Gilmana Bushati: 'Ma e bukura na mbetet me jetu'

 Urbani u ndal para derës së fabrikës dhe punëtorët e përgjumun prisnin tanë nerva t’u hapej dera. N’at’ turmë kishte edhe ndonji që hante me dhambë bishtin e cigares, e tymi përzihej me duhmën e trupave, të teshave të lagshtituna dhe me ajrin që thithnin dhe nxjerrnin. Dera u hap e turma u derdh jashtë tu iu gëzu ajrit e tu iu idhnu vendit ku po drejtohej.

Nuk donte me dalë prej urbanit, ishte ngjeshë te njena prej dritareve dhe shihte jashtë nji panoramë tanë avull. Kishte aq dëshirë me ndejtë në urban dhe me u kthy me ‘te në shpi, sa ishte gati me qa për vedin, ‘sa e marrë, kush ka me më lanë në shpi me u shtri e me fjetë’. Nji dorë e fortë e tërhoqi drejt derës së daljes. Mirë që ishte me gryksën e punës, qepun nga ai lloj dokut që kushedi se me ça e përzinin kinezët që s’kishte burrë nanet me u shky, se të tjerat ia kishte shky tanë ajo tërheqje. Dhe ashtu me hapa të lodhun si tanë të tjerët, veç energjikut që kishte në krah, hyni në fabrikën e shëmtume.

Ajo i radhiti me mend punët që kishte me ba kur të kthehej në shpi, ‘dashke me fjetë ti, hajt aty shtërngoju punës, ke harru me i futë lulet brendë, ajri i ftohtë i do t’i ketë mërdhitë krejt sot’. Ndërsa ishte tu mendu se kur të mbaronte turnin duhet me u ndalë ma parë te këpucari me marrë këpucët e riparume, u shkapet fort me nji njeri. Ktheu kryt. Marija. ‘Syni i keq, mica e zezë, mos, edhe këtë kisha mangut, pëëëf, pëëëf’.

Tanë thoshin se e kishte synin e keq. Njerzit i ruheshin njisoj si micës së zezë, ‘mos me ta pré mordja rrugën’, mos me iu dalë natën para apo mos me e pa në sy. Nëse e shihnin, shmangnin rrugë, ose banin sikur nuk e kishin mendjen para saj.

Hanija bante rrogat e punëtorëve e Marija ishte punëtore aty, por mos me e taku, ajo ia çonte rrogën te vendi i punës dhe firmën ia vinte vetë. Kishte mësu prej të tjerëve si me u sjellë me ‘te dhe ishte sjellë. Marijen nuk e shqetsonte kjo ‘famë e zezë’, por gjithësesi u shmangej shumë njerzve, të cilët ndër vedi kishin nxjerrë edhe namen ‘t’laftë Marija n’oborr’, e cila i kishte shku deri në vesh, si fjalë qyteti ma.

Marija lante të dekunit e qytetit, ishte nga të vetmet që pranonte me la të tanë. Kur binte fjala të deka, ah aty, njerzit e respektonin, shkonin me kryulë te dera e saj dhe i luteshin. Kishin besim te ajo. ‘Ajo t’i lanë me tana nderet, kur më diq baba m’i ka këndu…’. Këtë pjesën se çka i këndonte të tanë e dinin, por ishte sekret i madh për shtetin, se jo për ‘ta. Edhe shteti e dinte, por kur kishte nevojë te ajo shkonte dhe kujdesej me shtu ‘...i afërmi i jem ka kenë i pafe, kështu që...e din vetë’.

I dinte përmendësh formulat që thuheshin gjatë atij shërbimit që afronte ajo, latinisht, arabisht, greqisht, biles edhe në hebraisht...‘boll synin e keq e ka, por durt i ka prej arit, hallal ia baftë Zoti’. Ishin fjalë e veç fjalë, hamendje grash e burrash se askush nuk kishte kenë asnjiherë me ‘te brendë. Edhe kur i vdekuni ishte i randë, ajo nuk lente njeri brendë. Kërkonte vetëm gjanat e domosdoshme, ujin e nxehtë dhe teshat. Ata e shihnin të hynin te dhoma që i kishin caktu dhe përgatitë ashtu siç kishte porositë ajo orë ma parë. Marija kishte gjithmonë me vedi çantën e vet, çantën e punës, ku kishte mjetet, që prapë askush nuk ia kishte pa. Rrinte ajo deri sa krynte punë dhe kur njerzit hynin me marrë të dashtunin e tyne, tashma të vdekun, shihnin gjithçka në vendin e vet. Dhe ajo ashtu siç kishte hy, delte, pa e pa kush. Nuk fliste me njeri. E vetmja herë kur ajo fliste ishte kur shkonin me i thanë se kishin nevojë për shërbimin e saj. Gjithmonë kishin kenë burra, asnjiherë gra. Ajo kërkonte se në cilën orë duhej me kenë dhe në cilën orë ishte ceremonia. Kur nuk i pëlqente ndryshonte orën, sepse kishte nevojë për kohën e saj. Kaq dinin. Kur hynte atje brendë askush nuk dinte ma gja. Tana mbylleshin kur ajo tërhiqte derën.


Por Ija e kishte frikë e pikë e mbaro. I kujtonte shëmtinë e vet. I kujtonte dekën. Njiherë e nji kohë, shumë vite ma parë, kur kishte kenë ma e re, ajo e kishte kërku vetë dekën, por kur nuk i kishte ardhë në momentin që e kishte kërku, tani e kishte frikë. Kishte frikë me dekë. I kishte ikë guximi i dikurshëm me e mendu.

Ato ishin pothujse moshatare, por Marija dukej dhjetë vjet ma e plakun se ajo. Kambën e dorën e djathtë e kishte ma të dobët se djathtën, kambën e tërhiqte, kurse dorën shpesh e mbante ngjitë me trupin.


Në fabrikë pastronte nevojtoret, pastronte oborrin, mbledhte plehnat, pastronte gjithçka çka ishte e punëtorëve, për drejtorët kishin marrë nji tjetër pastruse. Dhe e shihje Marijen me legena e kova ujit tu shku e ardhë sa në dy nevojtoret e fillimit e dy të fundit të fabrikës, me fshesë rrumeqe, e kur vinte dimni tu u kujdesë për dy stufat që ishin për me u nxehë. Më askënd nuk kthente nji fjalë, as nuk e kishin dëgju tu folë. As për kohën e bukës askush nuk e kishte pa se ku e hante. Nuk ishte asnjiherë me punëtorët veç kur hypte e zbriste prej urbanit, as në mbledhjet e detyrushme, sidomos ato të organizatës së partisë nuk ishte, por as shefat e partisë nuk e donin aty kështu që ishin të gjithë në nji mendje. As burrat që banin humor tu ngacmu gratë e fabrikës, apo vajzat e reja, nuk guxonin me e ngacmu atë.


-Ije ku e ke mendjen, kam dhjetë minuta që të flas por hiq ti…

-...hë mar burrë ma përsërit edhe njiherë se nuk e kuptova prandaj…

-Nëndrejtori m’i ka dhanë këta letra e më la porosi që ti me ia pa mirë e mirë e me folë pastaj me më thanë.

-Ismet kam shumë punë, më ka lanë normistja e turnit tjetër tanë ata tabela me i plotësu e nuk kam mundësi sot.

-Asht urdhën, kush asht ma i madh këtu, nëndrejtori apo ajo, ec kapi e shihi këto letrat se ai nuk ka kohë se ka shku në Tiranë në nji takim të randësishëm.

-Aaaa, për takimet e tij...po leni aty se tesh i shof ma vonë.

-Mbylle e mos të ndij ma, se e hangre ndonji, kryji për dy orë e vij e t’i marr unë, don me i gjetë gati kur të vijnë.


E dinte pse nëndrejtori ia jepte tana bilancet, donte me i ba llogari humbjet që kishte pasë e me gjetë mënyra se si me i rregullu. Nuk donte me dalë keq para partisë se ndryshe e fluturonin e për aq humbje sa kishte pasë sa vjet, nëse s’kishte me gjetë nji si Ija, e përfundonin me hapë kanal. Nuk ishte hera e parë për ‘te. Ismeti, i shoqi, i bante fresk nëndrejtorit, shok i ngushtë i babës së tij. Veç freskut ai, e përmes tij, ai përfitonte të tanave, prej miqësisë, prej bilanceve dhe kështu shkonte puna, tërhiq e mos e këput dhe në mes vedit ata ishin të kënaqun. Ajo vetë, që e bante tanë atë punë, kishte përfitu veç nji gja, shpinë. Kishin pak vite që kishin dalë prej shpisë së prindve të Ismetit dhe tashma jetonin në nji shpi, që ia kishte dhanë shteti. Shpi e mjaftushme për me rritë pesë fmi, por veç kaq, barkun e kishin njisoj si të tanë. Ismeti e pinte dhe lunte kumar pjesën e lekëve që fitonte prej dallavereve dhe pjesën ma të madhe nuk ishte në shpi edhe kur ishte, asnjiherë nuk merrej me fmitë.


Donte me ia thanë Ismetit që ishte shkapetë në mjes me Marijen, por e la. I sillej si rrotë nëpër atë birucë të vogël, që të tjerët e qunin zyrë, dhe po ia merrte edhe atë pak ajër që kishte aty brendë. ‘Si mundet që kam ba pesë fmi me këtë njeri? Kush m’i ka qorru sytë e mendjen? Po Marija? Po pse Marija nuk ka fmi? Prej se asht e shëmtume e sakat s’e ka pranu kush me e marrë?. Po edhe unë e shëmtume jam, sa herë ma ka thanë Ismeti dhe ai pranoi me më marrë. E duhet me ia ditë për falem nders? Shko moj e marrë, ai ta merr edhe atë ajër që ke, kudo, në shpi e punë e duhet me i thanë falem nders. Po asaj kush ia merr ajrin? A thu këtyne lloj njerzve u ka lindë ndonjë njeri me ia marrë ajrin e me i lanë pa frymë? Boll, mos u merr me Marijen?’



***


-Duhet të shtërngojmë radhët, të angazhohemi në objektivat e reja që na ka dhënë partija dhe të realizojmë planin e ri të vendosur. Ne, drejtuesit e fabrikës, në një mbledhje të stërzgjatur, ku ishin të ftuar dhe të deleguarit e Tiranës, kemi dalë në përfundimin, se ne kemi ende forca për jo vetëm për të realizuar normat, por edhe për t’i tejkaluar ato. Situata ku ndodhet vendi ynë kërkon prej nesh sakrifica edhe më të mëdha. Unë do të jem pranë secilit prej jush për çdo gjë që është në funksion të arritjes së objektivave të vendosura dhe të miratuara edhe nga anëtarët e bashkimeve profesionale të fabrikës.


Me këtë fjali të gjatë e stërhollume thanë në mbledhjen e kolektivit nëndrejtori e mbylli kapitullin e humbjeve. Punëtorët e përkthynen me mendjen e vet se atë pesëmbëdhjetë ditësh kishin me marrë ma pak lek dhe nji normë ma e madhe për mujt e ardhshëm. Bilancet ishin për faqe të zezë. Ma shumë shpenzime ishin për administratën që nuk prodhonte se sa për punëtorët, pjesa ma e madhe e tyne e realizonin normën, por që nuk e dinin se si ndryshonte ajo. Kur shkonin te peshorja me thasin e pambukut që kishin përpunu për tetë orë, me shpindën që mezi u drejtohej, shefi i kthente tanë në shpi me buzë të varun. Flitej se nëndrejtori lunte edhe me peshoren, por askush nuk kishte guxim me e thanë. N’ato kohë me pasë guxim donte me thanë me kërku dekën me dëshirën tande. Kaq e pak e dinin punëtorët. Ishte nji gjuhë e kuptushme.


Ija duhej me i mbajtë fshehtë rrjedhjet financiare e me i transmetu sa ma mirë, pastër e pa gabime në rrogat e punëtorëve. E dinte mekanizmin e vjedhjes dhe e zbatonte ashtu siç donte nëndrejtori, se drejtorin aty e kishin për kot. Çdo fitore e nëndrejtorit festohej me nji darkë burrash te shpija vjehrrit, tanë ishin të shpërblym.


***


-Dëgjo ti këtu, edhe njiqind leksh ma hoqe prej rroget, ta marr shpirtin me këta të dy dur. Bani llogaritë mirë ose të fluturova andej kah ke ardhë dhe nuk e sheh ma këtë derë e as nuk e rruhet shumë se gruja e kujt je, a more vesh?


Marija me nji pamje ma të shëmtume se asnjiherë i kishte mbi para birucës ku punonte dhe ia mbante krahun me dorën e saj të sëmurë. Forca e asaj doret ashtu i shtini frikën, se imagjinoi forcën e dorës tjetër, asaj të shëndoshtës. ‘Jo prit, nuk qenka shumë e shëmtume, asht veç me nerva. Bebzat nuk i paska të bardhë, por blu të çelun. Vetllat e trasha pis të zeza, qime e push plot të zi nëpër ftyrë e flokët e palame. Foli moj e marrë se ta bani të zezën, lene mos u merr me ftyrën e sajh’.


-Marijeeee, ma sakatove krahun...mundet, mundet të me ketë shpëtu ndonji gabim...nuk e kam ba me qëllim. Kam pasë dy fmitë pa terezi tanë javën e ndoshta nga lodhja, më fal.

Tjetra e lëshoi dhe para se me ikë me portretin e saj të zgërdheshun i tha.

-Ti qysh se i ke pasë lindë fmitë duhet t’i kesh të sëmurë që nuk të shofin sytë gja.


Ija nuk ndejti me e zgjatë, por sa tjetra ktheu shpindën tu i lanë fjalën pa kuptim mbrapa, liroi frymën e vet, sikur ishte tu nxjerrë nji bllok të randë që e mbante në fyt.

Në darkë arriti me ia thanë Ismetit, sigurisht ky kishte me ia thanë nëndrejtorit e ku me marrë ndonji masë për Marijen e për kërcënimin e saj.

Por bakderri nëndrejtor i kishte thanë Ismetit, ‘nuk kemi se çfarë t’i bëjmë, në mut punon, se atje na urdhëroi partia, nuk kemi punë me të dhjerë se këtë, nuk ndryshon te ajo asgjë nëse e denoncojmë, por thuaji Ijes ta ketë kujdes kur t’ia bëjnë rrogën’.


Nëndrejtori asnjiherë nuk i kishte folë direkt, por gjithmonë nëpërmjet Ismetit. Edhe ndonjiherë kur shkëmbeheshin në fabrikë, nëndrejtori as nuk e përshëndeste dhe kë, atë që ia kishte shpëtu disa herë lëkurën. E në këtë mënyrë skandali me rrogën e shëmtisë u mbyll.


Dy ditë më vonë Marija u paraqit në fabrikë me të nxime në sy dhe flokët e preme keq. Edhe pse nuk e shihnin, tanë e vunë re ndryshimin, njenin sy e kishte të mbyllun krejt. Ija u tremb. Nuk donte me e pa, por gjithësesi nuk i shpëtunën pa ia pa plagët. ‘Duhet me iu gëzu për të nximet. Pse nuk po i gëzohem? A nuk erdhi edhe ajo e gati me theu krahun për nji qind lekë. Gëzoju Ije, gëzoju pra, jepi vedit. Dikush e ka dënu në vend tandin, kollaj e ka ajo me t’ardhë e me të kërcënu. Jo, jo, nuk mundesh, nuk ke se si, sado inat e frikë ta kesh. Mos u gëzo moj e marrë’.


Gjeti nji moment gjatë ditës e tu shku në nevojtore u has si rastësisht me Marijen, që me gjysëm zanit e pyti çka i kishte ndodhë edhe pse e kishte nji parandjenjë të keqe. Por e kishte vetmarrë të drejtën me e ditë.


-Hahahaha, edhe po më pyt. A e deshta mundin tem, kjo pra të gjen...por nuk e di a ta kanë thanë, që për grushtet e koqeve të kandarit që fshihen si cuba nuk pys, kështu që ik e më len rehat, se po të sheh Ismeti e punëtorët tu folë me mu, ik se nuk kam nevojë për mëshirën tande.


***


-Meti para dy ditsh pashë Marijen te puna, ishte e nximë në ftyrë e mos të flas për flokët – e pyti Ija.

-Më len rehat me gjithë ‘te, mirëball ja kanë ba...A nuk e han edhe ti shputën sa gazepi kur ban gabim, pse asht tu të shqetsu ftyra e saj? - iu përgjigj tu dalë.


E kishte shputën e randë Meti. Baba i saj ia kishte dhanë këtë të drejtë në sy të saj ‘kur të bajnë gabime, se hala asht e vogël, futja nji shputë, ke të drejtën teme’. Në fillim nuk e kishte ushtru këtë të drejtë, por pastaj...veç Ija e dinte.


‘Ah Marije çka të kam ba’.


I rehatoi fmitë, me aq sa kishte mundësi. Mori dy ma të vegjlit me vedi, të mëdhenjtë i la tu ba detyrat në shpi dhe shkoi te Zenia, motra e saj ma e vogël.

Ndërsa fmitë po lunin e nuk e kishin mendjen, Ija ia tregoi ngjarjen me Marijen.


-Po ti sikur nuk e njeh Metin a, pse ja the? Sa biruca ke mbyllë për ‘te, pse nuk e mbylle këtë për vedin tande? Ju thafshin durt ishalla atij që e ka rrahë rreziken. Kanë hy në gjynah për zoten.


-Du me i kërku të falun Zene, a e din se si ishte e nxime dhe e ajun, nuk kisha pa njeri n’at fe hallit dhe ashtu ka ardhë në punë, pa pikën e problemit. Nuk dojsha me e pa, po aty më kanë mbetë sytë atë ditë. Edhe kur s’e kisha para aty e kisha mendjen.


-Nuk ndryshon gja tesh Ije, iku tesh ajo punë, por mos u mërzit, ajo nuk besoj se nuk e çan kryt, as për ty e as për të rrahunën që i kanë ba.


Ija iu lut disa herë dhe tjetra i siguroi që kishte me shku me ‘te për me e shoqnu deri te Marija.


-He maj, a ju ka dekë kush a? Nuk besoj se kishte me m’ardhë në vesh ndonji lajm. - u tha Marija sa i pa në derë.


-...deshta me të thanë...


-Hajt mos më thuj, mos më thuj se t’erdhi mirë që më pe ashtu të nxime e ma të shëmtume se sa jam e tesh të vret ndërgjegja? A i the vedit e pagoi mirë kjo shtriga? Pse jam si gjysë njirit, nuk jam gjysë në kry, e kuptoj fort nji si puna jote...Hajdeni urdhnoni e flasim brendë.


Marija i kishte ende të nximet, veç syni i majtë i ishte hapë pak.


-Besoj se njeni prej tyne ishte Meti, ishin katër. E kanë kollaj katër burra me e nxanë në terr nji gru të vetme. Por nuk më dhemb, më dekë sot nuk më dhemb...ishalla nuk ta merr vesh yt shoq moj rrezike se je te unë.


Asnjena prej grave nuk foli. Marija u poqi nga nji kafe dhe ua shërbeu. Ija për herë të parë po e shihte kaq afër në nji ambient jashtë fabriket, ‘ku e gjen forcën me kenë kaq kryenaltë?’ Donte me e pytë, por e la, kishte marre edhe sepse Marija kishte fillu me folë me Zenepen, sikur me kenë të njoftuna prej kohësh. ‘Nuk qenka edhe aq e shëmtume sa thonë, pastaj e shtrembtë, ke bani Zoti të drejtë dhe ashtu ndejti, asnji’.


-Po flokët Marije?


-Ije e mora vesh për çka ke ardhë, mos pyt ma gjatë, të kam falë, edhe pse nuk asht krejt faji jot. Ta thotë Marija ty, çka sheh e provon në burgun e tyne edhe dekës i lutesh mos me e pa e me i duru.


Dhjetë burg Marija e tani ajo po e merrte vesht. Për burgun e dinte dhe e motra që ishte ma e vogël, por ajo nuk e kishte ditë. ‘Dhjetë vjet të rrasta kur kishte kenë krejt e re, at’ kohë mu më hapeshin kambt me ba fminë e radhës e kjo në burg?’


-Po pra, po, ai vjehrri jot e soji i komunistave si ai, kështu që kur nuk jam e shqetsume për flokët, ti s’ke nevojë me u trazu hiq.


***


Histori gati e njohun, nga ata histori që tregohen si thashetheme njerzish, me za të ulët, që i shtohet edhe nji dorë te veshi i tjetrit, që nji i tretë mos me të lexu as fjalët që nxjerr.

Babën tregtar tjetra, pasi e konfiskunen atë çka kishte ne dyqan dhe në shpi, kërkonin me ditë a kishte fshehë pasuni tjetër dhe ma tepër cila ishte arsyja e udhëtimit të tij në Itali dy ditë pas çlirimit.

Ai nuk kishte pasë gja tjetër me i dhanë. Në Itali kishte shku veç me tërheqë t’amën, shtru në nji spital të Torinos, se kishte frikën e mbylljes së kufijve.

Nuk e kishin besu. Ata e patën futë në fuçi mbushë me ujë, së cilës ia patën mbyllë kapakun dhe ai u pat shu në dy ditë. Kështu i kishin thanë. E ama nuk dihej kah kishte dekë, kjo e ré, kishte mbetë në burg deri sa të tregonte. Por ajo, edhe nëse i ati kishte pasuni tjetër, nuk pat ditë asgja. Po, gjyshja ishte në Itali, nuk kishte pranu me ardhë edhe pse i kishin çu fjalë se ia kishin mbytë t’birin, se kishin me ia zhdukë tanë t’afërmit.


U pat sëmurë. I mbetën sakat njena dorë dhe njena kambë. Por sëmundja nuk ishte vujtja. Prej saj erdhi ai gjoja shpëtim. Çka kishte provu në burg nuk ia kishte thanë kujt, as nuk kishte ndërmend me ia thanë kujt. Fliteshin fjalë nëpër qytet. Por veç fjalë, askush nuk kishte kenë në lëkurën e saj, askush me ‘te, tana i kishte kalu vetëm. Dhe kur kishte dalë, kishte kenë ma vetëm, veç me shumë vraga.


E patën nxjerrë prej burgut. U duhej nji përkthyese. Me tre gjuhë të huaja e, deri sa të baheshin të rejat, patën përdorë Marijen. Njisoj edhe të tjerët si ajo se edhe nuk i pagunin. Ishte falas. Ndërtohej gjithçka prej rrënojash. Kur i hodhën themelet mbi këto rrënoja, punëtorët i hodhën dhe nevojtorja e fabrikës ishte nji nder i madh për at’ që e merrte atë punë.


‘E unë qahem për burrë, për nji barrë fmi e për tanë ata punë që më presin’.


E shtërngoi në dorë nji qind lekëshin. E kishte marrë me ia dhanë, por nuk ia vlente ma.



***


Me kalimin e mujve e viteve, mes të dyjave u vendos nji lidhje, lidhje mes grash që vunin, secila në botën e mënyrën e vet, por që kuptoheshin. Gra solidare, siç ishin tanë gratë e atij qyteti. Mjerë ajo që ishte vetëm. Sigurisht burrat si Meti nuk duhej me ditë, prandaj dhe Ija kishte kujdes. Te shpija e Zenes, burri i së cilës punonte në hidrocentral, diku larg qytetit, pinin kafe dhe duhej me patjetër me e gjetë këtë kohë. Ija kishte nevojë. Shumë. Në shpinë e Marijes, në mjerimin e vet gjithçka ishte ma e çiltër. Shëmtia ma e bukur se kishte kenë ma parë, bahej normale, e domosdoshme. Pastaj kush foli për shëmti. Ato ia venin fjalën shëmti, se nuk u duhej ky nënvlersim, sepse vetëm kështu ngriheshin në sytë e njena-tjetrës. Ishin kohë të tilla.

Nuk e pyste Marijen asnjiherë për burgun. Kishte frikë me dëgju. E dinte që kishte me dëgju për tmerre dhe nuk ishte gati. As Marija nuk i tregonte. E kishte të shenjtë atë jetë. Nuk e nxjerrte prej gjoksit as me nji ‘ah’.


Marija i tregonte për librat që lexonte, për filmat që shihte, për thashethemet që dëgjonte nëpër qytet, i fliste për Ismetin, se si i rreshtonte dashnoret nji e nga nji, e ajo nuk kishte kah me i shpëtu fatit. Ishte e pamundun n’ato kohë. Ajo i fliste për fmitë edhe pse Marija nuk kishte. Fmitë rriteshin përditë e ajo gjithnjë e ma shumë nuk i kuptonte. E kishte të pamundun me i eduku ashtu siç lexonte Marija nëpër libra. Në shpi kishte nji tjetër njeri që vendoste për fmitë e për jetën. Ija nuk kishte nerva me lexu libra. Ata që i kishte dhanë Marija ia kthente. Nuk kishte kohë. Kur shkonte me fjetë, n’orët e vona të natës, e zinte gjumi menjiherë. Ia kthente librat se nuk donte me ia pa as Ismeti në shpi. Nuk ishte ba ora me folë për liri. Nuk kishte askush. E gratë kishin gjithnjë ma pak se ‘askushat’.


***


-Lene Ije se çka të ka thanë familja e tij, të rrejnë. Ia kam pasë pa unë plagën mu poshtë mushknisë. Dhe a e din, ka pasë kenë hera e parë në jetën teme që kam pasë kenë e gzume tu e la nji njeri të dekun. Nuk duhet me pas kenë e nuk duhet me t’i thanë sekretet e mia, por për Metin, për at’Krisht po jam gëzu e ai mos më faltë. Jo jo, nuk jam gëzu për ty. Jam gëzu për vedi. Kam pasë nevojë me u gzu. Nuk ma ka zbut dekën që kam brendë, jo. Po ishte vetë ajo që më pat shtyu me qeshë. I ati ka pasë tana mundësitë me më shpëtu prej burgut...por e din, kam pasë kenë e re, pa familje, e ata e kishin fitu luftën dhe donin shpërblimin e fitimtarit, donin copën e tyne gjithandej, copën e trupit, copën e mishit…e ata nuk janë pasë knaqë vetëm me nji copë.

Mos m’u mërzit. Nuk të kam pasë folë e nuk kam me të folë ma për burgun ma shumë se kaq, por kjo më ka pasë gzu kur pata la Ismetin. Nuk kanë për ta pranu asnjiherë, por bash i lumtë dora asaj që guxoi me ia tregu vendin.


Kishte dy vjet që kishte humbë të shoqin. Nji atak në zemër ndërkohë që kishte kenë tu shku në Tiranë. E kishin pasë rritë në detyrë dhe shkonte në Tiranë te partija, shkonte ai kur nëndrejtori pritonte. Dhe ja kështu. Kishte mbaru në spital. Nuk kishin pranu me e çue në shpi pa ja kry tana nderet në spital. E kishte pasë la Marija atje. E kishin marrë me zori prej shpijet në pikë të natës. E në fund i ati i Ismetit i kishte pasë lanë në dorë nji pesë qind lek, që ishte shumë i madh për kohën, por Marija ia kishte hedhë në turij dhe ishte largu në kambë prej spitalit.



***


-Marije po ma marrin erzin njerzt e Ismetit. Sidomos ai Sadiku, djali i tezes i tij, hyn e del shpesh, nuk e duroj. Vjen kështu si për ndihmë. E gjen kohën kur fmitë nuk janë në shpi. Nuk e du ndihmën e tij. Nuk ia duroj dot as frymën. Nji ditë më shtërngoi me zori. Marre e faqja e zezë për mu. Nuk e di çka kam ba për me ba kështu ai.

-Ije rritu maj pak. Nuk ke faj ti, a je e marrë a shtihesh. U bane tanë kjo gru e prapë ia ven fajin vedit. Hapi maj sytë.

- Nuk di, nuk di si me i hapë. Po nuk ia dhashë Sadikun aty kam me e pasë se me e pasë, nuk ka me me heqë deret.

-E paskan në gjak…por edhe nëse ia jep, aty ke me e pasë, e ka kollaj, pritojnë me mendu gjatë e sidomos me u mundu me e qi nji gru në këto kohë...jepi zgjidhje e qite prej shpijet, ose erdha e ia tregova unë vendin.

-Uuuu, aman pashë zoten jo ti...kushedi çka kanë me mendu, e zeza unë, duhet me e gjetë nji zgjidhje vetë…

-Sa e marrë je, zgjidhjen e shembullin e ke...kush ta çoi Metin te të shumtit…

-Kudreti…uuuuu, ça me kujton maj gru, a je e marrë a…

-Ke pjerdhë për at’Zot, jo vetë Kudreti maj shtazë.



***


Prej jetës së Ijes doli Sadiku, por prapritë hyni Faiku. E ai hyni në jetën e saj për me ndejtë gjatë.

-Kuku Marije me ra në dashni gruja sa gazepi, me pesë fmi, me fmi sa vedi, gati me u ba prind. O Zot çka më ka ndodhë me mu, jam trashë. Çka po ndodh me mu.

-Hajt o gru se në dashni ke ra, jo në qenef. Gjaja ma e bukur që të ka ndodhë.

-Ti e ke kollaj me folë. Nuk ke njerz që të kontrollojnë milimetrin e hapit. Qysh me dekën e Metit, më kontrollojnë, deri edhe sa lek harxhoj, sa herë shkoj te nana, sa herë shkoj te motra...

-Sa herë vjen te unë…

-Nuk më flasin vllaznit e Ismetit për këtë punë...por dy halle ma pak, se kush i duron. Por kunatat nuk rrijnë dot pa folë. Edhe vllaznit e mi për këtë punë mezi m’i thonë dy fjalë.

-Ije, po ti, ti vetë, lene të tjerët…

-Marije a sheh kënd tu jetu për vedi në këtë vend?

-Unë jetoj për vedi...në mutin tem, por për vedi.

-Nuk jam si ti.

-Pse duhet me kenë si unë...nuk t’uroj me kenë si unë.

-Po ti je e lirë…

-Nuk i thuhet je e lirë nji njeriut si puna jeme.

-Po atëherë çka je ti?

-Jam dikush që e ka tejkalu dekën kur ka kenë e re, e din se çka asht, jetoj me jetu. Shijoj ajrin, diellin, kohën...Njiherë njena më pat thanë në burg se ‘lene çka jetojmë, ma e bukura mbetet me e shiju’. E kishte lexu diku, nuk e mbaj mend se ku. Por ajo nuk asht gjallë që me shku me i thanë, që veç natyrës e miqësisë me ty, që erdh vonë, nuk paska pasë gja tjetër ma të bukur me jetu.

-Çka po më thu Marije?

-Atë çka thashë dhe e mbyllim këtu.

-Si me ja ba me u ç’dashunu Marije, si me ja ba?

-Për mu vetëm nji gja

-Hë…

-Dashunoju edhe ma shumë, me vedin njiherë dhe hiqi këto tesha të zeza.



***


Vetëm pasi u ba gjyshe. Shumë shpejt në fakt. Sa ishte ba Skenderi njizet vjeç, që u martu ashtu si u martu, Ija vendosi me heqë teshat e zeza. Edhe atëherë e kritikunen, por tashma kishte fitu nji farë kryenaltësijet, nuk e çante shumë kryt.

Nuk donte me u dashnu me nji burrë, i cili ishte aty kur ajo kishte nevojë, e ndërkohë prej jetës së saj pak e nga pak u largu Marija. Por Ija kishte nevojë për ‘te. Me kë kishte me folë. Motrat, gratë te të cilat kishte pak besim, nuk ishin shpesh herë gati me e dëgju. Disa gjana duhej me i gjetë zgjidhje vetë, pa ndihmën e kujt. Herë ia delte e shpesh herë jo.


Pasi i martoi të tanë fmitë dhe fillunen me lindë fmitë e tyne Ija i bleu vedit nji biçikletë. Sa e mësoi biçikletën u nis te shpija e Marijes. Kishte mbase dy vite që nuk fliste me ‘te. Ajo kishte kenë e zanun sa herë e kishte ftu në ceremonitë e dasmave. Edhe Ija nuk i ishte mërzitë, por e shqetësonte fakti që nga gjithë ajo miqësi, kishte me rreziku mos me mbetë asgja. E këtë nuk e donte. Marija për ‘te kishte kenë shembull në shumë momente të vështira të saj. ‘Kur ia ka dalë ajo, duhet patjetër edhe unë’, ‘ajo dhjetë vjet burg, e unë nuk po ia dal me ia shtërngu rrypin jetës’.


-Plaka e marrë ka hypë mbaje biçikletet...a e din çka thojnë njerzit për gratë që hypin n’te?

-Lene maj ma, at’ punë kanë ata, po hajt ma ban nji kafe të mirë, se nuk kam ardhë me pytë se çka thonë njerzit.


***


-Për çka ke ardhë me pytë pra?


-Po u ba kohë Marije që nuk jena pa...unë s’të kam ardhë, ti s’më ke ardhë e kështu ma.


Dy gratë u ulën në divanin shekullor të Marijes dhe tregunen jetën e tyne gjatë viteve që nuk ishin taku. Gjatë, shumë gjatë.


-Hajt na shtro me fjetë Marije, se jam tu ndejtë te ti sonte.

-Po mos të kërkojnë te shpija Ije.

-Hajt se s’ka kush dreqin më kërkon. Janë rritë. Për nji natë t’ia dalin vetë ata që kanë me pasë nevojë për mu.

-Mos harro me futë biçikletën brendë veç.


Ija i tregoi se si nuk ia kishte leju vedit me u dashunu me atë burrin simpatik, që kishte mbetë i ve dhe që nuk kishte pranu me u martu me kënd tjetër veçse nëse thoshte ajo po. I tregoi se si ishte ndje pas lindjes së mbesës së saj, vajzës së parë të Hyrijes, Albanë, ia kishin vu emnin.


-Nuk e kam besu vedin...tre kile njiri me m’i marrë mend ashtu, nuk e kisha pritë. Kur më ka dëgju Hyrija tu i folë së bijës i ka ndritë ftyra e më ka pasë pytë ‘kaq ambël na ke folë edhe neve kur kena kenë të vegjël?’ çka me i thanë, çka me i thanë unë se nuk ka ndje kaq shumë për ‘ta, apo se i kam rritë pa shumë fjalë t’ambla, rrap shkrrap si nji pjesë e jona, gjeta nji gja e ia thashë nëpër dhambë…


-Gëzoju mbesës Ije, gëzoju…

-Për at Zot nuk du njeri ma shumë se atë, më duket vedi si nana e saj e jo gjyshja.

-…

-E ti Marije?

-Çka unë? Unë, po ja...unë i gëzohem atij diellit e hanës që shndrit hala për mu dhe atij qenit që kam marrë.

-Më thuj pse nuk ke ardhë te unë?

-Nuk më pëlqen me më kërku kush llogari, kështu që as mos e përmend ma se më ban me nerva.

-Ku ka llogari mes nesh...

-Po ç’ka mes nesh pra…

-Na jena shoqe, nuk hyn llogaria këtu.

-Të thashë, i gëzohem diellit e hanës, s’ka shumë që kam marrë qenin. Nuk kam dashtë kaq. Nuk kishe nevojën teme.

-Na miqësinë nuk e kena ngritë vetëm se kena pasë nevojë. Mos harro, të kanë zhdepë për faj temin e ma shumë se kam pasë nevojë me folë unë me ty, ti nuk e ke pasë këtë nevojë. Ti kishte atë përvojë që unë nuk e dija se as ekzistonte.

-Ti çon nëpër mend veç burgun tem...nuk asht përvojë o Ije.

-Vujtjet e kisha fjalën….

-Pse duhen njerzit në vujtje…

-Me vujtë e me e nda vutjen bashkë.

-Nuk qenke trashë këto kohë, e shoh mirë. Po vujtja nuk asht shenjë e mirë.

-Na lidh ma shumë.

-Pse nuk duhet me na lidhë ndonjë gja ma e bukur se vujtja Ije, a nuk ia ke ba pytje vedit ndonjiherë?

-Nuk jam aq e zgjutë sa mendon ti, je ma e lexume se unë.

-Jeta që ke ba të ka ba lexuese të mirë, leximet e mija nuk as pinë ujë e as hanë bukë.

-Nuk e di pse jena tu iu sjellë nji muhabetit rrotull pa i thanë direkt gjanat. Ti je e dallume për këtë. A të kujtohet krahu?

-Muhabete grash.

-Du me ditë pra, se sot si asnjiherë tjetër ndjehem gru.

-Ti i ke kujtu tana gabim pra, qysh prej fillimit e deri tesh. Atë ditë që të kam kapë prej krahut te puna, kisha ardhë me mendimin me ia mutin të tanave, kisha nji arsy, qind lekshin. Doja me ta rrasë grusht sa nuk e ke idenë. Por kur të kam kapë prej krahut, kam pa nji gru të trembun, jo jo veç prej mejet. Unë isha aty objekti, por trembja jote e kuptova që kishte rranjë ma të thella. Aty kam pasë mëshirë për ty. Ishe viktimë. Unë kam kenë vetë viktimë. E di çka don me thanë me kenë viktimë. E kështu, kështu...doja me kenë për ty, ajo fija e barit që viktima e kap për mos me u mbytë, ajo fije që kur unë kisha aq nevojë nuk u duk asnjiherë. E kam pasë kërku, mos mendo. Deri edhe te ftyra e ndonji hetuesit apo e ndonji torturusesi apo e ndonji rojes së burgut. Askush, asnjeni.

Më kishte ardhë momenti që kisha nevojë me e lujtë këtë rolin e ‘fijes’, sepse doja me i dhanë nji kuptim. Por pastaj kur erdhe në derë për me më kërku falje, e kuptova që e kisha gabim krejt. Për mu ti ishe fija për me i dhanë kuptim e ngjyrë jetës. Nuk ta kam pasë tregu, sepse doja që ti të ma kishe nevojën e të vije drejt meje për gjithçka.

Pastaj kur më tregove për dashninë për Faikun, m’u duk se fija u këput dhe mu më mori rrjedha e jetës pa kuptim. Nuk ka pak kohë që kam marrë qenin.

-...Marije

-Ma hollë se kaq plakat nuk kërkojnë me ditë.

-Po na nuk jena plaka Marije.

-Flejmë, u ba vonë.

-A ke me dalë në punë a?

-Jo, jo, por mos më pyt ma gjatë.

-A e din çka po më vjen ndër mend itesh?

-Fol

-Kur të des ke me më la. Du që veç durt e tuja me u kujdesë për trupin tem.

-E marrë. Kam me dekë unë para tejet. Laju vetë.

-Ma premto sonte.

-Pse ma kërkon ti këtë? Kur durt e mija nuk janë të zojat me u kujdesë për trupin tand sa asht i ngrohtë, pse kur asht i ftohtë?

-Po ta besoj dekën Marije.

-Nuk më duhet deka jote.

-...kuku Marije biçikleta...kam harru me e futë brendë.


***

Të nesërmen nadje, Marija shërbeu kafet dhe në tabake veç filxhanave dhe lugëve kishte dhe nji gja të mbështjellun me shall.

-Çka asht kjo?

-Hape. Nji dhuratë e ime për ty.

-Me çfarë rastit Marije.

-Pa rast hiq, nuk kam nevojë për raste unë, nuk jam si ti.


Ija e hapi dhe u tremb. Gjaja i ra prej durve. Nji xherdan arit, me nji gur të madh të kuq në mes dhe dy jeshilë në sdecilën anë, ma të vegjël, por njisoj të tre të shndritshëm. Nuk kishte pa ndonjiherë aq e bukuri në nji gja aq të vogël.


-Oh Zot i madh sa i bukur…po, po çka asht ky...po ku e gjete njiherë...Marije mos me luj mendsh, fol shpejt.

-A të kanë plasë sytë e ballit a?

-Ty të kanë plasë, po ec më thuj, pse ky, oh Zot i madh sa i bukur.

-Ma kanë lanë amanet dhe unë po e plotësoj.

-Amanet për ke, për mu ????

-Jo për ty me emën e mbiemën.


***


‘-Babë çka do me ndodhë, xherdanin po ta la ty. Përdore me shpëtu vedin.

Paloka sapo kishte mbërritë prej Italiet dhe i la në dorë së bijës nji copë të kuqe, e cila mbështillte nji xherdan.

Ata gjatë luftës kishte strehu Azamin me familje, nji familje çifute që i kishte shpëtu përndjekjes së nazistave e kishin përfundu krejt rastësisht në qytetin e tyne dhe prej aty në shpinë e tyne. Marija gjatë tre vitebe, kishte shku mirë me dy djemtë e asaj familjes, të cilët i kishin mësu hebraishten. Në mbarim të luftës, familja e Azamit ishte nisë drejt Italisë, tu i lanë si shpërblim për të tana xherdanin.

Paloka kur e kishte pa ishte ndje keq. E kishte gjetë shpejt familjen e Azamit, vendosë përkohësisht në Itali dhe kishte dashtë me ia dhanë mbrapsht.

-E kanë pagu mor të pastë baba, jetën e qëndrimin këtu...nuk kam nxjerrë gja prej xhepit për ‘ta, veç shpisë. Ishte shumë. Ia shpjegova se nuk mundem me e mbajtë, se edhe këta që po vijnë janë të rrezikshëm shumë. Ata më thanën, ndoshta nji arsy ma shumë me e përdorë për me shpëtu. Ndoshta ti që je e re nuk ke me pasë ndonji rrezik, por për ne, tesh na merr urrejtja e tyne para. E urrejtja e tyne asht e madhe dhe nuk mjafton as ari dhe as pasunija që kena me e ble jetën tonë.

E di që asht rrezik i madh për ty me ta lanë, por ndoshta nuk kanë me dyshu te ti, prandaj fshehe mirë. Mos ia jep kujt me shpëtu, nuk ka me të shërby, nuk kanë me e pranu në shkëmbim të jetës. Janë të uritun për gjak këta. Ta marrin xherdanin e pastaj të vrasin.

Mos harro zemra e babës, jepe për t’ardhmen tande, për dashni e mirënjohje, se ashtu na u dha.

-E kam pasë groposë nji ditë mbasdite, kur baba ishte hala në shpi, por priste nga dita në ditë me ardhë me e kërku, ashtu siç po banin komunistat me tanë tregtarët. E kam groposë ngjitë me varrin e gjyshit. Baba nuk më pyti, thjeshtë nuk donte me ditë ma për ‘te. Kur më patën burgosë e kuptova që ata nuk dinin gja për xherdanin, kështu që nuk pata folë. Thjeshtë prisja momentin se kur me e përdorë. Por ai moment nuk erdhi kurrë kur isha në burg, ku humba dëshirën me jetu. Pas burgut kjo dëshirë më ndoqi gjatë e gjatë, sepse mora vesh se si kishte përfundu baba e nana, e kuptova se kisha me kenë skllave e tyne deri në fund. Xherdani nuk më hynte ma në punë, ishte krejt e pavlerë, n’atë kohë vazhdonte me kenë rrezik e kur na u lirunen disi rrypat, prapë i pa vlerë mbeti për mu, prandaj nuk e kam nxjerrë, nji siklet ma shumë në shpi. Pastaj me ‘te nuk blehej e as shkëmbehej asgja, deri as dëshira me jetu, deri me rastin e nji qind lekshit...jo se gjeta mundësinë me e shkëmby jo, por m’erdhi dëshira me e shiju ketë jetë, në mjerim me e shiju.  

Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde