Gilmana Bushati: Mungoj


E veshun dhe e mbathun si për nji të ftohtë minus shtatë gradë dhe me nji mërzi pa fund fillova me ngjitë nëpër shtyllat e lagjes fletët që kisha përgatitë e printu sot mbasdite në punë.

Në kry të letrës, ‘Kërkohet Zodiak, dac i racës egjiptiane, ka dy ditë që ka ikë nga shpija. Mban si xherdan nji fjongo blu me nji zilkë të vogël me ngjyrë të kuqe. Kush e ka pà ose e ka gjetë të më marrin në numrin e telefonit të poshtëshënum. Ta dini se mungesa e tij ka lanë nji boshllëk të madh në zemrën e nji familjeje të madhe. Jam e gatshme me pagu edhe ndonji shpërblim për çdo informacion’.

E kisha ba tragjike, që t’i prekja njerzit, ashtu siç më kishte prekë mu mungesa e dacit. Ndërsa e shkruja në zyrë, gati po qaja, por nuk doja me më pa kolegët e punës që i kisha rreth e qark. Katër vjet kisha që e kisha adoptu dhe që ditën e parë u deshtme fort me njeni-tjetrin. Ai ishte nji dac i kandshëm, i ambël, i dashtun, nuk e di sa karakteristika të ambla me i shtu ma. Ishim të lidhun fort. Që kur ka hy në shpi e deri më sot asnjiherë nuk ka mungu, asnjiherë nuk ka ikë edhe pse kur e adoptova ekipi i specializum i strehës së kafshëve më pati thanë që ka mundësi me ikë herë pas here, se dac ma edhe i racës egjiptiane, pra rendës, por që kthehet shpejt.

Ngjita fletë dhe në dy stacionet e autobusit që i kam afër shpisë, shkova deri te markata e madhe, që asht gati dy kilometra larg. Atje shkojnë ma shpesh njerzit dhe mund ta kenë pa. Mbramë e pashë n’andërr, nji makinë që i kalonte përsipër e të nesërmen në mëngjes pastruesit e kishin pa dhe e kishin heqë prej aty. Jam zgju e tmerrume, nuk doja me e besu nji variant të tillë. Te njoftimi kisha shtu me qëllim fjalën familjeje e madhe, edhe pse isha vetëm, por për mu Zodiaku ishte familja e madhe, e vetmja dhe e vërteta.

Me nji filxhan të madh çaji në dorë u ula në divan, u mbulova me nji batanije të lehtë dhe në televizor vuna nji program për mica. U sigurova që kisha telefonin në dorë dhe e kisha ushqye vedin me shpresa se dikush kishte me më njoftu.


Më kishte zanë gjumi, por më zgjoi i ftohti. Ngrohja e shpisë kishte të vështirë me e mbajtë nji temperaturë të qëndrushme, pasi jashtë temperaturë ishte ulë edhe ma shumë. Kur pashë telefonin e kishte kalu minus njimbëdhjetë gradë. Mendova për Zodiakun. Nuk kisha asnji thirrje në telefon. U ngrita me shku me fjetë në shtrat. Kur dera e dhomës së gjumit u hap dhe me sy të çakërdisun pashë Zodiakun të veshun me pizhamat e mia, të cilat i rrinin të vogla, që erdhi e më mori në krahë.

-Hajde këtu minushja jeme, hajde flej në shtrat me mu se ban ftohtë.

Me madhësinë e nji burri gati dy herë ma i madh se unë, ai më shtriu në shtratin tem, e më mbuloi me jorgan e batanije.

-Dushe, dushe, dushe, mos e len papushin vetëm, rri këtu se flen ma rehat – ndërkohë që fliste më përkëdhelte flokët e më shtërngonte në gjoks, nji gjoks sa nji shkamb, por i ngrohtë e i butë.

-Prit njiherë, prit, çka po ndodhë këtu. Prit njiherë, ku jena, kush je ti?

-A nuk e njef pucin tande, zemrën tande, dacin e vetëm e të vërtetë në botë, jam unë pra Zodiaku, u ktheva.

-Po Zodiaku nuk asht njeri, por micë…ashtu dac dhe kush të futi në shpinë teme njiherë.

-Flej dushe se je lodhë e ke mërdhitë, kjo asht shpija jeme njiherë që ta dish, unë jam pronari i saj dhe i joti gjithashtu, por hajt tesh, afroju këtu te unë, puçi puçi jeme…

Ai filloi me gërhitë, ia njihja mirë atë të gërhitun, por nuk doja me besu atë çka po më shihnin sytë. U përpoqa me i shpëtu shtërngimit, por ishte e pamundun, isha e pafuqishme, isha e rrethume prej kambëve të tij.

-‘Duhet të jem helmu, ai çaji mbramë kishte shije të çuditshme, ka diçka që nuk shkon këtu, ose e kam prej idhnimit e mendja më ban gjithfarë lojnash’.


Në mëngjes kur u ngrita, nuk pashë gja në shtrat dhe i thashë vedit, se ishte veç andërr e asgja ma shumë. Kur nga kuzhina dëgjoi zanin;

-Dusheeee, dushe dusheee, çoju, çojuuuu prej gjumit se sot kena takimin e randësishëm për ty.

‘Takimin, çfarë takimit...uuu puna, sa shkoi ora’. Nga sahati i madh në murin e dhoms, pash që ishte nandë, ndërkohë që unë punën e filloi në tetë fiks. U ngrita prej shtratit me shpejtësi. Isha lakuriq e tana. U tremba. U drejtova për nga rafti e nuk gjeta nji veshje temen në ‘te, vetëm veshje burrash. Te sirtari i mbathjeve kishte vetëm mbathje burrash. Kapa nji dhe i vesha, se ashtu lakuriq...dhe më kapi nji ankth i papamë. Fillunën me m’u dridhë durt. Ankthi po më ngjitej deri në fyt e po ma shtërngonte me dy dur të fuqishme.


Ai më mori në krahë dhe më pa në sy. Ishin sytë e tij, i njihja mirë, se sa herë jam mrekullu prej ngjyrës së tyne, por tani nuk e doja ma at dac-njeri. Doja me shpëtu prej tij njiherë e ma parë. Me ikë, me dalë në atë botën teme ku isha, po si?

-Ban ftohtë jashë dushe, ke me u ftohtë, shiko çka të ka ble piti jote dje.

Nji palë kominoshe ngjyrë rozë. M’i veshi, sikur unë nuk isha e zoja e vedit, më pa prej larg dhe u mrekullu prej pamjes. Në fyt me nji kordele, po rozë, me nji zilkë të vogël, që bante tring-tring edhe kur merrja frymë dhe aq u kënaq me vedi sa dukej i lumnum.

-Hajde te papushi jote. Sot ka me kenë nji ditë e veçantë, e di puce që ka me kenë e vështirë për ty, e ndoshta ka me të dhimbtë pak, por asht në të mirën tande, ke me e pa, doktori asht nji burrë shumë i kandshëm, kur e dona na kafshët, ju njerzit keni me e adhuru, e ka dorën e lehtë krejt.

- Nuk jam e sëmurë, nuk du me shku te doktori dhe më liro prej këtij rrypi, nuk jam kafshë unë.

-Puçiii jeme, të du ma fort se asgja tjetër – dhe më puthi e rroku fort, sikur nuk e kishte dëgju se çka i kisha thanë. Doja me i shpëtu atij shtërngim, por prapë ishte e pamundun.


Hymë te nji klinikë. Ishte klinika ku çoja shpesh Zodiakun. Kam ba si e marrë. Sa herë sëmurej, qoftë edhe prej nji gjaje sa ma të vogël, e çoja aty, e doktori më qetësonte tu me thanë, se dac asht edhe sëmuret. Në sallën e pritjes kishte shumë dacën e mica të tjera, me të njëjtat përmasa njerzore sa Zodiaku, që mbanin në prehën njerzit e tyne. Tanë ata si unë të frikësum në kulm. Prej pasigurisë, nuk i zinte vendi e ndonji kërkonte edhe me shpëtu prej lidhëses, por micat e dacat e tyne i qetësonin me fjalë t’ambla e të buta, edhe ata ishin të trishtum dhe në ankth, si dikur unë. Ata që dilnin prej sallës së klinikës dilnin me kuja e vaje të randë, njeni prej atyne doli edhe pa ndjenja, kryti i varej prej krahut të dacit të tij, i cili përpiqej me tana mënyrat me e përmendë.

Dikur na erdhi radha. Nji dac i bollshëm, qime bardhë, me nji bluzë të badhë, me buzëqeshi me buzët e tij mishtore dhe filloi të më merrte me të mirë.

Më shtriu në nji shtrat afër tij dhe filloi me lexu letrat që kishte para.

-Aaaa, paskena shumë punë sot, por mos ke frikë, gjithçka ka me shku mirë.

Unë fillova me lëvizë e doja me ikë prej aty, por dy infermiere mica më mbajtën e fillunën me më folë ambël.

-Doktor, të lutem, a ka me i dhimbtë shumë? - pyti Zodiaku.

-Mos u bani merak zotni, se as nuk ka me e ndje hiq.

-Kur mendon se e merr vedin? Çka duhet me i dhanë pas operacionit?

-Mos u sheqtsoni, gjithçka kam me ju shënu në recetë, por tani duhet të largoheni, sa të kryjmë ju njoftojmë.

Zodiaku doli tu më lanë vetëm në atë sallë me dy mica e nji dac që vepronin e flisnin njisoj si njerzit.

-Ana – i foli doktori, njenes prej micave – Minushja ka sot sterelizimin dhe vaksinat. Bani gati anestezinë, se du me punu i qetë. Këtyne nuk i dihet asnjiherë.

-Zoti doktor ka nji keqkuptim këtu, unë jam e zoja e atij dacit, Zodiakut, e jo ai i jemi. Nuk kam nevojë me u sterelizu, jam ende e re...e ndoshta në nji të ardhme du me mendu...për nji fmi.

-Oh, e vogla, çfarë mendimesh të dalin prej gojet. Nuk vendos ti e dashtun. Kjo asht vetëm për të mirën tande.

-E miraaa, po fmija doktor, fmija…?

-Jo jo, vogëlushe bardhaloshe, e kena rregull, e kena ligj, shtimi juej na sjell ç’rregullime të mëdha në biodiversitet, prej këtij shtimi na vijnë sëmundje nga ma të tmerrshmet, nga të paimagjinushmet, të cilat shkenca nuk arrin dot me i parashiku e jo ma me i parandalu. Të paktën me kaq shkencë sa kena, arrijmë me pengu disa gjana.

-Po ky asht krim doktor, krim njerëzor. Kam me ju paditë. Më lironi prej këtyne vargojve e keni me e kuptu që e keni gabim, nuk ka ma bekim të madh se sa me pasë fëmi.

-Nuk ke me ndje asgja, të betohem, askush para tejet nuk ka ndje asgja, e kam dorën e lehtë pendë. Me nji gjylpanë që po ta ban Ema, gjithçka ka me shku vajë…

Ema e kishte pasë gati gjylpanën, prandaj nuk e ndjeva kur ma bani. Doktori me dy dur të buta më hapi kambët. Kambët u hapën vetë. Mendja e kundërshtoi atë veprim, por nuk arriti me kontrollu trupin. Më vunën nji çarçaf para, që mos me e pa doktorin ndërsa punonte, atë e ndihmonte njena prej infermiereve. Tjetra, së cilës nuk ja mbajta mend emnin, rrinte mbi kry temin e me buzëqeshte, donte me më tregu se ishte me mu n’ato momente. Ishte nji buzëqeshje e shtime sa vetë ajo micë, që edhe pse e re dhe e bukur m’u duk aq e shëmtume sa kisha frikë prej saj. Pse tesh po më duken të ‘shtime’ micat, unë gjithmonë i kam adhuru.

Ndërsa doktori punonte andej nga fundi i barkut filloi me folë me nji za të butë si sfungjer.

-Pronari jot asht nji zotni burrë, ka me u kujdesë për ty si me kenë tu u kujdesë për vedi. E njoh prej kohësh. Asht klient i rregullt këtu. Para tejet ka pasë nji dac shumë të bukur, i racës persiane, por nuk kuptoheshin shumë mirë dhe e dha për adoptim. Më mori në telefon kur të kishte pa ty te qendra, ashtu e vetme me sy të pikëllum. Menjiherë e këshillova, që nëse ia ndjente zemra, me e marrë me patjetër.

Pasi mbaroi atje poshtë, mori nji gjylpanë të madhe e ma nguli në krahun e majtë.

-Ja, shihe, asgja të keqe nuk kam me të ba, me nji gjylpanë këtu kam me të ba vaksinën e poliomelitit, dozën e parë, të tjerat ke me i ba ma vonë, ia jap Zodiakut ditën kur. Ma vonë kena të tetanozit, fruthit e të rubeolës. Kanë me kalu shpejt e ti ke me kenë e qetë. Ana të lutem…

Ana me nji si pistoletë të vogël iu drejtu shpatullës teme. Isha e pazoja me lëvizë.

-Asgja e dashtun, asgja, këtu janë tana të dhanat e tuja shëndetësore. Asht nji gja e vogël që kena më të futë nën lëkurë, që nuk ka me të shqetsu asnjiherë, por aty janë të rregjistrume tana veprimet mjekësore që po të bajmë tani, që secili, na, ose pronari jot, ose pronarët tuej t’ardhshëm të jenë në dijeni për shëndetin tand e deri ku jena me vaksinat. I lexojnë në kompjuter.

Më ishte trashë gjuha dhe nuk isha as e zoja me folë. Fjeta gjumë dhe kur u zgjova isha në makinë me Zodiakun, që në fakt ishte makina jeme, e veshun me kominoshen bojë rozë, prapë me atë lidhësen në qafë dhe me zilken. Më kishte vu në sediljen para. Asnjiherë nuk e kam pasë vendosë Zodiakun në këtë sedilje, se asht pakujdesi. Por ai më mbante aty dhe më përkëdhelte. Më futi dorën mes shalëve dhe butë e butë po më fërkonte.

-Doktori më siguroi që deri nesër ti ke me kenë krejt mirë. Sot kena me pi ilaçet që na dha e kena me hangër mirë e mirë e me ndejtë në shpi. Ndërkohë që ti ishe në sallë mora në telefon nga puna dhe i thashë që kam Minushen pa qejf e më dhanën leje me ndejtë me ty. Sa të dashtun janë.

-Me këtë të sotmen mendoj se kjo botë ka marrë fund.

-Doktori më tha që sot janë normale mendimet negative, por mos u shqetëso kam me të ndjetë afër.

-Nuk du. Du jetën e maparshme, du lirinë teme.

-Minushe mos ban kështu tesh, se më ban me u ndje keq, unë kujdesem aq shumë për ty e ti më flet për liri që të mungon. Çka të duhet ma shumë se kaq?

-Po mu prej tejet me dallon lirija e mendimi.

-Puçiiiii i jeme, pse don me u dallu prej mejet, nuk ke se pse...mu kot më quejnë me letra pronari i jot, asht diçka krejt formale, asht për letrat e ligjet, po unë nuk jam pronari jot, unë jam dashnija jote, që çdo liri tanden e baj realitet e çdo mendim tandin e respektoj në kulm.

-Po kur unë nuk luftoj për lirinë e mendimin tem, çfarë vleret ka jeta atëherë.

-Ka aq shumë sa nuk e ke idenë...më ban mu të lumtun, na jena nji dyshe e lumtun bashkë, a nuk asht lumtunia edhe qëllimi i racës tuj. Pastaj pse don me luftu dushe, pse don me luftu, boll ma me luftna, nuk kena ma nevojë për viktima të asnji luftet, e sidomos të luftës tuej. Prandaj bahet sterelizimi, sa ma pak luftna.

-...nuk më pëlqen se si po flet.

-Po tham të vërtetën, prandaj nuk të pëlqen.

-Unë fminë tem nuk e kisha eduku me luftu.

-Nuk ia mëson ti por ja mësojnë te shkolla, ja mëson televizori, e për ma tepër ja mëson leku, që i fsheh simbolet e tij nëpër krenarinë tuej për pushtet, tokë e flamur, si thoni ju ‘leku rrotullon botën’, se ju nuk besoni te asgja manjetike, te asnji ligj universal, ligj natyror, por vetëm të ligjet tueja… ah meqë m’u kujtu...edhe përrallat i keni me ar, flori e andrra plot pasuni e pasaniksh, a e sheh deri ku keni shku.

-Nuk du me arsytu për jetën e njeriut me nji dac.

-Nuk ke çka ban tjetër dushja jeme, me mu të ka qëllu jeta. Tashti mos e lodh vedin, pusho, sa të shkojmë në shpi të baj nji palë makarona të mira e të nxehta me pak mish të grimë, se ti mbaron për ‘ta.

Ndërkohë që ai bante makaronat, mu më kishte mbulu në sallon me nji batanije të butë, batanijen teme dhe ashtu me zuni gjumi. Ndjeva nji dorë të lehtë të më përkëdhelte flokët, kur hapa sytë ishte Zodiaku që më buzëqeshte tanë ambëlsi.

-E di se po të çoj prej gjumit, por ec haje se asht e nxehtë.

U ngrita me hangër, nuk isha e zoja me kontrollu gja tjetër. Hangra nji pjatë të mirë, biles edhe e lëpiva prej qejfit, aq e mirë kishte dalë. Më dha disa pika në gojë dhe më mori me vedi në divanin e sallonit. Më vuni në prehën. Edhe pse nuk doja me ndejtë, nuk ia dilja me u çu. Ndezi televizorin, e çoi te nji film vizatimor, Tomi me Xherrin.

-Ti mbaron mbas këtyne filmave.

Nuk u përgjigja por u shkriva tu pa skenat humoristike të atyne të dyve, disa skena të dhimbshme, por çuditnisht të banin me qeshë. M’u kujtu diçka.

-Po edhe ju keni televizor. A nuk edukoheni edhe ju prej tij.

-Pse maj dushe me flet me ju, pse nuk me flet me emën...pastaj ky asht edhe televizori jot, shohim bashkë në ‘te, ti ma shumë se unë. Kur dal në punë a nuk ta la ndezë të filmat vizatimorë.

-A nuk edukohesh edhe ti prej tij pra, po të pys kështu. A nuk asht e ndërtume gjithçka mbi lekun, kjo shpija, ky divani, ato librat aty, makaronat.

-Tana mbi lekun. Na vetë e kena ba mbret. E mbreti, e drejton si don ai mbretninë e vet. Cakton kush ka me pasë ma shumë, nji grup micash e dacash, që zakonisht me idenë me pasë, janë ma të poshtmit e mundshëm, e aq, ata pastaj zbatojnë me rreptësi ligjet e tij për micat e dacat që kanë ma pak.

-Pra na ngjajmë shumë me njeni–tjetrin.

-Pse ngjajmë e dashtuna jeme, jena në nji shpi, veçse ti je njeriu jem i shoqnimit, e në fund të fundit unë vazhdoj me kenë pronari jot. Por pusho, doktori më tha, që vaksinat kanë me pasë efekte anësore sonte, prandaj me dha qetësues. Këto mendime të vijnë prej ilaçeve, prej askujt tjetër.


Ja ku gjendem e shtrime në divan, nji tridhjetë vjeçe, me vezore të shkuluna, me dhimbje e ënjtje të krahut për shkak të gjylpanës, dhe e shtrime sa gjatë gjanë në divan me nji palë kominoshe të tjera, me ngjyrë rozë të lehtë, ma të shëmtumet se të parat dhe e pazoja me ndryshu, qoftë edhe veshjen. Zodiaku ka disa ditë që del në punë. Gjithë mëngjesi e paraditja më shkon tu u sjellë si e marra nëpër shpi. Kur mërzitem prej divanit dal në dritaren e sallonit e rri me orë, pastaj kur mërzitem aty i kthehem divanit. M’i ka lanë tana ushqimet gati e bakalin ku me ba shurrën e kakën, edhe pse mu më pëlqen me e ba në banjo si tanë njerzit. Nuk e di se çka me ba ma me jetën teme që në këtë formë më duket e tmerrshme, dhe kur asht e tmerrshme nuk ka as pikë kuptimit. Ai kur vjen në shpi më përkëdhel e më dashuron si askush tjetër. Por tanë këtë e ban për vedi, se ai ka nevojë për këtë, unë nuk kam nevojë. Unë jam si gratë zevzeke, që u pëlqen me u përkëdhelë, fjalët e ngrohta, ambienti i kandshëm, llastimi, nji shikim i ambël, nji puthje që të duket që zgjat aq sa dielli i merr hanës, por deri këtu. Kalimi i këtij kufini më ban nervoz, m’i kthen tana gjanat e ambla në t’urryeshme, të pështira, edhe mendimin për ‘ta ma damton randë. Ma damton deri n’at pikë sa nuk i duroj ma, nuk e duroj ma vedin me kenë pjesë e këtyne skenave dhe bahem e bezdishme për tjetrin që më don.

Dje pashë nga dritarja nji alamet djalit, duhet të ishte i ri në moshë, por edhe në lagje. E mbante në krah nji bullicë micet, ia kishte marrë frymën, nuk e linte rehat, e puthte vend e pa vend e kohë e pa kohë. Atë edhe mund ta doja, po ku të len Zodiaku. Ma ka shkurtu kohën që rri jashtë. Edhe jashtë rri me te, asnjiherë vetëm. Më kontrollon çdo veprim. Më ka vu nji lidhëse, si me kenë qen, për mos me u largu ma shumë se gjatësia e lidhëses. Nuk kam ma dëshirë me luejtë me ‘te. As jashtë dhe as brendë.

Kur hyn prej punet, përkëdhelet pak me mu e pastaj kryn punët e veta. Ka ditë që as nuk përkëdhelet fare, as nuk e flet nji fjalë, por rrin tanë kohën para televizorit me nji gotë venë në dorë e sheh filma apo dokumentarë. Janë ditë që e di që nuk kam me dalë prej shpijet, ndërsa prej dritarejet shoh burra të kandshëm, e të veshun si për dimën. Nji ditë pashë nji micë, që e kishte nxjerrë lakuriq në mes të borës, njeriun e tij. Ishte burrë. Ai i shkreti mërdhiste, kurse mica kënaqej prej gëzimit që e kishte nxjerrë jashtë njeriun e shoqnimit. Kisha dashtë me e përkëdhelë unë atë njeri, e me i dhanë ngrohtësi, kaq shumë m’u dhimbt.

Njiherë u rrahën dy burra për nji gru, që ishte aq e bukur, sa ma rrejti mendjen edhe mu prej dritares. Por micat e dacat dolën prej shpijave dhe i qetsunë, pasi i bërtitën, i futën brendë dhe lufta me kaq mbaroi.


-...e di e di, por që kur ishim te ti Minushja ka ndryshu shumë, a mos ndoshta i keni ba ndonjë gja tjetër që unë duhet me e ditë e me marrë masa?

Zodiaku fliste në telefon me doktorin, që nuk e dëgjova se çka i thoshte, por pas shkëmbimeve tanë edukatë të bisedës, ai shënoi diçka në nji letër.

-Minushe, duhet me u kthy te doktori...me të ba nji vizitë, nuk më pëlqen fare çehrja e jote, nuk je ajo e para...nuk e di çfarë ilaçesh të ka dhanë ai, por ti nuk je Minushja jeme, ajo që ma çon shpirtin peshë. Ndoshta na gjen nji zgjidhje. E kena takimin pas dhjetë ditësh, ndërkohë unë po kërkoj në internet mos gjej ndonji përgjigje.

Më mori në prehën dhe u ul para kompjuterit të tij tu kërku me fjalë të ndryshme në motorin e kërkimit.

‘Oh Zot, kur nuk më kupton kur i flas, si dreqin ka me më kuptu tu kërku në internet’ dhe ula kryt ndërsa ai klikonte njeni mbas tjetrit titujt blu që i delnin para. Dy orë ndejti para kompjuterit lexoi krejt i vëmendshëm me qindra rreshta dhe nuk e kuptoi që më kishte marrë uja. U përpoqa me iu largu shtërngimit të tij, por ai më mori ma fort në gji.

Ma në fund u ngrit dhe më nxori për me hangër, nji pjatë të ftohtë me mish, vetë nuk hangri, por fjeti pa më thirrë me iu afru. ‘Ah sa mirë, se nuk kam nevojë me u shtirë se e du fort, po flej këtu në divan, më pëlqen ma fort’.

-Ka nevojë për ma shumë liri Zodiak. Kjo racë, edhe pse kështu në pamje të parë asht e parashikushme, ka plot mistere brenda, mistere që datojnë me miliona shekuj, nuk kena si i zbulojmë. Jepi pak ma shumë liri. Nxjerreni ma shpesh jashtë.

-Kam frikë me e nxjerrë jashtë doktor se nuk më kthehet ma. E di mirë këtë, e kuptoj fort mirë kur rrin me orë të tana te pragu i dritares. Por fundi i saj ka me i ardhë prej kësaj që po thoni ju, lirisë.

-Po jooo, mos u ban merak. Asht liri e kontrollume. Sado që asaj i duket liri e pafund, edhe ajo asht e kontrollume. Çipi që i kena vu në shpatull, përveç të dhanave shkencore, ka të bashkum edhe nji GPS shumë të vogël, jua kam dhanë numrin e identitetit e kodin e hymjes, çdo polic ka mundësi me hy në këto të dhana dhe e gjen menjiherë, nuk ka ku shkon. Na kena ba kërkesë, që ky shërbim të jetë i mundshëm pranë dyqaneve ku shiten gazeta e cigaret, kena mendu me kohë, gjithçka asht e mendume dhe e organizume me kohë që çdo tekë a kapriço e racës njerzore të jetë e mirëkontrollume dhe e mirëorientume, nuk gabon shteti jonë Zodiak, kurrë.

-Po ata vetë a e dinë.

-Mos më bani me qeshë Zodiak. Edhe mos me ditë nuk na prish punë, ajo çka imponohet përditë asht e randësishme dhe ata kanë me e ndjekë imponimin se nuk kanë se nga me shku. A i sheh përditë, nji pjesë e tyne e konsiderojnë se imponimi asht liri, prandaj na bajmë që çka mendon kjo pjesë të jetë e njëjtë për të gjithë, duen apo nuk duen ata.

-Po sikur nji ditë të kundërshtojnë? Se ata edhe mendojnë doktor, kësaj ia kam frikën, se nëse mendojnë ata, mendon edhe Minushja jeme e më ikë.

-Jeni shumë skeptik ndaj nesh Zodiak i dashtun, por s’ka gja. Mendimin e kontrollojmë, jo nji qind për qind, por e kontrollojmë. Kot nuk bahen ligjet, e me ‘to shkollat, televizori, ushqimi e argëtimi. Na kontrollojmë farën e gjithçkaje kështu që shumë shpejt kena me arritë me kontrollu plotësisht edhe farën e njeriut, mendimin.

-Edhe farën tonë e kontrolloni?

-Sigurisht, sigurisht që po. Gjahu e gjaku ka kenë dikur në genin tuej, por ja ku jeni, të butë e të urtë, të mbledhun nëpër shpija me njerz shoqnimi, dhe për ma tepër nuk shumoheni sa shihni micën e parë që ua dredh bishtin.

-Po më qetsoni doktor, qoftë kështu si thoni ju.

-Kështu ka me kenë dhe rri i qetë Zodiak, gjithçka ka me shku mirë.

-Çka mundem me i dhanë ma tepër Minushes që me u ndje ma mirë e me kenë ma e ngrohtë me mu.

-Kjo racë ka nevojë për ma shumë mish, të paktën njiherë në ditë.

-Po unë vetë nuk ha aq shpesh mish, si mundet që ajo më hangër ma shumë se unë, asht tu kenë edhe shtrenjtë mishi.

-Bleji atë sintetikun, shpikja e jonë ma e fundit, e jashtëzakonshme. Asht ma i shtrenjtë se mishi i zakonshëm, por asht e ardhmja, vitaminat e proteinat që ka një racion i mjaftojnë për nji javë. Provojeni edhe ju njiherë, keni me lëpi gishtat.


Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde