POEZIA

Fakete Rexha

Shpirti im rrebel 


Jam njeri. Grua. E zakonshme. Normale. E thjeshtë.
Shpirti im, rrebel i paqetësueshëm. Përpara e ushqeja
me dashuri e gjëra të bukura. Gjatë luftës me frikë.
Vuajtje. Shqetësime. Prej kur erdhëm në Francë,
shpirti im s'pran të rrebelohet. Shpeshë e qortoj, i them:
ti rrebeloheshe dikur nga dashuria! Më pas nga frika,
vuajtja e shqetësimi. E tani? C'ke tani që s'më lë të qetë?
Kur këtu të lirë jemi si të vdekurit. E, më gjë s'na thonë,
as lumturia as dëshpërimi!
Shpirti im gjumit më zgjon. Më lodhë. Më torturon.
Si tentimi për vetëvrasje. Më shtron si kafshën e ndërsyer.
Më vë në gjumë pasi më detyron nevojën shpirtërore
të projektimit të të ardhmes. Si në një tavolinë ortari.
T'i mbledhë copat, të mëdhat, të voglat deri në imtësi.
T'i ndreq, shëroj e rindërtoj. Të kaluarën. Përkujtimet.
Evakuimin e rrënjëve.
Jo. S'dua! - i them. Kam një të kaluar të sëmuar.
Të dhembshme. Përpiqem ta fshij, ta harroj.
Shkruaj! - m'urdhëron ai. Vetëm një e kaluar e tillë
premton një të ardhme të bukur. Se s'mund të ngritesh
tokës, po su rrëzove prej qiellit njëherë. Eja tani!
Merrë lapsin e shkruaj! Nëse s'do t'më humbësh
përgjithmonë! Kështu më torturon shpirti im.
Pa vrar mendjen për kohën. Mbrëmjes e mëngjesit.
E, ndihmon ta ruaj shpresën.
Përkatësinë.
Rimbjellë rrënjët e mia.
Në Francë.
Shpirti im rrebel.
Si një fëmijë i paedukuar.




Shuki Gashi


Gjyteti i fëmijërisë dje 


Lakuriq e zhvesha terrin
e kësaj nate heshtake
me pikëllim kërkova
ecjeve neper kohë
Gjytetin e fëmijërisë dje
Korzoja me Blinj dashuriqkash
nuk është më aty
as aletë me kalldrëm guri
Alienet e Republik
ës Blu
disa herë ma Varrosën
atë pa funeral
nën një shetitore betoni
që kundermone erë
hamamxhiku
Gjyteti pa Lum
me mushkëri të sëmuara
rënkon nën pllaka graniti
Në terrin e zhveshur lakuriq
as në ëndërra e gjeta
Gjytetin tim dje…






Albana Fani Rashi

***
Përtej mureve t’nji shpirti t’bjerrun,
Përtej lotve perlë përshkue rruzë n’faqe t’ mermerta,
Përtej nji trupi t’krrysun eshtnash plasë,
N’mes t’nji zemre bardhë,
Jeton nji vajzuke e vogël,...
Me t’qeshun gugatje pllumash t’dashuruem,
Me fëtyrë drandofile rozë mbush n’tis agu,
Me do sy qershi, e mendje shpirt andrra mbushë!
Përtej dy syve gastare pa ngjyrë,
Jeton nji vajzuke me andrra rrok' ndryk’,
Asht Monument Pafajsie
Ruhet me fanatizëm larg kësaj jete mizore!



Entela Tabaku Sörman

***
unë jam muri jem
nuk mbështetem kurrë në mure të tjera
s’kam besë se më mbajnë
kurrë mure mbas shpinet
gjithmonë përballë
mureve të fortë u bie me krye
mureve të dobët u shtoj pak beton
në kalim
mureve rrënoja që më përndjekin
gati me më ra përsipër gur vorri
u iki përditë
përnatë
mureve andërr që ma dinë historinë
e më presin
u këndoj
muret e lavdimeve që ma bajnë qejfin
i la me ma ba qejfin
pse jo
muret e turpit që s’m’i harrojnë gabimet
u nguli gastare te thyeme
kush mos me u ngjitë në ta
po unë nuk mbështetem kurrë në mure
unë jam muri jem
askush s’e din ma mirë se unë
themelin tem
kufinin tem


Elona Çuliq

***
Heshtja asht nji shenjt i kurrëzbritun,
që na kûn vedin si nji përgjigje e mësueme përmendsh.
Sepse rruga asht veçse nji orë mësimi e mungueme,
nji libër me perde muresh prej plumbi,
nji kolonë e vetme ku mbahet shpirti,
sytë e fryma jeme
jote,
e atij që ma s'asht
a ndonji tjetri që as e nesërmja s'ka me e prue.
Pra, jeta asht veç nji turrë drush
që djegë për s'dekuni andrrat
me shpresën se hini ka me i mësue amshimin.
Mes andrrës dhe heshtjes gjallojnë duert,
që lindin me kumtin e lutjes pa altar.
Ti je duert
dhe fjala jeme qiri pa altar,
që pret agoninë e qiellit me zgjue kujtesat e Kangëve
që kanë me lumnue sytë
e me na mësue nji vedi tjetër qendisun me pe ajri.



Arlinda Brühl


Utopi

Ta kishim bërë një fëmi bashkë,
si ne, nga brenda, edhe nga jashtë
Ta kishim bërë bashkë një fëmi,
më t´keq se unë, më t´mirë se ti.
Ta kishim nisur që me natë; me hënë të bukur
ta kishim zënë; puthje t´i jepnim për të ngrënë.
i mbrujtur t´ish me dashuri!! t´marramendej bota n´jug,
n´veri! femi t´vërtetë!
si ti naiv, të keq si unë, monstër që
të lë tërë pa punë!
Ta kishim bërë një fëmi të gjallë,
botës pa kohë t´i thoshte
"Ndal! Bëj dashuri moj! Mos bëj fjalë!“
Ta kishim bërë pa Zot, pa kryq!
Sfidë do kish qenë për perënditë,
patentë kam vetë për mrekullitë...
Ta kishim bërë, ashtu, të tërë!
Ta rrisnim në një kështjellë me rërë ! Si unë
i egër t´ish e i thartë, si ti, i bukur , kryelartë,
dhe i përhumbur n´tjetër botë
pa lekë,
xhami,
pa kryq,
pa Zot!
Po unë mendohem dhe ti
mendon. Akull e ftohtë them
"A ke kondom?"
Ta kishim bërë plot me gabime, nga rraca jote,
nga rraca ime,
mbrujtur me ëndrra
pa kushtëzime. Ta kishim bërë,
dhe
le të bëhej edhe bankier,
llogaritar a kamarier.
Ta kishim bërë të paqtë,
të butë, as për të mitë, as për të tutë.
Ta kishim bërë veç një fëmi
mos kish as emër dhe as gjini,
as ngjyrë mos kish,
as kombësi.
Bota,
ta thërriste

Njeri



Jusilda Guri

***
Jo, jo
mos m'u tremb mu e dashtun
por fjalve
që dora m'shkrun
se tuj ken poete
di edhe un me t’vra


Mirela Kapaj

Njeriu i bëshëm


A e sheh atë sesi dergjet në një shtrat tepër të ngushtë për të,
e gjtihçka është me tepri, mish, mish, kocka të gjata, lëkurë
pa fund? Edhe emocionet në sytë e tij janë me tepri, ata sty
të lëngshëm që përkufizojnë vuajtjen po aq sa sytë e luanit
të plagosur rëndë në xhungël në grahmat e fundit. Ato buzë
që nuk dinë si të puthin paksa, shkurt, rrëshqanthi, ato buzë
që të mbështjellin në një harresë mishtore marramendëse.
Për bukuri shkon çdo gjë përderisa je ti që strukesh në ato krahë
të fortë dhe duar të mëdha përshkojnë sipërfaqet e tua të imëta
përsëri e përsëri derisa nuk të duhet më as emri yt. Por tani,
në këtë shtrat tepër të ngushtë ti ke frikë se nuk di të bymehesh
mjaftueshëm, të hapësh krahët e tu të hollë e delikatë aq sa
të përfshish me to njeriun e bëshëm dhe ta ngushëllosh në çastin
e dhimbjes universale të mishit dhe kockave, dhe lëkurës dhe shpirit.
Vizualizimi i njeriut të bëshëm- foshnje, atëherë kur nuk kishte asnjë
shenjë të vetme të rrëfente këtë bollëk është kaq i vështirë për
korzinat e tua të holla si fijet e shkrepëseve me të cilat dikur
ndërtonit shtëpiza të vogla në dysheme në ditë vape. Gjithë kjo
dilemë të bën edhe më petite, më të brishtë e krahët të varen
të këputur anash kurmit tënd gati transparent ku po të vdisje tani,
studentë të etur do numëronin me zell brinjë, enë gjaku, nerva dhe
muskuj. Por njeriu i bëshën të ka thënë dikur se është fundosur
në thellësinë e vështrimit tënd dhe ti kujtohesh se tërësia e
qënies tënde është shumësi. Atëherë dora jote prej fëmije
mbështetet lehtë mdi dorën e njeriut të bëshëm dhe ti ofron sytë,
shpirtin dhe tërë qënien tënde që njeriu i bëshën në çastin e dhimbjes
universale te mishit dhe kockave, dhe lëkurës dhe shpirtit,
të mund të fundoset, e thellë brenda vetes, në heshtje, shpreh
një dëshirë të ndrojtur, që njeriu i bëshëm të ngrihet, të thyejë
këtë shtrat tepër të ngushtë dhe të të puthë gjatë, një puthje
të ekzagjeruar derisa të t’mbështjellë në një harresë mishtore, marramendëse.


Anila Xhekaliu 


Ankth i mbramë

 
Harrimi vjen me dritën
për të bërë ç`të dojë me ty.
 
Vagabonde këmbënkryq:
kronometër avashtë
lëviz akrepë
zhvendos vendodhje ngjarje kohë
kalimtaret shqetësime:
Dreq trotuar
kujtesë e pakuptimtë!
 
Mbështjellë dhëmbëve të një karfice
tendosje fijesh të holla.
 
Si i vetëm Zeus
sajoj një Meduzë
një Hermes flaktë
 
Ndërsa dëgjoj në televizor
"ankthi është i ushqyeshëm"


Ardiana S. Prishtina

Degjenerata


Format e veta i grithën me koleksionin e thonjëve
të ruejtuna në thesin që u’a randonte shpinën
që i kishin kafshue e copëtue për nji kohë të gjatë
kur ishin hala tu pritë me i’u ardhë dita.
E kur dita i’u erdhë nuk patën mëshirë, nuk patën nevojë
me pasë, se s’i njifke kurrëkush për me u’a lyp këtë borgj
e mëshira borgj asht, nuk asht dhuratë
as uratë. Rrëzuen, për me ndërtue idenë e nji bote ku
kryqi i vetëm që lidhej në fyt, ish liria me urrrejtë
e me dashtë me zgjedhje, e ndjenjat si margaritarë
të palume në thellësi, me u shijue rallë e pa hile.
Rrëzuen e shkatruen për me ngritë nji zot, që nuk shkruhet me t'madhe e s’ka fuqi
me të falë as me të bekue, as me të shenjtërue e edhe ma hiq me të nimu me gjetë
lumtuninë, ekziston veç që ti me e pshtye n'ftyrë
e të jep krejt çka  t’vyn për me besue në mungesën e tij, e me rigjetë ti
veten si troshë të harrume në sofrën e lirisë.



Albana Kozeli

Eja drejt meje

Eja drejt meje, Përbindësh
i mëkatit tim,
i butë, i thyeshëm, i dobët
Me krahë ngërthyer frike,
rropulli ngatërruar intrigës,
i fshehtë, i fshehte, si gjarpër zvarritës,
i ftohte, i zjarrte, kopuk
Për mishi më ngjitesh...

Më kot kërkon në mish
Atë që kam në shpirt

Mashtrimin nën ballin e ulët e fsheh,
vështrimi të fikët nga droja
e ndizesh prej epshi në xixëllimë sysh,
nuk fle kur fle,
zgjuar mëkaton në gjumë
e shumohesh si krimbat kur i ndan dysh

Me qelqin e thyer të zilisë
më hy thellë në mish

Më duaj, më duaj
me kthetrat e tua më bluaj
se sot kam lindur
e sot mësova të qaj
nga forca a ligështia
s`e di
Të dy të ngjitemi në qiej
të dy të rrokemi e mbytemi
në gjakun e purpurt të pasionit të ndaluar
Oh, më kap, më thith
më përshko me duar

Të pastër mëkatin ta ndiej

Ti mbreti im
un`skllavja jote
i etur, i mbrapshtë, i qielltë,
Humbellë
Humbellë e ëndrrave të mia

Terr
Muzg
Ferr
Dritë e mekur parajsëe, o hije
më kot mundohesh përmes meje të jesh
kur trupin tim e kryqëzon
urrejtjen e zbraz me fjalë dhembshurie
Ateherë un`iki, atëherë
un`shkoj
në vise të largëta ku një tjetër kërkoj
dhe gjej, po po gjej
atë, të pafrikurin, të ngjashmin
të pafundmin njeri
Atë që heshtja e pastër më fal
kthej kryet e lodhur e ty
të kam këtu
O engjëll, o djall....


Xheni Tanini Hali

1.

Më thuaj, përse mund të shkruaj diçka

dhe trupin e zhveshur e shtrij brinjës tënde,
të lutem

e shurdhër jam për heshtjet e s'i kuptoj
bezdinë e zërit tënd mbi timin në orën e vonë të kurmit tim
vokal, e ndiej dhe bota mbetet aty. Në një vend, diku në pragdimër
të ngrirë.

Më thuaj, për shembull, ç'mund të bëj me këtë trup
të lidhur me shparguj lëkure të trashë që ka ftohtë,
që ka nxehte; që fryn, turfullon. Me këtë trup që vetëm i imi nuk është
As yti. As yni.
Për këtë trup ç'të them. Si ta zgidh nga liritë që venë e vijnë mbi të
e lidhin ganguj metalikë, nyje;

për se mund të më duhet ky trup,
larg trupit tim,
larg zërit tënd
thellë netëve ku drita fiket e tëra në emër te rremë të qetesisë
që nuk sheh me sy
që nuk do të shohë me sy.

Me këtë trup- rit zakonor të përbotshëm
s'mund të më duhet të bëj ndonjë gjë.
Asgjë.


Thuamë, me zërin tënd të bezdisur prej
zhveshjes së çmendur të ketij trupi pa muskuj
pa veti, shtrirë brinjës së ritit, si rit
ç'mundem të bëj, kur edhe si “titull” s'mund ta përdor
Thuamë, të lutem.


Brikena Smajli

Lum

Gjith' zânat e ditës janë humbë,
Humbë asht shikimi në ngjyra.
Po lahen ujnat në terrin e lindjes.
n' cak qorrimi përkundet fjala.

Ma fort se ikje,
jeta asht rrxue prej gjaksish t'panginjun;
N'shtjella dyshimi vrapon prekja...
...e gishtat bien në tela t' kputun.

Violinë asht bota,
Hark e shgjetë, vdekja.

Një lum tingujsh kalon pada
Edhe drita e hanës kullon ujë,
Botet ... mbarset n'dritë që vret.
Po lumi mbamend unë t' prishun
E tingujt bahen knetë.

  ***

Në mue janë copëtue violina ...
Ujë asht ba tingulli që lshuen...
Rrjedhë, teli i kputun...



Lindita Ottarson

Vallja e Salomesë

kur dëgjova për ty
isha e njomë
toka lëkundej nën tërmet
një djalë ma rrëfeu sagën tënde
mund të më bëhej i dashur
toka u ça nën këmbët tona
unë ngela me ty
ai me koken e prerë 
për të mos u takuar kurrë 
mësomë si vallëzohet
si ta filloj këtë pranverë
hiret e tua andjet tua
belin që harkohet si ylber
nën qiell 
kërcitjet e kërcinjve si zilka
këmbët e zbathur mbi tokë
gjak gjak gjak
ritmin e zemrës për dajre
flokët rreth kokës ti mbaj
rreth rreth rreth
fuqitë brenda meje ti josh
furishëm të zgjohen
sa nuk është vonë
kurrë kurrë kurrë
vallëzoi nje grua si ty
shtatë vello mbi shtat
djeg djeg djeg
një nga një në valle
Shalom Salome
mësoma vallen
sa nuk është vonë
pa kokën e  prerë
Salome!



Majlinda Sinani Lulaj

Kanga e pashpresës

terri kokëvarun
strehue n'filxhan kafje
shërbehet prej duersh
t'panjoftuna
e mbi
nji qiell i trazuem me plafa resh
tuj thashethemnue fatet e
varkave t'braktisuna
n'molin e moçëm
pa far

përreth
fytyra askete
si medaljone betejash t'fitueme
zhubrave t'kohës
rrëmihin t'harruemet n'rrënoja
dëshirash
t'murueme n'sytë e xhamtë

kurrkund shpresë
veç dihamë e sertë e kangëve
n'gurë varresh
ku shihet n'pasqyrë hana



Elife Krasniqi

Benjamine

Ma e vogla çikë në familje
E fundit, me emën të parë
Dora e djathtë e askujt
Ngjizje pasioni apo rastësie
E rritun me historitë e pejgamberëve
Mrekullitë e Musasë
Devotshmëninë e Ibrahimit
Bukurinë e Jusufit

Burra të gjithë, përveҫ Lules
Personazhen e përrallës
Të shpikun aty-për-aty

Ajo nuk ishte profete
Ajo nuk bante mrekulli
 Ajo humbi në mal
Ajo ra në bunar

U gjet

Nga motrat e saj nëpër botë.



Elita Hoxha

Mos u ndal

Edhe nëse natë e frikëshme
në planetin tënd troket
bija ime, beso
se prapë ka jetë
në një skaj universi
do ruhet edhe pak lumuri
për ty
flatrimin mos ndal
krenare lufto për tënden liri
dëshpërimin mos lejo
si farë e keqe
t'i shpërndahet shpirtit tënd
ënderroje të bukurën në çdo kënd
mos u ndal
jetë kafazi kurrë mos lejo
se e rëndë, e tmeerrshme është kjo
çmoje lirinë dhe ruaje
sepse është e rëndësishme sa vetë jeta
mos u ndal
dhe mos lejo të ta vrasin
e drejtimin t'ia ndërrojnë
se nëse lejon të ta vrasin lirinë
veç krrokamë korbash do dëgjosh
ferrin ne jetë do jetosh
ke besim në vete
mos u ndal...
ka lumturi edhe për ty...
faren e egër të dëshpërimit
mos e lejo në ty të të mbijë...



Donika Dabishevci

Dashunisë së nji nate

Erën tande nuhas
trupi lehtë m’dridhet
zemra m’rreh ngadalë
prej tutës që s’ke me ardhun
mos gabo
se shpirti copë do t’mbahet
e ma e fortë se deka
âsht dëshrimi jem për ty

***
Due me bâ
tuj kanë
n’nji shkretinë të paanë
a n’nji ishull plot det
ku dallditë frymojnë
n’fillin e vet
n’zall e n’lloq
n’ujë e n’djersë
n’natë me yje e hanë

T’due si s’kam dashtë
kurrë
asnjiherë ma parë
dashni soji t’bâjmë
pa fjalë e andrra
veç afsh

Kurrë s’t’kam thanë
se ti je hamshor
e unë harlisun jam
për gjâ tjetër n’ket jetë
zhig s’më mbet’
prekmë
pa fjalë
për net pa gjumë
ta bâjmë

***
Due me iu dhanë natës
qysh i jepet nana fmisë
pa asnji fjalë
asnji peng
asnji kusht

Due me t’pas’ krejt,
t’zhveshun
dej n’asht
e me vlu,
e me u shkri
me shpërthye
e me kanë e lumtun
veç që jam n’këtë botë
veç që jam me ty
sall për ket çast 
kam me luftue dej n’frymë t’fundit

***
Bash  s’due me t’pa ma
me ndie dhimtën e ndamjes dej n’asht
me e pa lamshin e zanun n’fyt lak
frymën tuj m’u përbiru
e trupin tuj m’lshu


Bash du me çue dorë prej teje


Gilmana Bushati

Gjeografia jeme ishte kuti dëshirash të shtërngueme
në drrasa të thame nga fjalët e athta
dryni asnjiherë s'ishte në vend
asnjiherë hekur
asnjiherë i vdekun
i ndryshkun
pa copa të lidhuna, gati për me ra me zhurmë
dikur
askurrë
në dyshemen e thurun, nji dërrasë po, katër kujtime jo. 
Unë ngujue në kuti, ndejtë, ulë, gërvishtë, 
me ritme kangësh të shkrueme vetë
gjeografisë teme i dol dielli mbi kapak
e si zog i kënaqun me krahë, erdh e m'u ul në pëllambë
pastaj në krah, në shpatull, 
askund nuk më ndejti fotografi me çastin e ngrimë
që gjithmonë ikë, ikë, pas shkrepjes,
aty më pëshpëritë në vesh 'vetëm për ty'.
Ajo tashma asht nji vijë e çlirët horizonti, ngjyra që njeriu s'ia gjeti kurrë emnin
nji hanë e paqtë edhe kur asht gjak
ajo asht frymë, fjalë t'ambla, dashni, furtunë, frikë
shpejtësi që shkel kufijtë e kambvve, kambë që kapërcen honet
busullën e hodhi si rraqe, mban ngrohtë vetëm nji pikë, e ka strehue mirë, 
drejtimin asaj ia gjen me aromën e nji mëngjesi shtrue n'tavolinë prej duarsh të rrudhuna
e pasi në trup i i shtrihet lagshtina e nji liqeni
vijon me gjetë hapësina e qiej të pakaluem, 'për mue, vetëm për mue'.
Gjeografia jeme ka vetëm këto radhë, s'ka ma histori.




Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde