Zija Vukaj: Shkrimi shpesh është kthyer në një nga armët më vrastare
"...gjuha shqipe, që është vlera dhe lavdia jonë më e madhe dhe është një nga gjuhët më të vjetra të kontinentit, është shkruar e fundit, më e mbramja, në kohët kur edhe popujt barbarë, të zbritur në Ballkan kanë pasur akademi"
Duket
se njeriu, si qenie, qenka në krizë në shumë shoqni dhe se paska nevojë për
ndihmë ‘për me dalë nga kriza njeriu duhet me u rritë, na duhet me shpëtue
vedin pikëspari, thotë Peter Sloterdijk, nji filozof gjerman…si asht kjo kriza
ndër ne, çfarë pasojash ka me pasë për ma vonë?
Njeriu ka qenë gjithmonë në krizë. Çdo kohë e ka
“gostitur” njeriun me kriza që kanë buruar prej shkaqeve të ndryshme. Nuk është
faji as i kohës as i krizës; është natyra njerëzore që ka aftësinë të preket
nga krizat, pasi ato me sa duket janë oksigjen për ekzistencën, janë. Arti dhe
letërsia; e aq më pak historia, nuk mund të na paraqesë individin pa kriza në
asnjë epokë të historisë njerëzore.
Nevojën për ndihmë që të dalë nga kriza
njeriu e ka pasur dhe e ka vazhdimisht. Pastaj kur flasim për njeriun futemi në
një koncept shumë të gjerë. Është e pamundur që gjithë raca njerëzore të
përmblidhet e të kategorizohet me një fjalë a shprehje. Krizat janë të
larmishme siç janë popujt, racat, kombet, kategoritë sociale, shtresat e
popullsisë etj., etj.
Ne si popull kemi kriza që lidhen me ekzistencën tonë individuale dhe kolektive. Madje krizat kolektive, që ia veshim vetes dhe i mbajmë në supet tona të brishta individuale, janë mjaft absurde dhe të rënda për pafuqinë tonë dhe shpesh e më së shumti të panevojshme. Prej tyre me pak mund duhet dhe mund të çlirohemi, që të shpëtojmë veten e të mos kenë brezat e ardhshëm pasoja.
A mos kjo krizë e jona na ka ndjekë në shumë
periudha të historisë dhe s’na ka lanë kohë me pasë mundësi me formue mendimin?
Për të thënë “kriza jonë”, duhet njohur edhe tjetri
dhe kultura e tjetrit. Se tjetri ose të tjerët kanë kriza, kjo nuk diskutohet.
Çështja është ta njohim edhe krizën e tyre. Ta studiojmë e shqyrtojmë: ta
krahasojmë edhe atë me tonën dhe të hulumtojmë shkaqet.
Puna është se ne na pëlqejnë pa kushte të tjerët, madje edhe krizat e tyre na duken të bukura. Dhe në ksenomani e sipër, ne imitojmë (nga qëllimi i mirë për të ecur me hapin e të përparuarve), jo vetme arritjet por edhe krizat, madje më shumë krizat se arritjet. Dhe kjo është një nga llojet e krizave tona.
Pastaj, dihet, ritmi ynë
i zhvillimit është i ngadaltë. Historia na ka pas kapur për fyti dhe akoma nuk
na ka çliruar. Por në ritmet e sotme të zhvillimit e të komunikimit, mundësia
për t’i reformuar mendimet dhe mendësitë tona është më e madhe se kurrë.
Mungesa
e këtij mendimi na ka çue nga njena periudhë e vështirë në tjetrën pa arritë me
gjetë dot as vedin?
Prapë shkojmë tek historia. Çfarë ka ndodhur me ne?
Pse, për shembull, gjuha shqipe, që është vlera dhe lavdia jonë më e madhe dhe
është një nga gjuhët më të vjetra të kontinentit, është shkruar e fundit, më e
mbramja, në kohët kur edhe popujt barbarë, të zbritur në Ballkan kanë pasur
akademi.
Çabej thotë diku se kjo është një fatkeqësi nga e cila ka për të vuajtur gjatë kultura jonë. Unë po them “gjatë”, se ai në fakt thotë “gjithmonë”. Kjo pastaj është shkaku, mbase edhe pasoja pse nuk kemi histori të dokumentuar dhe në përpjekje për të bërë histori “shkencëtarët” tanë kanë përdorur dhe përdorin shpesh, për mjerimin tonë edhe folklorin.
Por kjo ka edhe një
pasojë tjetër: duke u mësuar me boshllëqe të gjata historike, me vakume kohore
prej dhjetëra shekujsh, tashmë ne nuk dimë të bëjmë as historinë tonë të kohës
së re dhe të sotme. Kjo përkohshmëri është bërë edhe pjesë e mentalitetit tonë
dhe gati është kthyer në diçka gjenetike, në një lloj mallkimi me harresë
kolektive si në romanin “100 vjet vetmi” të Markesit”. Dhe e vini re sa të
keqorientuar jemi kur ndodhemi përballë nevojës për të marrë vendime
individuale dhe kolektive?
Në
fund të fundit pse duhet me e ditë kush kena kenë?
Mendoj se shumica e popujve dhe e kombeve të
kulturuara dhe të fuqishme e kanë respektuar të kaluarën e tyre. Ka një mijë
argumente që e bëjnë të domosdoshme njohjen e së kaluarës. Dhe nuk do të thosha
asgjë të re, po të përpiqesha të shtoja gjë. Por pyetja juaj mban erë
globalizmi dhe puna ndryshon. Do të ishte një aventurë e gjatë dhe një intrigë
e madhe të hyja këtu. Diçka pa bereqet.
A mos harresa me qëllim se ‘kush kena kenë’
na ban shpejt robën të çdo diktatori ose të çdo autoritari që shfaqen në tana
format, sepse në thelb nuk ndryshojnë nga diktatorët e maparshëm?
Robëria, qoftë edhe psikologjike apo kulturore, në
këtë rast është evidente, por kjo është vetëm një nga pasojat. Por është fyese
dhe një lojë shumë e rëndë: është ajo loja kur një kinez është personi më i
rëndësishme për shqiptarët. Këtu bie lavdia e racës sonë ariane përballë një
kinezi të respektuar, qoftë ky edhe ambasador.
A
duhet me iu kthye leximit për me përpunue kujtesën, me u ba ma të meçëm e më
ditë me zgjedhë t’ardhmen?
Mua si njeri që merrem me librat më shkon për shtat ta
pohoj e ta propagandoj librin, por në përgjithësi për të zgjedhur të ardhmen
duhet të bëhemi më seriozë në të gjitha aspektet e jetës sonë. Il faut cultiver
notre jardin, thotë Volteri te “Kandidi”. Dhe kjo përmbledh shumë çka. Madje
edhe kopshtin leteral.
Po
a asht shkrimi i vetmi vend ku mund të kërkojmë shpëtimin për llojin tonë?
Nëse e keni fjalën për llojin e letrarëve dhe të
njerëzve të alfabetizuar që vazhdojnë ta duan shkrimin dhe librin, mendoj se
po. Shkrimi dhe sidomos akti i krijimit është raporti i njeriut me lirinë.
Kjo
shpjegon pastaj edhe lulëzimin e letërsisë në popujt dhe vendet që kanë pasur
probleme të thella sociale dhe kriza të rënda shpirtërore. Aty ku ka mirëqenie,
lumturi, standarde të larta jetese, letërsia o nuk ekziston fare, ose është e
dobët. Në të kundërt, është vërtet shpëtim, është strehë.
A
mundet ai me përballue të vërtetën, apo e vërteta ka tana mundësitë që nën
pushtetin e penës me u konvertue në nji rrenë të madhe?
Përgjatë historisë së vet, njeriu e ka kthyer çdo vegël edhe në armë. Madje shkrimi shpesh është kthyer në një nga armët më vrastare.
Kush
duhet me i dhanë kuptim fjalës që me i besue prapë asaj?
Më duket si pyetje retorike: po them, vepra, mbajtja e
saj dhe me këtë rast po moralizoj.
E
pra, duket se shkruhet shumë, por prapë këshillohet me shkrue, e pse me shkrue
kur në fund të fundit janë thanë tana gjanat, e kur sot fjala duket se ka ma
kuptim vetëm kur e keqja kthehet e bahet e mirë në pak rreshta?
Kush këshillon? Unë kisha këshilluar veten dhe të
tjerët me mujtë me lexue ato që janë shkruar nga të tjerët. Çdo tekst thotë
Bartes, nuk është gjë tjetër veçse riorganizim i teksteve të mëparshme.
Por
gjithashtu mendoj se nuk janë thënë të gjitha, sepse çdo kohë ka specifikat e
veta, sado të ngjashëm janë bijtë e Ademit, alijhi selam. Por në këtë kontekst,
mendoj se gjithkush duhet të shkruajë vetëm atëherë kur ka një arsye të fortë.
Arsyeja është: të thotë diçka që nuk është thënë më parë, ose ai vetë të jetë i
bindur për këtë.
Nji
fjalë…’mjerim’ -dy ‘qyteti jem’ -tre ‘andrrat apo librat’
Këtë të fundit nuk e kam kuptu; jo se nuk e kam kuptu
vetëm unë, por nuk ka dreq që e kupton.
![]() |
Zija Vukaj,
shkrimtar, profesor, studiues
|
Comments
Post a Comment