Xhabir Tabaku: Nën hije blini në mbramje vonë ke me më gjet'




Pritja!

Nën hijen e nji blini
Në pjacë mbi biçiklet’
Tue t’prit fillonte dita
Në mbramje vonë m’ke gjet’

E prap e prap unë shkreta
Nji cak aty e gjeta
Vrik-vrik kalonte dita
Përditë aty të prita

Aty tue t’prit nën hije
Kur vije e kur s’vije.




Bashkë

Ishte natë, gjithandej heshtje
Ftohtë, ngricë e fjalë memece.
Ngushtë, shkurt-pa frymë, pa puls.
A marrim arratinë?

Të kam njoftë në botën tjetër..

Të kujtohet?
Në nji vend të largët,
Në jetën para kësaj-atë të keqen.
Përbri një liqeni të ngrirë
Ku pulbardhat nxinin urije, e ti shkriheshe në mua si brymë.

Të kujtohet?
Kur unë t'mbuloja me puthje e s’thonim asnji fjalë,
Kur gjaku rridhte i ngrirë-rubin, unë pa frymë
E ti shkrije pshtymen për nji puthje më tepër...

Të kujtohet?
Si vdisnim ti e unë ngadalë e me dëshirë,
Se e dinim që do lindnim edhe nji herë,
Që do lindnim bashkë-Dashnorë binjakë!

Shih!  Kemi lindë saora, dhe po vdesim prap.
Absurd dy herë? A sall nuk kemi lindë kurr!
Por vdiqëm bukur veç! Bashkë.



Ti

Më pëlqen kur qesh si fëmijë,
kur flet me za të naltë
e kërcen si fluturat prej gëzimit.
Edhe kur je pa fjalë më pëlqen
dhe vetullat i vran' mbi sy,
lotët kur të rrëshqasin faqeve
e me gjuhë i pret tu lëpish njelmin.
Më pëlqen kur më sheh drejt n'sy
dhe s'të kuptoj... por të puthi zjerm.



Largimi

N’agim u largua gruaja me çantën e kuqe në krah
Parfumin që la mbas psherëtiu
E iku me çap.

Nji pikë lot rrodhi në heshtje,
Diçka u zbraz,
Burri mori frymë thellë e ktheu shpinën!

Agsholi i ditës mbas,
Nuk i zhbën britmat epshore.
Ato janë arkivuar tashmë, dhomash të kuqe hoteleve!



Pa kthim...

Terri e ka mbuluar natën e zezë
Heshtja jep shpirt, jeta sosë.
Sorra, n’hatullat e nji çatie skuakë
Këngë dashnorësh të brishtë.

Gruaja me çantë të kuqe
Shkon haremeve të vendlindjes, me shpresë.
Rozafa vazhdon të mëkojë langun e bardhë
Që derdhet gjinjsh harbuar rinije s’dyti.

Dy vdekje njëheri e heshtojnë qytetin tonë
Në njerën anë kortezhi e m’tjetren melankolia,
Një melodi hareje venitet...
Dy vdekje ranë n'një ditë!



Varrë... 

I mblodha të gjitha letrat,
Ca të lagura lotësh të thatë
Të zhubërta do tjera, të kahera
E aromë zemre të dlirë.

I mblodha retë; e ua ngarkova përsipër,
Gjithë letrat me mall shkruar
Diku larg t'i lëshonin mbi det,
Mbi një anije të mbytur rishtaz.

Por era i shpërndau dhunshëm diku,
Mbi male të nji gadishulli të nëmur
Ku këmbë njeriu nuk shklet kah mot.

Një zë pendimi pëshpërit lehtë,
Lil, është lulja me aromën më të bukur se ngjyrat
Lulja që shetit bletë më bletë.



Ftohtë!

Ftohtë në vendin tim.
Njerëz të varfër përshëndesin
Njëri-tjetrin, me buzëqeshjen fallso.
Koha i tretë ngadalë e mplaken,
Pa qenë kurrë të rinj.
Një imazh,
Në heshtje ua kujton lajthitjen.
Telkina në Stom, e kumbona e Rrmajt,
Vajtojnë jetët e pajetuara...
Dallëndyshat s'kthejnë ma.
Asht ftohtë!



Terr!

Kur bie nata,
Nxihet gjithçka, bahet terr...
Terr asht fjalë e trishtë.
Ta merr frymen, ta than’ gojen
Të dridh gjujtë, ta humb barazpeshën
Ta përzien barkun, t’merr mendjen
Barnat s’të bajn derman!
Ndjehe i huaj, i vetëm.
Terri të mbyt në gjum.
Asht i zi.



Heshtje!

Un nuk ika prej teje,
nuk ta ktheva shpinën,
as nuk të braktisa…
Më shtyu jeta… dhe ti e dije.
...
As ti nuk ike prej meje,
nuk ma ktheve shpinën,
as nuk më braktise…
Të shtyu vdekja… dhe e di.
...
Por dashntunia jonë e heshtun nuk iku,
as nuk vdiq.
Atë do e ruajmë në Minor, përherë…
A e ndigjon gjamën time në heshtje?
A të vjen fryma ime e ngrohtë atje nën tokë?
Po lotët e mi të zi, netëve? Njelm i hidh't!
E lutjet? Mos fol!
Unë ta kuptoj heshtjen, përherë e kam kuptuar.
Shpirt!


Vetmitar!

Largohu! Pamendje-imagjinare
Shporru! Deri në pambarim
Ik-dil nga shpirti!
Më len vetëm!

Oh, ndrrova mendje. Më puth!
Harbou! Veç, mendërisht
Hije kurba-kurba, joshjesh.
A mendon se ka fund?

Oh jo!
Nuk e din natyrën t’ime. Un s’kam le’
Imazh-absurd, por jam... që përthehem në hije harqesh
Kot kërkon të më përkëdhelësh a ledhatosh.

Trajtë imagjinare-dashnore unike
Lëpij n’epsh lagështinen tande të njelmët-jerm
Veç ti e un... Larg njeri-tjetrit, brenda njeri-tjetrit
Pjesë të së vetmes orbitë racionale-Amshim!
Vetmitar, jetoj jetën e palindur.
...Stacioni i fundit nuk ekziston....



Dërrasa e zezë

Kam me e varë në mur. Te garazhi, n'at' murin me suva të rrjepun. Në murin plot lageshtinë e mbushë n’bira që vrrasin prej të ftohtit. Kam me e gozhdue në katër vende, me katër gozhda në të katër qoshet. S’due me ma lujtë kush. S’due me ma prekë kush. Ashtu e terun, e zbehtë, por prap e zezë, ka me ndejë aty e varun dhe e gozhdueme paq. Kam me mbledhë njimijë shkumësa, fshirëse dërraset dhe shkruej-fshij e shkruej-fshij deri t’bi copë… Kam me i shkrue të tana të zezat n’at' drrasë. Tana ligësitë kam me i vue me shkrim. Kam me i nxi edhe ma shumë se kam me i shkrue me shkumës të zi mbi dërrase të zezë. A merr vesht tash sa i zi jam? Kam me shkrue prej në të majtë në të djathtë e kam me shkrue nga e djathta në të majtë, ashtu mbarë e mbrapsht. Hebraisht a Arabisht. Ti e din se vij prej nji planetit tjetër e? Herë me të majtën kam me shkrue e herë me të djathtën e kur të më bijnë krahët në tokë kam me vazhdue me shkrue me mend. Kam me u ulë në nji bankë shkolle që e pata ble të vjetersinat. Mu perballë drrasës së zezë kam me u ulë. E pa u ndalë, kam me shkrue me mend. Kur ka me m'u lodhë mendja prapë kam me vazhdue me shkrue. Tashma pa mend. Pa mend, kam me shkrue poezi që kurrë s’kam ditë me i shkrue ma parë. Kam me shkrue, si di e si s’di. Për vedi e për ty.
Po po, për ty. Për ty biles ma shumë, kam me shkrue dhe gjatë e gjatë... Kam me shkrue për krejt jetën tande që s’ta di. Kam me të pëshkrue ma mirë se ti vedin, e ke me u çuditë se sa mirë të njof, unë, që s’di kurrrgja rreth teje. E kur të më lodhet “pamendja”, kam me u ulë te pragu i derës. Kam me të pritë e me të pritë e me të pritë… Kur të vish, pa të përshendetë, kam me të thanë se të urrej me shpirt … E ti, ti ke me qeshe si e marrë, ke me qeshë me lot e ke me kërcye përpjetë si vajzë e vogël… Unë kam me ba çudë n’ty e kam me kujtue se ke luejtë... Por ti, ti ke me vue duert në krye në ledhati e ke me thanë me za t'ambël e sy të ndritshëm, tue përshpëritë: "-Marroq! Kur the se m’urren me shpirt, të pat folë “pamendja”. Mandej të dy, me mend e pa mend, kena me ia hjekë krejt gozhdat dërrasës së zezë, me e shtrue përtokë dhe me e zhgarravitë pa ia nda. Me e zhgarravitë fort. Pa kriter…




Xhabir Tabaku ka lé në Shkoder, më 1973. Asht largue nga aty për t'u vendosë në Tiranë në moshën 16 vjeç. Në vitin 1994 len vendin e mbas dy-tri vjetëve nepër Europën Lindore, vendoset në Britaninë e Madhe. Atje fillon studimet për gazetari politike në Wales për t'i përfunduar në Sh.B.A. Aktualisht banon në Londër dhe kontribuon për nji agjensi lajmesh që mbulon seksionin e Azisë.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde