Erion Kristo: Ka diçka që pushteti nuk e përkul dot: dijen. Eppur si muove
"E keqja ka sharm, por të varros.
E mira, asht rrugë me gjemba, po të madhështon"
E mira, asht rrugë me gjemba, po të madhështon"
-
Duket se njeriu, si qenie, qenka në krizë në shumë shoqni dhe se paska nevojë
për ndihmë. “Për me dalë nga kriza njeriu duhet me u rritë, na duhet me shpëtue
vedin pikëspari”, thotë Peter Sloterdijk, nji filozof gjerman… si asht kjo
kriza ndër ne, çfarë pasojash ka me pasë për ma vonë?
U gëzova kur Blogu juaj më dërgoi pyetje. Ishin pyetje
sfiduese për intelektin. Kisha kohë pa shkruar gjëra serioze, i zhytur në
vorbullën e fejsbukut. Ndaj me plot dëshirë përgatita përgjigjet e mia. Dhe
vura re se më kishte marrë malli dhe për pak gegnishte të kulluar.
Lidhur me krizën, jam i dëshiruar të jap një përgjigje
pak të gjatë, ku unë i bëj një plagjiaturë vetes sime, në një artikull të
shkruar përpara 5 a 6 vjetësh. Shpresoj të tingëllojë ende i freskët. Po e
përcjell këtu...
por më parë dua t’i them filozofit gjerman se njeriu nuk mund të shpëtojë vetveten, sepse është qenie shoqërore. Edhe sikur të mund ta bënte këtë, do gjendet pa tjetër një fqinj i bezdisur që do dëmtojë gjithë operacionin e shpëtimit, ose ndonjë segment i shtetit që do i prishë qetësinë olimpike. “Duaje fqinjin si veten tënde”, na mëson shumë për të kuptua se nuk mjafton të duash veten, por që ta plotësosh veten, duhet të duash dhe fqinjin.
Megjithatë, po përcjell përgjigjen time të mëhershme:
Kriza sociale shihet në mungesën e shanseve jetësore,
që do të thotë se ka mungesë pune, dhe jo thjesht të papunë. Nëse në Shqipëri
do të kishte një milion të papunë siç thuhet, nuk do të kishte më stabilitet
social, do të kishte përditë greva urie, luftë me policinë, demonstrata të dhunshme,
e shumë të tjera. Po në Shqipëri nuk ka një milion të papunë, thjesht ka njerëz
që merren me gjithçka dhe me asgjë, që nuk kanë një vend pune fiks dhe që mbi
të gjitha nuk paguajnë detyrime. Pra, rrojnë në kurriz të njerëzve të tjerë.
Kjo është diçka më e frikshme se sa kriza.
Po këta të papunë janë dhe një rrezik i
jashtëzakonshëm për sigurinë tonë. Vjedhja është kthyer në një punësim me kohë
të pjesshme, dhe shihet jo vetëm në vjedhjen e resurseve natyrore, që është
bërë gangrenë tanimë, por dhe në mikrokriminalitet, madje krim të organizuar.
Nuk ka ditë që njerëzit të mos ankohen për vjedhjen e pjesëve të makinave:
antena, pasqyra, sensorë, sende të lëna brenda makinave. Nuk ka ditë që
njerëzit të mos ankohen për rrëmbimet e plaçkave që nga rrobat në tel te
varëset dhe çantat, madje dhe bankat dhe argjendaritë. Dhe kjo punë nuk ka
lidhje fare me policinë.
Thjesht është prishur indi shoqëror, është kalbur,
gangrenizuar, kancerizuar, si ato qelizat që dalin nga rreshti dhe krijojnë
rreshtin e tyre, duke e zbythur jetën nga trupi.
Kemi arritur në pikën që të gjithë njerëzit e kanë
kuptuar se jeta është aksioni më pak i kuotuar në bursë, kemi arritur aty sa të
vidhen varret, të vriten katër persona për çështje xhelozie, ku qethet nëna nga
fëmija, ku fëmija vret t’anë, ku kriminelët më të rrezikshëm të burgjeve bëjnë
shëtitje dhe gjejnë vdekjen, ku aksidentet rrugore nuk reshtin, ku vriten
biznesmenët te dera e shtëpisë, ku njerëzit vriten me thika për parkimin, ku
fëmijët bëjnë sherre me thika nëpër shkolla, ku njerëzit hidhen në erë me
tritol, e pafundësisht të tilla, këto janë shenjat më të plota të krizës
sociale.
Të gjitha këto dhe shumë të tjera të pashkruara e të paanalizuara do të mjaftonin jo vetëm për një seancë të posaçme parlamentare apo mbledhje të rrufeshme qeverie, por dhe për ndonjë kongres të posaçëm të jetologëve që për më tepër as nuk ekzistojnë. Dhe ndërkohë bëhet fjalë për shtetas të kësaj republike, që do të ishte e nderuar të quhej republikë bananesh, porse është shumë më keq se kaq.
Nga regjimi i kaluar kemi trashëguar një cilësi të ngritur në virtyt:
propagandën. Atë e zotërojmë shumë mirë. Po nuk trashëguam qoftë dhe thënien:
“Njeriu kapitali më i çmuar”, që nuk ishte as shpikje e komunizmit, por një nga
parametrat themelorë të ekonomisë së tregut: “Kapitali njerëzor”.
Kriza sociale më në fund shihet në mungesën e
analizave sociologjike nga sociologët, ose të njerëzve që jetojnë në kurriz të
të tjerëve për të dhënë një produkt intelektual që çuditërisht nuk jepet. Ndaj,
që të mos i hapim krahun dembelizmit njerëzor, që kur lexon diçka të drejtë dhe
pajtohet me të, beson se kreu gjithçka që mund të kryente, shkrimi do të
përfundojë në këtë pikë.
Në pikën e klithmës së qytetarit shqiptar të tradhtuar
nga elita e vet politike, nga elita e vet ekonomike, nga elita e vet
intelektuale, nga elita e vet fetare, e mbi të gjitha nga ata që mbahen si
kampionë të demokracisë, si pishtarëmbajtës olimpikë: diplomatët e huaj dhe
gjithë skota e strenxhërsave që janë majmur nga varfëria jonë. Dhe kriza
sociale kërkon doktorë të tjerë që të shërohet. Deri sa të gjenden këta
doktorë, do të presim që të mos vdesim...
Ky ishte shkrimi. Mu duk me vend ta përcillja.
Shpresoj të mos krijoj bezdi në këtë botën tonë të mbushur me njerëz të
gjithëdijshëm. Do shkruaj ma shkurt tash e mrapa.
-
A mos kjo “krizë njeriu” na ka ndjekë në shumë periudha të historisë dhe s’na
ka lanë kohë me pasë mundësi me formue mendimin?
Kriza e mbijetesës na ka shoqëruar ndër shekuj. Dhe
mbijetesa nuk të le vend për kohë të lirë, që është alfa e mendimit. Vend i
vështirë, i vogël, pa aleatë të mëdhenj. Jemi rrahur shpesh nga dallgët e mëdha
të historisë. Dallgë që nga ana tjetër kanë rrahur gjithë kontinentin. Po ne
kemi dashur gjithmonë pak. Jemi kënaqur gjithmonë me pak.
Fqinjët tanë ngritën teatro. Ne aspak. Voskopoja duhej të ishte një shembull frymëzues, por nuk u bë. Mendimi nuk selitet thjesht nga biseda të vogla apo nga rrahje mendimesh. Mendimi mbruhet nëpër akademi. Jeta e vogël sjell përgjigje të vogla, automatike, jo kërkesa për mendim kompleks.
Por duhet thënë me kujdes se disa
gjëra që ne i shohim si rudimentare, kanë vlera absolute: Kanuni i Lekë
Dukagjinit, apo dhe Kanuni i Labërisë.
Ato shprehin atë që më së miri duket
sot: gjenetikë e përkryer në truall djerrë (kjo duket qartazi te fëmijët tanë
që shkëlqejnë akademive të botës – kjo nuk do të ndodhte nëse nuk do ta kishim
aftësinë për të mësuar të brendashkruar).
-
Mungesa e këtij mendimi na ka çue nga njena periudhë e vështirë në tjetrën pa
arritë me gjetë dot as vedin ?
Mendimi është përqendrimi më i lartë i energjisë
njerëzore. Mendimi është katapultë. Ai ka evoluar gjithë botën e evoluar. Vedin
e kena gjet. Po jemi kënaqur me pako gjë. Dhe kështu e kemi hup vedin. Se vetja
do shumë që të kënaqet.
-
Në fund të fundit, pse duhet me e ditë kush kena kenë?
Është themelore, është hapi i parë drejt së ardhmes,
të kthesh sytë pas, e të kuptosh çfarë ke bërë. Nëse nuk merr vesh çfarë ke
bërë, do përsërisësh të njëjtat gabime. Petro Nini Luarasi ka thënë: “Edhe 99
herë sikur të rrëzohemi, prapë duhet të ngrihemi”. Dhe unë që kam gjithmonë
dëshirë të mpreh brirët me të lartët, i jam përgjigj: “që te hera e dytë e
rrëzimit, duhej të fillonte analiza e përsesë”.
Sepse është e papranueshme të mos dish kush je, çfarë meritash e mangësish ke. Nuk ngre dot asgjë për të ardhmen, pa ditur të shkuarën. Postkomunizmi shqiptar ishte më i hidhur se sa komunizmi shqiptar. Kjo erdhi për shkak pikërisht të këtij gabimi fatal. Nuk donim të shikonim kush ishim dhe nuk kuptuam se çfarë donim të bënim. Ne nuk jemi në tranzicion. Ne jemi në një gjendje natyrore, ardhur nga mungesa e analizës së mirëfilltë.
-
A mos harresa me qëllim se “kush kena kenë” na ban shpejt robën të çdo
diktatori ose të çdo autoritari që shfaqen në tana format, sepse në thelb nuk
ndryshojnë nga diktatorët e maparshëm ?
Dikur kam thënë: “Njeriu që më shumë ka vuajtur në
Shqipëri ka qenë Enver Hoxha. Ai e merrte shumë seriozisht këtë popull dhe ju
bë gjaku zeher”. Në fakt, ai vdiq nga diabeti. Me këtë nuk doja të bëja ndonjë
apologji për atë që na mbajti peng, për shumë dekada, por doja të thosha se
enveristët e mbajtën shumë më gjatë dhe më kollaj pushtetin në një çerek
shekulli, madje pa nxjerrë fare banda armiqësore mes vedi.
Enveri me marsh të
katërt, këta tanët, me të parin dhe të dytin, na mbajtën kaq gjatë në
shtrungë. Dhe gjasat që të ndodhë kështu në
të ardhmen janë goxha të mëdha, sepse ekspertiza e dhunimit sa vjen e shtohet
dhe pasurohet me forma të reja.
-
A duhet me iu kthye leximit për me përpunue kujtesën, me përpunue urtsinë e me
ditë me zgjedhë t’ardhmen ?
E provuam që pa lexuar, pa studiuar, pa u thelluar,
humbëm një çerek shekulli. Mund të humbim dhe një tjetër, sa hap e mbyll sytë.
Ky popull duhet menjëherë të heqë dorë nga kulti i të fortit, për të kaluar të kulti i më të diturit. Kjo do na shpëtojë. Nëse nuk do na pasurojë, të paktën do na qetësojë.
-
Po a asht shkrimi i vetmi vend ku mund të kërkojmë shpëtimin për llojin tonë ?
JO. Nuk është vetëm shkrimi, por edhe protesta.
Protesta do të ishte hapi i parë hënor.
-
A mundet ai me përballue të vërtetën, apo e vërteta ka tana mundësitë që nën
pushtetin e penës me u konvertue në nji rrenë të madhe?
E vërteta është e frikshme. Ylli Bufi ende mbahet mend
se tha të vërtetën lidhur me mungesën e bukës. Por e vërteta është edhe
madhështore. T’i qasesh asaj kërkon madhështi. Ajo nuk pranon krimba pranë
vetes. Rrejtësit duhen flakur.
-
Kush duhet me i dhanë kuptim fjalës që me i besue prapë asaj?
Pyetje gjigande. Përgjigjja ime nuk mund të jetë
përfundimtare. Për mua, koherenca dhe moraliteti do na kthejnë besimin te
fjala. Shtylla kurrizore e papërkulur.
-
E pra, duket se shkruhet shumë, por prapë këshillohet me shkrue, e pse me
shkrue kur në fund të fundit janë thanë tana gjanat, e kur sot fjala duket se
merr kuptim vetëm në rastet kur e keqja kthehet e bahet e mirë në pak rreshta ?
Shumë gjana janë thanë, e shumë po thojn. Nga leximet
shohim se bota ka kaluar një herë në sitë. Po nëse e keni vënë re, te kasapi,
kur t’i i kërkon mish të grirë, ai të pyet: “A ta kaloj një herë a dy herë në
makinë mishin?”. Ne mund ta kalojmë sërish në sitë mendimin. E keqja ka sharm,
por të varros. E mira, asht rrugë me gjemba, po të madhështon.
Pjesa e dytë
Pjesa e dytë
Nji fjalë… “republikë”
E kam shkruar më lart. Republika duhej të ishte gëzimi
ynë. Ne duhej ta festonim atë. Po nuk mundemi. Jemi thjeshtë “Republikë
kanabisi”.
Dy “shkolla sot”
Dy “shkolla sot”
Shkolla sot është ku thërret qameti. E bukura është se
të gjithë mendojnë se po bëhen gjëra të mira. Po përgjigja është e thjeshtë:
“Vuuu e në vend”.
Tre “pushteti mbi librat”.
Tre “pushteti mbi librat”.
Pushteti ka aftësinë të përkulë. Ai përkul edhe
çelikun. Po ka diçka që pushteti nuk e përkul dot: dijen. “Eppur si muove”.
![]() |
Erion Kristo
Pedagog, gazetar,
publicist, përkthyes, aktivist |
Comments
Post a Comment