Letër e Tatjanës

Motër Tone, doja të dija vetëm se si je me shëndet, e doja të të thoja edhe një lajm jo të mirë. Petritin ma hoqën prej pune, s’ka më organikë, i thanë. Ai erdhi i mërzitur në shtëpi. Erdhi vonë. U bëra merak, sepse shkoi ora 11.30 e nuk po vinte. Kur erdhi, të thashë, ishte shumë i mërzitur, gati sa nuk qante. Më kërkoi falje që kishte ardhur vonë, por më tha, se kishte ardhur në atë kohë që t’i gjente djemtë fjetë, nuk kishte sy t’i dilte përpara atyre. Shkoi pak t’i shihte te dhoma e gjumit, ata të dy, flejnë në një shtrat të sajuar për dy vetë, por që e di që nuk është i rehatshëm. Nuk më shihte në sy Petriti motër, por e shihja se diku edhe kishte qarë. “Nuk është e mundur të mos ketë organikë, s’ka më shumë se një javë që kanë marrë në punë për të njëjtën detyrë dy vajza të reja”, thoshte ndërsa ngatërronte duart nëpër xhepat e vet. Unë nuk di si ta ngushëlloj Tone, kam mbetur pa fjalë, por nuk mund ta kritikoj, se e ka mbajtur atë punë me dhëmbë, ka plotësuar edhe dëshirat e shefave që ka pasur. Por tani e shoh shumë të pikëlluar. Kemi mbetur vetëm me rrogën time. Djemtë, njëri në klasën e 8 e tjetri në vit të dytë të gjimnazit, kanë hallet e veta, shkolla, shoqëria, por halli më i madh është se po rriten dhe po e kuptojnë se sa e vështirë është për ta, ende flenë bashkë Tone, e për ne të dy ky është një turp i madh. Kemi arritur në këtë moshë e nuk u kemi siguruar asgjë më shumë se sa bukën e ditës. E di që po të mërzis me këtë letrën time motër, nuk është se po të kërkoj ndonjë ndihmë, por dua ta ndaj me dikë këtë hall që na ra. Petriti është burrë punëtor dhe i palodhur. Ashtu siç ishte i mërzitur, diku e di Tone se edhe ka qarë, kishte marrë në telefon kunatin e vet, e shumë shpejt i ka premtuar një punë, roje një objekti. E di që nuk e meriton se ka mbaruar një shkollë të lartë, është një intelektual i mirë, njeri i qetë, por të paktën po përpiqet me pak për ata djemtë, se ne nuk po rrojmë për gjë tjetër, veçse për fëmijët. Të dua fort motër


Tatjanë e dashtun!

E kuptoj që je merzitë, se me mbetë pa punë sot asht gjaja ma e randë që i ndodhë një njeriu, e jo më nji kryefamiljari. E di që Petriti asht njeri i mirë dhe nuk ka me mbetë pa punë, që ka me e kërkue atë deri në fund, jeni njerëz të mirë e Zoti ishalla nuk ka me iu lanë vetëm. Unë e bisedova edhe Tonin, e ai më dha disa idena për ju, në fakt nuk janë idena, por disa mundësi që më nxjerrë ndonjë lekë. Shiko, te puna e tij, asht njeni që po mbron doktoraturën, se don me u ngritë në karrierë në këto kohë të sotit, por duke kenë se nuk ka shumë mend, po kërkon njerëz me ia punue doktoraturën, gjoja se asht i ngarkuem në katedër. Ai paguan për këtë punë e duke kenë se Petriti merr vesh nga fusha ku po ban doktoraturën ai gomar, sigurisht që mund të punojnë me temën e tij e me marrë ndonjë lek, se kështu janë ba tash këto doktoraturat e masterat Tatjanë. Nëse i del mirë tema, ai i ka premtue Tonit, që nëse njeriu asht i gatshëm mund t’i përgatisin edhe disa leksione, se tuj kenë se nuk din mirë edhe anglisht, po don me i ba leksionet me informacione të reja. Tham Tatjanë se asht një mundësi e mirë për Petritin, që ndërsa punon andej këndej e nxjerr edhe do gjana nga ky profesori, që mbahet shumë i shquem, por ma shumë se mbështetje politike s’ka asgja në krye ai njeri. Ndërsa për djalin tand të madh, Ilirin, janë do gjana me u përkthye nga gjermanishtja që paguhen mirë dhe me plotësue për dikë një projekt po në gjermanisht. E di që nuk asht pare e madhe, se Iliri ka me kenë dorë e dytë në këto punë, por kanë për ta ndihmue edhe me gjuhën edhe me u zhvillue vetë. Kanë ardhë kohna të këqija Tatjanë, e ti duhet me i kuptue e para dhe me iu përshtatë kësaj kohe, e sidomos njerëzve që po prodhon kjo kohë motër. E kam folë edhe me Linën, veç duhet me punue, e di që ndershmëria nuk të çon përpara, por me punue se tuj punue ju mësojnë edhe brezi tjetër që pa punue nuk mund të nxjerrësh kryet kërkund.
Kur të vish hajde me Petritin që t’i flasim ma mirë këto punë.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde