Gazmend Berlajolli: Gegnishtja s'ka rrugë tjetër veç me tregu se don me vazhdu me u shprehë



"...Vetë varieteti, edhe pse për mendësinë 
kolektive të përdoruesve të tij, 
ende po ai i kohës së socializmit, 
në fakt ngërthen elemente të reja plot,
 e që sipas normës të periudhës socialiste 
do të cilësoheshin shmangie..."





Sa herë do t’i kthehemi debatit për gegnishten, pse duhet një debat i tillë, deri kur e ku do të vazhdojë?

Është, kuptohet, e pamundshme me e parashiku të ardhmen, por di me të thënë se debati mbi gjuhën ka me mbetë, e kjo bash sepse debati gjuhësor është pjesë e pandashme e diskutimeve të shoqërive të zhvilluara.

Kuptohet, rrjedha që do ta marrë debati do të varet prej nivelit të emancipimit të vetë botës shqiptare, e ky do të rritet me shtimin e ndërkomunikimeve mes pjesëve të saj. Ashtu siç ky komunikim do të arrijë të përdegëzohet tutje, me nivele të reja në fushë tregtie, kulture, mediale e politike, është e pritshme që vetë gjuha e kryerrymës të shtojë përherë elemente që do t’i përdorë pikërisht për t’i përmbushë këto nevoja të shtuara. Të kundruara prej një këndvështrimi tjetër, mjaft elemente që po i shtohen këtij komunikimi, munden me u qujtë “të gegnishtes”. 
 Nëse deri dje, në pushtet totalitar, një qendër e vendosjes ka përcaktu ç’është e saktë e çka jo në gjuhë dhe këtë e ka bërë me anshmëni të dukshme parapëlqimi, sot një politikë centraliste nuk mundet kurrsesi me pri e vetme dhe e gjithëpushtetshme. E kjo thjesht sepse hyjnë në lojë, dhe prandaj duhen marrë parasysh, të gjitha palët e interesit.

Shqipëria doli nga periudha socialiste me një mendësi që shqipen veriore e kishte ulë në tabanin e piramidës së varieteteve gjuhësore, duke marrë ndërkohë për model të majës varietetin gjuhësor që zyrtarizoi shoqëria socialiste. Kjo pasqyrohej edhe në piramidën sociale: bartësi i varietetit verior të shqipes kundrohej si pjesëtar i një shtrese sociale më të ulët, të deklasuar madje. 

Sot kjo mendësi është ende gjallë, në disa mjedise madje mbizotëron, por nuk është më e vetmja. Mbizotërimi i saj në vetvete nuk është krejt e keqja sot. Bota shqiptare ende s’po kupton mirëfilli se gjuha zyrtare e periudhës socialiste jo vetëm u farku në atë kohë, por edhe për atë kohë, për nevojat e atij sistemi socio-politik. Hermetizmi, moskomunikimi me pjesë të tjera të botës shqiptare, vetë piramida sociale e periudhës, kuptohet se do të shpërfaqeshin edhe në vetë lëndën e trajtën e gjuhës zyrtare. Sot e keqja vjen nga fakti që qeveritë e shteteve ku shqipja është zyrtare e autoktone, nuk investojnë mund as mjete me mbarështu më tej gjuhën, një punë kjo që nuk kryhet ndonjëherë, e prandaj nuk do të duhej me u ndalë ndonjëherë.

Arsyeja pse nisi të shkruhej gegnishtja? Kjo zgjoi një debat të gjërë, ku studiues, ngulën këmbë në faktin, se gjuha zyrtare i ka të gjitha mjetet shprehëse për të krijuar, për t’u shprehur. Me gjithë këtë presion, jo vetëm nga gjuhëtarët, por anasjelltas dhe nga institucione, gegnishtja po shkruhet përditë e më shumë?

E vërtetë kjo. Dhe po vazhdon e po përdegëzohet, duke na dhënë informatën se gjuha është sistem i gjallë. Debati për gegnishten ka aq kohë në qarkullim sa, kur ia kqyrim thelbin, arrijmë me ia hetu dy shqetësime bosht palës së pakënaqur, e këto janë: paskajorja dhe fjalësi.
Kuptohet, për dikë që paskajoren nuk e ka e nuk e pranon në nënsistemin e vet gjuhësor, mungesa e saj në gjuhën e kryerrymës nuk do t’i duket mangësi. Por kjo është vetëm një optikë. Tjetra kqyr nga pikëvështrimi i kujt paskajoren e përdor dhe i duhet edhe në gjuhën e kryerrymës. Ç’është e vërteta, gjuhëtarët e një brezi tashmë të mesëm kanë kontribu për me ndriçu mënyrën se si paskajorja mund të përfshihet në shqipen standarde. Dhe paskajorja ia shton më tej mjetet shprehëse shqipes. Sa për ilustrim, abstaksioni më nuk ka pse të shprehet me trajta foljore të shtjellueshme e prandaj të skajshme.

Fjalësi varet edhe prej kësaj. Një fjalës i shtuar me fillesë diku në shqipen e veriut varet nga vullnetet individuale e kolektive për me e përfshi në kryerrymën e komunikimit, por edhe nga dashamirësia e sintaksës me e pranu. Hapja ndaj elementeve leksikore varet prej hapjes ndaj elementeve gramatikore.

Pse një pjesë krijuesish, duke marrë përsipër rrezikun se vepra e tyre mund të lexohet vetëm në një zonë të caktuar, vazhdojnë ta shkruajnë gegnishten?

Jo, ky rrezik nuk është real. Dikur kishte refuzim më të madh për gegnishten, mbasi syri i publikut, për një periudhë disadekadëshe ishte mësu me e dëshmu një varietet të vetëm shkrimor të gjuhës. Por tashmë u bë kohë qysh kur, falë internetit e rrjeteve sociale, gjithkush është shkrues e gjithkush lexues i gjithfarë varieteti shkrimor që i servohet vazhdimisht syrit të publikut.
Pra, sot çështja ka dalë përtej këtyre kornizave. Shqipja përfundimisht duhet pa si gjuhë në përdorim në gjithë truallin e vet autokton dhe prandaj shqipja zyrtare, për aq sa qeveritë përkatëse të investojnë për sistemimin e mëtejmë të saj, duhet kqyrë si mjet për nevojat e të gjitha pjesëve të këtij trualli dhe si mjet që ta lehtësojë ndërkomunikimin mes tyre.


Këta krijues, janë në një moshë relativisht të re, që kanë filluar të krijojnë pas viteve 1990, po fusin një kulturë të re në të shkruar, përdorimin e dialektit, sa e dëmshme do të jetë kjo për brezin e ri e sidomos për vijimësinë e gjuhës zyrtare?

Aspak. Kjo sepse detyra e gjuhës zyrtare nuk mbetet më e dikurshmja, e që nënkupton me i pozicionu varietetet jozyrtare si kundërshtare të vetat. Sot janë të tjera detyra: trajtat që i nxjerr dhe i përligj përdorimi do të përhapen edhe nëse bien ndesh me ç’ishte parashkruar nga gjuha standarde dikur. Trajtat e tilla, duke u futë në gjuhën e kryerrymës, bëjnë jetë si standarde. Dëmi krijohet kur nuk i aftësojmë brezat në përputhje me nevojat e tyre për komunikim.

Këta që përmenda më sipër kanë edhe presionin e brezit të mëparshëm, që janë rritur në një ambient geg, por nuk e përdorin gegnishten në të shkruar…përplasje brezash kjo? Duke parë këtë fluks të të shkruarit të gegnishtes, vjen edhe pyetja më e thjeshtë…a kemi gjuhë zyrtare… A mos pa dashje këta që e shkruajnë gegnishtes, bëjnë padashje një dallim mes tyne dhe tjetrit që nuk e flet as e shkruan gegnishten?

E vërteta është se gjërat megjithatë po lëvizin: me hapa të ngadaltë, por përpara. Shpresoj që në fund të arrijmë te e vërteta e thjeshtë të gjithë papërjashtimisht jemi pjesëmarrës në fushëlojën ‘gjuhë e përbashkët shqipe’, që do të duhej me vazhdu me u lexu edhe si: gjuhë e përbashkët standarde shqipe, me mundësi pasurimi edhe prej nënarealit gegë të saj. Jo duke e etiketu më si diçka të nënrenditur, por si trevë që frymon shqip e prandaj edhe i duhet standardizimit të gjuhës. Ndryshe do të vazhdonim me rishikime të shqipes së përbashkët edhe në të ardhmen që nuk e marrin parasysh fare si nëndëgë të shqipes.
Por, për me u marrë parasysh duhet me u dëftu të zëshëm. Dhe prandaj po shtohet prania e gegnishtes. Rrugë tjetër nuk ka, përveçse me tregu se është e gjallë, se është e unët, se don me vazhdu me u shprehë, me u forcu e me u faktorizu.

 Numri i letrarëve që po shkrujnë në gegnisht, është e vërtetë, po shtohet. Me këtë po shtohet prania e lexueshmëria e teksteve në gegnisht. E vërteta tjetër është se, kur kemi thënë “gegnisht”, nuk e kemi emërtu detyrimisht e gjithmonë një varietet të shkruar që ndjek ndonjë kodifikim të rreptë zyrtar në secilin tekst. Gegnishtja te krijuesit po shtohet sepse po shtohet spontaniteti i komunikimit. Komunikimi me shkrim i ka kalu internetit më fort sesa letrave, e në internet gjithë ato varietete gjerësisht evidentohen të shkruara.

Vazhdon me ngulmu në kryerrymën e komunikimit publik një varietet që, ndonëse ende mjaft i mbyllur ndaj prurjeve prej gegnishtes, po bëhet gjithnjë e ma poroz. Vetë varieteti, edhe pse për mendësinë kolektive të përdoruesve të tij, ende po ai i kohës së socializmit, në fakt ngërthen elemente të reja plot, e që sipas normës të periudhës socialiste do të cilësoheshin shmangie.

Një anketë e vitit 2011, e kryer në Shqipëri nga Universiteti i Oslos, ndër shumë pyetje me të anketuarit, shtron edhe këtë: A mendoni se gjuha letrare duhet të rishikohet për ta bërë më të afërt me dialektet e veriut?
Rezultatet e anketës tregojnë se toleranca shtohet me rinimin e brezave: dyfish më shumë të anketuar të grupmoshave 18-29 dhe 30-44 vjeç përgjigjen pozitivisht sesa të grupmoshës mbi 60 vjeç. Ky është tregues i ndryshimit të mendësisë. Një tjetër vektor me prirje të ngritjes është ai që mat të anketuarit sipas të ardhurave në familje për anëtar. Me shtimin e të ardhurave shtohet përqindja e të anketuarve që i përgjigjen pozitivisht pyetjes.

Për gegnishten nuk ka shteg tjetër: gjithkush ka të drejtën e pjesëmarrjes në jetën socio-politike të kulturës ku përket.  Me gjithë çalimet, zhvillim i mirë është se një plejadë gjuhëtarësh e figurash publike i kanë kushtu rëndësi çështjes, e probleme si paskajorja e fjalësi i gegnishtes janë trajtu e po trajtohen. Një Këshill Ndërakademik i Gjuhës, për aq kohë sa punoi drejt freskimit të ortografisë standarde, për aq la në trashëgiminë e kulturës sonë përafrime të mëtejme, një formulë që duhet ndjekë edhe më fort në të ardhmen. Prandaj kthehemi te qeveritë që tashmë duhen me nisë me zotu fonde për çështje gjuhësore.


A mos stili juaj i të shkruarit është ai varianti ku duhet të punohet me ardhë te varianti përfundimtar...Sipas jush, cili mund të jetë ideali i një gjuhe letrare, që përfshin në mënyrë të drejtë pasurinë e dialekteve?

E jona si gjuhëtarë është me e njohtë problemin dhe me propozu si me e zgjidhë. E kjo bëhet duke i hetu dhe propozu elementet që na përafrojnë më tej. Këto elemente shtohen me vetë shtimin e vullnetit e të nevojës për me ndërkomuniku. Dhe ne, këto duke i hetu, e kemi për detyrë t’i paraqesim e t’i sistemojmë. Të thashë se çështje konkrete diskutohen, madje ka edhe pajtime mes gjuhëtarësh në gjithë hapësirën shqiptare jo vetëm për ta përditësu standardin, por edhe si. Nuk shpërfillim nevojën për ripërmasimin e shqipes së kryerrymës, po as arritjet e deritashme. Është një numër i mirë gjuhëtarësh që, duke u bazuar në njohuritë e zgjeruara nga fusha dikur të panjohura për gjuhësinë shqiptare, mbajnë qëndrime të mirinformuara që gjuhën, dhe shoqërinë që e përdor, i shohin si dy fytyra të të njëjtës monedhë.
Këtu janë disa çështje që lidhen dora-dorës. 
Kuptohet se nuk mund t’ua diktojmë njerëzve varietetin e shkruar në komunikim publik. Dhe kuptohet se janë vetë palët ndërkomunikuese ato që përcaktojnë elementet e ndërkomunikimit. E gjuhësisë është t’i matë, t’i sistemojë, t’i regjistrojë, t’i shpjegojë. Por, e gjuhësisë është edhe tjetra: varieteti që sistemon duhet të jetë ai që ndërkomunikimin e bën mes palëve që, në të dhe përmes tij, ndihen të përfshira, marrëse e dhënëse njëherësh. E jona është që këtë pikërisht këtë model ta paraqesim edhe për publikun.
Edhe kuptohet, jo gjithçka që propozon një grup gjuhëtarësh, sado autoritativ ky, do të përfundojë detyrimisht si trajtë në përdorimin më të gjerë të varietetit standard. Prandaj, vetë standardit i duhen pikërisht këso lloj korrigjimesh që i vijnë nga përdorimi. Prandaj edhe po shtohen gjuhëtarët që kërkojnë njohje sa më të zhbiriluar të vetë përdorimit. Ndryshe nga vetë përdoruesi, që veten e sheh kryesisht si pranues të një norme standarde, ne të njëjtin e shohim edhe si formësues të saj. E, përdorimin, dhe prandaj formësimin, e bën secili prej nesh.
Sa për me ta ilustru: ne mund të ngulmojmë se shkruhet, fjala vjen “qira”, e jo “qera”, ose “ua thashë të gjithëve” në vend të “ia thashë…”. Përdorimi më i gjerë do të na informojë ndryshe.
E njejta ndodh me gegnishten, ose më saktë, me çdo njësi gjuhësore, që duke ardhë prej këtij krahu të shqipes, i paraqitet shqipes që përdorim gjerësisht publikisht, duke u ngjitë deri te varieteti më i pranuar standard.

Puna ma e madhe që na mbetet si kulturë mbarëshqiptare është me kuptu se kemi hy në epokë të re ndërkomunikimi dhe për këtë të vetëdijesohen qeveritë përkatëse, në mënyrë që të investohen mjete e politika gjuhësore për të ecë tutje.  


Gazmend Berlajolli
Gjuhëtar, redaktor, përkthyes

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde