'Poezia si kange, si dashni, si jete'




***

Kanga të erdhi
e hapi tanden derë
me ta njoftë trishtimin
mungesën
me ta prekë shikimin
sytë me të adhurue
flokët ndër nota me t'i shkrue
vuejtjen me ta ba njish me jetën
e jetën me ta lëshue prej litarësh të gjatë
dhimbjet nyje nyje
ku të çahen duert
të del gjak nga shpirti
e zemra në mes gjijve të bahet mur
pa gur
me damarë
të trashë
askush mos me u ngjitë me ta marrë me të mirë
vetëm ajo kangë që të hyni në derë
tashma e di.


***

Pikë uji
mos u këput
rri aty, në kapërcythin e strehës
e lules, e resë
e gotës, e detit
e lumit që s'tretet
e synin që s'preket
nesër kam nevojë për ty
për me u pà
me u krehë,
me qeshë
me iu zbukurue ditës tjetër
dhe me ecë
pa pasqyrë
me u lulzue në muaj të mërzitshëm
dhe me jetue
tuej pikue
ditë për ditë
nji nga nji



***

tik tak, tik tak
më rri edhe pak
lulja për ty më mbet' në nji prag
pa fjalë
e kisha zbukurue me mall
me dëshira dite
me zhurma hapash e shamate
me qeshjen me të madhe
nga ato që dalin prej shpirtit
e po due me të thanë
nëse tufën s'pat postier me ta sjellë
gjumin nadje me ta nxjerrë
fjala,
ajo të vjen lehtë
në dhomën tande mbushë me libra e emna fisesh
'edhe njiqind oj fisnike'




***

Me kenë, sikur të kishe kenë,
thjeshtë qënia e jote
asht nji dashni e fillueme nadje
pa u prekë, pa u djegë
pa i shprehë dëshirat në shtrat
por tuej la faqet vrap
dhambët
shpejt me zgjue vajzat
me i ndërrue
me ia hekurosë teshat
me dëgjue tekat e secilës
për ngjyrën e fustanit, për lidhësen e flokëve
për T-shirtin e radhës
këpucët ngjyrë rozë, apo me Winks ngjyrosë
me u shtrue tavolinën
me pastrue qumshtin që e derdhin pa dashtë
me pranue ftyrën e vërejtun të të voglës
që s'do asgja ma hangër
e tuej u bërtitë, e tuej i nxitë,
'jashtë, jena vonë, jashtë'
e me u kujtue në pak sekonda
'zemër, a të kujtohet, a e mbyllme derën e shpisë'?
Me kenë, sikur të ishe
qënia e jote
pa dorën në ftyrë
pa prekë lëkurën e kërkujt
asht nji drekë e shpejtë,
pa u idhnue se supa s'ka krypë
se sallata bie në fustanin e së madhes
e me shpejtue, ditën me e kap pa mbarue
e prapë, disi, dikur me u kujtue
'zemër a i more çelësat e makinës'.
E kështu perëndimi na i zen darkat
tuej luftue me kenë në kohë
me vedin, me fmitë
me zjerrmin që na pret kur ta fikim atë dritë.
Përrallat te shtrati, thirrjet nji nga nji te vajzave
për nji gotë ujë
për me ua pushue vajin se bota s'ka me mbarue asnjiherë
e se nana e tyne ka me kenë e re
se Little Pets Shop janë vetëm vizatime
se Borëbardha i ka edhe flokët e verdha...
E kështu, në orën e ndezjes së dëshirave
na me fjetë
në krahët tonë
të lodhun
pa masë
'zemër, harrova me ta thanë kur jena bashkë
asht njisoj si me të dashtë'
por tanë kjo 'vetëm po të ishe'




***

Ma kanë vjedhë nji copë flamur
e kisha me vedi ju betohem
e kisha ndër duer të pikturuem
e kisha në shpinë
por ma kanë marrë
kur po shihja andrra me det të gjanë
me bashtina të bukura
me male e kodra sa zemra
me fusha që freskohen në të kulluemin ujë.
Po më kanë vjedhë edhe nji copë tokë
kur e kisha të ngulun trupin
e të mbjellun shpirtin
e më valviste buzëqeshja te dera e nanës
ma vodhën pra, prapë në andrra isha
shtri në lumejt me copa bore formue
tuj lundrue në lumturinë e fmive
që qeshjen tash e kanë me orare
e rrudhen shpejt në prehnin e prindve.
E kështu pjalla mbetet shkretë
s'kam ku me e tundë cohën e fundit të kuqe
me nji nishan të zi në mes
më kanë lanë pa luftra me fillue
pa vatrën për me ngrohë armët
dhe ulem buzë Drini, Bune e Vjose
pa ba za, pa u çjerrë, pa i shkulë faqet nji nga nji
për me i largue ato sorra
që hajnë vaktet në mishin tem e krokasin
si dje, si sot, si sot edhe njiqind vjet.



***

Pluhni që të ka ra në shpatulla
s'asht gja tjetër
vetëm rrugë
vetmi rruge
e ti
aty në mes personazh i thjeshtë
ke harrue me kenë vetja
me kenë i afërt me dikë
me kenë i dashtun me ndonji
dashninë me e pasë shoqe hapash
lufte, pa gjak e shpata,
por me zjerrm e përplasje krahësh.
Ke humbë kohën tande
ora të ra në ujin e lumit që kalove mbramë
e nuk u ktheve kurrë me e marrë
as kryetin nuk e solle
me ia pa akrepat në çfarë numrash qenë
doje me vazhdue pa llogaritë minutën e flaktë
që të kaloi për faqe, për seks, për buzë
Po bahesh pluhun shpirt
mbi tokë s'po lë asnji mik
me të tregue historinë e lodhjes
e ditëve tueja kalue në shtypjen e punëve që kurrë s'i deshte
e dështimeve tueja, e fillimeve të shumta prej zeros deri te njishi
e asgja ma tej
po bie edhe perdja
dhe teatri ka për të mbetë shkretë
asnji lypës mos me u gjetë
me thanë nji lutje
sa nji kacidhe, për ty.



***

Mu ka ngri drandofili
akull, në tokë, në petale, në flokë
ka për t'm'u thye
e di, nesër s'ka për t'm'u zgjue
në asnji vazo, as në atë copëz dhé, ba gropë
e ka për të më ikë
dritën e ngjyrën me ma marrë
me vedi, si rroba të mbështjelluna, gati për rrugë
e kam me mbetë pa asnji gjurmë
për me ndjekë fijen e tyne
shkëlqimin lëshue si rreze të pakapshme prej meje
prej teje, prej krenave mbetë pa andrra të ditës
shtegtue prej natës së gdhendun si skulpturë pa sy
e ajo thyemja e tij, m'u ka thye në mue
m'i ka nda dëshirat, m'i ka lanë vetëm lutje
e lutja mbetet bukë, vetëm pa asgja, thatë
e s'kam ma se kujt me ia dhanë
por dramca, nji nga nji përnatë me i hangër bashkë
për me u shkri
ma në fund
me lindë prej ngrimjes
e prapë me u ba fli
ti e unë në nji
drandofil



***

Më shih, pak, tre minuta
jo ma shumë
po përpiqem me kenë dikush
synin tand mbi trup
dorën lehtë në lëkurë
zemrën randshëm nën gjoks
pa folë, nji fjalë
me më pa ti
më duket si dashnia e parë
harrue diku në ranat e detnave
emnat s'ua mbaj ma mend
por aromën e krypun të saj
e kam vragë, plagë që s'më hiqet
as prej kofshëve
as prej shpirtit
e sa për me harrue tanë këtë
ti veç më shih
e unë le të digjem
në at' tandin vështrim.



***

Më ke ikë prej pasqyrës
kur, s'di, se ku
por aty s'të shoh askund
përditë, si asnji ditë.
Dora s'e prek ma pasqyrimin e ambël
vetllën tande të thame në cep të raftit
trupin ra, shtri, si imazh në anë të shtratit.
Dhoma më shëtit në sy, kërkojnë ato më kot nji 'ty'
atje, në prodhimin e blemë me të lirë
në tregje sendesh të përdorura, të kisha lanë
të kisha ngjitë, të kisha shpirt.
E pastroj, me zell, e hukas, gërvishtjet ia gërmoj
asgja s'më del prej asaj,
eh, po unë aty të kisha lanë, pse ta kisha thanë
vjeshta vjen e ikën në nji minutë
s'ka stinë tjetër ku të kërkoj ma mirë
se aty andrrat më bahen gati me ndejtë afër zjermit
se më ty ai më dukej dy
e bahesha gati për dimnin e nji jete.
Jam ulë në shtrat e nuk flas ma
fjalët m'i vodhën nadjet e zgjueme pa zbardhë
e kur m'u mërziten errsinat që më gjetën prapë aty
i treta, në orarin e duhun, i nxora jashtë
në ditët ku mbledhen jetët e hedhuna i gjuej,
e ruej, e rri zgjue, pa përtue
me cikë ndonji reflektim mbetun në mur
apo në valixhen e harrueme
diku, s'ka randësi ma se ku.



***

Më shuej
jam si këto gacat e prushit që ma prishin mbasditen në qiell
që s'dinë të treten
që sonte do ndizen prapë
Mos më ruej
e nesëmja s'ka me kenë si koha që u dogj sot e s'diti me u fikë kot
në jastëkun e nadjeve të mia
në shtresat, lehtë, në rehati
Më puth
me cepin e reve, me freskinë e gjethit që ra pa moshë prej temit ballkon
atje në synin që m'u lodh tuej pritë fluturimin e lumit mbi mue
pas qafës që mban diellin pa rreze të rrumbullaktë, humbë në mjegull
Mos më përkëdhel
s'erdhën zogjtë në këtë vjeshtë me më thanë lamtumirë
nuk e mbylle derën pas vedit, këpucët të mbetën në shpi
janë kujtesa e ardhjeve pa stinë, pa përcaktim, me dashni e me zjarrmi.
Mos më duej
jam e huej
për vedin
e për ty,
të betohem për këto duer.



***

Do i vjedhem natës
do eci ngadalë,
gishtat e kambëve në harmoni me tingujt e ajrit
trupi pa ndryshue rrezen e errsinës së dhomës
s'duhet me më pa as andrrat e vajzave
as librat që pushojnë nën shtrat
as shtresat që më mbuluen gjumin
as hapësina e qetsisë sonë
e do të mbërrij aty
te dera jote
te fletët e tua
ndër petale të lagshta nga harrimi në bahçe
do i hap
nji e nji e nji, sa të ketë 'nji'
për me mbërritë te ti
n'zemrën tande të kuqe nji natë me fjetë
drandofil
e në nadje unë e ti me u çilë
ti i bukur, ambël, në nji kohë me ngjyrat
e unë krijesë krejt e vogël
pa ditë, pa kohë, pa diell
por me andrrën në duer
jo, në këtë jetë, s'kam frymë me të këputë



***

Ngjitu ngjitë me dhomën teme
preke murin e saj
si trupin tem të lehtë
thuaji ato fjalë që doje me m'i thanë mue mbramë
ai mur asht, nuk t'i ngul sytë
e ta mbyll gojën prej vështrimit
përkëdhele lehtë tanë hapësinë boshe, të fortë
m'i mendo flokët, ndamjen e tyne në mes
bishtalecin e njëjtë
dhe më ndjej aty, i vetëm
pas dyerve të mia
i pamundun me më përqafue
aromash të mia harrue
tingujve dashnie të pa vallëzueme, si asnjiherë
as nën dritë qirinjsh, apo heshtje gotash të trokituna dikur
Muri le të të duket ma i ngrohtë se unë, s'ka gja
por unë për ty s'jam në shpi, kam dalë
isha e dalun edhe mbramë
kur ti ishe vetëm për dashninë tande
lulet ia kishe kushtue vetëm vedit
që dritat i ndeze me pa vetëm me sytë e tuej
dhe buzët i kishe të ngrohta nga dëshira e jote.
Kur të jesh në shpi vetëm për vedi
unë s'kam me kenë ma aty
kam me u strehue në atë strehë
ndërtue për dy.



***

Sot për në punë vesha bluzën tande
e di që më rri e madhe
me rri si fustan pa prerje në bel
nuk e lejon as gjoksin të dallohet nëse asht aty
as ngjyrën e sytjenave të mi s'i sheh kush sot
Xhinset e punës poshtë saj
dhe kanga jote e preferueme ushtoi në makinë
dhe nji rrugë me diell të gërvishtun më doli para
duhej ta bëja,
dhe e bëra
duke mendue për buzën tande
për buzët e mia mbetë diku në pjesën e shpatullave
me dëshirën me të hangër dhambë.
Kilometrat e fundit i bana pa qejf
se e di që do më zgjonin nga kjo andërr ma e madhe se unë,
e humbun në te,
për vite kisha dashtë aty me kenë, pa rendë
E në pikën e fundit të mbërritjes
mora drejtime të tjera, andej nga dielli ma bani me sy
s'po shkoj ma as në punë, s'po kthehem ma as te ti
do jetoj vetëm me këtë bluzë veshë
t'ia gjej fillin e fundit të kësaj bote
e andrra të mos i frikësohet tandit mbarim.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde