Letër e Mozës


Ah moj Tone si kanë vajtur punët kështu ka për të ardhur një ditë që kam për t’ia këputur kokën si zogut atij shefit tim. Ma ka sjellur në majë të hundës moj Tone, do me patjetër t’i sjellë punët deri aty sa unë të iki nga puna. Por unë do të rri, jo se kam inat me të, po se unë po i rri mbi kokë punës. Komunisti i qelbur, se gjithë këta që janë në krye komunistë janë, se nuk bëjnë asgjë vetë sepse merret me politikë edhe në punë, ua ngarkon të tjerëve të gjitha detyrat që duhet t’i kryejë ai, se ai qeras me kafe, dreka e darka ca politikanë të shqyer që na vijnë andej rrotull. Duan ndonjë firmë ato, firmë me të cilën bëhet para e madhe, e di unë, se kot nuk vijnë ato, se po i çahet hunda atyre për zyrën tonë, vijnë e bëjnë ndonjë pisllëk me shefin. Dhe ky këto pislliqe nuk na i lë t’i bëjmë ne, se jo vetëm nuk ka besim, se ka frikë mos i fotokopjojmë ndonjë dokument që ndonjë ditë mund ta kompromentojë, por mendon se do e padisim, se si në të gjitha vendet e punës, këtu ka lulëzuar edhe ajo puna që kanë qejf shumë shqiptarët, spiunlliku. Ah si i kopsit ai pronat e të tjerëve që ua jep atyre politikanëve që i vinë te dera. S’ka burrë nëne që ta kapi me letra këtë hajdut malukat, që e kisha paditur te drejtësia, po ku ta paditësh aman, jo vetëm që ai është në rregull me letra, por këta kanë edhe drejtësinë moj aman, nuk të vlen fare dëshmia që jep ti apo ndokush tjetër që është dëshmitar. Para disa ditësh erdhi një njeri, i varfër i shkreti, qante pikën e lotit, e rrinte e thoshte që ia kishin tjetërsuar pronën. Akuzonte një politikan, deputet, që i kishte marrë tokën. I shkreti thoshte që ‘jam gati t’ia jap, se nuk kam me çfarë e mbaj, po të paktën të mos ma vjedhin, të më japin edhe mua një lekë që të ha edhe unë’. Nuk di çfarë të të them moj Tone. Po si moj u mbush kaq shpejt bota me hajdutë ordinerë si ky shefi ynë e me ato politikanë e deputetë që ky i hap derën me urdhëro e si urdhëro, po normal se ai nuk pati ndonjë meritë që erdhi aty, shef rojesh te stacioni i trenit ka qenë, mezi i kanë dhënë një shkollë të lartë në demokraci, e tani u lëpihet të gjithëve, se në fakt nga kjo lëpirje fiton edhe ai, i shpëton ndonjë copëz pështyme edhe për vete. S’di ç’të të them tjetër, jam deri në grykë e mbushur me, atë si i thuaj ti, maraz. Dua të pëlcas e nuk pëlcas dot dhe më duhet t’i them edhe këtij farë hajduti edhe shef, ose siç ka qejf ai, zoti shef, ua më marrtë të keqen, injoranti, që një ditë ndërsa pinte kafe me ne, ngulte këmbë si derri që Tirana u shpall kryeqytet që në 1912. Ika Tone, se nuk di çfarë të të shkruaj më. 





Mozë!
Me të thanë drejtën më shtine pak frikën me fjalinë e parë të letrës së po mendoja se mos motra jeme asht ba si ato gra që dalin në televizor, dhe pasi janë qa, e kanë folë, e kanë harxhue paren e pa falë për të drejtën e gruas, nji ditë të bukur të flasin sikur  u ka ndodhë ndonjë fatkeqësi që nuk kanë mundur me i vra burrat në lule të ballit, apo që kërcënojnë me fjalët varje, prerje e zhdukje. Por jo, ti je motra jeme dhe nuk je prej atyne. Të njoh mirë. E sa për ato gjajna që më shkruejshe, janë gjana të përditshme, janë gjana që ndodhin, janë gjana për të cilat na jena shumë të vogla për me i parandalue. Aty ku hyn politika Mozë, e sidomos ajo politikë e ndyeme, që i ka duart e pista që kur ka fillue si profesion, e tash s’ka ujë kristali që ia pastron, jena të pafuqishme me i ndërrue, me i pastrue apo me i rregullue gjanat. Njerëzit janë të varfën Mozë, pjesa ma e madhe, e ti je në një punë, që nuk mundesh me e ndihmue as atë të shkretin që vjen e lypë një të drejtë të vjedhun me firmë. Por kjo nuk don me thanë që ti me u ba pjesë e tyne. Jo ti je pjesë e vetes, je pjesë e jona, nuk duhet me kenë asnjiherë me ta, duhet që pjesën e punës tande me e krye drejt, e me u përpjekë mos me ba shumë padrejtësi, se siç kanë thanë nëse nuk i lajmë në këtë botë, do i lajmë në botën tjetër. Shumë prej atyne që bajnë ato pislleqe që thue ti, me të cilën asht mbushë jeta jonë, nuk dojnë me ditë, as nuk e kanë frikë botën tjetër, sigurisht, parja dhe mashtrimi u garanton atyne jetën dhe pasuninë në këtë jetë dhe u garanton edhe brezat e tyne që kanë me ardhë. Kjo botë asht ba me gjak e me mashtrime. E për këtë e kanë fajin, jo vetëm ata komunistat e ndytë që flet ti, por e kena fajin na që u nënshtrohena përditë, se kena hallin e fmive kur shkojmë te shpija. Ata nuk dojnë me ditë për mendimet tona, për parimet tona, dojnë me ditë dhe dojnë me kenë të sigurtë, që jo vetëm me hangër tre herë në ditë, por me i plotësue edhe kërkesat e tjera, se kështu rriten. Fmitë e Linës nuk dojnë me ditë se asaj i qan zemra që nuk mundet me u kujdesë për vedin, por dojnë tryezën e shtrueme. Fmitë e Tatjanës dhe Petritit, që janë ma të rritun se ata të Linës, në fakt e kuptojnë jetën, por kur vjen puna të pjesmarrja e tyne në shoqni ata dojnë me kenë si të tjerët, as ma nalt e as ma poshtë. E di që mërzitesh në punën tande, por një punë duhet me e ba, nji jetë duhet me e ndërtue, e këtu nuk ka liri që ti me pasë mundësi me kërkue eme vue drejtësinë në vend. Këtu ka veç nënshtrim ndaj atij që ka ma shumë. Se nëse një ditë atij i mbushet mendja se ti nuk i pëlqen ma, për çdo gja që nuk të pëlqen, qoftë edhe për bluzën që shkon në punë, e mos të flasim për ndonjë rast që ti ia thue të vërtetën në sy për ato punë të pista që ban, e pavarësisht zotësive tuaja, ai ka me i gjetë të tana mekanizmat për me të fluturue. I bluen në kokë tanë ditën e tanë natën dhe në fund ti je atje, në trotuar dhe kambët nuk të bajnë me shkue në shpi. Zemra e Tones, ke për të më kritikue që, edhe ti Tone je me ata. Jo nuk jam me ata, unë jam me ty, përpiqem me të thanë se ti je e mirë, por përpiqem me të thanë se ata nuk e dojnë të mirën, nuk e donë njeriun aty, aty ata dojnë skllavin. Mos m’u mërzit që po t’i them kështu këto fjalë. 










Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde