Grevë në uzinën ‘Poezi me breshëri’ shpk


Sot n’uzinë nuk punohet
dikush asht zgju me mendje të keqe
ka shpallë grevë
e nuk asht mjaftu me kaq, por edhe ka blloku.
Uzina asht e randësishme për jetën
njeriu pa ujë mundet me ia dalë, plot shtatë ditë
por pa poezi?
Asht e pamundun me mbijetu shtatë sekonda.
Ai ose ajo që asht në kry të kësaj
asht veç nji njeri me shpirt kriminal
ora po shkon shtatë e na jena ende jashtë
edhe pak njerzia çohet
dojnë poezinë te shtrati
e asgja s’asht gati.
Unë punoj te reparti i poezive me natyrë të dekun
nuk kam arsy me shpallë asgja
jam mirë, ngrohtë, normën e baj
dyqind e tridhetë e shtatë fletë në tetë orë
në nji fletë dy ose tre poezi
në varësi të kërkesave të lexuesit për rreshta.
Pronari i pronarit na ka me sy të mirë
shefi i repartit asht durtrokitë disa herë
për vit të ri vjet kishim nji kile portokalla shpërblim,
jena mirë, kot me u qa,
sa shkoi ora?
Flas me nji gru në moshë
ka shumë vite ajo këtu
punon në repartin e poezive për lirinë
disa herë ia kam pa foton në tabelen e nderit
shkrun poezi të mira, çmimi i poezive të saj asht i shtrenjtë
pronari i ka dhanë nji dhomë në vedi
liria e saj asht revolucionare
e ndjeme
por ajo nuk më përgjigjet
tund kryet e thith cingaren elektronike.
Ti, po, ti që shkrun poezi për lirinë
më thuj
a mundet me u qujtë e drejtë nji grevë e tillë
ajo po dhunon lirinë e lexuesit
si mundet që fmija mos me e pasë e vet sot
ka me e humbë orën e leximit
ka me shku i trishtë në shkollë,
ka me u ndje bosh
e për çka, se nji kryefortë ka blloku gjithçka
e ku, te na?
Gruja e poezive lirimtare
më kthen shpindën e prapë nuk përgjigjet
kur kam kenë e re kam mësu shumë prej durve të saj
sot ajo nuk dënjon me më dëgju
e unë tham gjana të randësishme.
Po si mundet me ndodhë kjo mënxyrë 
pse nuk e çon zanin me kërku atë liri
që shkrun prej shumë vitesh ti?
A nuk i kena të freskëta poezitë
ata që prodhohen sot shiten po sot
janë të ditës, dalin prej gjokseve tanë
të sapo zgjumë prej gjumit
nuk jena si uzinat e tjera që nji pjesë i mbajnë në frigorifer
e disa të tjera i mbajnë në rezervë. 
Pikërisht për këtë kena marrë flamurin e mirënjohjes
Presidenti vjen vetë me na dekoru
dikur ai ka kenë përgjegjës në repartin e poezive feministe.
Kryeministri vetë financon
atë shkollë ku prehen me gërshanë talentet e ardhshëm
ata që kanë me ndjekë traditën tonë.
Sistemi lulzon falë punës tonë
pronarët e pronarëve të pronarit nuk i hedhin paret kot.
Gruja e poezive të lirisë humb në turmën e të pakënaqunve
përpiqem me e kapë
me e kuptu
ndoshta disi edhe ajo e ka blloku
po po, edhe pse asht larg ajo e bllokon me padashjen e saj me hy në zyrë.
Zanat shtohen, diçka në radhën e parë lëviz
edhe unë çlirohem nga ankthi 
dritat e reparteve fillojnë e ndezen ngadalë
turma po shpërndahet
dikush ka qëllu me armë
dikush asht vra
hajt, nji ma pak
zhurma e armës u dëgju
po sigurisht gjithçka ka me u harru
reparti i kritikës asht gjithmonë i pari
janë qitësa të mira
asnjiherë nuk gabojnë shenjë
çdo dalje jashtë rregullit ata e drejtojnë
në repartin e tyne gjenden tana llojet e armëve
qe prej sondazhit e shitjes 
e deri te armët që për hir t'etikës mprehen fort.
Ata kanë edhe nji kovaçanë
janë të zotë, gjejnë devijime mes rreshtave
e pikasin dhe e mbajnë nën kontroll
e në mundësinë e parë qëllojnë
pa iu fshehë publikut
Ata e bajnë për 'te
për hir të shijeve të tij
shije të përcaktume me ligj nga pronarët e pronarëve të pronarit
punëtorët e tij kanë shpirt poetik 
ma shumë se tanë ne.
Sot jena dy orë vonë me poezinë
po na jena të aftë
kapim çdo sekondë
sot normën e kam të lartë
por kam me ndejte deri vonë
t’a çoj poezinë e duhun njeriut tonë të ri
veshi grykësen 
titulli i parë
‘Molla me krymb të lashtë’.

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde