Albana Fani: Kur vitet vijnë në jetë pa të pyetë




1.
Si me të gërga?
Si stomaku?
Që ti don me e qetësue me do bukë të rreshkun e djathë
Mendja të shkon fill te nji mollatartë e langëshme e e mishtë,
Por tulatesh se stomaku s'ka me gjetë qetësi.....
Përfundon te nji gotë me qumësht pak të vakët...
e vazhdon me bukë të rreshkun e djathë..
Gjithçka qetësohet…
gjithçka zen vend.
E tash si me të gërga,
si mendja që rrin te mollatarta?
Ah gërgase e keqe mendja asht...

2.
Si me të gërga?
Krejt si ajo era e kafes tuj u pjekë
kur ti je tuj kalue rrugës
e hundet t’i shpon n’aromë të dishrueshme.
Era e saj të çon sa larg
në shtëpinë e vjeter të nanadajes
tuj ndigjue gërcitjen e kokrrave të kafes
tuj u rrotullue sa mbarë mbrapsht në dallapin futë zi.
Mbushë frymën e rradhës me aromën e kafes
e me sytë mbyllë kujton vedin femijë
Se si hidheshe prej gëzimit kur kokrra e kafes pëlciste
paffff
e fantazinë tande të çmendun gërgiste pa kufi.
Procesi prej pjekjes n’dallap,
pjata e zinkës me u ftohë,
bluemja në mullinin e vjeter
sa vetë nanadaje
të shoqnon në ecjen me hap të shpejtë
e ti ndien nji dëshirë marramendëse
që sa të shkosh në shtëpie me e pjekë nji kafe
me e pi me nji hurdh se ke frike se andrra po mbaron
edhe pse përvlon gjuhen.
E të kujtohet prap nanadaje që thoshte
“Si me e pasë gjuhen me astar e pin moj vajzë”
E ti qesh se e qeshuna të gërget
kujtimesh të bukura
njanjëse
gërgase deri në dhimbje…

3.
Si me të gërga?
Si nji mendim me e pasë lulen e malit
ndër tuajat duer ...
me e këputë e me e dhurue....
Mendime të tilla janë të marra
Të bajnë me arritë deri aty sa
Ti në marri i hyp makinës
ndalesh bri malit
gërdhishtesh duresh
e këput të bukren lulen e egër
aroma mbush makinën me kujtime e erë dashuni.
E mendimi vazhdon me të gërga...
a thue kjo lule, sot në nji gote uji,
diku larg asht kund tha në faqe librash?
Lulet të gërgasin ambëlsisht
Ah gërgase të ambla këto lule janë...

4.
Si me të gërga?
Si nji varg i bukur
që ti bjen në dashuni me të sapo e ke lexue
e të sillet e pshtillet në tru
e si padashtë merr letren shtampue pentagramesh
në vend të notave shkruen dy sy
sy që i njeh shumë mirë
por çuditnisht i ke harrue
e mbetesh njaty me orë të tana tuj i pa
lexue, shkrue…..
e në fund si pa dashtë ndigjon nji melodi
tastesh ambëlsisht tuj tingëllue,
e melodia bahet kangë
vargjesh shtampue
për me gërga ma shumë se ty e se mue…..

5.
Si me të gërga?
Përmallue
fotosh bardh e zi,
kujtimesh
buzëqeshjesh
nostalgjish,
humbjesh e dhimbjesh.
A nuk asht vetë e përditëshmja
që gërget….
tuj kujtue të djeshmen që bren si tenjë
e tuj andrrue të ardhmen
që të “vret”
kret si nji rreze dielli e rame drejtë e në sy
Si me të gërga?
Kam nji mori mënyrash
Tana të mbushuna në dashuni!





***

Mendoj kajherë me të dalë para
Mbrapsht,
Si tesha kur hiqet trupit,
Me neje, fije t'daluna, shkepun, hollue
E dalun boje.
Mendoj kajherë me të dale para
Mbrapsht,
Si tesha kur hiqet trupit,
djerse e parfum përzie me pluhnin e dites,
Të bamun koje.
Mendoj kajherë me të dalë para
Mbrapsht,
Me më kuptue se si megjithmend ndihem,
Se si dukem,
Se si jam!




***

Sa shumë kisha me dashtë
ashtu krejt natyrshëm
me ardhë te ti si vitet.
Me qa me qesh,
me lodrue me ty stinësh.
Me t'mbulue shpindën e zgaqun,
e te hana andrrash me të dorëzue.
Me te shendrite me rreze dilli,
e me lule me t'rrethue.
Sa shumë kisha dashtë
me ardhë te ti si vitet.
I ri, vital, me ty me u dashurue,
e masandej krejt natyrshëm
Tuj të thanë gëzuar....
mes cikërrima gotash
N'paqe prej andej me u largue.
Sa shumë kisha dashtë
Me ardhë te ti
Si vinë vitet në jetë pa pytë.....
Zhdjergem tuj mendue
A thue kisha mujt prej teje ma me ikë?





***

M’ra t’ligë tuj të vegue,
vajin tand resh t’përhimta,
herë kanopë t’gjate xhamash lëshue,
herë pikë pikë çatishe t’qerpikta!
Vjeshta n’dere ka gersite zemër
ti e ajo lot i shtrenjtë,
ti e ajo ngjyra prarue!





***

I kam varë kujtimet tueja në tel zemër,
Me kapse druni t’paregjun.
Janë ba ujë prej rrëkeve t’lodit tem,
po thahen prej murlanit mërzi ndezë!
I kam varë kujtimet me ty në tel zemër,
Në telin tërhiq e mos këput kurrë.
Do mollë sherri pa rradhë janë rreshtue,
harlisjen ndër vite me të kujtue!
Hajde zemër,
Mos i len zgaqë telit përgjatë...
Mbledhi nji kah nji e bani palë,
Herbar n’libër t’jetës rreshtoji,
Dikush brezash kange ka me i këndue,
A ndoshta kallzue si nji prrallë!





***

A e ke pa ndonjiherë drandafilen
Si nji gji përpimes?
Si ato që i shihnim prej maje ure
Tanë trimni?
Petalet i shtrin gjanë tuj i rrethue
Rreth e rreth ma ngushtë
Rreth e rreth ma ngjeshë
T'përpime në kurm
Me mujt me mbajtë t'mshehun
Thalbin nektar.
Se aty fillon e mbaron
Aroma
Dashunija
Jeta
E nji faqekuqeje
Drandafile gji përpi.





***

Identitete gishtash
Në xhamin e bamun ujë,
Mjegull psherëtimash
Pa orë të saktë,
Petali i drandofiles
Dëshmitar i pa za,
Diçka e pabame
U tha,
U shkrue,
Mbeti e zezë në të bardhë
Për me u shijue hamendjesh!
Kohë vere.....pa ujë .....
Kohë malli.... i pashuem.......
Shi i etun kohnash!





***

Në analizen e funditës,
Ndihem si nji qepë!
Po po...tamam qepë.
Herë djegëse e herë e ambël,
Ka shumë të bajnë dita!
Më përshkohet në tru
Se si jam "zhdeshë" lëvoreje
Se si jam ndërrue "cipash"
Me u coptue,
Me u kafertisë,
E me u shkri nji
Me "zarzavadet" me mish apo pa mish,
Ka shumë të bajnë menu-ja!
Në analizën e funditës,
Dal me përfundimin se
Atë pjesën ma të mirë
Ma soliden,
Ma të fortën,
Ma të amblën
Ma të pastrën
E kam nda pa b'za
Në mirkuptim me ke
Megjithmend ka ditë me më kuptue.
Edhe qepa ka shpirt!
Mbas analizës së funditës,
Ndihem si nji fëmijë i lumtun,
E qeshi me kohën e qepës që jetoj!
Zot të falemnders që më mban fëmijë
Me fantazi e andrra plot!
Gëzuar festën e vogla vedja jeme!




***

Ka ditë, momente
Që malli më than'
Për kush boten tjetër ka mbërritë,
Për kë kam larg e as me gisht s'mundem me cikë.
Ka ditë kur due me folë, me qa, me virrë
Por jam fort larg....zanin kush s'ma ndin.
E filloj me qeshë, e filloj me këndue
Vaji murla n'spirale t'shpirtit ngatërrue.
E flas me të tanë, baj hoka e jap mend që s'kam,
E dhimbjen vullkan shpirti mbërthye e mban.
Ka ditë, momente
Që due me vdekë!
Me më qa, e tuj m'kujtue me fillue me qeshë
Ka ditë, momente
Që due me u harrue!
E ikun në të përtejmen shpirtin zinxhir jetet me lirue.
Ka ditë, momente
Që të kërkoj pa b'za!
Ka ditë, perditë...me ty hall due me qa,
Ka ditë...e ç'randsi ka??
"Ta dish...ta dish"
kangën kam nisë me këndue tashma.....
Uji derdhet...si koha që na ikë durësh,
E vogla vedja jeme!





***

Nana shtron tavolinën
e bija vêt me rradhë....
Nanë , sa ban nji kile miell?
“Nji kashatë e ndamun përgjysë bijë!”
Nanë, po kilja e sheqerit?
“Nji kafe ma pak, për xhepin e gjithkujt!”
Nanë po kilja e mishit sa ka shkue ?
“Nji mirakande ma pak për ty e gjithkënd!”
Nanë ……?
Nana ndërpret vetjet me zanin e butë:
“Tavolina shtrue po asht bijë,
ulu e ha,
e kurrë mos harro
bukë, krypë e zemër shtrosh për gjithkend.
Nji kashatë e tepërt për ty,
Asht e përditëshmja për dikë tjetër!
T’baft mirë bijë, une ngihem edhe tuj të kundrue!”






Albana Fani, le e rritë në Shkodër. Mbaron studimet për kanto në shkollën e Muzikës “Prenkë Jakova” me andrrën e premisën për me vazhdue ma nalt. Andrra ndërpritet, por jeta vazhdon.
Në vitin 1999 emigron në Amerikë me familjen e saj dhe sot e kësaj dite vazhdon jeton e punon atje. I kthehet kangës, andrrës së saj mbas nji kohe fort të gjatë pauze për me realizue do incizime të disa kangëve popullore shkodrane si dhe marrjen pjesë në nji koncert në 2012 “Poezia- Arti i fjalës shkodrane”.
Dhe së fundmi në Maj të 2015-tës, realizon koncertin e saj në vendlindje të quejtun “Jare Maji”.
Shkruen poezi për hobi, shkrimet e saj Albana i quen “shfremje shpirti”.
Pikësynimi i rradhës, nji koncert tjetër në Shkodrën e saj, ku andërron të gërshetojë kangën me
vargun e saj


Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde