syrin e madh e të bardhë të një kali me një sy e ardhmja jote rrokulliset

UNË PO VOZIS.

II. Përmes oqeaneve dhe shkretëtirës

Efikas si akti seksual me një vajzë të virgjër
Efikas
Efikas si mungesa e puseve në shkretëtirë
Efikas është veprimi im
Efikas

Efikas si tradhëtari që qëndron mënjanë me njerëzit e tij gati për të vrarë
Efikas si nata për të fshehur objekte
Efikas si dhia për të bërë fëmijë
Të veckël, te veckël, zemërthyer që në lindje
Efikas si nëpërkë

Efikas si një thikë e mprehur për të plagosur
Si ndryshk dhe urinë për të plagosur më tej
Si dridhje, rënie, goditje për ta bërë më të gjerë
Efikas është veprimi im

Efikas si skërmitja e dhëmbëve që vërshon një oqean me urrejtje në gjoksin
E të përbuzurit, një oqean që s’do të thahet kurrë
Efikas si shkretëtira për të dehidratuar trupa dhe ashpërsuar shpirtra
Efikas si nofullat e një hijene për të mbllaçitur gjymtyrët e trupave të
Pambrojtur të të vdekurve
EFIKAS
Efikas është veprimi im


III. Të veproj, unë vij

Po hap derën brenda teje, po hyj
Të veproj,  unë vij
Jam këtu
Të t’mbroj
Ti nuk je më e braktisur
Ti nuk je më në vështiresi
Litarët e tyre janë zgjidhur, sikletet e tua kalojnë
Makthi që të la te drobitur s’është më
Unë po të mbaj me shpatullat e mia
Me mua ti hedh
Hapin e parë në shkallën e pafundme
Që të transporton
Që të ngre lart
Qe të përmbush

Unë të paqtoj
Po shpërhap pëlhura paqeje mbi ty
Po përkund fëmijën e ëndrrës tënde
Buroj
Buroj nga gjethet e çara rrathë  imazhesh  përqark gruas së frikësuar
Buroj nga dëbora e zbehtësisë së saj
Buroj nga frymëmarrja e saj…dhe zjarri ndizet sërish.

TË VEPROJ, UNË VIJ
Mendimet e tua për sulmet janë të mbrojtura
Mendimet e tua për dështimet, dobësitë
Forca ime është në trupin tënd, ka zënë vend aty
…dhe fytyra jote, shrrudhoset, rinohet
Sëmundja nuk të prek më
Frika të braktis

Paqja e qiejve
Paqja e lëndinave të lulëzuara
Paqja kthehet tek ti
Në emër të numrit më të lartë, unë po të ndih
Si një krater tymosës
Gjithë peshën e ngre prej supeve të tua të kërrusur
Këto koka të çuditshme rrotull teje
Vëzhguesit helmues të mjerimit të atij që është i dobët
Nuk mund të t’shohin më
Nuk ekzistojnë më

Një grumbull përforcimesh
Krejt mister nga thellësia
Si një zgjim nënujor
Si një këngë baritone
Unë vij
Kjo këngë të merr
Kjo këngë të ngre
Kjo këngë merr shpirt nga shumë burime
Kjo këngë ushqehet nga një Niagarë qetësie
Kjo këngë është e tëra për ty

Jo më vargonj
Jo më hije të errëta
Jo më frikë
Nuk ka asnjë gjurmë të tyre
Nuk ke nevojë për to
Atje ku pati dhimbje, ka pambuk
Atje ku pati plagë, janë mbyllur
Atje ku pati infeksion, ka gjak të ri
Atje ku pati drynë të mbyllur, ka det të hapur
Det që të mbart, dhe plotësia jote
E paprekur, si një vezë e fildishttë

Unë kam larë fytyrën e të ardhmes tënde.


Jeta ime

Ti po ikën pa mua, jeta ime.
Ti rrokullisesh tutje.
Ndërsa unë pres akoma të bëj lëvizjen time.
Ti ke filluar betejën tashmë
Dhe mua më braktise rrugës.
Kurrë nuk të ndoqa pas, këtu qendroj.
Se ku ti po më shpie, nuk e shoh dot qartë.
Atë fare pak çka dua, ti kurrë s’ma jep.
Për shkak të kësaj mungese, unë deshiroj
Kaq shumë gjëra, pothuajse gjithçka…
Për shkak të kësaj fare pak çka dua, e që ti kurrë s’ma jep.


Zbavitjet e një të sëmuri

Ndonjëherë, kur ndjehem ashtu kot fare, dhe jam vetëm në shtratin tim, e bëj dorën time të majtë të më bëjë temena. Dora ngrihet vetë mbi bërryl, kthehet nga unë dhe më përshëndet. Dora ime e majtë është shumë e dobësuar, dhe mban goxha distancë nga unë. Është dhe dembele, pale. Që ta bej të lëvizë, më duhet të sforcohem pak. Por sapo ka nisur të lëvizë, vazhdon pa ndalur, me një dëshirë të sinqertë  për të më kënaqur. E përkul kyçin e saj kaq mirë dhe është kaq e sjellshme, sa dhe një i tretë po të ishte aty ta shihte, do të prekej.


Një shenjt

Kur po vërdallisesha nëpër trupin tim të mallkuar, mbërrita në një zonë ku pjesët e vetvetes ishin të pakta në numër dhe goxha larg nga njëra-tjetra, të jetoje atje, duhej të ishe një shenjt. Shumë kohë më parë, unë kisha dashur vërtet të isha një shenjt, por tani që sëmundja po më detyronte drejt shenjtërimit, unë e luftova dhe vazhdoj ta luftoj, dhe është e qartë qe nuk do të mbijetoj dot kështu.
Nëse do më ishte dhënë mundësia, mirë! Por të më detyrojnë me forcë-jo, këtë nuk e duroj dot.


Ulërima


Një thua i infektuar shkakton vuajtje të tmerrshme. Por, ajo që më bënte të vuaja më shumë ishte fakti që nuk mund të ulërija. Sepse isha në një hotel. Sapo kishte rënë nata dhe dhoma ime ishte midis dy te tjerave ku kishte njerëz që flinin.
Kështu që, mora një daulle të madhe nga kafka ime, një tunxh, dhe një instrument më me shumë rezonancë se një organo. Tani, duke perdorur fuqinë e jashtëzakonshme që më vinte nga temperatura e lartë, krijova një orkestër shurdhuese me instrumetat. Gjithçka dridhej nga vibrimet.
Pastaj, i sigurt më në fund që zëri im nuk do të degjohej në gjithë këtë zallamahi, fillova të ulërij, të ulërij për orë të tëra, dhe pak nga pak, arrita të ndjehem pak më mirë.


Thjeshtësi 


Ajo që i ka munguar jetës time deri tani është thjeshtësia. Pak nga pak unë po filloj të ndryshoj.
Për shëmbull, së fundmi dal gjithmonë me shtratin tim me vete dhe kur një grua më pëlqen, e marr dhe bëj dashuri me të menjëherë.
Nëse ajo i ka veshët të mëdhenj dhe të shëmtuar, ose hundën, unë ia heq bashkë me rrobat dhe i vë poshtë shtratit, që ti marrë prapë kur të ikë; mbaj vetëm çfarë më pëlqen.
Nëse të përbrendshmet e saj do ishin më mirë po ti ndërroje, unë i nderroj menjëherë. Kjo është dhurata ime. Por nëse shoh një grua më të hijshme që kalon aty pari, unë i kërkoj ndjesë të parës dhe e bëj të zhduket sa hap e mbyll sytë.
Ata që më njohin thonë që unë jam i paaftë për të bërë çka  përshkrova më sipër, thonë që s’kam këllqe. Edhe unë kështu e mendoja dikur, po kjo ishte vetëm sepse atëherë nuk i bëja gjërat ashtu si më pëlqente.
Tani unë kaloj pasdite të mrekullueshme. (Në mëngjes punoj.)


Ndërhyrja


Në të shkuarën, kam pasur shumë respekt për natyrën. Qëndroja para gjërave dhe peizazheve dhe i lija të bënin ç’të donin.
Kjo ka marrë fund një herë e mirë. Tani do të ndërhyj.
Kështu pra, isha në Honfleur dhe po mërzitesha pa masë. Pastaj, me një të rënë të dores, vura aty ca deve. Kjo nuk dukej dhe aq e përshtatshme. Punë e madhe, ishte ideja ime. Përveç kësaj, këtë gjë e bëra me kujdesin më të madh. Fillimisht i sillja devetë në ditët më të zhurmshme, të shtunave në Pazar. Një bllokim trafiku i tmerrshëm ndodhte pas kësaj, dhe turistët thoshin: “Oh, çfarë ere e keqe! Njerëzit këtu janë kaq të qelbur!”. Era e keqe pushtoi portin dhe maskoi edhe erën e karkalecave të detit. Njerëzit dilnin nga turma të mbuluar kokë e këmbë me pluhur dhe me qime të një zot e di se çfarë.
Kur vinte nata, duhej të ishit aty të dëgjonit trokamat e këmbeve të deveve teksa përpiqeshin të kalonin urat mbi kanal, ding! ding! ding! mbi çimento dhe hekur!
Pushtimi i deveve u realizua me rregull dhe në siguri të plotë.
Banorët e Honfleur-it mund ti shihje tashmë tek shikonin vëngër me atë vështrimin tipik teë njerëzve që merren me devetë, kur inspektojnë karvanin për tu siguruar që asgjë s’mungon dhe kështu të mund të vazhdojnë udhëtimin të sigurt; por mua m’u desh të largohesha nga Honfleur ditën e katërt.
Nisa gjithashtu një tren pasagjerësh. Treni u largua me shpejtësi nga Grand Place dhe u drejtua si shigjetë përpara pa e çarë kokën për ngarkesën; u lëshua drejt para, shpëtuar nga besimi.
Është për të ardhur keq që më duhet të largohem, por kam dyshimet e mia se qetësia nuk do të kthehet dhe aq shpejt në qytetin e vogël të peshkatarëve të midhjeve dhe karkalecave të detit.

Mirela Petalli

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde