Tu folë me vedi

***

Zjermi mbetet fenomen i lirë

asht e vërtetë se a shtrejtu druni, shkrepsja

po ajri me i dhanë jetë asht i lirë.

Nuk e kanë thanë ende ditën kur ka me u shtrejtu

mundet shpejt, ose e kanë rritë dhe unë s’e kam kuptu

se nuk di ma se çka me llogaritë ma parë.

Fjalët janë boshe, zjermin e merr era.

E kështu në nji marri teme, pasunarsh ndoshta

mora shkrepsen, nji shuk letrash e ula për zjerm

te vendi ku gjanat ende më duken të lira

deri edhe marrija.

Pak dru, i lagësht, me folë atë çka ishte

por dru që digjet shpejt

arka të vogla që i ndërtojnë për mallna

e kur e kryjnë proçesin i hedhin si gjana pa vlerë.

Ndeza letrën e parë, shkrepsja u mbyt e nuk e ndezi

flaka blu vdiq shumë shpejt,

as e dyta, as e treta

veç flakë blu e pastaj shkrumb.

Marr i lexoj letrat që kam marrw me ndezë

sigurimi shëndetsor, fushata për shëndetin

rreziqe, parandalime rreziqesh

vrapo ‘sa nuk asht vonë’,

a nuk ma pat thanë edhe mjeku kshu njiherë?

Provoj letra tjera, kësaj radhe asht sigurimi i fmive,

shpisë, makinës,

jetës ma,

por veç nji dritë e vogël blu e pastaj asgja.

As fletët e detyrave të matematikës e muzikës së fmive

nuk digjen

shkoi shtrejtë ky zjerm

numëroj krandet

janë shumë, por marrija,

ajo, ajo ta fik derën

por ndoshta jo zjermin.

Nji shprese të vogël, e kuqe sigurisht, mbetë varë në nji fletë detyrash

që nuk e lexoj se çfarë landet asht

i fryj, e i fryj deri në marramendje.

Zjermi asht fenomen i lirë,

sa për sy e faqe,

por unë hy te pasunart.



***


Sot kam taku nji gru që fitoi nji euro

në nji treg të madh ku ajo blen përditë jetën

ku dritat punojnë me mëditje

me i dhanë formë diamanti nji grumbulli objektesh

nji mali të madh teneqesh, hekrash, aluminit, xhamash, plasmasit,

diku nëpër ‘ta edhe pak ushqim e nevojë

(kushton nevoja këto kohë)

ku disa durë që fitojnë përditë jetën i kanë sistemu

në forma e xixëllime marramendëse, njisoj si guri magjik

teatër i vërtetë, ku je blerësi i tanave, që prej aktorëve

deri edhe te priza ma e vogël e dritave

atje pra ndodhi mrekullia

nji euro në nji lloto elektronike

loja bahet ma emocionuese nën tanë atë ndriçim

nën tanë ato rrotullime zaresh ngjyrë ari

mahnitja në këtë të dille nuk ka fund

durt e saj te makina janë të njëjtat si durt e mija

si durt e tanve që fitojnë përditë jetën

‘na, ky asht racioni i jetës për ty sot’

‘mos e harxho racionin me jetë të shkume kot’

parrulla që nuk kanë nevojë me u shkru

na kalojnë si mesazhe morse sa herë hyjmë e dalim

të gatshëm mos me përshendetë askend

e me u rrahë me gjithkend për nji rrotë letër bëthet

po pra, më duket edhe mu çudi

se si e takova këtë gru me kaq fat të madh

këtë fat që ajo duhet me e konsumu po aty

nuk duhet me e futë në xhep e me ba çka të dojnë ajo me ‘te

ajo e din që e kanë rrejtë

por luen

unë e di që e kanë rrejtë e gëzohem me lojën e saj

me ndriçojnë sytë

dikur kam me e pasë edhe unë këtë fat

pres vetëm ditë e duhun.









Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde