Nji Dhurate per Motren Tone vjen nga Shqiptar Oseku

Dhurata

Sa herë më pyesin, Maria si ndodh që u bëre shkrimtare, më kujtohet udhëtimi im i parë në Londër. Jam e bindur se një pjesë e përgjigjes pushon aty, në stolat e Starbuck’s Coffee të aeroportit Standsted, ku u ulëm bashkë me Norën dhe babin e saj për ta pritur fluturimin e kthimit. Nganjëherë përgjegjet më të rëndësishme të jetës nisin me pyetje të vogla, që njeriu ia bën vetes a tjetrit për shkaqe të rrëmujshme. Ja si rrëmuja asaj pasdite në aeroport, e cila, e mbaj mend, ishte totale.
Radhët për kontroll të pashaportave ishin kilometrike. Pas tyre prisnin këqyrjet e pamëshirshme të sigurisë, si në Londër më, ku skanuesit fishkëllejnë edhe po të kesh ngrënë spinaq, se të rritet hekuri në gjak. Bëhet fjalë për kohën e luftës kundër terrorizmit, e ke parasysh. Në zëdhënës dëgjohej shpesh një zë gruaje që thërriste qytetarët të raportojnë gjithçka të dyshimtë, ndërsa në mure kishin pano ku shkruante, ”Reportin ëon’t hurt you”. Ishte trafik pashkësh dhe BBC atë mëngjes i niste lajmet çdo orë me titullin paralajmërues, “Koha më e keqe për të udhëtuar”. Po mua aq më bënte. Aeroporti, rrëmuja, fishkëllima e skanuesve, tërë ky udhëtim ishin pjesë të një aventure të mrekullueshme, që s’doja të merrte fund. Isha sall dymbëdhjetë vjeç, më kujtohet, dhe ky qe udhëtimi im i parë pa prindër.
Për të qenë më e saktë, isha pa prindërit e mi. Se isha pra me shoqen time të klasës Norën e me babain e saj, i cili e kish organizuar gjithë aventurën. Nora e gjatë dhe e bukur si fotomodel, me sy të kaltër e flokë kaçurela që djemtë i adhuronin e ajo vetë i urrente, ishte një vit më e madhe se unë, por shkonim në një klasë – a ka nevojë të them se ishim shoqet më të ngushta? Babai i saj ishte i gjatë e kaçurel edhe ai, Nora i ngjante atij. Ai ishte një burrë mbi dyzet, me origjinë nga Shqipëria, që lexonte shumë e shkruante poezi. Më fanitet shpesh pamja jonë, në Londër. Një zotëri i gjatë pak hapa para nesh, tek flet e kërkon orientime nga kalimtarët me një theks të butë që i shprehej edhe në anglisht, një hartë në një dorë e një libër i trashë në tjetrën. Dhe ne dy pas tij, duke komentuar gjithçka e duke shkrehur rregullisht breshëri gajasjesh. Ishte si ta kishim një tabelë të madhe mbi kokë ku shkruan TURIST.
Për ju prindër që lexoni këto radhë, ja një doracak i shkurtër se ç’i duhet një goce adoleshente për t’u ndjerë e ekzaltuar. Një shoqe e mirë me një baba kuptues, fiks. Në fluturim fundjave në Londër, fiks. Pak para xhepi, fiks. Si dhe një sheti blerjesh në Oxford Street, dubëlfiks. Aty ka shitore Victoria’s Secret me oferta për parfume, a ka nevojë të shtoj diçka? E ke parasysh, në botile plastike, me nuanca të ndryshme të ngjyrës rozë... bah, të mos e zgjas. Po s’e more vesh nga emri, kot ta shpjegoj. Mjafton të them se në atë kohë ato parfume ishin xhevahiri në kurorën imagjinare të çdo vajze adoleshente, e se valixhja ime në këtë rrugë të kthimit ishte mbushur dëng me to.
Natyrisht, dhe për këtë Nora më kish paralajmëruar me kohë, babai i saj s’na kish marrë në Londër vetëm për shopping. Ne shkonim në klasën e gjashtë, e do të mësonim për kulturën britanike, pikë. Por e mira e tij ishte që besonte fuqishëm në demokraci. Ndaj ne ishim kujdesur që në listën e gjërave për të bërë – po, e kishim një të tillë – pos Poet’s Corner, British Museum, Trafalgar Square e më the, të thashë, të kishim edhe atraksionet tona. Oxford Street me Parkham e Victoria’s Secret po se po, por edhe karuselin në London Eye, kukullat e dyllta në Madame Tussaud, të ngjashme. Babai i Norës psherëtinte, por për nder të tij do thënë që s’kërkoi rinegociim të kushteve asnjëherë, as kur u pa që pikat tona po zhvasnin kohë më shumë se pikat e tij.
Dhe tashti, kur ishim ulur në Starbuck’s e po pinim çokollatë të nxehtë me shije të vaniles – pika e fundit në listën e gjërave për ta bërë - më dukej sikur isha në një botë të përrallave, prej të cilës s’doja të dal. Më kapi një ndjenjë e lehtë paniku, një si dhembje në lukth, që e dija se më sëmbonte shpesh para se të më dalin lotët. Vajzat adoleshente ashtu janë, të ndjeshme. Ndaj për ta hequr pak mendjen, e pyeta babin e Norës se ç’po lexonte. Ishte pyetje e sigurt, se ai gjithmonë lexonte diçka – dhe i pëlqente të fliste për ato që i lexonte.
- Jeffrey Archer, më tha. S’e kisha lexuar më parë, por qenka i popullarizuar këtu. E quajnë ‘Propably the greatest storyteller of our time’ këtu në ballinën e këtij librit, qeshi ai dhe ma bëri me gisht kah një libër i trashë si tullë ciklopike. Collection of Short Stories, shkruante aty. Duhet të kenë qenë një alamet rrëfimesh të shkurta, dhe ai ishte vetëm vëllimi i parë. Babai i Norës, natyrisht, i kishte blerë dy syresh, si kujtim nga Londra.
- Pse e bleve pikërisht këtë babi, e pyeti Nora. Kish lezet si e thonte ajo fjalën shqipe 'Babi' edhe kur fliste në suedisht, tingëllonte si Bobby. Për shkak të kësaj, e për shkak të R-ve të buta të babit të saj, të gjitha shoqet kishim menduar fillimisht se ai ishte amerikan. – Apo do të studiosh se si i shkruan ai rrëfimet e shkurtëra. Nora u kthye nga unë, babi shkruan përditë poezi, por nganjëherë shkruan edhe rrëfime, nganjëherë të gjata, nganjëherë të shkurta. Është cool me gjithë ato ide, është pak ëoë, nga të vijnë të gjitha!
Unë u gjuajta si orl mbi këtë temë, pak pse isha kurioze të di si shkruan një shkrimtar, meqë kishim shpesh hartime në shkollë; e pak edhe pse doja ta heq mendjen nga fakti se po ktheheshim, nga sëmbimi që po e ndjeja në trup.
- Edhe unë shkruaj nganjëherë në shtëpi, thashë, por s’mundem ta mbaj koncentrimin. Nora nisi të qeshte, po kjo është tipike ti. Jo vërtet, kam edhe unë ide, e nis të shkruaj, por kur t’i kem shkruar dy tri faqe më humb fija e s’di si ta mbaroj atë që kam nisur. Pastaj nis diçka tjetër, që më bëhet lëmsh edhe ajo. Ashtu ndodh gjithmonë, thashë, duke e theksuar përvuajtshëm fjalën e fundit. Gjithmonë, gjithmonë!
- E po, të duhet një storyline, linjë rrëfimi, tha ai, që të çon krejt rrugën deri në shtëpi. Nora, që duket se kish folur me të jatin për storylines, nxitoi të ma shpjegonte e para. Është si ta bësh një vijë të drejtë, si me vizore, pastaj aty shkruan stacione të vogla gjërash që do të ndodhin, për ta shpënë rrëfimin nga fillimi gjer në fund. Përfundi stacioneve mund të shkruash gjëra me rëndësi, si emrat e personave, mjediseve, a ashtu. Është shumë cool, si harta e metrosë së Londrës, tha ajo, e mua para sysh m’u shfaq mizëria e vijave shumëngjyrëshe që e kishim shikuar përditë. Shit.
- Ja, merre këtë letrën këtu Maria, ta bëjmë një rrëfim përnjëherë, tha babi i Norës, duke e grisur një fletë nga fletorja e vet. Unë do të jem dukur si pikëpyetje, por ai s’e vuri re. Ja merre edhe këtë lapsin, nis e shëno.
- Mmm, një rrëfim, për çka ta shkruajmë thua. Si thoni, një vajzë, përafërsisht në moshën tuaj, dakord? Shkon diku larg në një vend tjetër, ja si ju dy këtu në Londër. Për vizitë te farefisi i babit për shembull, ku s’ka qenë kurrë. Prindërit e kanë përcjellur në aeroport. Familjarë krejt të panjohur do ta presin në destinacion, si thoni. Këtu e keni pritshmërinë për diçka krejt të re, një udhëtim drejt të panjohurës, është eksituese, apo jo.
- Pikërisht! ëoë, qenka lehtë, thashë unë. Si the, një linjë e drejtë rrëfimi, apo jo? Stacioni i parë, një vajzë, në një vend të ri, mes njerëz të rinj. Edhe Nora kish marrë flakë. I kishim dy orë e gjysëm derisa të nisej fluturimi ynë, a mund ta mbaronim një rrëfim fillim e mbarim? Përvoja ime thonte absolutisht jo, por Nora dhe babi i saj s’dyshonin fare.
- Por duhet të ndodh diçka dramatike, apo jo, tha Nora. Diku teposhtë stacioneve duhet të ndodh diçka, një dramë, se s’mund të shkruajmë një rrëfim si hartim të mërzitshëm në shkollë se ç’pamë në pushime. Unë s’mund të dakordohesha më fort, i urreja hartimet e mërzitshme në shkollë. E urreja shkollën, pikë.
- Le të bëhet luftë, tha babi i Norës. Lufta është një dramë e madhe. Ai vendi le të sulmohet. Alarm, shpërthime, ushtimë e shkatërrime, krisma, ndërtesa që rrëzohen, tym e flakë. Ja si këtu, po të sulmohet ky aeroporti ku jemi. Aeroportet janë vendet e para që sulmohen në luftë. E shikoni sa shumë njerëz ka, e imagjinoni se ç’do të ndodhte. Panikun, rrëmujën. Do të na shtypnin gjindja.
- Falemnderit që na tmerrove babi, i tha Nora me zë ironik. Për këtë kishim nevojë. Por do pranuar se ideja na pëlqeu. Veç ne zgjodhëm që lufta të plaste kur Nora të kish arritur me taksi në qytet. Përndryshe edhe atje kish shumë njerëz, se kishim zgjedhur që të ishte qytet i madh, natyrisht. Paniku, rrëmuja, njësoj si në aeroport. Aaah tragjedi, shembet shitoret e parfumeve, qeshi Nora, na ndihmoni o njerëz.
Aty, në ato momente, mua dalë ngadalë më rrëmbeu rrëfimi. Panik, rrëmujë, shpërthime që rrënonin anë të tëra ndërtesash, para sysh m’u shfaqën filmat bardhezi për L2B nga shkolla ku shfaqeshin shkatërrimet. Goca jonë, e përhumbur në një qytet të madh të panjohur, njerëz që ikin gjithandej të kërrusur, tulla, tjegulla e trerë që rrëzohen. Një çun i vogël në trotuar, bjond sykaltër, me faqet e nxira nga pluhuri e bloza, që thërret mamanë e zhdukur diku, a të zënë nën rrënoja. Mamaaaa, mamaaaa. Vijat e lotëve në fytyrën e tij, na i nxorën lotët mua e Norës, ndërsa babai i Norës nënqeshte i kënaqur. Ishte sikur gjithçka që kishim përjetuar këtyre ditëve, udhëtimi ynë drejt të panjohurës së bukur, Londra me ndërtesat e mëdha, paralajmërimet e sigurisë në metro, të kish rrotulluar qeshmet e mia dhe jashtë dual një rrëfim i mrekullueshëm.
- Duhet të ketë edhe dashuri, ajo e takon një djalë, thashë unë. Nora qeshi, le të jetë flokëerrët e syjeshil, si thua. E poshtra, m’i dinte simpatitë. Po, ata ndihmohen një copë kohë. Por s’mund ta bëjmë dashuri rozë, ata duhet të ndahen apo jo, babi. Është luftë, tekefundit.
Aty për aty vendosëm që ky djali dhe heroina e rrëfimit të ndjenin një lidhje të fuqishme, të forcuar edhe më fort nga kushtet e jashtëzakonshme. Do të kujdeseshine dhe për çunin e vogël që thërriste mamanë, se s’bën ta linim ashtu në rrugë. Por vendosëm t’i ndajmë me forcë megjithatë, s’më kujtohet në ishte një bombë, a uturima e tankseve të armikut. Mbaj mend që ndarja e kësaj familjeje të vogël ishte shumë e vështirë emocionalisht, por e bëmë. Kill your darlings, tha duke qeshur babai i Norës, është parim në letërsi. Gjithçka perfekte e vret dramën e rrëfimit, e duhet vrarë. Ndaj ne vendosëm sadistikisht që shpërthimi, apo në ishte uturima e tankseve, t’i fërfëllonin të tre kryepersonazhet, heroinën, të dashurin e saj, e çunin e vogël, në anë krejt të ndryshme. Ky është strumbullari juaj, tha babi i Norës, këta tre mund të kenë vija të ndryshme, por duhet të bashkohen prapë.
Dhe pritna ti neve, a e di çfarë linja të mrekullueshme rrëfimi u sajuam tre personazheve. Heroinën e shpëtuam tok me mijëra ushtarë e popullsi civile nëpër katakombe e shpella të errëta nën themelet e qytetit, një ambient si përzierje ku shkriheshin metrotë e Londrës, katakombeve të Parisit për të cilat sa kishim lexuar në shkollë, e shpellat e bukura me qirinj e shandanë nga Fantomi në Opera, që Nora e kish parë njëzet herë së paku. Aty nën tokë të mbijetuarit nisën të organizojnë rezistencë kundër pushtimit të huaj mbi tokë, e heroina jonë sypatrembur u bë prijëse e rezistencës.
Të dashurin e saj ndërkaq vendosëm, gjithnjë konform sadizmit udhëheqës që na kish prirë që nga ndarja e strumbullarit, ta bënim tradhëtar e kolaboracionist. Ai kish mbetur mbi sipërfaqe, e gradualisht kish mbërritur te përfundimi se rezistenca është e kotë, se ajo vetëm kushtonte jetë pa nevojë, e se terroristët duhej kapur sa më shpejt, në mënyrë që njerëzit të nisnin të rindreqin jetën mbi tokë përsëri. As ai nuk kishte jetë të lehtë, se unë dhe Nora donim që lexuesi të identifikohet edhe me të. Jeta në një qyte të shkatërruar do të ishte e vështirë, pa ushqime, pa ilace, nën ankth e frikë të vazhdueshme. I dashuri do ta kërkonte e gjente edhe çunin e vogël, se s’kishim më zemër ta lëmë vetëm në qytet të shkatërruar, e edhe koha e fluturimit tonë po afronte. Për t’i siguruar ushqime e ilaçe djalit të vogël, e për ta mbaruar luftën sa më shpejt, vendosëm që i dashuri të bëhej oficer i sigurimit. Ai do të ndiqte terroristët ethshëm ditë e natë, pa e ditur që dashuria e madhe e jetës së tij ishte një nga krerët e rezistencës. Te kjo pikë, edhe unë edhe Nora e lëshuam një ofshamë të zëshme, aah sa romantike.
- Fantastike, tha babi i Norës, ja ky është syzheu i rrëfimit, perfekt. Këtu e keni kapur një vend të panjohur, e një luftë në sfond, duke i ndjekur rrëfimet e tre personave, perfekt. Por tash na kanë mbetur edhe pesëmbëdhjetë minuta para se të ikim te porta e fluturimit, duhet ta përmbyllni këtë rrëfim disi.
- Mund ta bëjmë që takohen, thashë unë. I dashuri arrin ta kap heroinën tonë, gjatë një bastisjeje a pas luftimesh në rrugë, vendosim pastaj se s’kemi kohë tash. Por ai e kap, sidoqoftë. Dhe aty në qeli, sigurimi ka qeli, ai e kupton gabimin e vet. Apo jo gabimin, se ai është i bindur se ka të drejtë në parim, por e kupton sa tragjike është gjithçka.
- Po, tha Nora, dhe aty del se dashuria fiton mbi gjithçka. Ndonëse i dashuri ende mendon që ka të drejtë në parim, ai e çliron me armë heroinën tonë nga qelia, e ik me të.
- Hm, kjo është ajo që presin të gjithë lexuest, tha babi i saj. Cifti u bashkua, happy end Disneyland, ashtu diçka. A s’mund t’u jepni diçka që s’e presin. Ne kafshuam buzët.
- E di, thashë unë. Ai mund ta çlirojë, e ta shpie në apartament, por e ndryn aty me çelës, bashkë me djalin e vogël. Ata janë sekreti i tij, se ai tashti është shef i sigurimit dhe askush s’e bastis atë vetë. Si ai austriaku Fritzl, a si quhej, që e kishte sekretin në qilar. Pikërisht, mund ta ketë shtëpia një qilar ku i dashuri e mban me zor heroinën tonë dhe djalin e vogël.
Këtu ra një heshtje e vogël. Dhe isha unë ajo që e thashë atë që duhej thënë patjetër, se i dashuri duhej të vdiste. Nora nuk donte, ajo donte ta shpëtojë dhe të dashurin, edhe djalin e vogël. Nora nuk do të bëhej shkrimtare kurrë. Por unë vendosa, aty përnjëherë, pa ceremonira, që i dashuri duhej të vdiste. Në mendjen time e pashë gjithë skenarin. Djali i vogël ka zjarmi, është i sëmurë, atij i fanitet e ëma që iu zhduk në fillim të rrëfimit. Mamaa, mamaaa. I dashuri i heroinës sonë, me ilaçe. Heroina, që e shfrytëzon rastin dhe e nxjerr pistoletën prej këllëfit. I dashuri që kthehet, shikimi sy më sy. Të shtënat, dy, bam bam. Bebëzat e të dashurit që hapen, ndërsa ai rrëzohet duke u mbajtur pas heroinës. Kill your darlings. Një fëmijë në grykë, një dorë mbi flokë. Mamaaa, mamaaa. Shshsh bir shshshsh, gjithçka do të bëhet mirë.
Sa here më pyesin, Maria si ndodh që u bëre shkrimtare, më bëhet se një pjesë e përgjigjes pushon aty, në stolat e Starbuck’s Coffee të aeroportit Standsted, ku u ulëm bashkë me Norën dhe babin e saj për ta vrarë një dashuri të bukur. Nganjëherë përgjigjet më të rëndësishme të jetës nisin me pyetje të vogla, që njeriu ia bën vetes a tjetrit për shkaqe të rrëmujshme.
Kur u ktheva, sëmbimi ish zhdukur. Nëna ime single më priti e përlotur, e lavdëroi shumë atë orën e bukur me Big Ben që ia kisha blerë dhuratë. Gjatë një gjysëmvjetori të gjatë, unë dhe Nora ishim vajzat më të popullarizuara të grupit tonë, shkaku i parfumeve nga Victoria’s Secret e bluzave nga Parkham që s’i kish askush ende. Por çdo mbrëmje për dy muaj rrjesht unë pas shkollës ulesha rregullisht para laptopit tim për të shkruar. Parfumet e veshjet s'ishin më gjëja më e rëndësishme në jetën time. Në mendjen time i ndiqja vijat e atyre linajve të rrëfimit nga Starbuck’s, që ishin ngatërruar e ngjanin me linjat e metrosë së Londrës në prospekt.
Tashti, kaq vjet më vonë, e di që ky fascinim me shkrimin ishte dhurata më e mirë që e mora me vete nga udhëtimi i parë pa prindër. Dhe a e di, gjëja më e bukur ishte, që dhuratën më të mirë nuk e bleva shtrenjtë në Oxford Street. Por e gjeta falas, e ishte për veten time.


Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde