Gilmana Bushati: Katerina


 

Krismat më zgjun nga gjumi, për nji moment nuk u dëgju asgja, as zhurma e perdes që lëvizte lehtë prej nji flladi të freskët, duhet të ishte patjetër andërr. Por nji breshëri tjetër që prishi heshtjen e maparshme, më bani me kuptu se krismat s’ishin të mira. Ishin pak larg, por isha aq e zgjume nga gjumi sa me kuptu menjiherë që çka po ndodhte atje larg. E vetmja gja që m’erdhi në mend ishin ‘kanë lidhje me mu’. Nuk m’u ba me shku me pa natën te dritarja. M’u kujtu baba që sa herë dëgjonte krisma natën afrohej te dritarja për me pa nuk e di se çka dhe i bante me dorë nanës për me na mblu. Ajo mirë mbasi na mblonte kambë e krye mue, dy motrat e mia dhe vëllanë, vinte edhe trupin e saj si mburojë. Gjithfarë historinash dëgjoheshin ato kohë, por frika e nanës ishte shumë ma e vjetër se vetë historinat.

Për ne vajzat ishin histori të frikshme me shumë gjak, me shumë vdekje të njerzve të rinj e të vjetër, e kur i njihnim të vdekunit, aty ishte fundi. Për djemtë na ishim budallica, se historitë s’ishin vetëm të frikshme e vetëm me gjak, por edhe histori me trima që s’u dridhte syni para dekës. Thu se na aq të vegjël nuk e konsideronim dekën tanë njisoj. Djemtë tregonin histori sikur ishin të përfshimë kambë e kry, duket se mezi pritnin me kenë si ata që qëllonin, që vrisnin, digjnin, vjedhnin, apo që mbronin familjarët e tyne prej nji armikut. Ata, njisoj si vëllai na tregonin tanë zell se çfarë armet ishte, sa fuqi kishte, sa larg e hedhte plumbi, po me nji siguri dhe me detaje që donin me tregu se ata kishin kenë te krisma ose ishin aq të zotë sa me prodhu krisma, mjaftonte arma. Kur ishin të ftum në darsma baba nuk vraponte te dritarja me pa fshehtas mbas perdes dhe nana nuk na mbledhte në nji të të katërt për me na mbrojtë. Ai, ma shumë se ajo, ishte i gëzum, biles në ekzaltim. Ata shkëmbenin urime, qeshnin me të madhe, përgëzonin çiftin dhe pija shkonte vu.

Zhurma e makinës që u afru me shpejtësi afër shpisë më largoi nga kujtimet dhe ma forcoi bindjen e lidhjes teme me ngjarjen që sapo kishte ndodhë. Të tana lëvizjet mbas ikjes me zhurmë të makinës i merrja me mend, mjaftonte me i kuptu lëvizjet. Ai hapi derën e oborrit me lehtësi. U ngjit ngeshëm në katin e dytë, aty ku ishte banjoja, dushi, ballkoni i madh, dhoma e ngrënies, kuzhina dhe salloni.  U ndez dushi. Njizet minuta, ose mos ma shumë. U dëgjunen hapat e tij tu u ulë në katin përdhes, aty ku mbanin dy makinat, motorin, nji dhomë për lavatriçen e madhe, për shtrydhësen e teshave dhe tavolina e ujtisë, brenda asaj dhome ishte dhe nji kthinë për veglat e kopshtit, e cila ka daljen nga bahçja. Nuk vonoi shumë e ai filloi me u ngjitë prapë duke përshkru katin e parë, pastaj të dytin e tu ardhë te i treti. Përshkoi dhomën ku gjendej televizori sa faqja e murit, la mbrapa sallën e lojnave dhe hapi derën e dhomës së gjumit, në kat të tretë kishin tre dhoma gjumi. U afru në majë të gishtave dhe u fut në shtrat. Trupi ende i lëshonte nxehtësinë e avullit të dushit.

-Nesër edhe nana jeme me të pytë ke me i thanë se kam kenë në shpi në ora nandë të darkës.

Ai mori me vedi barkun ndërsa solli shpindën tanë qetsi. Nuk lëviza, se kisha frikë se po të lëvizja deri sa ta merrte gjumi, kishte me iu pasë dukë atij si nji ‘jo’. N’at qëndrim m’erdhën ndër mend mujt kur isha e dashurume me atë njeri, që tanë shoqet e mia e andërronin, por gati tana e quenin të rrezikshëm. Edhe pse me nji bark si derr, ai ishte i bukur, me makina që i ndërronte përditë, me veshje që ia shifnim vetëm aktorëve nëpër filma dhe dinte me i ardhë rrotull nji vajzet, e dinte fije për pé se çfarë kërkonte nji vajzë, e sidomos nji vajzë e rritun si unë. Geri n’at kohë kishte edhe nji pamje të trishtueshme në ftyrë, thonin prej dhimbjes që i kishte vdekë e shoqja. Nuk e di ku ishim pà bashkë për herë të parë, më kishte dalë prej mendjet a unë rashë në dashni me ‘te, apo ai më kishte pikasë dhe më gjunte. 

Dy herë patëm folë bashkë. Njiherë sapo dilja prej rrobaqepsisë që punoja atëherë dhe herën e dytë me ftoi për kafe në qendër të qytetit dhe për mu ishte vlerësim i madh, biles nji andërr. Herën e parë nji pjesë e grave të punës e panën tanë zili e pjesa tjetër as m’i hodhi sytë e as përshëndetjen e pëhershme ‘mirupafshim nesër’. Herën e dytë, isha me Bertën, shoqen teme. Se ia dinim njena-tjetrës varfninë e mundin me ia dalë, ishim shoqe, s’na kishte lidhë ndonji gazmend i madh, thjeshtë çonim në biseda jetët tona të vogla. Kur e kishte marrë vesht se isha e dashurume marrëzisht me Gerin, i pat dalë goja mbrapa tu me thanë, që ai s’ishte për mu, sepse s’ishte njeri i mirë, biles nuk ishte njeri hiq, por nji si tip shtazet, që nuk ngihet me të keqen e të tjerëve. Unë isha e varfën. Berta po ashtu, por ajo nuk shifte atë që shumë shpejt kisha me kenë e pasun, e s’kisha me e ba ma rrugën me ‘te te ndërtesa e rrobaqepsisë, që ishte tu ra brendë, atje ku qepshim brekë të tana masave. Atje bisedonim gjatë e gjatë, në dy turnet tona të pafundme edhe pse shefi na tërhiqte vëmendjen me punu ma shpejt e me i lanë bisedat, na prapë fillonim sa ikte ai. 

Pronari i rrobaqepsisë sa e pat pa herën e parë te dera Gerin, nuk ma merrte ma frymën me normën, as nuk më jepte orë shtesë vetëm me kry punën që s’e kisha ba. Papritë u ba i mirë me mu. Kurse herën e dytë, atje në qendër të qytetit, në ballë të xhamisë së madhe, Berta pasi më tha që isha ba me iu dhimbtë gurit e drunit, sepse nuk po shifsha se si bota po më rrokullisej para kambve, u nis vetëm për në shpi, pa e kthy kryt njiherë e ndërsa unë ndejta me Gerin në nji tavolinë. Aty na shërbynën dy kamarierë. Ai për çudi kishte zanë dy karriget përballë mejet me krahët e tij të mëdhenj. Më tha me nji za madhështor që me i thanë të shpisë që due me u martu e me kriju familje me ‘te. Unë tanë marre e me gjysë zanit, i pata thanë ‘baba e vllai nuk kanë me dashtë, se jam ende e ré e ia kam frikën se më heqin prej punet e më mbajnë mbyllë brendë’. Geri pat qeshë. Barku iu ngrinte e iu ulte prej gazit të madh që e pat kapë.

Për nji javë u pata martu. E tash në këtë natë kështu, s’di sa vjet kanë kalu mbas kësaj martese. Nën këto shtresa më shkon mendja te Berta, ajo ka kohë që ka fjetë, flen herët ajo, edhe kur asht turni i parë edhe i dytë, lodhej shumë me punën e shpinë, ishte ma e madhja ndër fmi dhe i ndihmonte prindt me rritë fmitë e tjerë. Atij iu qetsu frymëmarrja. Ka fjetë. Ka kalu mesnata. Ndoshta edhe pak ka me zbardhë. S’du me lujtë me pa orën, se kam frikë se mos zgjohet. Po, po, mbramë ka kenë me mu, jo në nandë por qysh në tetë. Pastaj s’kishte me kenë hera e parë që kisha me thanë që po; ‘ishte në shpi mbramë’, ose ‘n’at orë kena kenë bashkë te prindërit e mi’, ose ‘kena kenë me pushime te vila jonë në bregdet’.

Të nesërmen policia bani sikur përmbysi gjithçka në shpi. Geri ishte i qetë. Nganjëherë bahej kot nervoz që policët po ia prishnin shpinë, kur s’kishin çka me gjetë. Por policët në fakt, si tana herët, ishin të sjellshëm, por atij i duhej me u anku dhe ankohej. Kur policëve u erdhi shefi, ata ngritën supet me tregu që s’kishin gjetë gja.

-Dyshohesh për vrasjen e Muhos Geri kështu që duhet me ardhë me ne me iu përgjigjë disa pyetjeve të tjera në komisariat.

-Kush ta prish mar shef Tani, po pse sa herë që ndodh nji gja, duhet me u sulë policia te unë, a merrni notë të mirë prej shefave në Tiranë a ?

-Po ti ke pasë konflikte të hershme me Muhon, pastaj vetëm ty intereson eleminimi i tij.

-Ça thu mar shef, ça janë këta muhabete. Me taman që s’kam shku mirë me ‘te, por kjo s’don me thanë që duhet me më akuzu fill mu edhe pa asnji provë.

Shefi doli ngadalë te ballkoni i katit të dytë. Pa atje larg, por për shkak të zabudhimës nuk e pa qytetin. Ai u kthy nga unë, isha ulë në divanin e gjanë e luksoz, i cili mbrohej nga dielli prej nji çadre të madhe. Afër mejet ishte nji zojë police, që rrinte si gatitu. Tashma më erdhi radha dhe u bana gati për përgjigjen.

-Jo jo, s’du me të pytë. E di që ke me më thanë që Geri ka kenë mbramë në shpi.

Mbeta. Buzëqeshja e tij vetëm me nji cep buzet, tanë ironi, më kujtoi Gerin, ata ishin njisoj në këtë pikë. Geri kishte pasë nji konflikt biznesi të hershëm me shefin e sapoardhun të policisë. E pata dëgju në telefon me dikë që punonte në Tiranë se ata dy kishin kenë shokë dikur e pastaj për çështje paresh ishin prishë dhe ai shefi edhe nji rrahje me ndodhë në qytet e merrte Gerin në telefon, kështu për vrasjet ishte i pari që ai akuzonte. Ata njiheshin mirë edhe pse në dy kahët e kundërt ata ngjanin me njeni-tjetrin. Ata të dy më kujtonin sjelljen e dikurshme të shokëve të mi të klasës, që edhe pse ishin të vegjël, silleshin si specialista për nji armë ma të madhe se trupi i tyne. Kishin gjithçka në kontroll. Gjithçka ishte e tynia, kur sundonin e dinin me manovru me nji armë, dinin me sundu e manovru botën e trupat që sillen aty.

-Pytjet sa për procedurë ka me t’i ba ndihmësi jem.

Shefi mori me dalë dhe te dera, tu pa ma shumë nga Geri m’u drejtu.

-Të ka folë besoj Geri për Katerinën ?

-Ça ka lidhje Katerina tash, ban punën tande, bania pytjet Stelës e kaq. – këtë radhë Gerit i kcej damari në ballë. Nuk ishte i qetë dhe ia nguli sytë si me kërcënim shef Tanit. Ky i fundit u largu duke e lanë Gerin gati për sherr nëse kishte me nxjerrë edhe nji fjalë prej gojet.

Ndihmësi mbajti shënim përgjigjet e shkurta. Ora tetë, darka, ndeshja e futbollit, s’i di emnat e skuadrave, nuk më pëlqen sporti, telenovela, salla e televizorit, fruta pastaj gjumë. Ndërsa përgjigjesha në mendje m’u ngul emni i Katerinës, ish-gruja e Gerit, dekë prej nji sëmundje të randë.

Geri ua bani qejfin policave, pa ba za, u vesh dhe shkoi mbas tyne. Asnjeni nuk guxoi me i vu dorën në krah, por e shoqnunen si njeri ma të nderum. Kur s’kishte ma kambë njeriut në shpi, shkova te pasqyra e sallonit. Pashë vedin. E pashë gjatë. Ftyra jeme m’u duk njisoj si ftyra e policëve. Në tanë kohën e qëndrimit të tyne, shprehja e ftyrës tregonte njifarë pendese që po ia prishnin qetësinë të zotit të shpisë, se aty s’ishin më vullnetin e tyne. Po kjo e fundit s’asht njisoj për mu. Ah, jo, unë jam këtu me vullnetin tem  tash e sa vjet, jam në vullnetin tem kur pranoja që ai ishte në shpi kur ishte diku tu vra dikë, të mirë a të keq s’ka randësi, por ishte tu i marrë dikujt jetën. Jo, jo, s’asht e vërtetë, ftyra jeme s’asht kurrë e atyne policëve, edhe pse ngjan si e tillë, varfni në shpirt. Ata kanë dalë nadje në punë me u siguru bukën fmive. Po ia dha kush nji pesë mijë leksh kush, ose po ia morën njerzve tu ba dallavere apo ndonji korrupsion të vogël, s’ka gja, lek asht ai për me ia shtu diçka bukës. Fmitë i kanë nëpër shkolla, kërkojnë me kenë të pasun me baballarë që mezi kanë lekë me u ble nji palë xhinse. Jo, jo s’jam si ata. Unë jam Geri. Ftyra jeme e trembun s’asht prej pranisë së shumtë të policëve, as prej asaj që kishte ba Geri, ajo ishte ashtu me e kalu vedin si viktimë, për me ia ba të ditun shefit të policave, apo zyrtarit që merr deklaratën, se unë jam e detyrueme me ba ashtu e s’kam kah me ia mbajtë.

Po Katerina, pse shefi foli për Katerinën sot, ai duhet të dinte diçka ma shumë për te se sa unë. S’di pse po flas unë kështu, me vedi, për vedi e për të tjerët. Geri me pat folë nja dy herë për të. Dy herë e me bezdi të madhe, por më kishte thanë aq sa m’ishin nevojitë pa hy ma thellë. Para se me u martu me Gerin më patën thanë, biles edhe Berta, se Katerina kishte kenë e bukur shumë, por veç kësaj askush nuk dinte gja se prej kah vinte e çka kishte ba. Tash unë e zevendoj. Njerzit nuk dojnë me ditë prej kah vij e çka baj, thjeshtë më shofim nganjiherë në krah të Gerit dhe u mjafton. As të dashtunit e mi nuk dojnë me ditë ma se si jam, ku jam e çka baj tanë ditën në shpi prej vitesh. As Berta s’e ka marrë vesh se si ndjehem që notoj në këtë pasuni, se si asht andrra që patme thurë dikur bashkë, mos me punu ma e me pasë shumë lekë ? Sigurisht nuk janë të miat. As edhe nji, por notoj në pasuni. Askush nuk më pyt pse nuk kam fmi. Askush prej të afërmëve të mi kur u ka qëllu me më taku s’asht lodhë me më ba moralizimet e vjetra,  që ‘të duhet nji fmi’, ‘të duhet nji djalë për Gerin’, ‘të duhet ky objekti për nji ashtu e kështu, për këtë apo atë arsy’.

Po Katerina kështu si unë ka jetu, kështu si unë e ka dashtë dhe e ka drashtë Gerin ? Me këtë ftyrë viktimet ka pritë e ka përcjellë policë e shefin e policisë? Me të njëjtën ftyrë ka marrë pjesë në drekat e darkat e shoqnisë së Gerit, ku atij i pëlqente me ba humor me gra të ftume aty pa burrat apo të fejumit e tyne ? A ia ka falë ajo, njisoj si ia fali unë këto sjellje? Sot, po sot, edhe mos me ia falë nuk kam ku me shku, jam e detyrume me ia falë, s’kam kuptim pa burrin në krah, në shpi apo në ato shumë vende ku punon.

Mora nanën në telefon. I kërkova me më gjetë numrin e Bertës. Pasi më përcolli nuse, nana nuk më erdhi ma në derë të shpisë, as për vizitë e as për nji kafe. Flasim ma shumë në telefon, takohena rrallë, veç në ndonji festë familjare që Geri me len me shku. Edhe atëherë flasim pak e vetëm për me ditë si asht baba, vëllai e motrat e tjera. Vëllai me pat ardhë njiherë në shpi me më kërku borxh, por ia pata ba të qartë se lekët nuk janë të mijat, le t’ia kërkonte Gerit. Me atë rast em vëlla nuk më hyni ma në derë dhe unë s’kisha leje me shku ma te shpija e tij.

Berta nuk ma hapi telefonin. I çova nji mesazh të gjatë. Nuk m’u përgjigj. Ndoshta asht e zanë me punë. Atëherë i shkruva në whatsapp, për me e ditë nëse kishte me e marrë mesazhin. E pashë që e lexoi, por asnji përgjigje. I shkruva diçka të thjeshtë, ‘si je Bertë ?’ Pytje që kërkonte nji përgjigje, qoftë për mirënjohje ose për vitet që kishim kenë shoqe punet. Asgja.

Ndërkohë erdhi Geri.

-Nesër jam për Angli, kam me ndejtë nji javë. Andi po ban pazaret e javës, që t’i kesh tana në shpi, e nëse ke gja tjetër nevojë drejtoju vetëm atij e jo kujt tjetër.

Andi ishte dora e djathtë e Gerit, bante gjithçka për te dhe ai ishte i vetmi i besum i tij. Ma shumë besonte Andin se sa mu.

-Si ishte puna e Muhos ?

Ai m’u afru me sy kërcënus. Nuk e di se si më doli pytja prej gojet. Ishte hera e parë. Edhe unë u çudita me vedin se si ma nxori goja atë pytje. Geri më vuni njenën dorë në fyt, i cili u përfshi krejt në nji pëllambë.

-Si guxon? Ta marr shpirtin në vend po bane ma pytje të tilla, more vesht apo jo ? Ik m’u hiq sysh se po baj ndonji gja në ty.

S’kisha ba kurrë pytje kaq të vështira herët e tjera, prandaj reagimi i tij ishte i natyrshëm. E di që ka me m’u nxi lëkura e qafës, se shtërngimi ishte i fortë, po kush ka me më pa, s’dal kund. Po Geri kështu ishte, e lëshonin nervat shpejt, e sidomos kur ka punë shumë apo probleme me zgjidhë. Vite ma parë ma pat nxi synin me nji grusht vetëm se më kishte lexu nji mesazh telefonik, ku ftoja për drekë nji shok të tij me të shoqen, ata na kishin ftu dhe ishin sjellë mirë me mu. Ishte pasë dashtë me e pytë se ai s’ishte prej atij njeriut që fuste ‘kurva’ në shpi. Ai kishte harru që e kisha ftu me të shoqin, po nejse. Ata s’erdhën se kishin punë. Qysh se kam hy në këtë derë, veç punëtorëve të shpisë, ose ata që vinin me riparu, me ndreqë, me ndryshu, me shtu ndonji hapësinë, tjetër kend s’kam pa. Pastaj ishte edhe ajo shputa që me ra se isha tu pa lajmet ku po tregonin nji skenë se si ishte vra nji shok. Më pat hedhë prej divanit në tokë, kaq e fortë ishte. As televizori nuk i pëlqente Gerit edhe pse kishim katër në shpi, i ndeznim veç për ndeshje ose në orarin e telenovelave.

Nga darka Andi futi ushqimet e furnizimet nëpër vendet e tyne, ndërsa Geri i jepte udhëzimet e fundit. Unë në dhomën e gjumit, pa lëvizë prej shtratit, por e dëgjova tu i thanë Andit. ‘Shife mirë këtë bibën që kam në shpi, se më pyti sot për Muhon, nuk e di se çka e gjeti. I mjeri ti, po nuk e kontrollove’. Andi s’përgjigjej asnjiherë me fjalë, veç me tundje krytit. Ia imagjinoj atë kry të vogël e të hollë, që mezi dukej ne ndejsen e makinës kur më shoqnonte n’ato vende ku Geri me lente me shku. Edhe durt e tij ishin të imta, mezi i dukeshin në çantat që m’i mbante. Sytë s’ia kam pa asnjiherë, edhe pse asht shoferi jem, as në pasqyrë s’arrija me ia pa sytë. Gjithmonë m’i ka pasë shmangë e kanjiherë e ngacmoja dhe ai menjiherë i thoshte Gerit e ky i fundit më paralajmëronte me shputën e ngritun, por që për fat nuk pat arritë ndonjiherë deri te ftyra.

Gjatë asht nji javë pa Gerin në shpi, po pse e pyta për Muhon? Këtë e njeri e njihja veç si ftyrë, njiherë e kisha pa, e ma shumë e njihja shumë prej fjalëve të urrejtjes së Gerit. Por tani ai nuk ishte ma. Më duket sikur kisha kenë edhe unë me Gerin mbramë teksa ia numëroja plumbat, si herët e tjera, për raste të tjerë, për Muho të tjerë. Aty bashkë te dera e makinës, mbasi e kena ruejtë për disa orë te dalja e lokalit, ku ai ka kenë tu pi me grupin e vet. Geri e ai s’kishin në fakt miq. Kishin vartës, skllevër si Andi e si unë, që u thonim veç ‘urdhno’, ‘si urdhnon’. Kështu edhe pijen e ndejen e kishin me njerz si puna jonë, se përndryshe kush nuk i afrohej për miqësi. A thu edhe Muhoja ka lanë nji gru si puna jeme? A thu i ka qëllu me thanë për të shoqin ‘ishte me mu mbramë’.

A thu i dojnë gratë e tyne këta njerz, gra që sakrifikojnë aq shumë për ta? Unë e kam dashtë Gerin, ka kenë dashnia jeme e parë, ku me dashtë unë ma herët, por s’e di a më ka dashtë ai mu. A më ka dashtë ndonjiherë ? Tu ndejtë me te e kam marrë veshë se çka asht nji e qime, por dashni jo, s’e di se çka don me thanë. Apo kështu asht edhe jeta e të tjerave, si unë a jo si unë, që ma shumë njofin qimjen e jo të bamunit dashni. Pastaj sikur s’ka edhe shumë kuptim me ekzistu të dyja. Shyqyr që Geri s’ka roje për mendimet e mia se të m’i kishte ditë këta që thashë me vedi, sigurisht që kisha shku edhe unë njisoj si Muhoja. Edhe Katerinën kështu si unë e ka qi, tu e kërku ku të jetë nëpër shpi, e tu ia hapë kambët me zori dhe hyn e del, e del e hyn deri sa bjen shakull në shpindë, pasi ka derdhë tanë burrninë ndër tesha? Lubi bahet kur thith ate të bardhën prej hundet. Ma pat ofru edhe mu disa herë, por të paktën ate s’ma ka ba me zori me e marrë, me zori më ka ba gjanat e tjera. Këtu ka nji farë meritet.

Ka dy ditë që Geri s’asht në shpi e Andi sot erdhi me marrë plehnat e me i tretë. S’kam të drejtë me dalë as te koshi i plehnave, që em shoq ka pagu bashkinë me ia ba afër derës së shpisë. Ban nxehtë dhe shpija asht shumë e madhe me më fresku pak. Ndërroj kanalet e televizorit. Nga njena telenovelë në tjetrën. Dita asht e gjatë kështu. Mbaj telefonin në dorë, por asht nji mjet që për mu ka kenë përherë e ma shumë shurdh. S’kam shumë untë, nuk më shijojnë ushqimet që i sjell gati prej restorantit Andi. Geri ka restorantin ma të madh në qytet e ma të mirin në qytet. Aty han tanë paria, por edhe varfnia e qytetit, ka pjata për të tanë. Po s’ka veç ushqim për tanë qytetin, por ka punë për të tanë, në fakt ai asht qyteti, e qyteti s’jeton pa te, pa mu po, qyteti lulzohet e zhvillohet me te, unë nuk jam as për njenën e as për tjetrën, asht shumë i madh ky qytet për shpatullat e mia. Ushqimet janë prishë ndër pjata. Ashtu siç i bjen ashtu i fut në qese të plehnave e kryeulë i tretë te plehnat çdo dy ditë. E di që ai i raporton gjithçka Gerit me mesazhe. Di që unë marr shumë pak kohë në raportim se ai s’ka çka me i thanë. ‘Biba rrin urtë, nuk han, por rrin urtë’, duhet të jetë patjetër nji fjali e Andit.

Nana nuk i përgjigjet as mesazhit, ‘si jeni, ça keni ba, si asht baba?’ Dal në ballkon. Asht nxehtë dhe nuk freskohem asesi. Flej gjumë, e prapë në darkë, mbasi ik Andi si hije, dal në ballkon për me pa çka mund të shifet prej aty. Asht e shëmtume ajo që shoh. Shpija të ndërtume njena mbi tjetrën pa pikën e planit, pa dëshirë, por veç me ndërtu me pasë nji shpi mbi kry për vedi e për fmitë. Veç shpija e jonë asht ma e madhja e ma e bukura e tanë asaj katrahure. Më vjen ndër mend nji pytje. ‘Po Katerina a i ka pa njisoj si unë shpijat, njisoj si unë ka dalë këtu kur Geri udhëtonte për punë?’

Bashkë kena udhëtu shumë pak jashtë shtetit. Mu më ka pasë marrë kur i pagunte pushimet familjes së kryetarit të bashkisë, të dy gjyqtarëve, e prokurorit që e kishte shok. Jashtë shtetit asnjeni prej tyne s’e kishte problem me u shoqnu me Gerin, kurse këtu në vend e në qytet banin sikur nuk e njifnin. Kurse shefin e policisë e kishte ferrë në kambë, edhe pse parti kundërshtare merrnin pushtetin, lenin të njëjtin shef policiet, se ishte leva e vetme me e përdorë kundër Gerit. Në këto pushime më përdorte si gruja e nji burrit, ishim pra familje e rregullt. Ashtu në fakt i përdornin edhe të tjerët gratë e veta. Kaq, me kenë në rregull se janë të martum. Edhe Katerina duhet ta ketë lujtë këtë rol me Gerin duhej, ishte pjesë e detyrave të pashmangshme. Duhej të ishe edhe e lumtun, e veshun mirë dhe mos me llapë shumë. Zbardhja e dhambëve duhet të bahej me lezet e pa shumë tejkalim. E të tanë zyrtarë, politikanë kishin dashnore, nji, dy, tri, këtë e merrja vesh prej bisedave të gjata të Gerit. Kur këta njerëz me kravatë e pak shkollë, edhe Geri duhet t’i kishte, madje ma shumë, por a vinte në shpi në darkë, kaq më interesonte.

Më vjen nji ide me shku te kthina ku mbajmë veglat e bahçes, të cilat vetëm punëtori i përdor, as unë e as Geri s’i kena prekë ndonjiherë me dorë. Rojet e shpisë janë jashtë, nuk kanë se si më pa. Por nuk e di pse jam ulë, përgjigjet e pytjeve nuk gjenden asnjiherë në vende kaq të errta, por ndoshta në kohë të errta, po. S’e di pse më kalojnë tani këto mendime në kry. Jam rritë mos me mendu gjatë e në martesë gjithçka duhet me kenë ma e shkurtë se ma parë. Kërkoj te nji raft metalik. Dikur në shpi të babës kam punu me disa prej këtyne veglave, por nuk ua mbaj mend emnin edhe pse i kaloj në duer. Shof durt. Kanë kohë që janë zbutë. Zbardhë e zbutë. Te rrobaqepsia majat e gishtave ishin në përgjithësi të zeza, e thojtë gjithmonë të zinj, prandaj i prisja në rranjë për mos me u pa dëmtimi i randë. Bulat e gishtave ishin plot shenja shpimesh. Por tash gjithçka asht e bardhë, e butë dhe nji ngjyrë e ndeztë portokalli zbukuron thojtë e gjatë. Kam harru edhe si lahen enët, thashë me vedi. Ndërkohë kërkoja në kutitë e mjeshtrit, që i kishte rreshtu tanë merak çdo çikrrimë. S’ishte për mu ajo punë. E lashë kutinë ku e mora dhe hapa nji tjetër. Ishte pak ma rrëmujë. Por prapë, gozhda, thuma, ndonji vidë.

Ngjitem lart pa ndezë drita për mos me tërheqë vëmendjen e rojeve, që sillen përgjatë murit të shpisë. Ata i kishte gjetë aty qysh se jam martu. Geri kishte nevojë prej kohësh për mbrojtje, prandaj kishte roje dhe kamera siguriet ne çdo cep të murit rrethus. Kish qëllu me i pa ftyrat e rojeve, njisoj si të policëve, dalë me fitu bukën e gojës për fmitë. Buka e tyne nuk njef nëse puna që bajnë asht e mirë apo e keqe, thjeshtë e bajnë. A nuk jam edhe unë si ata ? Jo, jo, jo, ti e ke kërku këtë, bukën e kishe me thoj të preme deri në mish, por e kishe, fmi s’kishe e bukën po.

Jam e keqe me vedi. Ka disa kohë që jam e keqe me vedi. Ndoshta jam e sëmurë e nuk e di. Ndoshta kam temperaturë e s’e kuptoj. Apo po e kaloj masën? Po, po, masa, unë duhet me e ditë se sa shënon numri në metrin e masës që më takon me mendu, folë e kërku. Ah, e gjeta, më duket e gjeta, e gjeta prej cilës sëmundjes së randë vunte Katerina. Tu u ngjitë te dhoma e gjumit, më doli para syve ajo, si hije. Gjithçka m’u qartësu n’atë moment. Berta e ka pasë gabim kur më pat thanë që jam e trashë që nuk shof, që jam qorre. Jo, jo Bertë. S’jam qorre, ja po shof Katerinën. Asht vetëm. Ajo qan në ballkon e veç drita e telefonit e ndriçon. Asht e thyme në dysh, i dhemb patjetër diçka e madhe. Geri ka shku diku te punët e veta e asaj askush nuk i shkrun.

Paradite ka pasë rastin me thanë ‘kena kenë me Gerin tu hangër darkë në atë orë’, kur pikërisht n’atë orë po vdiste nji njeri për nja dy dyqane në qendër që ai njeri nuk pranonte me ia dhanë Gerit me çmimin që ia kishte ofru. E djalin Katerina e ka pasë njoftë, dikur kanë kenë në shkollë bashkë edhe Geri e di këtë fakt, prandaj nuk ka mëshirë për asnjenin. Me sa kuptoj djali s’ka kenë veç nji i lumtunum pas armës, por edhe pas nji vajzet me flokë të gjatë, e cila për hir të tij, kurrë nuk i shkurtoj apo i ndryshoj, ishte e vetmja shenjë dashniet që mund të përcillte prej larg. Kështu më duket mu Bertë, kështu e ndjej unë. S’di pse të drejtohem ty, sepse e di që s’ke me më dëgju, s’ke pikën e dëshirës, por të paktën po i jap të drejtë vedit, që sonte, pikërisht sonte nuk jam qorre. Katerina po formon nji numër, në vaj e sipër i thotë shefit të policisë, se dëshmia e saj kishte kenë e rreme, nuk kanë kenë me Gerin për darkë natën e vrasjes të djalit. 

Shefi nga ana tjetër i thotë që po nis nji ekip me i marrë dëshminë, por i ban të ditun se ka me u dënu për dëshmi të rreme, e ban fajtore se disi ka marrë pjesë në vrasjen e të riut. Katerina e mbyll telefonin. E kishte vra me dorën e vet, histori shkolllet, puthje të rinjsh të marrosun pas moshës, që mu s’më ka qëllu me i pasë. Isha shumë e lidhun me varfninë atëherë, si edhe ti Bertë. Ajo e ka marrë tashma vendimin e saj. Nuk i ban përshtypje që Geri hyn në shpi me hapa të shpejtë. Asht si i çmendun. Dikush nga komisariati e ka lajmëru se Katerina ka folë. Ajo nuk e ndjen se si ai e ngre peshë dhe e hedh nga ballkoni pa i thanë asnji fjalë. Shof poshtë ballkonit, Katerina ka mbetë të hekrat e murit të oborrit, gati asht nda përgjysë. Ndoshta s’e ka ndje hiq dhimbjen e dekës së ka pasë dekë ma parë. Geri shkon e ban dush. Katerina s’i ka peshu asnjiherë, s’u lodh tu e ngritë në ajri. E shof tek veshet e bahet gati me pritë dikë nga komisariati i policisë. Vjen vetë shefi. Geri ka shtru pikëllimin në ballë. 

Katerina vunte nga nji sëmundje e randë mendore edhe pse e kishte çue ndër mjekët ma të mirë, prapë s’kishte arritë me e shpëtu prej vedit. Nji hap, veç nji hap ishte larg. Ka me kenë tanë jetën i pendum për hapin e fundit, të kishte kenë ma i madh se të tjerët, kishte pasë mundësi me e kapë e me e shpëtu. Pastaj gratë e burrave disi e prej diçkajet vdesin. Apo jo Bertë? Shefi i kërkon prova. Po ai ka mort në shpi, nesër ka me ia dhanë tana provat që i duhen. Punëtorët merren me trupin e Katerinës, Tanë natën Andi shkrun e vulos diagnoza, receta, biles shkrun edhe letra që Katerina i ka pasë shkru shoqeve për me tregu se sa randë ishte. Gjendet gjithmonë dikush me e shpëtu atë, sepse ai e meriton, ai ia ka kriju vedit këtë luks, mu nuk më ka mbetë kush ma me më shpëtu. Gerin e zuni gjumi shpejt, ashtu edhe qytetin.

Ulem te divani i ballkonit. Hapi telefonin. Asgja. Kur s’jam kujtu me kohë për vedi, tash asht vonë me u kujtu kush për mu.





Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde