Arjola Zadrima: Kam me t'i rrokë pemët e zdeshuna







Eva



Më pëlqen me e marrë jetën rrokopujë.
Lamshet e ditës me i stivue në mendjen e stuhishme,
tue i përzie tërbimin ,
andrrat e të tana zhgënjimet.
Më vlojnë dëshirat,
zjermi i pyjeve më digjet në sy,
mu ruej, zhari të baj.
A e ke pa si dridhet toka sa herë qesh me shpirt,
të ulem në zemër,
pa e çvesh, këtë grue prej jetës.
Qesh me vitet e mia mbi supe,
ende ja arrij me të stepë.
Arrij me t’i çue malet në fyt,
tue të shkri, tue të dashtë,
dashnisht tue të myt.
E kjamja m'asht vrulli i tallazeve të detit,
aq të frikësoj,
ik, zhdukem,
ta la lamtumirën e fundit amanet,
sa rrugët e vetmisë tunden e shkunden nën hapat e mi.
Po të kam rrejtë,
kam ecë në drejtimin tand,
kambëshpejtë,
Mungesë e pranishme,
tue dek a tanë jetë,
të jam kacavjerrë supeve, e frymën,
u kam injektu damarëve të fishkun,
goditjen e fundit , t'çekiçave
që të rrahin në krye
e kam dhanë mbi buzët tueja të qumështa,
lmueta,
përgjakshëm të kam puthë..
Jam andrra që të marr para,
e dielltë,
E çmendun,
vetja , qielli e toka,
jam ajo që kacafytem me kohën,
tue u ngjall përditë vetëm e jotja.



Tërmet


Natën e parë që bamë dashni unë e ti,
kje tërmet,
ndërsa shtëpitë shembeshin
ne rrotullonim ndër çarçafë
epshin ndrydhun thonjsh,
tue e shti mishin
pa e pertypë ne gojë.
Jo veç ti,
edhe toka desht me më lajmërue,
që "bashkë"
asht uri ,
lot,
djersë,
bashkë asht me u dehë pa pi!




sonte

Sonte ke ikë,
e furia e dallgëve përplaset
mbi sinoret kulmore tue përpi baticën.
Sfilitja e hanës zhytet në mes të detit
tue mbështjellë vetminë shunglluese me dallgë.
Nji sy mbyllë, andërr hape pikturon siluetën e pajorit të vetëm në horizont,
Që zhduket mbas orës diellore...
Ti sonte nuk je,
përreth krejt pashpirt asht vjeshtë!




Fundstinë


Në fundstinë kodosht veshin petkun e mjegulluem
te gjetheve që bien,
ndër duer u plaken mendime hipokrite.
Nji cifël vetmie mbajnë në sy tē qelqët,
ndërkohë që shëmben kambët e urës prej kujtimit në kujtim.
Strukem ne folene teme, andrrore,
tue e pa edhe shfaqjen e fundit
që heziton me ra si vjeshtë në duert e dimnit.
E ndjej si zhduken themelet e bordelit me aromë prostitutash
të kërpituna...
A po m'falni ?
Që nuk jam gjethe e kambve tueja të lmueme,
prej duerve me baltë,
hukatje të ndyta ju mbesin n'gji, tue ju përla krejt freskinē e qeshni me dhambë te bardhë,
tue harrue se keni me u plakë,
si trung i thatë bashkë me vetminë...
Më falni që i shkruej me kaq zell nurit tuej,
prej andrrash të palame!




Nata ra!



Nëpër rrugë të lagshta hapat pllaqurisin,
Diku në nji pellg zhytet nji cep i hanës
në fund të pusit cepi tjetër ikë me rrathë.
Në kërthizën e qiellit ndrin i vetmi
Yll i kësaj heshtje memece,
Ndërsa ti rilind mbrenda meje sa herë
andrra flatrash përplasen nëpër kry...
Nata ka ra,
në kultin e shpirtit ushton tingull i pathanë,
Jam me ty!




Krejt Dashni...



Oh sa qelizat ngjallin
damarët shtrydhun n'qafë,
tue zbritë lehtë mbi kodra pa vjeshtë,
majebuzësh,
shteg më shteg,
kangë harlisun...
Mes për mes etheve të tokës,
ndër skutat diell fjetun,
prehun qiell
shtëllungë reje,
etje harbueme,
lajmëtar vese,
bar përgjumun,
ah ç'soditje, andërr thurun,
andërr puthun , strukun në mugëtinë terr lindun...
Mrekulli e hazdisun përkul shekuj me nji hurb,
zgjon stinë,
aty ku heshtja kish mbie
çap me çap,
gjak ndër vena,
ah ç'dashni,
gemb n'gemb krejt si zog.
Veç me ndie fije bari
t'përkulun me nji fjalë,
diell zgjuem në kupë të qiellit...
Krejt dashni!




***


Në qytetin e orëve memece
ra mbramja,
kohë nuk ndajnë akrepë të ndryshkun
prej pluhnit të viteve,
veç dielli humb nën gjurmët e mia.
Stolat në park nuk veshen puthje kalimtare,
po bryhmë përzie me tym cigare,
ku n'fund të saj digjet shpirti.
Kumbarët e natës ndejtën pranë
nji grueje me krye varun ndër supe, në nji gotë vodkë,
nata dirigjon stacione të pafundme
e sirena trenash që kthejnë shpindën në ikje,
E akullt var heshtjen në pritje...
Nesër ora ka me ecë zhurmshëm,
e rraskapitje prostitutash ka me përcjell gazeta,
por sonte kalldremi ndien kollën e thatë,
të nji grueje që çon zvarrë kujtimet e veta!




***



Në zhguallin e dhimbës, heshtja je ti.
Ska ma fjalë të sigurta, as hapa të vendosun.
Nji hap para,tri mrapa.
Mësohesh me i hesht vitet,
tuj zgju shekujt e vetmisë mortore.
Janë ceremoni të vogla pa fjalë.
Lutesh pa fjalë,
dhe pa u lutë ikë prej kesaj bote të ligësht.
Tanë presin me ra, tue i thy kocat e shpirtit.
Atë çast zgjohesh, ndjen shiun ftyres,
Stuhitë mbi shpatulla dhe ecë ne krahun e kundërt të erës.
Një pëshpëritje prej nëntoke i mbush aortat me jetë.
Gjallno n'se ende s'ke vdekë.




***


ky diell që ndrin cep m'cep të zemrës,
i vuni flakën qiellit t'virgjën,
t'nadjes




***


Mbas shiut,
nuhat poezinë e trëndafiltë t'tokës,
që ngërç sytë memec të vjeshtës,
vetëm nën gjethe...
Adami u mbyt n'piklën vesës jetime,
dy trungje t'lmuet andrra,
e nji nate t'unshme!
Krejt mbas shiut , ndij aromën e tokës zhuritun!




***


O qiell që vdes n’dhimbë hyjnore,
ekstazë erë ngrohte
frymun prej gjinjve të stinës,
falma zjarmim e poezise,
n’deje t'gjakut!




***


Kam rilindë n'ty, re e bardhë,
e pamukët,
dëshirë qielli.
N'ty, që kryet pushon nën kmishë,
tue pëshpërit ninullë çiliminjsh.
Kam rilind ora,
natë brenda epshit tand kafshnor,
qe pin nektarin tem e dridhesh,
uj' n'djersë,
fikesh krejt butë,
ambël, qetë ,dorë e paturp..
Marrim fymë thellë,
e mushknitë tueja filtrojnë bryhmën teme,
që shijon në gojën tande gjithmonë ndryshe.
Mandej shkrihem,
ah, sa mirë msova me vdekë njimijë herë mbrenda syve,
kur ti bjen si gjethe,prej gjinjve deri tek pulpat.
Prit,
kur t'njitesh edhe nji herë n'buzë,
m'thuej ,ç'shije t'len toka e amshueme?!





Si



Si mundem me dishrue qiell
kur ti më vesh ferrin e gojës uritun?
Si të fluturoj duerlidhun,
shpind damkue
sa herë me robnon me gjuhë,
Si ???





Të kam dashtë pra...



Të kam dashtë prej në mitër të nanës,
embrion i fjalës shejtë krijue veç për ty,
në plancetën e frymës je ngjiz edhe ti
filiz i zemrës gjallë,
të kam ndie në rrahje të parë,
në koridorin e dritës të kam njoftë...
Kur buzët me rrahshin fort
dëshira të shtrëngueme, kapërdimje të lidhuna për gjoks,
e tanë andrrave t'cungta ju vuna emnin tand,
që ngjyros hije vitesh të përjetshëm...
Të kam dashtë kur dhimbat më therën ashtin,
e rranj pemësh me duelën prej syve,
me drithmën e gjethes,
bri trungut pa za,
kam kja,
me ulërimën e tokës epun,
thepisun, me forcën e shkambit të kam ruejtë,
aty ku nuk ka vend ma vedi...
Toka puth lule, bar të njomun me vesë,
qielli zbret frymën,
dikush krijoi dashninë në embrion të jetës,
bashkë me mue, që mjerisht ha kohë
e heshtun të due!



  
A ke pa?



Ke pa ndoiherë gurë që flasin,
po mure të vjetra
që thonë t'vërteta a ke ndie?
Se mos e din si janë
poemat që thurin heshtje.
A e ke pa si krruset mali,
kur qielli shkrep dhimba zemre?
Njai asht mali jem
që rrzohet ndër kambët tueja
sa herë e shkel!





***


Bjen malli
e mbramja veshet me bulëza djerset!






Nanë e tim biri



Jam grueja e atij që s'më njeh e s'din,
se andrrat e mia
ngjallin shpirtën t'vdekun.
Jam nana e parë dhe e fundit e tim biri,
atij që parfumon aromen teme.
Parmaku i time bije,
ndaj rruga e saj asht e kalueshme.
Isha dashnorja e burrave që s'ekzistojnë,
e s'dinë si kapërcehen malet me nji frymë.
Atyne që më deshtën s'u dhurova epshe shtretnish tradhtarë,
veç nji poezi,
beheme fatesh të lidhun.
Zgidhun mendsh, ogur i fatit tem.
Isha , jam dhe do të jem
ajo që mbys vehten,
veç mos me kenë arlekini i dramave
tueja pa autorë.
Jam grueja e pamarre
që dashnisë ja ka mbjedh farën bash në bark të vet.
Vdes e ngjallem
nanë e Tim biri.





N’gjys’ shtizë



A e ke provue me të lidhë jeta
për krahësh ?
Tue të zhvendosë në hemisferën e saj veriore,
e ti ecë zdathë në malet me borë,
tue u gjakosë.
Gishtat e shpirtit të mërdhasin aq fort,
sa mes hapesinave diellore,
krijohet morth,
e ske me çka me e kuru,
veç të duhet me ecë,
me gjoks para tue e sfidu,
kjoftë për hatër...
A e ke provue me u zgjue e ngrieme,
e me përtyp akujt e heshtjes tande?
Jo, ti nuk din si jeton njeriu në gjys shtizë. ..




Diell i perënduem



Ti zgjohu edhe n'se unë fle,
se nji ditë s'kanë me na përshndet aroma t'ngrohta,
n'mjegullat e grykëderdhjeve mjaltë t'lëkurës,
ernat kanë me kenë ma të forta, e andrrat t'ithta,
ndaj ti zgjohu,
ura asht aty, ku muzgu lagësht buzët me bryhmë,
e tingujt lyejnë qiellin me paqen e nadjes.
Prandaj zgjohu,
harabel i perëndisë, me kangë të varun në sqep,
çukit mbi xhama ditën e këtij shekulli ku mësoi me lind dielli...





***


Kanë me të ra gjethet
në murla të parë,
veç njatëhere kam me ardhë,

me ti rrokë pemët e zdeshuna.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde