'Në këtë vend bredh përditë i biri i Afërditës'



***

Shqiptar Oseku

E vështirë të jesh fëmija yt
e ta shohësh farefisin tek të shajnë
pse ishe jetime e varfër e sëmurë
pse ishe e untë e etur e rrahur
pse ishe e skajuar pas dere
Dhemb, fort dhemb, të jesh fëmija yt
e të rritesh me dijen
që të shitën e blenë si kafshë
e që të muarën burra të pamëshirshëm
që të mshelën në shtëpi e të dhunuan ty
e t'i dhunuan fëmijët ndër sy
e që kuja jote s'e preku kurrë asnjeri
E tash i shoh vëllezërit e rritur tek të shajnë
tek vjellin e pështyjnë mbi ty
tek të bëjnë ty fajtore pse linde jetime
pse ishe e sëmurë e varfër e skajuar pas dere-
pse ndenji, thonë, me katilë që e mshelën në shtëpi-
e s'ta falin ty pse u rritën të dhunuar
je nënë e keqe, thonë, thuase kishe diçka në dorë
e s'e shohin që janë kthyer në katilët që i urrenin
e loti yt s'e prek prapë asnjeri
Ja! Ma jep dorën, nëno. Mbaje kryet tek unë.
Jam biri yt më i vogli. Sugari.
Ai që mbeti pa hise kur u nda puna, shkolla, paraja.
Ai që ndenji besnik te ti, që të ka hise ty, nënë.
Le të tallen me ne. Le të na e therrin shpirtin
me fjalë. Le të na e vjedhin hisen krejt,
rrush e kumbulla e bëfshin. Fshij lotët. Ja,
t'i fshij unë. Ashtu. Edhe shikomë në sy.
Do të mëkëmbemi ne dy.
Shtëpi e madhe do të bëhemi:
të hysh me mend e dalësh pa mend nga strehat tona.
E do t'u ndihmojmë edhe farës së tyre
në ditë të zorit: s'kemi ku i çojmë,
gjak e fis i kemi. Fëmijët tyre
do të na trokasin në derë
për t'i marrë hua dy gishta fytyrë në ballë.
E ne do t'u japim
nderë e emër me plotni përsëri:
se s'ka faj fëmija për fajet e prindit të tij.
Mbahu tek unë nëno. Tek më i vogli.
Unë të kam e të mbaj e të ushqej e të ngroh në gji.
Unë krenohem me ty.

(Mbaj mend kur e shkrova këtë poezi, doja ta bëj një që dallon nga poezitë tradicionale të burrave, me armë, trimëri, e heroizma. M'u kujtua përmendorja Nëna Shqipëri dhe thashë, po të kish qenë mëmëdheu ynë grua prej vërteti, si do të kish qenë rrëfimi i saj)

At-dheu im
 

Ardita Jatru

Nuk më ftove njëherë në dasëm
Martove kaq bij’
As në ditëlindjen tënde nuk më ftove
E nuk u kujtove për pak ëmbëlsirë
Por ta rrëmbyen me kova
Ta hëngrën e ta grinë
Të uriturit bijtë e tu të tjerë që ke në gji
E unë prapë s’u ankova
As për vdekjet nuk kujtohesh të më bësh një zë
Lajmi më vjen e fundit
Kur fytyrën e birit tënd të vdekur e mbërthen dheu
Dhe unë prapë s’ankohem
Ka halle At-dheu them
Se bijtë i mbeten rrugëve
E të vegjëlit e tyre akoma s’i njeh
se shtëpinë At-dheu e ka të vogël
dhe nuk na nxë
Dhe bijtë punojnë në vende të largëta
E dërgojnë lekë për shtëpi të madhe e të re
Me shpresën se do bëhet një ditë.
Ka dhimbje koke At-dheu im, them
Nuk ka faj
Dhe unë kujtohem gjithnjë të shkoj papritur
në kohë të liga
atëherë kur At-dheu është i zënë me punë
e s’ka kohë të flasim
Dhe une prapë s’ankohem
se një i rritur, i justifikon prindërit
dhe një ditë kupton
që At-dheu nuk ishte perëndi.


GËZUAR DITËN E FLAMURIT!
SHPUPLIMI I SHQIPONJËS

Xhevdet Bajraj

Në tokën e zaptuar
Kafshët e lira kullosin dhembje njerëzore
Përderisa zorrëve të elitës politike
Majmen skrrajat
Shqiponja klith sikur e shpuplojnë për së gjalli
Dita zgjatet sa kërcen gjeli
Kur i këputet koka
Përzihen muret e ëndrrës dhe zhgjëndrrës
Në kohë anormale të jesh normal është anormale
Si kjo këngë vaji e nënës që nxin qiellin
E kthehet në një të vetme pikë shiu me shije loti
Që të bie në copën e bukës së thatë që e ha fëmija
Tek ecën mu në mes të sheshit të lirisë

mëmëdheu

Entela Tabaku Sorman

unë jam mungesa jote
në praninë teme
ti je prania jeme
në mungesën tande
bashkë
jemi e pamunduna e së përditshmes
të ndamë
jemi e përditshmja e së pamundunës
unë mëma
ti dheu


SHQIPËRIA IME

Daim Miftari

sa dhembje
sa lot
sa plagë o Zot
sa herë ramë
dhe prapë u ngritëm
të fortë që kishim qenë
ah kurrë s’e harroj atë kohë
kur ti qaje
dhe me lot m’i laje
plagët
kur e vëreje
që e keqja keq më kishte goditur
se të shumta ishin dredhitë
urrejtjet
shpifjet
ligësitë
të trimërohen i kam parë
kur ti e shtrirë në shtrat
lëngoje
dhe unë kokën ta mikloja
si një fëmije
unë
fëmija yt
të ligështohen i kam parë
si mos më keq
se janë tmerruar
kur na kanë parë bashkë
edhe në ëndrra
o nënë



VEND – IKJES

Ushtari Zhvejk

Më fal vendi im, që nuk po leh sot,
duke të thurur lavde,
si letrat e lamtumirës në mort.
Më fal!
Jetoj larg djepit tënd.
Ika uritur nga dritarja.
Të kthehem, nuk po gjej port!


VIZATIMI I SHQIPONJËS

Adem Gashi

do ta vizatoj sonte shqiponjën
me ngjyrë të zezë në një sfond të kuq zemre
ndoshta veç kokën, njërën
ndoshta të dyja
jo si në flamur, jo si mbi Malet e Drenicës
(këtu në Kodër të Diellit ajo nuk vjen fare)
do ta vizatoj siç dua unë
ndoshta si një përkrenare
mundet që në vend të vijave
përdor vetëm fjalën
derisa më vjen në kujtesë
pa një shtysë, pa një sokëllimë të frikshme
pa ditëfestë patriotike
domethënë
duhet të jetë diçka e madhërishme


SHQIPËRIA IME

Lindita Ahmeti

Shqipëria ime është krijuar në fund të qershorit
nga drita e xixëllonjave
kur dalin si fenerë të imtë magjikë
dhe i mbulojnë male e fusha,
sa bëhet gati të ulet në fron perëndesha florë
në mbrëmjen hyjnore
e ta shpërndajë erën e mirë të trëndafilave
e të luleve alba,
të cilat ia bëjnë me dije erebit
se nuk mund të ketë vend në këtë të vërtetë,
sepse këtu vazhdimisht çelësin
do ta ketë në dorë vetëm aurora,
Shqipëria është krijuar nga ëndrra më e mirë
e rrufetarit, mu pranë detit,
duke lënë aty shqiponjën e bardhë të bëjë roje
në shtëpinë e gurtë të Kadmit e të Harmonisë,
që u caktuan të jenë të Parët Mitikë
e që shpikën lule e shpërndanë shkronja
për librin e parë nga Sharri nga Tomorri
nga Bjeshkët e Nemuna.
Shqipëria ka dalë prej zërit yllësor të orfeut
dhe është bërë këngë e lumit malor,
fluturim i amshueshëm i pëllumbit të bardhë,
valle e zanave me lisat e gjatë
e me korin e trumcakëve,
të cilën përballë persefonës e ka lozur osman takja.
Në këtë vend vazhdimisht bredh i biri i afërditës
e pastaj e shpërndan nëpër botë kuptimin e dheut
që është sinonim i emrit të tij.
Prandaj djemve kësulëbardhë kah bredhin
përfund degës së parë të trungut të gjuhëve
u shkëlqejnë si dielli flokët e praruar
e u kumbojnë fjalët.
Nga sytë e tyre reflektohet magjia
e liqeneve të Lurës,
ndërsa këngën e kanë vazhdim të këngës së linit.
Kjo është Shqipëria ime!
Shqipëria është një trëndafilnajë
e vendosur mbi shkrepa
ku banojnë shpresat më të bukura,
ku nga rrënjët e rrapeve mijëvjeçare
burojnë ujëra të argjendtë
e ku dëgjohet edhe sot tregimi i gurrës së Dodonës.
Shqipëria është orakulli
ku vashat e kanë zbuluar fronin e birit të diellit.
Ajo është bari i mirë që sot shëron plagët e rënda
të hapura nga Era e Kuqe;
është muri kundër furtunës polare
me arushën e tërbuar.
Shqipëria herë është e blertë në lulet parajsore
herë është pikturë e adem kastratit
pastaj del si një varg rruazash
të bëra prej mijëra kokrrash xhevahiri
Shqipëria është djega ime.



Një i gjallë në netët e tua

Eduart Ymeri

Shqipëri,
larg meje
luan me ëndrrat e mia,
ndërsa unë për Ty -
një i gjallë në netët e tua.
Megjithatë, të dua!


Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde