Letër e Inës


Tone!  Kam përshtypjen se ne femrat e ditëve të somte, nuk duhet të qahemi si qahet Diana, të rrimë duarkryq e të presim që të na marrin me të mirë, apo të na thonë një fjalë të mirë të tjerët. Ia them i vetes ne, s’kemi nevojë për ta. Arsyeja që po të shkruaj motër Tone është se kam vendosur t’i jap drejtim vetes, t’i jap drejtim të ardhmes time. Shumë shpejt do të jem deputete. E kam vendosur.Do të më kandidojë për deputete një prej partive më të mëdha që ka ky vend, një parti e denjë për të mbrojtur kombin, interesat e tij dhe interesat e qytetarëve të këtij vendi. E ke parë besoj tesërën time, vitin e kaluar, harrova të të thoja se atë ma ka dhënë vetë kryetari në dorë, shkruhet me shkronja blu emri im Ina Toni. Madje kryetari ka shprehur vlerësime pozitive për mua në një forum grash të partisë tonë, duke ma promovuar emrin, e duke më ngjitur në majat e politikës së partisë, unë e meritoj një gjë të tillë. Më ka përshëndetur për debatet që bëj nëpër televizionet e shumta që ka kryeqyteti. Motër do t’ju bëj të ndjeheni krenare për mua, pasi jam unë ajo që do e përmirësoj jetën e gruas në këtë vend, kryetari i ka dëgjuar më vëmendje projektet e mia dhe është dakord që sapo të fitoj vendin si deputete të nis me realizimin e atyre projekteve që do të vendosin në vend dinjitetin e gruas dhe burrit, fëmijës e të gjithë anëtarët e tjerë të kësaj shoqërie, duke mos harruar motër Tone moshën e tretë. Nuk do rri e të bëhem një grua qaramane, e vetmuar dhe plot halle. Nuk do i rris fëmijët si Lina, apo si Tatjana, fëmijët e mi do të jenë brezi tjetër, i riu, i shkolluari, i kamuri, që do të udhëheqin sërish këtë vend, duke cikluar gjithnjë e më shumë udhëheqës në të ardhmen. Kështu bëhet femra udhëheqëse e fortë e këtij vendi, femra që ka në dorë fatet e këtij vendi, ose si thonë anglezët për atë udhëheqësen e vet Meryl Streep “Gruaja e hekurt”. Motër Tone, do ta shohësh edhe ti vetë se nuk vlejnë shumë fjalët e thëna pranë oxhakut me zjarr, zjarr që ka nxirë muret e shtëpisë, apo fjalët e thëna në takime e kafenesh grash. Fjala e gruas duhet të thuhet në Kuvende ku ka vlerë fjala dhe zë vend, të promovojë veten, vlerat që përfaqëson dhe sigurisht edhe politikat e partisë, linjën e së cilës ndjek, për të treguar kështu se kjo linjë është rruga drejt së ardhmes dhe mendimit ndryshe. Duhet ta hapësh më shpesh televizorin që të shohësh motrën tënde teksa debaton dhëmb për dhëmb me politikanë e politikane të opozitës, duke shpalosur politikën e një rilindjeje që Shqipëria e ka të patjetërsueshme. Them ta hapësh që të dëgjosh se në cilën shkallë shkon kurajoja e një gruaje përballë burrash me qëndrime patetike dhe komike nganjëherë, teksa flasin për të ardhmen tjetër, por pa përcaktuar vitin e datën e saktë për të cilën të ardhme bëjnë fjalë. Motër Tone, po të përshëndes, të uroj të gjitha të mirat. Nuk të kam harruar. Të kujtoj shpesh. 





Zemra e motrës!
Sikur të kandidoje për deputete 10 vite ma parë, ta kisha dhanë votën teme dhe do kisha punue për me fitue edhe do vota të tjera prej njerzve që njoh. Por tash, tash që ka ardhë kjo ditë dhe unë të njoh mirë, kam frikë se kam me ndejtë te oxhaku jem, nëse zgjedhjet bahen në dimën, e kam me e var kryet në dritare nëse zgjedhjet bahen në verë. Gjaja e vetme për të cilën mendova, pasi e lexova disa herë letrën, asht se sinqerisht më vjen keq për ty. Më shkruan se don me mbrojtë dinjitetin e femnës në shoqni, po si mundesh me e mbrojtë moj zemër, kur ti i fshihesh kësaj shoqnie, nuk je e hapun me njerzit, e aq ma shumë me gratë. Po ti kur linde, yt atë bani luftë me ta vue emnin Pinë, se i kujtonte gjyshen e mirëq që ka pas paë. Mendoj se nuk asht emën aq shumë i shëmtuem sa mos me e përmendë, edhe nëse emni asht i shëmtuem, motra jeme, asht njeriu me sjelljen e jetën e tij që e ban të bukur edhe emrin edhe mbiemrin. Mos harro nji gja, me i ndryshue edhe në gjendjen civile identitetin tand, nga Pina Shtogu, në Ina Toni, bane në kohë se nuk kanë me ditë njerëzit a me votue Pinën apo Inën. Më shkruen në letër shkurtazi për projektet, por sa ke shkrue aq gjatë, nji fjalë të kishe thanë se si don me ua kthye dinjitetin grave që e kanë humbë atë me kohë, jeta s’mund t’u kthehet ma mbrapsht, atyne nuk u kthehet asgja ma, janë prralla ato që flasin për fitimin e nji jete të re. Mirë për këto që e kanë humbë, por dinjitetin e Tatjanës, që ia heqin burrin nga puna pikërisht njerëzit e partisën tande, si don me ia mbrojtë. Ajo asht grue puntore, e për me ia dalë në jetë pranon me punue çkado. Po dinjitetin e Linës si ia mbron, kur asht e vetme, pa burrë dhe arrin me i rritë ato vajzat si drita, tuj punue paradite në punë, e mbasdite në nji punë tuj pastrue shpijat e njerëzve si puna jote dhe qan e shkreta kanjiherë se e fyejnë, e shajnë dhe e keqpërdorin? Oh Zot, Pinë, sa më dhimbsesh, sa njeri i mirë ke kenë Pinë, sa i kena qa hallet e rinisë bashkë, e më vjen me qeshë prej zori, ku ti thue për Dianën se asht qaramane. A të kujtohet moj Pinë, kur edhe ti kishe nevojë për ata gjanat e vogla që ka nevojë Diana, unë secila prej nesh? Por i Sigurisht, asht e drejta jote që me forcën e punën tande të jesh e rrethueme me njerëz dhe mos me pasë halle, se kur nuk ke halle, s’do të ketë ma as shpatull ku ti me u mbështet sa me pushue pak prej vrapit që ke marrë. Sa për rritjen e fmive Pinë, me të thanë të drejtën, shkove gjatë pa e ba nji ti vetë për me e kuptue se çka asht fmija. Na Pinë, unë, Tatjana, Lina, Diana, e motrat e tjera, nuk jena nana shembullore, as nana përfekte, këtë e pranojmë, unë e humbas shpejt durimin, Tatjana asht dorështërngueme, Lina asht pak zevzeke me vajzat, Diana i ka lanë lirshëm që herët djemtë. Nuk jena fundi i fundit për tabelë emulacioni, por kjo nuk don me thanë se kena ba, e se kena rritë fmi që nuk mund të bahen çka të dojnë në jetë, qoftë edhe udhëheqsa, asht jeta e tyne, gjithçka ka për të ecë ashtu si e dojnë ata. Jena mundue me i dhanë ma të mirën prej nesh, e prej të tjerve që ishin para nesh. Ma e vështirë sot, motër, asht me rritë nji njeri të mirë, se sa një udhëheqës, se nji njeri i mirë bahet udhëheqës, por udhëheqsi s’bahet kurrë njeri i mirë. Se si udhëheqsit që kena na, s’asht mirë me thanë se edhe ata janë djem e vajza nanash si puna jonë, pra si këta që kena na, i pret kollaj me gërshanë, asht si nji punë me normë, e tuj kenë se norma asht e naltë, e për me marrë atë të shkretë rrogë, të punësuemit, i derformojnë. Para 10 vitesh kishe prespektivë me kenë me t’vërtetë udhëheqse e këtij vendi, por tash nuk je ma. Ti mund t’bahesh deputete, kryeministre, presidente, e ndoshta shpik edhe ndonjë post ma naltë se këto që t’kam shkruejt ma sipër, por nuk je udhëheqse, je ba fatkeqe, e nji fatkeqe sado lekë që ka, nuk mundet me gjenerue udhëheqës, as ushtar. Sa për atë anglezen, Pinë, kam frikë se e ngatërron moj motër, kam frikë se e ke gabim zemër, shih njiherë moj ma në internet, Meryl Streep asht aktore, fitoi çmimin Oscar, me filmin “Zoja e hekurt”, se unë e di që Zoja e vërtetë e anglezve ishte Margaret Thatcher. Të kam pa në televizor, dikur shpesh, e tash rradhë e përmallë, sepse dikur nëse fjalët lenin shenjë, tash, ti nuk e kupton, por fjalët nuk të ngjisin ma askund. Po, të vetmet që të ngjisin janë fjalë burrash që nxjerr goja jote, shamje burrash që nxjerr përditë e ma shpesh. Nëse unë s’e shoh ma televizorin xhevahiret që t’nxjerr goja i ndigjoj nëpër rrugë kur dal me ble, apo kur ulna me shoqe me pi ndonjë kafe në çardakun e shpisë. Pastaj, tuj kenë se të shkruva ma sipër se si i kena udhëheqsit na, nuk mendoj se ata kanë me nxjerrë gja të drejtë për të ardhmen apo për rilindjen, thjeshtë janë gjana të deformueme, të dalun prej njerzve të tillë, që ashtu si dhe ti, nuk u intereson as çka thonë e as çka bajnë, mjafton me pasë nji pare të shtrueme, se votat i numërojnë vetë. Unë motër s’kam me të ndërhy në jetën tande, por po të tham se ende ka edhe pak kohë, hiqju Inës e banu Pinë aty ku je, se i ban ma nder vedit se sa ndokujt tjetër. 

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde