Menjiherë pas kangës

Kujtesë e shiut

E mblodha shiun
në nji epruvetë t'ngushtë
pak pikat e nadjes
rrembeshin e ditës
stuhinë e darkës.
Mbështolla dhe nja dy vetima
atë që ra mbi lumë e m'trembi vajzat
dhe ajo tjetra që m'përshkoi anë e përtej
e s'gjeti asnji pikë t'naltë për me ndejtë
janë në nji cohë t'zezë
me ia ruejtë dritën,
zjermin ua mbledha përtokë.
Bubullimat s'i mbrrina dot
rrahën fort
dhe u mbytën si ushëtimë nji nga nji
në misteret e malit Saint Quentin.
Tuj e ba gati në nji valixhe
me lëkurë të vjetër, rrjepë në qoshe
m'u ngatërruen nëpër duer
puthjet e njomta të dashurueme
nën dritat e verbta t'qytetit
këpucët e lanë n'anë t'rrugës
të asaj vajzës që e deshti ujin deri n'fund
çadrat e vetmueme, nga era t'rrëzueme
njerz që shohin jetën pa andrra
shtypja, dhimbja, përkulja e miqve t'mi
fjetë si strehëthyem në bulevardin Blida.
Asnji kangë s'dëgjohet ndër ta
nji radio e vjetër n'qosh t'kampit
a kthye në nji tingull të zhurmtë
e la ai djali i vogël që thirri n'fund 'nanë moj u bana qull'.
I paketova, vetëm i paketova
adresa nuk shkruhet, asgja s'i shënova
do e ruej për ato ditë, jetova a s'jetova
me i lexue, me i msue, me m'dhimbtë edhe njiherë
kaq kërkova, vetëm kaq kërkova.


Imazh i ambël në shtatë palë pasqyra

Flokët me duer t'i kreha
gishtat butë preken çdo ndjenjë
duket qetsi, s'thuhet asgja, por ti më mbyt
ndër vetllat luajta pak muzikë
për me i qetsue ato t'harlisunat
si kangë zogjsh që largojnë mendimet e trishta
Syni jem aty lehtë t'kaloi me t'përkëdhelë
me t'cikë ato që sheh e ato që s'i sheh
shpirt fjalën s'e the
se unë po ta gdhend me rend
si atë djep që s'di se kush e thuri
ku ambël tundet zemra e zbutet guri
Por mos lëviz
imazhi t'ndrit kandshëm n'at Lurë
shtatë palë pasqyra
si sirena të rrinë n'rreth
s'ka gja që t'ban ma t'bukur
se sa ai nur që t'rreh
rreze dielli thye
në dëshirën e saj me shndritë
me shpërthye n'lulzim
mos me u zhdukë as sot as kur ti ke me ikë.


Qyteti m'flen

Qyteti jem tash m'ka fjetë
m'asht strukë n'shpijat e vogla
në çardakë e pallate
fryma e gjallë s'i ndihet
ndonji za fmijet e dridh natën
dhimbjet e çajnë ajrin
deri sa t'i zbardhin tana nadjet.
S'asht shtri me pushue ajo Rozafë
veç tamblin që m'dha m'duhet me ia kthye
me tamblin e dëshrimit tem
Ai Tarabosh rri si hije pa u shtri
asnjiherë
dhe m'kërcet lehtë n'xham
eja, merr atë makinë, ato fmi
dhe shtriju, çlodhu, s'ka gja mos fli.
Sahati i Inglizit ma ban me shenjë
mos e dëgjo t'lashtin mal
mos hajde, mos vesh këpucë
ora jote s'tregon se kur do me u nisë
janë prishë numra e akrepa
t'miliontat minuta kaluen, e ti humbe.
Por Buna e Drini m'gurgullojnë
n'gjumë ujin ma trazojnë
nisu, s'ka gja se nuk je e jona bijë
ke nji copë vend, diku e ke atë trashëgimi
t'rritme në këto vorbulla
që t'shpërthejnë e t'marrin para me vrull
uji asht shëndet, dritë e jetë.
Po ai qytet, grusht mbledhë
si ai kopsht i vogël, ku rrijnë pa fjetë
njerzit me malle djegë, e malle që digjen larg
atij ku n'midis i lulzojnë drandofilat
e n'anë mbulue e kanë ato hitha
por që gjithçka të tërheq si magnet
me shkue, me shkue,
me kërcitë edhe njiherë.


Për ishullin tem, Franc Jozef

M'asht pré n'dysh ajo hapsinë
s'më lëviz asnji qelizë
duert më janë lodhë
kund s'munden me trokitë
kanë harrue edhe me bërtitë
m'rrinë varë trupit përgjatë
s'duen me shkrue asnji shënim
poezia s'i rëndit fjalët me ritmin tim
asht dështim,
i vetëm e i mjerë ka mbetë ai dështim.
Kambët n'shpinë m'kanë
e ecin, e m'tërheqin, në nji strehë me m'ngecë
netëve shkelën n'cektinat e Drinit
e s'ditën me dallue a asht i Bardhë apo i Zi
por gjallohen prej ujit t'krypun e t'ambël
duket sikur dojnë me vallzue
me valën e detit e t'Bunës
por s'ka ardhë koha me u marrue.
E mue m'lëshojnë n'ishull
si varkë e çame, si varkë me spirancën e thame.
aty s'mundet asgja me u ndrydhë
hapsinat kanë emën tjetër
qielli ka ngjyrën e çiltër
shpirtat kanë folenë e tretun.
Ajri asht nji copë lirie e jeshiltë
që m'ka shplodhë
detin ma ka shtrue si shtrat
me ujin e lumit nxjerri tamblin
u baj zogjve çajin e ambël
netë aty s'bien asnjiherë
përherë mbetë n'qoshe nji copë perëndim
s'ka errsinë, s'ka terr,
drita vetë po mundet me ndejtë
e që prej atje tutje vjen ngadalë
si mbi nji anije përrallë
nji kangë, që dikush e këndon nën za.
Këtë copë t'vetmueme
as noti as njeriu s'e mbërrijnë
aty flej përnatë me temen liri
s'di se si me e shkrue atë adresë
se ka t'shënuem emnin e të huajit mbret.
Aty asgja s'do ndez
as përallat e lashta
andrrat e mëndafshta
as pyllin s'do ta djeg
n'ishullin Franc Jozef
se ai asht aty vetëm për mue
si dashnorin e fundit do ta due.


&&&

Je mjegull e mefshtë
n'kahun tand të qiellit
fshihesh e heshtë
kur andej t'kalojnë
njerëz me andrra
n'trup, n'zemër e n'sy
ti rri, ti s'di, s'kupton, s'je aty.
Por, n'at mjegull kisha fjetë
nji, dy a njiqind vjet
përkundë lehtë në puhizë
gjumi t'më përshkojë si shtizë
e unë t'vazhdoj
të gjumëzoj
n'gjumëzim
si n'tërbim
deri sa kaltërsisë
t'i vijë ai kthjellim
ti pa mue
e unë pa ty
n'skaje t'nalta
nda na, nji e dy.

***
Ky vrapim i çmendur
i pandalshëm
Kush do më ndalojë?
Zemra shton rrahjet në sekondë
gjaku lumë
dejet të fryrë, tunel, shpellë, breg,
eh, po kamba askund nuk cek,
shputat u thanën
gishtat m'kanë hy n'mish
herë me duket se kam vetëm nji
e herë sikur kam njiqind.
Vrapimi m'i ka qorrue ndjenjat
e di që janë diku n'mue
por ngatërrohen ato me njena-tjetrën
dhe nxjerrin kryet vetëm ma t'mdhajat
dhimbja, vuajtja, trishtimi, humbja
tanë kohën kanë kenë këtu
asnjiherë s'më lanën vetëm
ndjenja të lodhshme si strajca
strajca, përmbi strajca, e strajca prapë
e vrapimi i turret me peshë
s'e di as se ku do me mbërritë
dhe i humbasin fuqitë në mes
atje ku s'duhet me pushue
ai resht, ai hesht, ai resht
ndalet natyra, ndalet rrotullimi
e kambët e mia ngulen në nji vend
nji copëz vend
dy pllambë argjilë e kuqe
s'na mban të dyve
mue e vrapimin tem
e unë tres, tretem s'gjendem
në kte stinë t'harrueme
të trishtueme
nga shirat e paduhun
e çmendun.

Dallgës përtej

Dallga ma solli bregun
n'pragun e dritares
rana e atyne anëve
m'u shkri si qiri
ndezë për sytë e dashnive
dhe nuk dit' me u ndalë.
Ajo, e tërbueme n'shkumë
s'po tërhiqet
më ka mbetë n'xhamat e shpisë
hyni deri kutia e kujtimeve
lanë nën shtratin e vajzës
e kërkon aty
letrat, shënimet,
han vedin që s'mi gjen dot mendimet.
Unë tundem me ecjen e saj
n'muret e mia
krypa mbetë shenjë
si copëz spirance e dikujt
që shëtit afër bibliotekës teme.
Asht si nji hije e dashtun
që shkri bashkë me dallgë
do ia kisha shprishë ato flokë
tuj i folë n'vesh për Simone De Beauvoir
për ishullin e Askundit
për 'Plakun e Detin'
për Mjekërkuqin
ndoshta, nëse do m'linte kohë
edhe për pak Magelan
misteret e jetëve shkue për det e libra
si trazime t'vërteta
stuhi, që marrin me vedi
edhe ato t'vetmet, puthjet e njelmta.
Bregu u shty pak ma andej
po shef dallgën që u çmend
tuj pa sa larg i kam çue me varkë
mendimet e mia valë-valë.


Natën

Natën e mirë
e mira natë t'mbuloftë
me t'përkundë kurrë mos t'harroftë
yjet po lozin gishtat
po i bien asaj harpe të kandshme për ty
që pas tingujve t'saj ti me u shndritë
kryeti n'jastëkun e andrrave t'pushoftë
pak andrra, aq sa janë, me t'i zbutë ato thinja
dy, tre, katër mijë pleqni
ai i bukri gjumë me t'rrokë
me shtërngue fort, e me t'u lutë
flej oj rreze, flej oj dritë
nesër për lotin ka prapë ditë.

Vetëm më jep atë dorë

Atje n'Toledon e largët
ku mbretrnit u marrosën
pas dashnive t'lindjes
me aromë rane t'nxehtë
fluturue me nji vrap
prej thatsinave të detit të vdekun
ku udhërrëfyesi u thotë njerzve
ashtu, si nën za
se si kryqzatat pas varzave t'bukura u vonuen
pikërisht në sytë e turistëve
do bredh si hebrejet e vogla
kambzdathtë, me nji xhubletë t'lashtë
ku rrinë t'shkrueme rrastë
legjendat, luftrat, heronjtë, betejat,
e n'belin tem rrin si brez
gjaku, djersa e dorëzimi i tyne
jo, s'më randon asgja
me të po rrotullohem,
kupat e gjunit m'shifen
ndërsa n'palat e tij vallëzoj
N'gjoks m'hidhen me ritëm
gjerdanë, ku thurë janë
malli i atyne që s'e kthyen kryetin
dashnia e atyne që zemrën e thyen
dhe ikën.
Hajde, m'shif n'andrra
e ma jep atë dorë
se më shkrin vetëm ajo Rugovë
tu tregojmë mbretnëve t'botës
se me nji tupan
e me nji curle
i lidhim nyje
tana masakrat,
lotët e nanave
fmitë e varrosun që n'djep
dhe i gëzohena diellit
dhe nën te kërcejmë
tuj i pa dhimbjet e njeni-tjetrin n'sy.

N'mbyllje t'syve t'mi

N'mbyllje t'syve
shoh vedin n'tana ngjyrat
me tana veshjet
me tana gjendjet
asht dielli që pastaj gjithçka ma ban gjak
e unë tuj luftue me t'kuqen si pikë e zezë
e tanë jeta në atë sekondë
anë e përtej m'përshkon
si dhimbje kreje, si lodhje
m' lëviz n'qepalla
që m'janë ngurtusue
e s'pranojnë me u hapë.
Si gjithmonë aty n'temin divan
shpirti m'kap tingullin tand
me tana shijet rrethue
due që këtu t'jesh edhe ti
jo si frymë por si tanësi
aty me mue, mbyllë sy
dorë e zemër shtërngue
nji çast si treqind e gjashtëpesë ditë pa nji
e di që ajo që ke ruejtë kaq gjatë nën mangë
asht dita për me ikë
tuj m'thanë ngadalë nën sy
'po dal nga kjo skenë, po ti mos ki frikë'.


Menjiherë pas kangës

Zemër, kanga jote m'dehu mbramë
s'kishte asnji përqind ujë
vetëm kangë, muzikë, tekst, fjalë
mbush deri n'grykë
unë e këndova aq shumë
e piva me fund
sa s'ma mbajti as gota
me formë shpirti
e derdhun n'ato vende
ku vetëm ai rehatinë e gjen.
Melodia jote m'la vetëm
n'terrin e natës me shi e vetimë
s'më la asnji lidhëz, mbiemën, folje
ku me u kapë, s'më le as atë të shkretë ndajfolje
Anija jeme u tund n'valët e atij këndimi
dhe u përplas fort
në shenjat e pikësimit
u mbyt ngadalë
e as kryeti s'mundi me dalë
me e këndue refrenin mbushë me dallgë.
Unë, s'i due ma këto kangë
këndoji n'ballkonet e tjera
se i jemi asht i braktisun
nga ritmi zanit tem,
ndrydhë n'pentagramin
e muzikës që s'e luajta asnjiherë.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde