Korbi që këndon n'oborr, teksa laj vendin tem

Mmmmm A

N'fillim si shkronjë
që ndërton ngrohjen, strehën, kështjellën
hedhë në nji fletë, fletë,
milioni solli milionin që s'e numërojmë
n'synin e n'mendjen tonë
ndriçim, dituni, urtësi,
N'dytën herë si femën
flokë n'shpinë t'hedhun
krejt drejtë t'krehun
trupin e zhdërvjelltë
fort e ngulun n'tokë
njiherë s'kujtohet me u rrëzue
N'tretën herë si humbje
humbje e shtërngueme
n'gjoks si vulë e ngulun
dëshirë e tretun
n'rrugë e hedhun
si syth luleje e shkelun...
N'herën e katërt
krejt po t'harroja
m'fal se pa ty as dashni s'ka
mmmmmm AAAAAA


...
Kam disa krena mbushë me gur,
me pluhun, kanë apo s'kanë tre gram ujë
pjesa tjetër asht zhavorr, guraleca
dielli s'u kalon kurrë
as përmbi flokë, as nën kambë
s'u hyn kund drita, errësina u mbretnon.
I mbaj n'duer, kur duhet t'i kisha lanë me kohë
Asht kjo tokë që u pjell dhe i rrit
shtohen me ritmin e helmit
helm që t'mbyt me shpejtësinë e dritës
me nji fjalë, me nji qese, me nji armë
vjen vdekja si nuse e veshur me nji
tre, gjashtë, nëntë, dymbëdhjetë vello
Edhe nji motër iku
krenat ia hapen shpellë trupin e njomë
s'e di ma se cila e ka t'shkretën radhë
di që sonte n'ktë tavolinë shumë po mungojnë.

...
Hana e lau argjendin
e bani ar t'verdhë
metal i shtrejtë që gjarpnon nëpër ujë
valët e detit ia shtuan hijeshinë
heshtja e ranës së lagësht
bashkohej me zhurmën e njerzve t'natës
anijet që rrahen për breg
spirancat e tyne deri nadje kush s'i prek
zemra jeme ma s'rreh, ajo buçet
t'kam afër
por ti s'flet
aromat t'flejnë
qepallat e sy t'mbyllen
sa e gjatë t'duket kjo jetë
kjo panoramë s'të ngrohë
ngadalë e ngadalë harron
pse je aty,
pse jam me ty
dikush të telefonon
m'përshëndet me dorë
'hajt se flasim ma vonë'
e vetmja fjali që ende n'vesh m'tingëllon.

...
Sot kam mbyllë, jam pushim, po rri
prej vedit dhe grave t'tjera
m'leni me u rehatue, me u shtri
me pa e shijue andrra t'reja
n'divanin tem mbështetë për mur
Ende s'jam lodhë, as mërzitë
t'mbushuna i kam ditët
si rruzat n'xherdanin që nana m'a dhuroi
janë aty tana, të duhunat dhe t'pa duhunat
t'rejat, t'vjetrat, të vjedhunat e t'humbunat.
S'i kërkoj kujt gja tjetër me m'falë
due thjeshtë nji akullore me vanilje
me e fillue nadje e me e mbarue n'darkë
nji foto nën tendën me lule vile
me mbledhë gjethet t'ramë nga kumbulla.
Këtu n'divan ka dhe nji tjetër vend
kush do me pushue e kush do me bisedue
me heshtë, a me luejtë nji tingull n'violinë
brymën e parë dhe diellin e fundit me shijue
E nesërmja betohem që aty asht, s'ka për t'ikë.


...
Korbi guxoi e ndaloi
rrjetën hedhë, fort mbështjellë
n'gërshanë pré krahë
mos me u lazdrue, mos me m'dalë.
Jetën baladë m'këndo
 'kukukuku' ditë e natë
trembi pulat, ato fluturuan
gjetën qetsi, gardhin kaluan.
Qyqari ecë n'kambë, n'rrethim kërkon
vrimë, liri, hapësinë, frymë:
'T'shtërngoj fort për grykë
mbytë, hedhë, n'plehna gjuejtë
vazhdo tingull nxjerr
shpendtë t'ikin, rri, shih ferr
gjeje kangën tjetër, lshoje
sqep-hollë, zgjatë, fillo
zemrën latoje, shpoje.
Leni tupanet, fyejt, krojet
maja peme, qoshe pallatesh,
flaki, shueji tana
ti kenë, e kaluamja dhe e ardhmja.

...
N'oborrin tim t'gjanë
pa hunj, gardh e bar
pa pemë e lule, mbetë thatë
nana m'hodhi Shkodrën
'laje ktë t'shkretë me dorë
shpejto, e mos u ban vonë
se ke Tiranë, Durrës, Vlonë
dikush duhet me u marrë me kte tokë'
Zhegu po ma hante frymën
ma avullonte ajrin
nana s'ishte ma aty
as baba mbramë n'shpi s'kishte hy
motrën ma kishin martue
vllau n'luftë kishte shkue
fmitë n'andrra m'zgjasin duert...
'Ti s'je, ti s'je, as në andrra, as n'ktë botë'
'Kush po flet, kush po ma thotë?'
N'kambë ngrihem, fjalën me e folë
Por m'pengon, si çengel n'dorë kjo kovë
mbushë me ujë Drini e Bune
për me ua heqë qyteteve njollat e shtueme.
'Unë jam këtu, diku, fjetë a e zgjueme,
s'ka randsi a e tradhtueme a e dashurueme
a udhëtare me valixhe e ngarkueme
me rrugë t'marrun pa kryet t'kthyemun
por kto vende s'kanë nevojë për t'u la
duhet ma shumë vedin n'pasqyrë me pa
prej shpinës do heq veç njollat e hurmit, shegës e qershisë
e do flej rehat n'qoshen teme t'shpisë.
Andrrat e këqija do ia la, asaj, zevzekes, kojshisë.

...
E kam pasë unë nji zambak
zambak t'bardhë, zambak t'urtë
e kur m'thanen duhet me e kputë
përqafë me 'te po flej nën ujë

...
Nji qind
nji qind e dhjetë
nji qind e dymbëdhjetë
n'Gjermani ka rrugë edhe me nji qind e katërmbëdhjetë
kilometra n'orë
a e ke provue me mbyllë sytë e me fjetë
ndërsa makina ecën vetë?
Deri n'8 sekonda qe gjumi jem
koha ma e gjatë ndejtë gjallë në kte ruletë
është Imany ajo që më zgjon
'Slow down, take your time and it will be allright...'
dhe me 'take it easy/take it easy' vazhdon.
Asht betejë me njerinë që kam brendë
dhe gjithmonë fiton
ajo e përjashtmja, ajo kubikja
nga e hana në të dielë.
E ajo tjetra, shtriga, e vjetra
han vedin me dhambë
që nga mukshnia deri te pshnetka.
Tjetër herë Imany do e la n'shpi
për pak kilometra n'orë
do marr me vedi vetëm Manowar.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde