Eli Krasniqi: Patriarkalizmi nuk ban dallim midis grave sekulare, jo-sekulare, ateiste, besimtare, a praktikuese…




Në diskutime për krizat politike, 
Hanna Arendt shpesh kishte 
citu nji proverb kineze:
‘asht mallkim me jetu në kohna
interesante’. 



Duket se njeriu, si qënie, qenka në krizë në shumë shoqni dhe se paska nevojë për ndihmë ‘për me dalë nga kriza njeriu duhet me u rritë, na duhet me shpëtue vedin pikëspari, thotë Peter Sloterdijk, nji filozof gjerman…si asht kjo kriza ndër ne, çfarë pasojash ka me pasë për ma vonë?

Nuk di me dhanë mendim për këtë, sepse më mungon artikulimi filozofik me folë për krizën e njeriut si qenie. 

Por edhe kur i sheh pamjet e sulmit me sarin në Siri, nuk të vjen me folë ma për krizën e njeriut, por ngre kryet ajo pyetja e zakonshme e dilema ontologjike, nëse qenia si e tillë qenka e ligë. S'e di se qysh mundet me u artikulu me gjuhë që nuk asht shterrë ma. Përvoja njerzore dhe aftësia për të ligën, më duket sikur nuk ka prodhu edhe gjuhën e cila mrrin më përqu krejt brishtësinë e ligësinë e species. 

***

Si asht kjo krizë ndër ‘ne’? Te ne shqiptarët? (Kjo po ma sjell ndërmend debatin e kosovar-shqiptar). Në Kosovë, me qenë në krizë, asht pjesë e të qenunit. Nuk dallon fort kjo në Shqipni, Maqedoni, apo kudo tjetër tash. Nuk mundem me thanë nëse kjo asht veçori e kësaj periudhe. 

E kaluemja na tregon për kriza të ndryshme, politike, ekonomike, etj. Dallimi ndoshta asht se tani jemi ne që po i përjetojmë ndërsa për krizat në të kaluemen, kemi lexu (ose i bartim pasojat). Në diskutime për krizat politike, Hanna Arendt shpesh kishte citu nji proverb kineze: ‘asht mallkim me jetu në kohna interesante’. 

Në kontekstin e krizave në rajon, nganjiherë edhe asht interesant. Ta zamë, me pa se qysh konstruktohet kombi. Qysh lulëzon nacionalizmi si në rastin e Maqedonisë (shembull projekti ‘Shkup 2014’). 

Më duket interesante me pa se qysh projekti i kombit vazhdon me u riprodhu në forma të ndryshme e me qenë aset për sigurim votash, për zhvendosje të problemit prej atij social ekonomik në nji tjetër problem – krijimin e tjetrit dhe rrezikun për të. Dhe interesantja bahet mallkim kur e kujtojmë se çka krejt historikisht ka prodhu nacionalizmi dhe kur e shohim që po vazhdon edhe tash. 

Në nji nivel tjetër ma të gjanë, dallimi tjetër asht që tani përmes teknologjisë kemi ma shume qasje në informata rreth asaj se çka ndodh në pjesë të tjera të botës. Në Kosovë, në shumicën e rasteve, shpejtësia e dhanies së informatave, të pa konfirmume, bombastike, e shpejtësia me gëlltitë informatën, nuk çon realisht në nji situatë tjetër pos asaj të krizës. 

Shqiptarët në Kosovë, për shumë gjenerata kanë qenë në stad të mbijetesës – ekonomike e politike. Tana shpresat kanë qenë të varuna fillimisht te bashkimi me Shqipninë, e pastaj te krijimi i shtetit. Tani që kemi shtetin, mungesa e drejtësisë dhe zhvillimit ekonomik prodhojnë mandej problemet tjera. Secili sektor asht problem. Shoqni e pas-luftës. Frika na asht mbjellë e kurrëqysh me i çelë udhë guximit. 

Frika ndërkohë prodhon pasiguri e psikoza. Qytetari në Kosovë asht konfuz, i pambrojtun dhe i rrezikum. Shëndetsia asht skandal. Pacientët smuhen në spitale në vend se të shërohen. Psikatri sugjeron gratë me u mbulu, në përjekje me gjetë shpëtimin te Zoti. 

Rreziku në punë, në fabrika, në vendpunishte. Sistemi i sigurisë sociale - sistem neoliberal që nuk mbron askënd. Skandalet politike, që ngulfatin gjithçka tjetër, ta marrin frymën. Vrasjet, bile edhe në burg. Ende pa u zgjidh nji çashtje, vjen skandali tjetër. Varfnia për bukën e gojës. Diskrepancë e madhe mes klasash. Më duket që asht periudhë ku gjithçka po pëlcet. 


A mos kjo ‘krizë njeriu’ na ka ndjekë në shumë periudha të historisë dhe s’na ka lanë kohë me pasë mundësi me formue mendimin?

Mendoj që po i shohim filizat e nji rikonfigurimi të përgjithshën kudo, të koncepteve, sistemeve politike e ekonomike. Europa po bahet ma e djathtë, e majta konfuze. Islami në krizë. E ne, si shoqni e vogël, pa zhvillim ekonomik, pa stabilitet politik, nën sistem patriarkal, na kushtojnë shumë këto kriza. 

Këto kriza, sidomos, bijnë në kurriz të grave. Ta zamë për çashtjen e islamit. Si shenjë ma e dukshme e islamit që vjen në shprehje në hapsina publike asht ajo e veshjes së grave muslimane – mbulesa. Në Kosovë, tek në vitin 1951 me ligj u hoqën ferexhet. Por kjo nuk nënkuptoi heqjen e mbulesës e cila zavendësoi ferexhen me shami e mantil. Kjo me kohë u ba formë tradicionale e veshjes së grave sidomos në zonat rurale, por jo në të gjitha rajonet e Kosovës.

Ta zamë në Dukagjin, gratë asnjiherë nuk kishin ferexhe. Ato mbanin kostumin folklorik kombtar. Në socializëm, nën idenë e modernitetit socialist, gratë me shami, shiheshin me përçmim. Apo burrat me plis. Duke qenë të vetëdijshëm për imazhin që shqiptarët kishin në Jugosllavi, sidomos gratë, bahej përpjekje me dëshmu që gratë shqiptare janë të emancipume. 

E emancipimi nënkuptonte gratë në modelin perëndimor, pa shami. Por sot nuk mundet me u thanë –perëndimore- pa e mendu popullatën muslimane. Nji shembull i kësaj asht prefekti i Londrës, i cili asht musliman. 


Në Kosovë duhet me nisë me kuptu që shoqnia po ndryshon dhe me nisë me kuptu vërtetë idenë e moderniteteve të shumëfishta. 

Në këtë relacion po i mendoj grate feministe sekulare dhe muslimane. Unë vazhdoj me mendu që besimet abrahamike janë shtypëse ndaj grave, por n’anën tjetër, patriarkalizmi nuk ban dallim midis grave sekulare, a jo-sekulare a besimtare, ateiste a besimtare a praktikuese. 

Me feministet muslimane që i kam taku nuk kemi pasur dallime të mëdha dhe ndërkohë shpesh ndjehem e sulmume nga gra sekulare që nuk janë feministe. Për burrat, veç dihet. 

Çka po du me thanë me këtë shembull asht që çashtja asht ma komplekse dhe ma e nuancume se sa që po arrijmë me e artikulu. Në Kosovë nuk di që ka ndonji grup të organizuem të feministeve muslimane, por sigurisht që ka feministe muslimane. 


Çka do të duhej me na bashku kishte me qenë lufta e përbashkët kundër shtypjes patriarkale e cila zanafillën e ka edhe në besim, edhe në traditë, edhe në shtet. 


Mungesa e këtij mendimi na ka çue nga njena periudhë e vështirë në tjetrën pa arritë me gjetë dot as vedin?

Nji shoqni e gjen vetën kur ka mundësi të barabarta, drejtësi dhe barazi. Kur ka klimë ku secili mundet me qenë vetja pa e kërcnu dhe pa u ndi i kërcnum prej tjetrit që asht ndryshe. 


Në fund të fundit pse duhet me e ditë kush kena kenë ?
A mos harresa me qëllim se ‘kush kena kenë’ na ban shpejt robën të çdo diktatori ose të çdo autoritari që shfaqen në tana format, sepse në thelb nuk ndryshojnë nga diktatorët e maparshëm?

Problemi mendoj që nuk asht te ajo 'a duhet me ditë kush kemi qenë', por te pajtueshmëria rreth narrativate për atë se kush kemi qenë, e kush jemi. Përsëri, përpjekja asht për nji identitet të homogjenizum shqiptar. I projektuem kryesisht prej frikës politike për të ardhmen. E ky aspekt i identitetit nuk asht veç problem i së kaluemes, por edhe i tashmes. 

Debati për identitetin shqiptar-kosovar, i cili del në sipërfaqe herë pas here. Këto debate ngjallin lloj-lloj sentimentesh e projektime frikrash. Njena anë konsideron që athedashuria duhet me qenë nën emërtimin ‘kosovar’. Ana tjetër - nacionalistët që godasin në idenë e etnisë, me Shqipninë e madhe. E kur po them nacionalizëm, tash me tana rrethanat kushtëzuese, do të duhej nji shpjegim ma i gjanë i fjalës apo termit.


Por mjafton me thanë që nën petkun e nacionalizmit ka individë prej racistëve e fashistëve (si disa tifozë futbolli), deri te ata të moderuarit e të arsimuarit që e konsiderojnë kombin e nacionalizmin shqiptar në modusin e mbrojtjes, ashtu edhe siç ishte, si mënyrë mbijetese kombtare. 

Në nji intervistë në nji libër të Institutit Albanologjik botu në 2016, për të cilin po durohem shumë mos me e komentu librin si të tillë, i intervistuari për migrimin e ’53-ës në pyetjen nëse ata që shkunë ishin të dëbuen apo e kanë lëshu vendin vullnetarisht, kishte thanë diçka sikur ‘por ata e kujtun të mbramen’. E mbrama jonë në kujtesë, na flet vetëm për dhunë masive, të vazhdueshme të organizueme nga shteti serb. Edhe pozicionimi i Ballit Kombtar u ba me këtë ‘kujtesën e mbramë’. 

S’do mend që përvoja e kalueme e frika për të ardhmen e pasigurtë i ban njerzit me pa shpëtimin te kombi, ose te Zoti. N’anën tjetër disa shtete në Europë kohëve të fundit nuk asht që po japin ndonji shembull më të emancipum. Kisha pasë dëshirë me mujt me i ndrru syzat e me pa tanë këtë çashtje si disa politikanë, apo të tjerë që konsiderojnë se rruga të cilën po e kalon Kosova asht e natyrshme për nji vend në tranzicion, për një popull numerikisht të vogël. 

Mandej asht nji kategori tjetër, ata të cilët ecin maje gishtave në relacion me bashkësinë ndërkombëtare. E kanë hallin e imazhit të Kosovës në Europë, ma shumë sesa luftimin e krimeve të përditshme, të cilat përpiqen më i fshehë nën tepih.   


A duhet me iu kthye leximit për me përpunue kujtesën, me përpunue urtsinë e më ditë me zgjedhë t’ardhmen ?
Po a asht shkrimi i vetmi vend ku mund të kërkojmë shpëtimin për llojin tonë ?

Mbas Luftës së Dytë Botnore në Kosovë, vetëm 10 % e popullatës dinte shkrim e lexim. Elita intelektuale u formu tek në vitet 1970. 


Kështu që mendoj që na nuk mundemi me folë për ‘kthim’ të leximit, por vazhdim dhe krijimi të mendimit kritik. Mundësia për qasje në tekstin e shkrum sot asht ma e madhe se kurrë, por problem asht me ditë me lexu. Me lexu me mendje kritike.

A mundet ai me përballue të vërtetën, apo e vërteta ka tana mundësitë që nën pushtetin e penës me u konvertue në nji rrenë të madhe ?

Kjo përsëri më sjell te ideja e të vërtetës në hulumtimin shkencor historik. Përvojat sa herë jam në Kosovë, e sa herë lexoj disa prodhime ‘shkencore’ më bajnë me kuptu nji gja. Me idenë me tregu të vërtetën, e shpërfytyrojmë. Mospërfillja e metodave shkencore, frika për nji të ardhme politike, dhe apetitet për pushtet, qoftë në nivelin partiak, rajonal, apo kombtar prodhon këto të ‘vërteta’ që shpesh madje janë edhe qesharake. 

Mënyra se si nxjerren dëshmitë dhe shkruhen për to, ban që ato vërteta me u dukë si të pavërteta. Nuk krijohen hipoteza, të cilat duhet me u vërtetu. Dhe kështu gara e burrave me brryla vazhdon në tekste. Gara e tyne pas luftës shpërfaqej në krijimin e memorialeve të herojve. Ka nji ide rreth asaj, se kush jemi dhe kush kemi qenë, duke mos pranu se ne kemi qenë dhe jemi shumë çka në të njëjtën kohë. 


Kush duhet me i dhanë kuptim fjalës që me i besue prapë asaj?

Nuk e di. Ndoshta veprimi i mirë. 



Pjesa e dytë 


-nji fjalë ’grue'
-dy ‘lulzim flokësh'
-tre ‘shtatë detna kapërcye'

Po e vej nji poezi që e kam shkru ma moti: 



Më kanë lulzue flokët
Të hallakatuna si degë të nervozueme 
Të shterruna miklimi e fresku
E unë nuk muj me e ujitë

Mallin që i thanë e i zhuritë 
E bé kam ba që nuk i prejë 

Pa harru çdo gemb jete që m’ke dhanë

Po i la lirshëm me u dalldisë
Deri ditën kur të shoh prapë

Ka me pritë e ka me i rritë

Në pragje të dyrve të huja nëpër dynja
Kaçurrelat që thurrin strehë harrese

Deri atëherë, shpirt
Deri atëherë.

2015

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde