Post-poezi

Post-poezi

Zgjohem pa zbardhë
jam tanë poezi
laj faqet
e mendoj poezi
veshi vedin e fmitë
aty asht nji tjetër poezi
hypi n'makinë
më ndezet ajo poezi
eci me marshin e pestë
më përshkon nji poezi
punoj gjysëm e ditës
e poezinë e kam prapë në krye
kthehem n'shpi
laj enët
baj drekën
shtroj darkën
shoh perëndimin, hanën e natën
tanë poezitë vijnë e më ngufaten.
Kur shihem n'pasqyrë
ajo imazhin tand
e kthen n'sytë e mi,
aty dorëzohem,
e ndjej për ty.


Kangë udhëtimi

Merre frymën në grusht
çaje n'dysh
ti mbaje nji gjysë
tjetrën e ngjes unë për fyt
Një Arkimend thonë se pret
nji vegël me na dhurue.
Hapi venat pak, merri me t'butë
ti mbaje gjakun e kuq
unë atë blu
para kena nji shekull rrugë.
Unë n'sytë e tu e ti në t'mitë
e ndajmë ngjyrën e qielltë.
jo, mos i mbyll,
s'kena nge asnji orë me vdekë
humbjen s'do na e falin retë
që na u banen kalldrem
shtrue me t'butin ajrin tand e tem
Nji ditë do mbërrijmë te ajo derë
Ku gjithmonë pret nji Arkimed i tretun
dhe një levë,
harrimit brejtun.
E na duhet me u shtri, me u mbështetë
e prapë, drejt yllit të lindjes me ecë'.

Unë jam nji derë

Ajo e ngriti njat derë,
qëlloi që i kish ato shpatulla t'njoma,
anue me ditë nga lodhja
kur kërceu valsin e parë kallot
s'i kishin ikë ende nga dora
Kuklla, kuklla, hajde se tash asht mosha
leni gurët, drrasat, hekurat
betonin, blloqet, gozhdat...
je e vogël, t'kanë lezet llastimet e ojnat.
Dera s'ka për t'kenë asnjiherë e jotja
merr frymë thellë, hap do thonjëza
harroju, atje i ke fmitë e lojnat
mëso si kërcëhet e andrrohet
nji gardh me kalue princat përtojnë
për ty ka për t'i zanë gjumi
ndër caqe tjera,
ndër folena
streha
shpella
e s'kanë për ta gjetë n'cilën rrugën banon ti.
Asht zheg, të duhet pak hije
pallati a shpije
zhavori t'qëndron përballë si mal i shkriftë
mos u rrej prej kambve që në të t'humbin
shko te nana, fërkoje kryet për prehën,
ruaje aty prej të nxehtit e të rritunit
në t'satin sekondë, në t'parin minut.
Edhe pse me qejzash drrasash n'trup gjithandej
u krenue se iu ba e fortë dhe e bukur ajo derë
për të i pat zhytë duert n'llaç e n'djersë
por tash, asaj s'mundet me ia ndje atë erë.
Fmive t'vet u pëshpërin
'mos u lodhni në të njomtën moshë
me ngritë objekte
që vetëm n'andrra janë rranjë e jetë
për ju bota e liria, dy dyer
që do i hapni dhe do kujdeseni po vetë'


Vetëm nji fluturim

Kam nevojë për zogjtë e tu,
qofshin edhe mjellmat e hutueme
i dua,
i dua,
jo nesër, por sot.
Varë m'ka mbetë shpija
për ngjyrën e fijen e barit
e due t'baj përpjekjen e fundme
që ta ha njiherë atë bukë të kullueme.
Zogjtë e mjellmat e tua kanë me ma mbajtë
me shqep, me krahë,
me fuqinë që s'i len n'tokë me ra.
Nji udhëtim asht,
me nji frymë ata e bajnë,
t'vijnë, t'ma gjejnë rehatinë
s'ka gja, mes kallamave apo baltës
ajo do jetë për mue si çatia e botës.
Ah, vetëm nji fluturim,
se unë prapë do t'i kthej te ti.

Fjalët e vrame

Perëndimi m'u mbyt pas dritares
retë skuqin si pas betejës së Pirros,
na të dy përballë
unë këndej xhamit ai jashtë
m'i mori rrëshqanë dy fjalë
që vetëm i lashë, e kisha frikë me i thanë
e ato janë atje, peng i luftës pa fitimtar.
Dielli nji zjerm të vogël ka ndezë
po çon në hell luftëtaren e fundit
ia dëgjoj vetëm spazmat, virrmat
kam mbetë pa shokë e krahë
se do e kisha ndihmue pak
s'do i dilte asnjiherë shpirti aq ngadalë
do e mbysja shpejt, me të thyemen shpatë.
Unë s'do e ngjyej ma penën për poezi
deri sa fjalët t'mi kthejnë Pirroja e perëndimi
s'due t'jem viktimë a e heroinë e asnji lufte
due t'jem vetëm njeri
që shijon rrezet e fundit, ndërsa vijnë e flejnë te ti.

Ajo asht diku

E ti më thue, kërko për veten
pikërisht, atë të vjetrën
të kahershmen,
atë që s'lidhte dot dy fjalë,
po pra, atë të voglën krejt
me flokë, me pantallona e dashnina të shkurta.
E unë hutohem, ç'akordohem
hapi çantën, filloj e gërmoj;
'Jo, s'jam te karta e identitetit, as te e shëndetit
te patenta jo e jo, e përkohshme asht edhe ajo
shoh mos jam te kontrata e punës apo e shpisë
ah, prit e gjeta, asht te denoncimi i policisë
e pata lanë aty, kur më thyenin xhamin e makinës
jooooo, atëherë duhet t'jetë te çeku i bankës,
ose te dokumenti që firmosa kur i çova lekë nanës'...
M'fal s'e nuk po e di ku asht
m'jep edhe nji tjetër mundësi
duhet t'shkoj në shpi
me marrë GPS 'Gramin'
të vë adresën e re e asaj qe thue ti
se mbase ia gjen ai shpinë.


Hanë, ku ishe mbramë?

Palë e bana hanën
unë deshta
e mora mbramë në ballkon
ia zgjata duert
më shtrini zemrën
si nuk tha
si nuk tha asnji fjalë
disafish e mblodha
rrotull rrotull e mora
n'sallon s'bamunit palë mbarova
se mbramë, edhe pse në nji vend e vrame
tmerr, ishte, aq e madhe
Ashtu t'vogël
e rroka fort
s'ishte e ngrohtë
se i ka t'akullta ato gropë
por ajo ishte aty për mue
me m'u sjellë e me m'ndejtë n'gjoks
si fmi, që për përkëdheljen s'thotë kurrë jo.
Ndejtme ashtu deri në t'zbardhun
qyteti kishte ndezë dritat neon
dhe i fiku, kur dielli t'bani me krye
'çoju prej aty, e kam radhën unë'.
E t'i u çele, u shtriqe, t'u hap edhe goja
tunde pak kryetin
diellin s'e kundërshtove
hape derën dhe u largove
e mue më mbetën krahët t'ngrimë
vara kryet si i pasuni i pangimë
po nji cep buza m'qeshi
takohena prapë në netë të plota
s'ka gja, mos hajde ma n'përqafim
të kam,
të kam,
si ma t'shtrenjtin kujtim

Shoqja që mungon

Kam kujtue
se me kenë njeri i mirë
asht edhe me i ndejtë afër shoqes
me pi nji kafe, më ba muhabet
edhe nëse ajo t'kërkon ndihmë
ti me ia zvogëlue sa të mundesh ato dhimbë.
Kam kujtue
se me kenë grue e mirë
duhet me e durue shputën, dhunën
pështymën, çmendjen
se duhet me kenë zojë
se kështu na kanë mësue me e mbajtë familjen e fortë
Kam kujtue
se ai katallani që pat në shpi shoqja jeme
i rregullonte jetën, ia mbushte me t'mira
i ndreqte dritaret e dyert, me dorën gurë
e ai s'dinte asnjiherë me e fërkue për mur
por i pëlqente me ia shprishë atë nur
Kam kujtue
se kështu secila duhet me e ndërtue jetën
se ka me pasë gjithmonë qetsuesa e kortizona
mos me i ba gja as doktori njollave të violta
që ta mbush recetën me nji mal ilaçe,
vetëm shpejt e shpejt, me t'heqë qafe
Kam kujtue
se ajo, dikur e bukur e plot gaz
e tash pa dhambë n'gojë, e shpina kërrusë për maraz
e ka pasë vetëm të shkrueme kte fat
e kurrë s'e ndihmova me dalë, ose edhe me plasë
se kështu ma kanë msue
shpija e fmija s'rrinë dot pa grue
Kam kujtue
vetëm kam kujtue
se kur i vuna akullin në ballin e frymë
se kur e mbulova dhe i thashë natën e mirë
ajo prapë t'nesërmen ka për t'vazhdue me durue
siç po bante për tetëmbëdhjetë vjet
ajo tashma duhej ta kishte pranue
se shenjat, plakja para kohe, ishte traditë e shtrueme
Dhe mbylla derën pas vedit
dola fshetas për mos më pa ai tjetri
se të nesërmen do vija prapë në këtë prag
me ia ndërrue shoqes ato plagë.
E mue m'zuni gjumi
andrra të trazueshme m'kaluen
E kam kujtue
e kurrë s' kam për ta harrue
kur vrap ia hapa derën e gjumit të saj,
që dikur luante futboll ma mirë se djemtë
kambët i koloviteshin, kushedi prej sa orësh
varë ishte ajo zemër e madhe
në llampadarin që patëm ble bashkë
për ditëlindjet që ajo kurrë s'i festonte
e unë shtri përdhe me zemër t'vogël
s'pata e s'kam asnji lot
as n'ditën e fundit s'i shkova dot
Kam kujtue
vetëm kam kujtue
se asgja vetë me ba s'po due.
Ajo, po ishte grue
e tash mue m'duket vetja
ma e rrafshët se nji thue.
Vetëm, pa pasë mundësi me i thanë 'të due'


Merimangë

Merimangë të shkurtë m'ka ba nana
kambët ma t'gjata se trupin
më bekoi me pak tambël
e m'tha, 'hajde bijë, dil e thur
tanden rrjetë
si t'vetmen jetë'
por unë s'kam ditë
nji palë çorapë me qepë
e m'kanë vuejtë gishtat prej t'ftohtit
nji nga nji ranë n'tokë prej morthit
fijet i ngatërrova
ato që duhej t'i thurja me dorë e dhambë
i mora nëpër kambë
i shtrova kot prej toket deri n'hanë
me andrrat e rinisë me i pa prej nalt të tanë
por a të kujtohet, ajo era e lehtë që fryu atë natë
ngrehinën teme m'a rrëzoi me t'parën, i ra si me shpatë
e s'dita me u ngritë
e s'dita me fjetë
e s'dita me e tjerrë prapë atë rrjetë
se atë që me mund e ngre
e prishi padashje po vetë.
Nanë, e kam të bleme
nji gja plastike, prodhueme n'Kinë
e hapi n'darkave dhe e mbylli nadjeve
më mblue kryetin tem e t'fmive t'mi
dhe ta dish, po ta tham edhe sonte
jam nji merimangë, pa shkollë e t'ardhme.


Dhjetë e dhjetë, nji jetë

Dhjetë vitet e para
të deshta
njiherë s'rreshta
s'u lodha
asnjiherë s't'urreva
njimijë herë t'përkdhela
flokë, duer, qerpikë
hanë e diell, se kisha lekë, për ty i bleva
Dhjetë vitet e dyta
t'urreva
njiherë s'u lodha
asnjiherë s'të deshta
njimijë herë fshiva gjurmët
t'flokëve, duerve, t'qerpikëve
hanë e diell, se s'më duheshin ma, i shita
i bleu, ajo, koha si shtrigë
Dhjetë vitet e treta
u lodha
hanë e diell i këmbeva me molla
i shisja si frutin e parë dhe të mbramë
s'kishte ma randësi nëse të doja
njimijëherë t'u largova
gjurmëve u doli boja
Dhjetë vitet e katërta
n'gjurmët tueja rashë
por urrjetja jote m'la jashtë
hanë e diell m'ndejtën afër
s'më dhanën as at' frut me e hangër
mbeta me shenja
n'lodhje e n'dashni
dhe prapë ia filloja
Dhjetë vitet e pesta...
Dhjetë vitet e gjashta...
Dhjetë vitet e shtata...
Dhjetë vitet e tetat..
Eh, kushedi sa do të jetë ora jote
se e imja tregon se u ba vonë
s'ka ma kohë
trupi jem asht pak hollë
mund t'vdesin sot, nesër a në shtator
por dashninë deri tash
ka ditë me e mbajtë ngrohtë
s'ka për ta ftohë
edhe pse ka me pushue njiherë
hanën e diellin nën at' mollë
ka për t'i pasë t'vetmit shokë.

Stinë...

Po krasisin
n'lagjen teme
burrë e grue
kanë sa ditë
krasisin pa pushim
me turr, me ngut
vrap me këputë, me këputë
pishën e vogël
hardhijat
trëndafilat
asht edhe nji lule çile
që e doja pa ia dà
por pa i pyetë
po u presin kambë e dorë
me i dhanë jetë, po thonë
me i heqë t'këqijat
me i dalë gjethi ma i njomë
deri tash ka shpëtue
ajo, e jemja, e dashtuna dardhë.
Unë s'jam e zoja me i ndalë
n'ballkonin e katit t'tretë
unë baj krasitjen teme përnatë
krasis cigare
njena pas tjetrës
s'i la me mbarue
kur fiket njena, tjetrën shpejt ndez.
Nji herë s'më mjaftoi fryma
s'donte ma as mushnia
atëherë përdora lugën
pastaj garuzhdën
plot, po t'tham.
Tymi më mbyt mushkojat e natës
andrrat e radhës,
hanat si pjatë
Por ai asht i mirë edhe si perde
me mblue kërcimin,
puthjet e përkëdheljet
të kojshive përballë.
Janë ata që dje u zgjuen pa zbardhë
e si për inatin tem
ia morën shpirtin asaj dardhë
gem për gem.

Malli për det

Bulza argjendi
bulza
bulza
që t'ngrihen përpjetë
ah si e përshkrojnë
trupin tand të lehtë
që ngrihet kadalë
e ti ke qejf aty me ndejtë
veshë me fustanin e qepun vetë
e kridhesh
e zhytesh
për fund tretesh
'prit edhe pak
argjend përzie me ar
se jam tanë nur n'ty
edhe pse uji m'ka zanë t'voglin fyt
le t'fryhem e t'bahem kacek
vetëm n'bulzat e tua due me vdekë
m'ka marrë malli edhe kështu për atë det'


Lutja e fundit

Ti je Profet i shpikun,
me mjekërr t'gjatë
pantallona t'shkurta
me ftyrë të vrame
me dashni të parcelizueme,
por ulu njiherë
zgjidhi vetllat
ta pijmë nji kafe
unë e ti, tri metra largësi
aspak dashni
tremijë e sa shekuj lutni.
Mbramë t'çova fjalë
që ma len tem vlla me ardhë me m'marrë
si Doruntinën shtatë male humbë
pesë aeroporte ndërrue
se malli e kujtimet m'randojnë
ma shumë se vaji i fmive
dhe këtu përdhe shtrue po m'kapin nji e nga nji
tana perëndimet
s'po di me i pa ma se nga janë lindjet.
E ti s'ma le, e nji fjalë s'më the
edhe pse t'u luta
'pashë sytë e nanës'
le t'i shpejtojnë ai vlla kambët.
M'u mërzite për mbiemrin 'i shpikun'?
po a s'asht dashnia që i mban t'lidhun
vlla, motër,
nanë e babë, tanë në nji votër
e ai që dikur shkruante fantashkencë
asht i mbyllun në mendjen tande t'vogël.
Unë n'derë s'due Skendërbe,
as Mujë e Halil
Robokop apo Supermen
më merr mallin për t'dikurshmin vllaun tem
thjeshtë me e pyetë ç'ka bahet n'at' vend
se unë jam nji Doruntinë që i baj vedit shteg.


E vogla jeme

Ajo e vogla
ma rrudh gati përditë ballin
emni prej Bjeshkëve t'Namuna rà
nji fjalë shqip ende s'ma tha
'bijë, unë jam nanë e jo 'maman'
ma shif lëvizjen e buzëve
përpiqu thuaj 't'due fort' në vend të 'je t'aime'
e ajo është jot motër e jo 'ta sœur'
Edhe andrrat tuaja i përkasin këtij vendi
trazimet me za i ke n'frëngjisht.
Zemër, ke temperaturë, ku të dhemb
'j'ai mal au ventre
me tourne la tète
donne-moi quelque médicament'.
Hajde dalim nëpër qytet
që i ngjan pak vendit ku kam lindë
nji ditë do e shohësh edhe vetë
'non, ma ville est juste le Metz'.
Turfulloj
s'i t'ia baj me ktë fmi n'Shkodër kur t'shkoj?
Por deri atëherë kohë e largët
gëzimi i jem i shqipes tash për tash
asht vetëm kur ajo thotë 'tu me lag'


E premte, darkë vonë

Në nadjen teme
më zgjon nji zog maje peme
rrezet e diellit m'hyjnë deri nën jorgan
ose kur koha asht e mërzitun
shiu e era rrahin keqas grrilin.
Ngrihu, hedh pak ujë
mos u ndal
me pickërr hiqi dy vetlla
por mos u shif n'pasqyrë
ajo s'asht aty, harroje...
Pastaj;
laje, pastroje, fërkoje
dhe fillo prapë, shtupoje
hedh pak acid në shurrtore
gjithandej disinfektoje
kokën mbajë ulët
përshëndet
buzëqesh
asimilimi për ty asht peshqesh
Skena ndërpritet
'Est-ce-que tu viens avec nous au marchè'
dhe harro për të disatën herë
endem tregjeve me bijën e Oranit
që edhe n'gjumë s'di të hedhë hapin
se edhe andrrat e saj marrin vrapin
nga larg ardhun ajo e Guaianas
e vogël, poete n'gjuhën e saj
e qetë, e di, e thotë, që për askënd s'asht e duhuna kjo jetë.
Errësina s'di të bie në ktë qytet
po kundroj dritaret e tjerëve
që në ktë orë kanë fjetë
unë e meritoj nji Ravini
e nji fjalë të tepërt
ré mos ma vini.

Motra përballë

Ah moj motër,
jetojmë në nji shpi
si me kenë jetime
të ndamë e kena edhe gjumin
andrrën
ankthin
unë këndej e ti andej
due me ta vue dorën n'shpatull
me t'thanë kaloi edhe kjo natë
por unë rri n' temen e ti tanden republikë.
Ti n'shtratin tand unë në temin
due me t'thanë se sa kam frikë
se dikush ma vodhi shtetin amë
po m'thonë se flamurin ia hedhin pësipër krimit,
me fshehë gjurmë
me fshi qurrat, seksin e duert
e shtrojnë për sofrabez në përvjetore të shtrenjta
ma humbën edhe hymnin
as të vetmen strofën që kisha ruejtë
'me një dëshirë e një qëllim' s'e gjej kund
i pyeta, por s'e kanë as ata që shkojnë në stadium
që këndojnë me t'madhe 'oh sa mirë me kenë shqiptar'
e kush e këndon pà, ata si unë
rrugëve t'botës sillen si qyqarë,
ose siç tha motra tjetër, njerëz 'me gjak jashtë'
Fishkezjarret e tua janë njisoj me t'miat,
janë zhurma për me mbytë britmën teme
janë drita t'gabueme në netë të gabueme
me humbë rrugë e kurrë mos me e ditë me gjetë
jo s'asht i duhun ai shteg.
Edhe n'Tiranën teme hedhin flakë të tilla
edhe n'Shkodër em amë del n'dritare
me pa ngjyrat që ka vite që s'i ndan
dhe ofshanë
dhe më shan
që e lashë republikën n'duart e horit
që fort mirë din për votë me t'pague
e pastaj po fort e fort me t'përdhunue
e pastaj me t'folë për demokraci
e pastaj me dalë n'foto tuj mbledhë qershi
në zyra e kompjutera të shtrenjtë
ble me urinë e t'varfënve
t'përcjellin me buzëqeshje mesazhe vdekjeje
e ti s'je, e unë s'jam
e miku e mikja ime n'Amerikë s'asht
ne, ata e të tanë kena plasë
nji shpi me hangër bashkë nji darkë, s'u bamë

Pesha e sendeve

Zemër, unë jam nji valixhe e mirë
prej lëkure të rreshkun fort
e thame n'telin e shpisë
e punueme me mund me dorë
në kundër e rrahun për me marrë formë
e tërhequn me pinca deri n'skaj
mbërthye me thumba në skelet
çekiçi ditë e natë n'mue kërcet
me nji zinxhir t'bukur, i ardhun prej jashtë
krejt gati, me mbajtë e me zhbajtë.
Brenda fut çka ke qejf ti
rrobat, brushën e dhambve
këpucët, librat, fotografitë
mos harro, merr edhe krenarinë
mustakt e gjyshit, si trashëgimi.
Hajde, shtypi edhe ma shumë
për ktë jam ba, me mbajtë e me krye punë;
zilen e derës, filxhanin e çajit
bishtagypin, hoken, fletët e lavdërimit
historinë e familjes, dy rranjë fasligen
aromën e livadeve, edhe pak liqen
hajt nëse ka vend për luleborën
pushimet e verës dhe nji shishe hardiq...
Zemër, s'e kupton që m'ke mbyt
unë e shkreta nji valixhe jam
ngarkuar n'kurrizin tem me çka peshon ma randë

Ngjyrë gruaje

Jam nji zezake e bukur
fryma më ndalet n'shoqninë raciste
e s'di ku jam, e s'di pse duhet me kenë
për të jam vetëm epitet, s'më thërrasin me emën.

Jam nji e bardhë e zakonshme
e paragjykueme n'shoqninë me ngjyrë
u kujtoj egërsinat gjithëherë
që u lëshuan dhe i shkyen si kafshë

Jam nji e pashkollë
majë mali, por rri edhe në buzë t'qytetit
e vrame dhe e përdhunueme
nga padija e mbyllun me të tjerët e me vedin

Jam nji prostitutë e vogël
që mbijetoj duke u qirë
në qoshe t'errta apo në dhomat e luksit
shtrij seksin e shpinën, jam motër me lypsin

Jam nji e shkolluar
çirret dija n'mue, ma nxjerr edhe gjuhën
por n'zgjim duhet të jem punëtore shembullore
t'ia nis edhe njiherë aty ku e lashë, para se me ra n'gjumë.

Por, mos kërko ma andej
jam unë
s'kam perde që nji tjetër të fsheh


Ditëlindja e katërdhjetë e dytë

Kam ditëlindjen
hajde ta festojmë
apo
mos e kisha muajin që shkoi?
Jo m'duket e kam n'ktë ditë
apo e kisha vetëm javën tjetër
s'e di tani nëse e festoj nji herë në pesë vjet.
'Alo nanë, kur i kishe ato dhimbë?
a je ajo që mban gjallë kujtesën tonë?
s'të kujtohet kur e nxorra këtë krye?
i sati vit i imi asht këtë ditë?'
'Alo, a kam linjë, a je ti, s'je n'linjë
apo po ke therje nga e mijta thikë?'
pëshpërima më flet andej matanë
telefoni s'ta përcjellë zorin
por në vesh lodhja jote m'ushton
njena-tjetrës ia presim n'gjysë heshtjen
telefoni i duhet të shtiret, sikur s'po punon
Festa më bahet akull
unë s'do isha po t'mos ishte ajo nanë
që mban gojën mbyllë
por e di që nën jastëk e ka ruajtë si lot
ditëlindjen time të katërdhjetë e dytë.

Dëshirë e fshime

E kam marrë, e kam në shpinë
t'fundit shënim
që m'le para se më u ba flu
e gjej kanjiherë
nëpër t'pakta relike që ruaj.
I kanë ikë disa shkronja,
asht vjetërue paksa fleta
cepat i ka hangër koha
por aty asht tanë i yti shkrim
asht dëshira jote e vjetër
që unë me qeshë
mos me pranue me ra n'vajë
me e gëzue jetën
me shikue e me ecë para.
Por asht fshi e fundmit dëshirë
se kë me dashtë e kush me m'dashtë
a ma kujton edhe njiherë
në këto pak ditë që u bame bashkë?



E verteta tjeter

Thuaji të vërtetat tona
thuaji deri n'fund
mos i len përgjysë;
që pas nji dite të zymtë
krejt pa dashtë dogja pyllin
nji shkrepse e shoi
duket s'më mjaftoi ngrohtësia e jote
se ndër fijet e pishave, ra përdhe
po kërkoja nxehtësinë
nji qytet të tanë frikësuam nga flakët;
që në nji natë, ishte e shtunë
putha shoqen e kursit
s'ishte pa dashtë, i afruam buzët
dhe ndjemë alkolin e njena-tjetrës
s'ishte duhma që e kanë burrat
ishte aromë e diçkaje të panjohun
e tash unë e ajo qeshim, skuqemi
flasim, tregojmë, jo s'asht njollë
pjesë e jona që nji jetë do e kujtojmë;
që donim të kalonim kufinin
për me kenë t'lirë prej zinxhirëve
që familjet tona thurnin
u betuam se askujt s'do i telefonim
me vite, do i harronim nanë e babë
as nji lot s'do derdhim për tokë e derë
që do lindmin fmitë tanë
asnjenit s'do i vinim emna shqiptarë
po ja ku jena sot,
me t'vërtetat tona nëpër kambë
malli pleq nga njiqind vjeçe na ka ba
e fmitë mezi po presin verën
me pushue n'atdheun tonë
këngë të shqipes këndojnë
t'huajve u thonë, se e dinë se për kë krenojnë.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde