Eli Kransniqi: Dikur gjithçka ka me heshtë shpirt


***
Më kanë lulzue flokët 
Të hallakatuna si degë të nervozueme 
Të shterruna miklimi e fresku 
E unë nuk muj me e ujitë
Mallin që i thanë e i zhuritë
E be kam ba që nuk i prejë
Pa harru çdo gemb jete që m’ke dhanë
Po i la lirshëm me u dalldisë
Deri ditën kur të shoh prapë
Ka me pritë e ka me i rritë
Në pragje të dyrve të huja nëpër dynja
Kaçurrelat që thurrin strehë harrese
Deri atëherë, shpirt
Deri atëherë.



***
due me marrë udhën e madhe
do fjalë me i gjetë në secilën shpi
të mbushun me njerz
me mallë e me idhnim
trishtim e pasion
dhimtë e dashni
se të miat fjalë nuk po dijnë ma me kallzu
pse nuk muj me të lëshu
pse fijet tona,
gati të padukshme
të holla të holla
i mbledhi, i dredhi, i bashkoj
si gratë e Opojës kur penjë prej najlloni bajnë
e thuri e thuri
nji hamak dashnie që nëpër jetë ka me na luhatë
lidhun prej nji qoshi të dynjasë në tjetrin
nji urë bese me të ndihmu ty
shtatë male
shtatë detna
shtatë kodra
me i kapërcy
ndoshta veç mas kësaj mrekullie muj
me të falë
me të lanë
me shku.


***
Shtrihem në gjethe
I preku me gishtrinj lehtë
I lëmoj si fytyrën tande
Malli jem kështu vjen
Prekje fytyre buze dore
E pastaj, të flas qetë
Të pyes: pse?
Gjethet heshtin
Era i bartë larg me nji
Shshshshshsh



***
shshshshsh
mos fol
dritës mos ia kallzo
varrët e mekueme me mjaltë
mos i ndal rrezet
që konopin e thajnë
shtrëngueshëm
qafës së ligsht
si qafore me i nejt
shshshshsh
mos tingllo
as mos i le hapat
dyshemesë së kalbun
me iu randu
mos pipëtij
mjeshtria asht flutur me u ba
dritës me vrull me ju gjujt
tu e ditë se djegë
shshshshsh
leje shkrumin me u ndi
shshshshsh
veç atëherë gjithçka ka me heshtë
shpirt.



***
Ia puthi ballin dashnisë, lehtë, me buzë të ftohta
Sytë ia mbylli, lehtë, me gishtrinjtë e mi,
I bie për fytyre me dorë
se kështu duhet me u përshendetë
Me veten teme brenda tij
Me të, brenda meje.


***
Më vjen kur nuk ban
Mbështillesh brenda meje
Troket muret e trupit tem
Don me shpërthy lëkuren teme të tejdukshme
Në bark, më jep ankth.         
Përpiqem me të nxjerr me frymarrje të thellë
Ti veç zbret në maje të gishtrinjëve
Çohem eci, eci eci
Ti shtrihesh në secilin hap
Me sy shkronjash më del mu para syve
Të marr pastaj në duer
E shmoj thellë
Ki me m’vra nji ditë
Poezia jeme.



***
Më shiko, gjatë
Çfarë sheh
Nji grue të shterrun e kalbun jete
Me duer frikshëm të holla
Gishtrinjë që lëvizin si skrraja nëpër dhé
Flokë që nuk mbarojnë kurrë
E mbi to ecin dritë-hije të shpirtnave të mbetun larg
Më dëgjo, gjatë
Çfarë dëgjon
Kur heshtja groposet.



***
Lakuriq
Aq brishtë
Aq tejdukshëm
Frymëmarrja dhemb
Kur i ngjyj gishtat me sedefin e krahve t’flutrave
Kaq asht fuqia
Për me dashtë
Me prekë
Me vra
Dashninë



***
Trup i ftohtë.
Veç margaritarët vathë në vesh
Shkëlqejnë
Përhumbin shikimin e syve që shikojnë.
Përfundi shtratit, mu në mes
Në nji legen të bardhë
Pikon kuq.

Përmendsh zgjatë gishtrinjtë e hollë valë
Merr margaritarët vathë i ven në buzë

Përfundi reve, me kambë në tokë

Pikon shpirt.







Elife (Eli) Krasniqi asht antropologe dhe feministe aktiviste. Jeton midis Grazit dhe Prishtinës. Asht  bashkëthemeluese dhe anëtare e Alter Habitus - Institutit Feminist për Studime në Shoqeri dhe Kulturë. Shkruen kryesisht poezi dhe tregime te shkurta

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde