Irena Shabani: Ne mund të kemi qënë në shekuj të shtypur, por kurrë nuk kemi qënë jo shqiptarë




...për fat në genet tona 
ka një fuqi të madhe 
për të mos i ikur vetvetes. 
Nëse nuk jemi zhbërë, 
me siguri kjo vjen sepse 
ia kemi ditur vlerën asaj 
që ishim dhe jemi.


Duket se njeriu, si qënie, qenka në krizë në shumë shoqni dhe se paska nevojë për ndihmë ‘për me dalë nga kriza njeriu duhet me u rritë, na duhet me shpëtue vedin pikëspari, thotë Peter Sloterdijk, nji filozof gjerman…si asht kjo kriza ndër ne, çfarë pasojash ka me pasë për ma vonë ?

Fatkeqësisht këtë lloj krize nuk e shoh aspak të re në radhët tona, është një krizë e trashëguar, por që hendeku i formuar prej saj është thelluar më shumë në kohët që po jetojmë. Për këtë janë të lidhur disa faktorë, së pari është trashëgimnia jonë, ne vijmë nga një e shkuar që na ka përçudnuar si njerëz. 

Një Shqipëri e varfër në të gjitha kohët dhe në shumicën e rasteve e paarsimuar, si të mos mjaftonte kjo ajo në vitet -40-të kaloi në një sistem socialist ku procesi i “krijmit” të njeriut nuk ishte një shtytje jona e brendëshme. Ishte e stisur dhe e komanduar. Gjithë ata që u bënë “të duhurit” në atë periudhë, dolën pas viteve ’90-të si të thuash lakuriq. 

Sistemi i tyre i vlerave nuk kishte asnjë shenjë barazie me sistemin që ofron një botë normale e qytetëruar. Fatkeqësisht janë disa breza që mbrujtën njëri-tjetrin dhe si të thuash krijuan këtë lloj mish-mashi që ne jemi sot. U la gjithashtu pas dore arsimimi i të rinjve dhe sidomos edukimi i tyre. 

Mendoj që jemi një popull krejtësisht i paedukuar me normat qytetare. Nëse na përflasin pozitivisht për bujarinë tonë, kjo nuk është fort meritë e jona, por e njeriut primitiv që ruajmë brenda vetes. Kam vënë re që në rrethana të caktuara i njëjti njeri bujar, mund të jetë një kapitalist i pamëshirshëm. 

A mund të dalim nga kriza? Mendoj se po, por do të na duhen edhe shumë dekada të tjera. Ne kemi një shembull të shëmtuar politikanësh në parlament, të paarsimuar dhe të pakulturuar. Ata janë pasqyra e popullit tonë. Ne me shumicë vote i kemi zgjedhur të na përfaqësojnë. 

Duhet t'i kthehemi arsimit, fillimisht duhet të gjejmë mësuesit e vërtetë, jo ata që emërohen si të tillë për shkak të flamurit politik që mbajnë në duar. Ne si komb na shoqëron një mënyrë tragjike e mënyrës sesi shikojmë jetën, thua sikur nuk jemi të vetëdijshmëm për kohën e shkurtër që na është dhënë për ta gëzuar atë. 

Pasojat e mëvonshme të kësaj krize, janë po njësoj me ato që po kalojmë sot dhe po njësoj me ato që kemi kaluar dje. Do të mbetemi një popull në tentativë për t'u quajtur të tillë dhe të shoqëruar nën zë me përbuzjen e kastave europiane, të cilat gjithmonë i ka argëtuar një majmun në kafaz.

A mos kjo ‘krizë njeriu’ na ka ndjekë në shumë periudha të historisë dhe s’na ka lanë kohë me pasë mundësi me formue mendimin ?

Ju pergjigja me sipër pyetjes pa e pasur në mend, por mund të shtoj se “kriza” jonë si njerëz nuk i përngjan krizës së disa shoqërive të përparuar të cilat kanë arritur ta përsosin një shoqëri dhe kur ia kanë dal kësaj pune, nuk dinë se çfarë të bëjnë më me gjithë ato idetë që kishin dhe që tani u rezultojnë të vjetra. Kriza jonë eshtë më shumë krizë mbijetese, sesa një krizë e brendëshme që do na vinte në dilemë si shoqëri.

Mungesa e këtij mendimi na ka çue nga njena periudhë e vështirë në tjetrën pa arritë me gjetë dot as vedin ?

Një popull pa shtyllë kurrizore nuk ecën dot drejt, pavarësisht mekanizmave të tjerë që përdor për tu dukur si i tillë.

Në fund të fundit pse duhet me e ditë kush kena kenë ?

Për fat të mirë ose të keq nuk ka një rregull apo lidhje që do na detyronte për ta njohur të shkuarën. Fakti që e tentojmë njohjen e saj na buron së brendëshmi dhe ndoshta na ka ndihmuar për të mbijtuar, për të mos u bërë si ata popuj që nuk dinë nga vijnë dhe kush janë. 

Ne kemi në Shqipërii një minoritet të cilin e quajmë Egjyptianët e Shqipërisë, njerëz të mirë dhe të thjeshtë, të dashur me shqiptarët dhe të përbuzur prej tyre. Të njohur si njerëzit që kanë bërë gjithmonë punët më të përçmuara të shoqërisë. Edhe pse ne i quajmë egjyptianë, si ata e cilësojnë veten, shteti i Egjyptit kurrë nuk ka pranuar që ata janë minoritet i tyre. Fatkeqësisht gjuha, kjo shpatë që pret fjalë dhe të lëndon u ka humbur atyre. Pretendimi i tyre mbetet i tillë, për sa kohë që nuk bazohet në asnjë element që do t'i identifikonte me egjyptianët.

A mos harresa me qëllim se ‘kush kena kenë’ na ban shpejt robën të çdo diktatori ose të çdo autoritari që shfaqen në tana format, sepse në thelb nuk ndryshojnë nga diktatorët e maparshëm ?

Harresa se kush kemi qënë nuk mund të jetë kurrë e qëllimshme, të paktën jo nga populli dhe nga ata atdhetarë që e kanë ruajtur me fanatizëm të shkuarën. Ne mund të kemi qënë në shekuj të shtypur, por kurrë nuk kemi qënë jo shqiptarë. 

500 vite nën robëri nga Turqia nëse do ta kishim harruar kush ishim, do të na kishin zhbërë. Në atë kohë ishte më e lehtë ta shfarosje një komb duke e detyruar të tjetërsohej, por për fat në genet tona ka një fuqi të madhe për të mos i ikur vetvetes. Nëse nuk jemi zhbërë, me siguri kjo vjen sepse ia kemi ditur vlerën asaj që ishim dhe jemi.

A duhet me iu kthye leximit për me përpunue kujtesën, me përpunue urtsinë e më ditë me zgjedhë t’ardhmen ?

Mendoj që tashmë shumë ndër ne i janë kthyer leximit. Ata po edukojnë edhe të tjerë, fëmijë, miq, shok, ndonjëhere edhe prindër për t’ju rikthyer librave. A jemi larg ende si komb? Mendoj që po, por po të shohësh sot ka shumë të rinj që lexojnë. Madje e bëjnë këtë edhe në kafene. Vite më parë nëse kisha një libër në orë, kamarieri më drejtohej në anglisht, ndërsa tani është kaq e zakonshme të lexosh sa s’të bën më përshtypje. 

Problemi nuk qëndron thjeshtë tek leximi, por edhe tek ajo që lexon. Mendoj që një rol të madh duhet të luajmë ne gazetarët që të mos bëjmë “qoka” duke reklamuar si të mirë çdo lloj libri që del në shtyp. 

Ka edhe një gjë tjeter që do doja të shmangej nga kërkesat që ju bëhen fëmijeve kur lexojnë libër. Duhet t'u hiqet nga lënda mesimore pyetja se 'çfarë ka dashur të thotë autori'. Autori i ka thënë të vetat, rëndësi ka çfarë kemi dashur ne të mësojmë prej tij. Ky është përjetimi që vlen.


Po a asht shkrimi i vetmi vend ku mund të kërkojmë shpëtimin për llojin tonë ?

Shkrimi është një strehë e sigurtë për të gjetur shpëtimin tonë shpirtëror , por nuk është i mjaftueshëm. Ne jemi një vend tmerresisht i varfer. Në vendet e varfra nevoja për të mbijetuar u ha aq shumë kohë njerëzve sa nuk u lejon hapësirë për t'u ushqyer shpirtërisht.

Jo më larg se një javë më parë një vajzë më tregoi se nëna e saj në një fshat shumë pranë Tiranës qepte me dorë rreth 50 çanta në ditë. Ato çanta shiten nga një firmë mjaft prestigjoze për 1200 euro njëra, ndërsa nëna e vajzës merrte vetëm 200 lek të vjetra për çantë


A mundet ai me përballue të vërtetën, apo e vërteta ka tana mundësitë që nën pushtetin e penës me u konvertue në nji rrenë të madhe ?

E verteta nuk konvertohet dot, ajo mund të fshihet, të masakrohet, të burgoset, por nuk tjetërsohet. Rrena është një armë tjetër që është majft e përdorur në anët tona, por fakti që ne kemi ditur të ecim gjithmonë kahë dritës do të thotë se dimë ta gjejmë shtegun për të çarë errësirën.


Kush duhet me i dhanë kuptim fjalës që me i besue prapë asaj?

Fjala nuk është pronë e askujt. Asaj mund t'i japin fillimisht kuptim figurat publike. Këtë gjë do ta kërkoja fillimisht nga shkimtarët, artistët, gazetarët dhë në fund nga politikanët. Këta i lashë në fund se prej tyre nuk besoj që duhet t'u kërkohet t'i japin kuptim fjalës, ata duhet thjeshtë të detyrohen ta respektojnë atë. 

Fjala nuk mund të jetë një kapsulë që e gëlltit për të qetësuar stomakun tënd, ajo është një derë nga e cila nuk ka kthim prapa.


E pra, duket se shkruhet shumë, por prapë këshillohet me shkrue, e pse me shkrue kur në fund të fundit janë thanë tana gjanat, e kur sot fjala duket se merr kuptim vetëm në rastet kur e keqja kthehet e bahet e mirë në pak rreshta ?

Është fat që shkruhet shumë dhe që njerëzit kanë ende gjëra për të thënë me gjuhën e tyre. Mendo sikur njeriu të ndalonte së shkruari dhe mendo sikur në breza njerëzimi të kishte bërë këtë, sikur njerëzit pasi lexuan Shekspirin mos të kishin guxim t'i afroheshin skrivanisë, sikur t’ia linin atij gjithë barrën e historisë së leximit, do të ishte një fatkeqësi dhe ne nuk do kishim dot ato thesare që patëm pas shuarjes së tij. 

Ne jetojmë brenda një kohe që nuk na lejon të shohim të talentuarit tani, por dallojmë mirë kush shkëlqeu 100 apo 50 vite më parë. A i kanë mbijetuar kohës gjithë ata që shkruanin? Sigurisht që jo! I mbijetuan vetëm ata që shkruanin thesare, kështu edhe me ne, e kështu shpresoj të vazhdoj për sa kohë që njerëzimi do të ekzistoj.


Pjesa e dytë 

nji fjalë ’shterpë''...

Fjalët shterpë më ngjasojnë me kalatë prej rëre, të bukura, por të padobishme.

dy ‘grue & politikë'...

Të dashura femra, ju nuk duhet t'u mbushni mëndjen burrave pse duhet të jeni në politikë. Ky është leksion që ata duhet ta mësojnë vete.

tre 'pasqyrë moj pasqyrë'...

Kur pyesni pasqyrën: “Pasqyrë moj pasqyrë kush është më i fortë se unë dhe shihni aty ndjenjat tuaja të thyera, është koha të ngjisni veten, jo pasqyrën.


Irena Shabani
Gazetare

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde