Gilmana Bushati: Po vij me të thanë, ich liebe dich mor zotni këpucar




***

‘në luftë trup më trup
mos mendo teknikën a armën që ke me përdorë
blloko tjetrin e ashtu mundesh edhe me e mbytë
veç kështu betejat ke me i fitue’
por mbramë zotni trajner
ai trupmadh me duer punëtori
të forta gur, lodhë prej të nxehtit
punue në diell katëdhjetë nën hije
s’kish pasë kohë as me hangër drekë
kafja ish ftofë në termus
e kish marrë rrëshqanën kutinë e veglave
dy orë rrugë, trafik shumë n’A31
as za s’kish pasë me këndue kangët e radio Lorraine
e m’u shtri në kanape dukej i dorëzuem
nuk hangri asgja, s’kërkoi as me pa ndeshje
pak ujë prej ngrimjes e piu me nji frymë
e më tha m’len zemër me fjetë
nuk mendova asgja, as teknikë as armë
as se ku dreqin e ruejmë fuqinë na gratë
po e bllokova, shtërngova fort
trup më trup, na të dy
ai krejt lëshue unë me duer në fyt
asgja s’thamë, dy herë i pulitëm sytë
dhe i mbytëm tana luftnat tueja me dashni.



***

po më kërcet xhami
kuku nana ka me e dëgjue
ka më u çue vrap e ka me m'i mbyllë kanatet
ka me më ruejtë, ka me të ruejtë
mos i harxho guralecët e rrugicës more djalë
prit, prit sa të flejnë em amë
se kam me dalë, për sytë e ballit kam me të dalë
ah po fishkëllen
kuku baba ka me të dëgjue
ai i din tana meloditë që janë këndue nën hije hane
ka me u çue vrap e ka me të vra
ka me më mbyllë atje ku ka veç hije
mos harxho frymë rueje për mue more djalë
prit, prit, sa të flejnë em atë
se kam me të dashtë, për sytë e ballit kam me të dashtë
tash po ngjitesh në mur
kuku lagja ka me të pà
ata e dijnë se vetëm tue u ngjitë shifet drita
e kanë me u çue vrap e kanë më të thirrë me emën
e nesër me sabah nën shami kanë me më ba me u skuqë
kur të dal në pazar me të shpisë
prit, prit sa të flejnë të tanë
se kam me ardhë, për sytë e ballit kam me të ardhë.
eja si andrra, andrra në beze
a nuk i deshtën dashnitë pa i prekë petale e drandofil
histori e vjetër, histori që përsëritet
e unë të due kështu, tue të lexue këto vargje në sy.
 


***

nuk di me të thanë
kur udhëtimet kanë me mbarue
rrugët paskan kenë ma të gjata se më patën tregue
rruga para shpisë ishte fillimi i botës
rruga deri te oborri i kojshisë ishte nji botë e pafund
me pemë, me jargavana, pyll me u harrue
nusekakashare, pelivesa, zogj na patën këndue
rruga deri te loja me top ishte lumtuni
rruga deri në shkollë, me len edhe pak nanë me fjetë
më paskan rrejtë, shumë paskam pasë qejf me u rrejtë
që bota ka veç emnin fmi
por kjo bota jeme asht rritë, bà për krahë
e kërkoj në hartë rrugën për te nji kangë, te nji rreze, te tingujt e krahëve të fluturës, te trishtimi i fizarmonikës
gjatë shumë gjatë, 
e shof orën, kam edhe pak kohë
po më duhet me i marrë
me makinë, e nëse ajo dikur ka me më braktisë
se veç hekra e kauçuk në trup
s'kanë me ditë me më lanë
ky hap e ky vrap
e kam me mbrri
te secila
kam me ia mbrri 
nji ditë.


***

mbramë më ke folë, n'andërr më ke folë
fjalët ishin t'ambla
pa cikë kambë në tokë, për mos më çue
e para se me ikë pyete 'kur po vjen ajo kohë që na me u dashtë'
po unë shpirt përditë due
përditë jam e dashunueme
qysh kur lind dielli, kur në ballkon ai më qesh
kur gjithandej nga shkoj po ai më ndjek
e kur pushon atje mbi çatia, njisoj si ato i kuq, prush
nuk harron rreze me më lanë, pasha këtë hanë
a mundesh ti ma shumë se kaq me më dashtë
mos më pyet pra se kur i vjen koha dashnisë për me na dashtë
më duej pra kështu si jam
e mos u mërzit kur ndonjiherë kam me të thanë
'për nji fushë me lule kuqe isha tue mbarue'
apo 'veshi andrrat se sonte në Shkodër kanë qejf me shkue'
se kështu më ka lindë nana mue
pak e vogël e shumë e marrë.



Mos m'i thoni gja Marijes

kjo e dielë
ky diell
kjo venë
asgja ma shumë s'më kujtojnë veç nji oborr
freskinë ka pasë kenë, freskinë duhet me kenë
e shumë kangë Luçie, kangë dashnie pa prà
dashni tregue në vesh prej frikës së babës
prej frikës së dashnia ka me harrue me ardhë
prej frikës së kojshisë, prej frikës së frika me vedi ka me më marrë
e kam ulë zanin e radios e të ndjej, violina qan
instrumenstristat që i bijnë veglave tanë vajë
e unë nën hije të manit po due me i shtrue flokët në bishtaleca
por ah s'më rrijnë për ballë
i kam lëshue në shpindë si valë e shoqet po më shajnë
e shoqet po më qeshin, e nana po më thotë nesër mos me shkue në shkollë
nji shami, nji shall, flokët për ajër të vajzës janë marre.
ah moj Luçie thueji nji fjalë perëndisë tande
të ma bajnë nji vend për dashni e për mend
se ta dish, ta dish, s'kam me ardhë aty ku je
kam ndejtë e kam mbetë ashtu si me ke lanë
shkodrane dreqin, që këndon për derë të shpisë
aty ku i kanë çilë nadjet e mbramjet
e gjithmonë ka me u kthye
pa asgja
zdathtë
zdathtë.

  
***

n'at' anë Drini ndër shelgje, me vallen e tyne në sy
pushon e nuk rrjedh, e pret
jo zallin, mozaikun e vet të lashtë
as që ndokush me ia shkrue histrorinë deri në fund hijes së urës që i rri mbi krye
as pshërëtimën e peshkatarit nadjeve me brymë
as gishtat e njerzve që tue ecë natën e bajnë me shenja hanën
pret, atë, dashnoren e tij të vjetër, asnjiherë prekë, asnjiherë puthë
pret kur t'i vijnë dita me u zhdeshë, ah moj Verë, atje në breg ai don me dekë
e hov në kambë kur petalet shtrohen mbi gurë
e merr rrezen e diellit me vedi kur shef gazin në buzën tande
i lidh ditët e ban muej për me të pà deri në shtator
e qan për atë gjoks që mbushet me ma të dashtunën frymë
s'ka mundësi me kenë njeri e me të dashtë
se s'kishte me të lanë as peshën e shiut në shpinë
dhe shtrohet ai Drin, e bahet i ambël, e bahet i urtë, ngjyra e fundit i duket
grue, moj grue, që ia besove krahët e tu atij
grue, ah s'arrij me kenë atje si ti
dueje at' lum, ka mbetë vet' vetëm, pa pak liri
jepi zemrën ta mbysin me dashni edhe at' Adriatik.

  
***

del sonte në dritare
jo mos ki frikë s'jam aty jashtë
jam diku, po jo aty te ti
të mendoj ma shumë se me kenë në sallon a kuzhinë.
merr sonte telefonin
jo nuk jam tue formue numrin tand
po jam diku, nji nga njerzit që ke në listë
e të due ma shumë se kur më flet në telefon.
pije sonte gotën
s'jam në fundin e saj, kam fundin tem
nata don edhe pak minuta kunorën e vet me mbarue
e të shijoj ma shumë se me kenë këtu me mue
s'ka gja, merr rrugën vetëm
s'ke me më pa n'asnji cep të saj
por s'di me të lanë, s'kam mësue me lanë
ashtu lodhë e palodhë, me nji milionë pyetje për atë shtrtigë lumtuni
zemër hajde të ecim me mend sonte bashkë
nesër, nesër dashninë duhet dikujt me ia tregue, mos u ban fmi.


***

më len me t'pushue n'aromë
aty në qafë, mbas veshit, pa të zbritë në shpatull
më len sa të ngihem, t'i mbylli sytë
s'ke me më kuptue që jam aty, se jam ba pupël
rri pezull, s'kam as fjalë më të thanë s'kam as prekje me të dhanë
më len, edhe pak, këtu ku jam veç nadja din me zbardhë
pastaj ik, me vrap a jo, ti e din
merri me vedi ditët tueja të javës
sportin, koncertet ku don me shkue
mos harro biçikletën që e ke nën ahër
ndërresat merri e laji vetë
hekurosi si të duesh, lyeju me nji nga parfumet që i ndërron shpesh
mue due me më lanë vetëm n'atë skenë
askush tjetër, as spektator, as regjisor as shitësi i farave në koridor
tash kam mësue me i shkrue dramat, komeditë
herë keq e herë mirë di me i shkrue edhe dashnitë
me atë aromë aty i nisi tana fjalitë
askush s'ka me e kuptue, e ti s'ke si me e ditë
se jam vetë aktore, e po vetë vedin due me duartrokikë
mjerë kush nuk u ngjit deri këtu me i kuptue perënditë.


***

ah mor zotni këpucar
kam ardhë me porositë nji palë këpucë
'je vonë moj zojë'
bani të thjeshta krejt, igilit a lëkurë
nëse ke shollë mirë do kish kenë
'prapë je vonë moj zojë'
pashë njat diell që po ulet në Bunë
s'ka randësi numri as ngjyra, por të jenë të forta shumë
'me ty po flas moj zojë je vonë'
t'lutem më duhen njata këpucë
hiq mos i qendis, hiq mos i zbukuro
lidhca spagë u kam ble
më duhen sonte, po bash sonte
në kambë me më çue, në kambë me më mbajtë
veç njata sy kambët mos me m'i këputë se tash kam harrue ku kisha në mend me shkue
t'lutem zotni këpucar, sonte të kam vlla
'ah, më vjen keq moj zojë që ke ardhë këtu për nji palë sy
na në Shkodër këto kambë si tuejat i lamë zdathtë
le ta gjejnë rrugën për në shpi tue u dashunue'.



***

Ti je shtri atje në shezllong
i knaqun me at' copë dielliit që të bjen
prej larg dukesh krejt i sigurtë
i fortë, dreqin, gjoksin tand duket se asgja nuk e shpon
gur, i mbërthyem në rehatinë tande ku gjithçka ke llogaritë
të kanë dalë tana parashikimet, nuhatjet, ndjeshmënitë
je i bindun se pikërisht për këtë edhe të kanë lindë
pjesa tjetër që rreth teje jeton asht veç plotësim i jot
asgja s'asht e pa plotë pa formën e hijes tande...
e unë qeshi, në buzëqeshjen teme ka shumë limon
limon jeshil që s'i ka ardhë ende koha me u këputë
se dhimba për ty më ban të idhët, jeshil më ban
ti e ke e humbë pranverën tande zemër
e ke humbë e s'ke me e gjetë sado të jesh i fortë
të ka ikë nga rendi ajo stinë
petalet e morën me vedi
e fluturoi mbramë me erën e lehtë
që kujtove se kishte ardhë me të freskue
iku me lehtësinë e hapave të nji grueje
veshi fustanin e parë gjetë mbas derën së dhomës së gjumit
ashtu e bukur, me flokë hedhë në nji krah
kishte vesë, plot, nji dorë, shumë liqene janë në at' dorë
por mbretneshë, dallëndyshe
me pranverën ti ke humbë edhe zogjtë që ajo t'i sillte nadjeve bashkë me kafen
zemër, sado që t'jesh i qetë
sado që mburresh për muskujt, sado që të bindesh vedin se je nga ajo raca e vjetër
prapë ti s'mundesh me i thanë ma asaj 'eja për vit e më lulëzo'
se ajo sonte ndër andrra t'veta po pushon
e aty s'ke vend as ti as ai shezllong.


***

sonte jam në Shkodër
sonte jam Shkodër
sonte due me kenë ai qytet
pasha qiell e tokë atij askund s'i dhemb
veç tue pi venë e tue këndue tanë jetën ka ditë me e mbytë andrrën e vet.
  

***

sonte katër duer m'i banen flokët gërshet
flokë nevrike nuk dinë me ndejtë lidhë
e unë qeshi me ta, qeshi se mërziten, mërziten me mue
e ulem e i tregoj për nji gërshet të fortë që e mbante dikur nji grue e dobët
ajo grueja më merrte afër sa herë krehej
e shifsha se si i mbyllte sytë dhe ambëlcinë e linte të lirë nëpër ftyrë
kushedi se ku shëtiste,
por e dija që s'ishte me mue, s'ishte në shpi
edhe pse krahni i saj bante 'fësh-fësh' aty ngjitë
kur e preu gërshetin, e i mbetën vetëm nji grusht flokësh
nuk më merrte ma afër, por ishte me mue, ishte në shpi
nuk fluturonte askërkund, ishte me kambë në tokë
kur kujdesej për flokët mundej me ba shumë punë në nji kohë
atëherë s'e kam kuptue çka donte më me msue
por tash e di, këtu me ju
e di se ajo s'më donte me flokë të shkurtë rrafsh për krye
me donte me flokë të gjatë e tue u kujdesë për 'to me fluturue
e me zbritë aty ku don andrra me m'çue
po andrra kam shumë e s'e di ke me dëgjue
por sa e lumtun duket ajo që më ka ulë ndër këto katër duer.


***

më pyet çfarë lulesh më mbijnë në ballkon
e të tham kam gur, gur plot
në vazo, ruejtë, secili e ka pasë vendin e vet
por i kam marrë, ndër xhepa a çanta
i kam heqë nga brigjet e Normandisë
Bretagnës, Atlantikut, La Manche, maleve të Austrisë
vajzat kanë gërmue e marrë pak Zadar
Dubrovnik, Ulqin, nji grusht e kam vjedhë nga muzeu i Kafkës
shumë Pragë edhe pak Rhin
ti më pyet 'et les cailloux d'Albanie sont ou?'
po prej Shqipniet gur ma të mirë se nji gru s'ke me njoftë
merrmë në grusht, kam të njëjtën aromë
shiu, herë àsht i thamë për ujë
rrjedhat e tyne më kanë skulpturue
ma dhanën edhe pak gusht me vedi, zjerm n'vedi
ah bébé, ti s'e kupton dot gjuhën e nji gur-grue të huej 
por shpirti i këtij guri këtu në gjuhën tande të thotë përditë 'të due'
por asnjiherë s'ke për ta dëgjue
asnjiherë
na edhe kalatë i ndërtojmë tue heshtue.

  
***

ti më thue që bletët të kanë braktisë
bash në asnji lule nuk janë tue shëtitë
kanë marrë çka kishin ndër hoje
veshën mirë e mirë fmitë dhe kanë ikë
në nji çantë futën edhe të tynen stinë
sot në qytet as era nuk fryen ma si ma parë
e ka ulë zanin, as nuk pëshpëritë
u len njerzve heshtjen me dëgjue diku krahë tue rrahë
bletë me ambëlsue petale e nadje apo zhegun e freskët maleve
por ti prapë më thue 'jo jo, kanë ikë, ktë vit nuk vijnë ma'
liqen, lum e gaz e kena heshtë me dëgjue, por bletët s'janë kërkund.
mos u mërzit, nuk ju kanë braktisë
bletët mrekullohen kur lulet tueja ujiten prej duer nanash
janë këndej nga ne, veç nji stinë, jena lule si ju, na mungon veç kërcelli ngulë në tokën atje
kena nevojë për pak atdhe ardhë në zemra bletësh
po na ambëlsojnë pak, ato e dinë çka don me thanë emigrim
po i lanë nja dy hoje plot 
e kanë me u kthye, gazin tonë të ndrydhun ndër lule oborresh me e lëshue
rueji veç gishtat mos të pickojnë,
e kena të idhët fort na vetminë.


***

a e din se s'kam ditë me mungue kaq gjatë në shpi
shkoi shumë sahati, u ba vonë, s'din me ra asnji zile për me i dhanë fund mungesës
por vazhdoj me dëgjue zanin e nanës 'futu brendë, boll ke luejtë për sot
u err maj nanë, futu brendë'
e i përgjigjem, 
jam atje te kumbulla stambolle
e jam vetëm me shoqe
por më del nji za, s'asht i fmisë që kam njoftë
po e di që asht i jemi
'prit edhe pak, jam tue luejtë at' lojën e re
vetë m'i ke qepë fustanet
vetë i ke tregue andrrat
tash më len edhe pak
po luejmë nanash
fmitë i kena ende të vegjël duhet me rehatue me i vue me fjetë
s'e di sonte a dojnë me u lexue nji përrallë
a me i thanë nesër dielli i bukur si ju ka me dalë?
s'e di unë, jam ende fmi
hajt ma thuej ti'.


Tango

asht vonë, po na jena aty te stacioni i autobusit
shkëmbejmë vështrimin e të huejve që dona me i ndejtë larg
por sekondi e mbyt zakonin e lashtë e shpejt i hedhim sy tabelës
edhe dhjetë minuta, ky asht i fundit
i fundit? dhjetë minuta? po na kena kohë
bà me u pa në sy, kena ma shumë se nji kohë
kena dy, njizet, nji jetë nëse
nëse dona...e gjithçka fillon me nji shpejtësi si kjo
kur e kuptojmë që koha na jep vendin e vet
i lamë qerpiktë me u dridhë e sytë me folë
deri sa edhe heshtja shurdhohet me atë zhurmë
i lamë vend buzëve me u dridhë
s'ka bluzë as mot i ftoftë që na i mban zemrat ndrydhë
se plasin, dalin prej gjokseve n'at stacion ndriçue zbehtë me neon
jena harrue, minutat na marrin me të mirë, ngadalë, sekondat ma pritueshëm
nesër duhet me dhanë diku llogari që u vonue aq shumë ai udhëtim
i fundit pra, ai kur dy të huej gjetën vend me u dashtë
unë të tham emnin në vesh
ti më shkruen në shpatull numrin tand të telefonit
heqim letrën e tabelës me oraret e udhëtimeve
e ndërtojmë nji balonë
mund' me fluturue
e nëse ndonjiherë s'mundena, se jena njerëz me shumë punë
i lamë vend dëshirës
i japim krahë andrrave
kaq të huej sa jena, lumturia e kësaj nate e don edhe nji tango.


Tango

Es ist spät, aber wir sind an einer Bushaltestelle.
Erhaschen typische Blicke Fremder, die es zu meiden gilt.
Jedoch, erlischt der altertümliche Brauch durch den Augenblick.
Und schnell widmen wir uns der Anzeigentafel.
“Noch zehn Minuten. Es ist der letzte Bus.”
Der letzte? Zehn Minuten? Aber wir haben Zeit!
Sollten wir uns in die Augen schauen, haben wir
mehr als eine Zeit. Wir haben zwei Zeiten, zwanzig, ein Leben, nur falls,
falls wir wollen...und alles beginnt mit einer solchen Geschwindigkeit
wenn wir erahnen dass Zeit, uns ihren Platz bietet.
So lassen wir die Wimpern spielen und die Augen sprechen,
bis das Schweigen erstirbt durch dieses Donnern.
Den Lippen geben wir Raum zu erzittern.
Keine Bekleidung und kein Wetter es vermag, unsere Herzen in ihren Schranken zu weisen,
denn, sie explodieren, verlassen die Brust in dieser jämmerlichbeleuchteten Haltestelle.
Wir sind selbstvergessen. Die Minuten liebkosen uns, die Sekunden sind müssiger.
Morgen werden wir zu rechenschaft gezogen, da diese Reise viel zu lang zu dauern wagte.
Der letzte Bus halt! – wo zwei sich fremde Menschen, Raum fanden sich zu lieben.
Ich flüstere dir meinen Namen ins Ohr,
auf mein Schulterblatt notierst du deine Telefonnummer.
Dann entfernen wir den papiernen Reiseplan,
bauen damit einen Drachen.
Es könnte fliegen!
Und, falls wir mal nicht können, denn, wir sind ja Menschen, sehr beschäftigt...
geben wir dem Wunsch Raum,
und den Träumen Flügel!
So fremd wie wir uns sind,
verlangt das unnachamliche Glück dieser Nacht
nach einem Tango.
Übersetzt von Arlinda Brühl
Frühling 2017



***

e pashë në sy andrrën
u zgjova, dhe ajo s'lëvizte
ishte aty si aromë lulesh që s'i kam njoftë
si gjuhë që nuk flet
por pëshpërin e lëshon andje, avull, zjerm
si ré, mbështjellë mos më mërdhitë,
më kishte marrë batanijen ngjyrë krem
ajër me të përshkue tue kujtue se s'duhet as me frymë me e lëndue
ishte tana çka nuk preken ajo, andërr
herë si shtrigë, e prapë si shtrigë, s'u ba asiherë zanë
nuk më la me i thanë nji fjalë, fjala asht e madhe në këto raste
pa za, nuk e di ku ma kishte lanë atë za që m'u trash rrugash
me qeshi, ambël krejt, ajo ambëlsinë që del prej petaleve të para në pranverë
nuk këndoi asnji kangë, se krejt pa dashtë, pa e prekë
u mbusha me tinguj kangësh që kanë me u këndue dikur
kangë pa asnii fjalë, veç me dridhje trupi, deri në fijen ma të vogël të flokëve
edhe unë kam shumë, po shumë, jo trup, por flokë e heshtje pa fund
u ba si zemër, ndeztë, tue u djegë, e aty nuk ishte veç e jotja
ishin plot zemra, të mdhaja, s'kam shkel mal ma të madh se ato
as oqeani s'asht aq i gjanë
u ngrit, për me ikë, se andrrat nuk rrinë asnjiherë për drekë
veshi fustanin tem, dikush ma pat falë
këpucët e mia që i ruej mbyllë në raft bashkë me ditët e festave
përdori pasqyrën e dhomës për me pa se si ishin tue i çelë lulet e qershisë
u tall me mue, u tall me dhimbën teme që s'di me i ngja
e shkurt, aq sa zgjasin dreqin andrrat
tha 'banu e bukur si unë, shifena prapë në darkë'.



Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde