Gilmana Bushati: Shesim borë





Margarita me nji libër fshehë fort mirë nën sqetull shkoi e u struk pas grumbullit të drandofileve n’oborr. Atje as thirrja e s’amës për me e ndihmue për ndonji gja s’kishte me ardhë, kështu kur të kthehej shumë mirë kishte me i thanë që s’e kishte dëgju. Hapi librin, ishte në gjysëm të tij, por qysh se e kishte fillu nuk ishte shumë e përqendrum te ai, histori të vjetra, legjenda, përralla, zana që bajnë mrekullina kështu me tamël. Uhaaaa. E lëshoi librin kur historia e re filloi me ‘na ishte njiherë në nji mbretni të largët’…U mbështet për murin që gjendjej pothuajse ngjitë për shkurret e shumta të drandofileve e mbylli sytë. Kishte me e zanë gjumi, por matanë murit ia nisi nji rrëmujë e madhe, djem që bërtisnin se i silleshin mbrapa nji topit, ‘sa të marrë’. 

Afër murit ishte nji prag ku gjyshja vinte herë mbas here vazo, i shtyu nja dy prej tyne dhe vendosi veç majat e gishtave për me u ngjitë, me pasë mundësi me pa pak përjashta. Atje jashtë ishin të përhershmit, djemtë e lagjes, i njifte, se jo kushrij, jo ishin rritë bashkë, jo familjet hynin e delnin te njena-tjetra. Me disa prej tyne ishte shkëmby nëpër oborre, por ata nuk pranonin me lujtë me vajza të vogla, ishte marre me i pa kush, vajzat ishin ba për kuklla, me ndejtë mbas fustanit të nanave të tyne, me u llastu apo me fillu me qa sa t’i ngacmonin. Ajo pa fshehtas ndërsa djemtë lunin top, të tanë ishin me kanatiere e pantallona të shkurta, zdathtë e bërtitshin sa kishin kry, secili kërkonte topin për me e gjujtë se gjunte ma mirë se shoku. 

Në mes të tjerëve Ritës i zuni synin Lecin, djalin e Banushes, flokët ngjeshë për ballë, me nji rryp kanatieret që i binte në krah e me pantallona të shpërvjeluna. U fsheh mbas murit, jo se e kishte pa kush, por ndjevi se nji si zjerm i mori tanë trupin. Kështu e bante me u ndje, sa herë që e shifte, prandaj shpesh nuk ia hedhte sytë, sepse kishte frikën e këtij zjermi. Por tash ishte vetëm, prandaj e la flakën me iu ngjitë ndër tesha e me ia ndezë deri fijen ma të vogël të flokut. Me dorën e djathtë e kontrolloi nëse ndonji pjesë trupit nuk po i digjej dhe u ndal pikërisht te vendi që digjej ma shumë. Aty mbajti frymën, pastaj e lëshoi edhe vedin ndër andrra që s’i kishte lexu në asnji libër. ‘Ah Lec’, i tha vedit me mendje, ndërsa gjoksi i sapoformum i ngjitej e i ulej me shpejtësi. 

Dora filloi me ngritë pak fustanin, kishte mbërritë deri te vija e mbathjeve kur u tremb si me pasë pa dekën. Topi i djemve ra n’oborr jo shumë larg kambve të saj. Topi, ky dëshmitarë i vetëm, para të cilit ishte gati tue humbë ndenjat. Ngau vrap si e marrë dhe shkoi te vendi i saj i fshehtë, nën shkalla, aty ku futshin drutë. Aty e mbytun n’erën e drunit të lagsht e n’errsinë pa sytë e tanve, ishin tue e gjyku, ishte ulë edhe vetë Jezu Krishti prej kryqit, patër Leka prej altarit, tesh kishte me pritë vetëm ferri, po cili dënim për atje, cili për nji vajzë të re si puna e saj që kishte ba mëkatin ma të madh. 

I harroi sytë, kur dëgjoi se në derë, për me ardhë me marrë topin, ishte vetë Leci. Gjyshi i bërtiti prej katit të dytë, e kërcënoi që kishte me ia shky topin e me i paditë te prindt, e Lecin te baba i vet, Mirashi. Zjermi i trupit i zuni vend zjermit të ferrit. E Leci, të cilin e shifte prej vrimës së derës së nën shkallave, bante si fmi për mëshirë, por ajo dinte se ai rrente, sa herë kishin ardhë djemtë me marrë topin dhe kishin ba sikur ndjeheshin në faj, veç me marrë atë që i duhej dhe kaq. Leci shkoi e mori topin, por tue dalë i tha gjyshit të Ritës ‘qe gjeta kët libër te drandofilet’.

-‘Neta, Netë maj, a e shef, ku nuk i len librat jote bijë, mësoji ndonji gja ma të hajrit, hajt kur ta shifesh ma bjer njiherë te unë t’ia tham nja dy fjalë’ – dëgjoi gjyshin tue folë s’amës ndërsa ngjitej shkallave randë randë.

Dikur doli prej atje ku ishte fshehë dhe me kujdes u ngjit në shpi e shkoj te dhoma e prindve ku filloi me palosë teshat që e ama sapo i kishte mbledhë prej telit. Kur hyni e ama u çudit që e pa aty dhe i tha se ku kishte kenë në tanë këtë kohë, sepse edhe po e kërkonte.
‘-Ti mirë që lexon, po pse duhet me ta ditë gjyshi, sa herë të kam thanë me pasë kujdes’…
Ajo i tha që me shpejtu durt e me shku me përgatitë drekën për të tanë, se i ati vinte edhe për pak prej punet e duhej me e gjetë gati drekën. Rita shkoi në kuzhinë e filloi me la sallatën. Në kuzhinë hyni gjyshi i vet dhe iu afru te lavamani.

-Jot t’amë asht tue të prishë që të len me lexu, i kam thanë nji qind herë edhe Rrikut që duhet me ia shtërngu ma shumë rrypat Netës, se tue ia shtërngu asaj i ke edhe ti të shtërngume. Libri i librave ti e din që asht Bibla, s’ke nevojë për libra tjerë. A nuk i shef shoqet e tuja? Shife Mejremen, qysh e vogël e ka ditë tanë Kuranin përmendësh, e pse ti vajza jonë, s’e din Biblën përmendësh, pse me na e kalu neve, a jena ma poshtë se ata, jo, jena shumë ma lart se ata…Je ba sa nji lopë…

Gjyshi Ndoc ishte i mërzitshëm deri në atë pikë sa ia hiqte edhe pak kënaqësi që provonte gjatë ditëve të saj. Ai donte që t’i shkonte me i ndejtë në prehën, sepse e dëgjonte ma mirë, se ashtu me kry kah lavamani, andej i hynte dhe këndej i delte, por asaj s’i hynte ma në asnjenen anë. Nuk i pëlqente dhe ndjehej keq, kur ai e merrte në prehën, tash nuk ishte ma e vogël.  Tash nuk i pëlqenin as fjalët e tij, sa herë fillonte me folë e kapte nji dëshirë më ikë vrap. Por kësaj here s’e kishte mendjen hiq te marrinat e tij, ndërsa ai vazhdonte me nxjerrë inatin që kishte me të tanë, i rikujtoi vedit ndjenjën që kishte provu pak ma parë për Lecin, e me ndje për Lecin ashtu siç kishte ndje atje te muri apo te qoshja nën shkalla. Oh sa mirë po u ndjente, megjithëse ajri i shpisë vazhdonte me u mbytë me inatet e plakut grindavec, që s’i pushonte goja. 

Ajo s’e ndjente këtë ajër mbytës sepse bota ku ishte ushqehej me nji ajër tjetër, e zemra funksiononte krejt ndryshe, e para syve i kishte shpërfaqë shumë qiej, diej, yje, hana të ndryshme. Mendoi për nji moment, ‘nëse e la pa e ba sallatën a thu diçka tjetër ka me ma përpi këtë planetin tem’. Ashtu si në harrim, shtroi drekën me të tana dhe u ul në karrigen e saj, larg gjyshit shyqyr, me pritë me ardhë gjyshen, babën e nanën e saj. Nana Netë filloi me u shërby gjellën pleqve ma parë, të shoqit, vedit e në fund asaj. Por hiq, ajo hante ashtu, si ndër ré, ah sa kishte pasë dashtë qysh në fmini me kenë pjesë e reve e atje me ndejtë e më ndërru vend. Atje ku mbaronte reja e saj me zanë vend te nji tjetër aty afër e kështu kishte me pasë mundësi me e shëtitë botën. Se ishte atje, u çu prej tavolinet pa mbaru të tjerët, i tha që s’kishte shumë unt e po shkonte me fjetë në zheg. Mori pjatën e vet e çoi në vend, e lau dhe i la të mëdhenjt në bisedat e tyne. Shkoi u shtri te shtrati i saj, afër dritares. Donte që ky planet i ri, me e vazhdu me e ushqy me ajër e imazhe të tjera, s’donte me ba pytje edhe sa ka me zgjatë. Dhe ashtu e zuni gjumi.

Kur u zgju, ishte errë, s’e kishte ma idenë sa kishte fjetë, por pa nëpër dhomë, nana e baba s’ishte aty dhe në shpi nuk dëgjohej asnji zhurmë. ‘A thu janë zhdukë tanë ?’, u shtri edhe njiherë dhe u ndje se kishte nji qetësi që s’e kishte pasë ma parë. Çoi dorën nëpër trup. Vuni dorën te seksi i saj, nuk i pëlqeu, ai s’kishte ma zjermin e maparshëm, kishte kenë bukur ma përpara, tesh ndjehej normal, qetë dhe me dëshirën me u ngritë prej shtratit. Ashtu ngadalë e pa ndezë nji dritë u vesh dhe pa zhurmë u ul poshtë. Diku nëpër oborr dëgjoi zana. ‘Qenkan tue pi kafen n’oborr’. U afru me kujdes, sa qejf kishte kur dëgjonte fshehtas bisedat e të mëdhenjve. Ishte vetëm e ama t’atin.

***

-…janë familje e mirë, i njoh qysh në vogëli, nuk përzihen shumë, shikojnë punën e vet dhe sigurisht e kanë gjendjen e mirë.
-Oh Rrik, po ti a din se ajo asht vetëm katërmbëdhjetë vjeçe…si don me e feju, asht e vogël…
-Duhet e pikë, kaq di me të thanë unë e mos me më kundështu…sa je feju ti, ja pesëmbëdhjetë…çka ndryshon ma shumë…
-Po na atëherë ishim të varfën, tash sikur nuk e kena nevojën me e feju vajzën kaq shpejt…kanë ndryshu kohnat…
-Kanë ndryshu kohnat por jo sjelljet, jo njerzit…
-A ke folë më babën apo me nanën tande ?
-Atyne kam me ia thanë kur të mbarojnë gjithçka, të fundit kanë me e marrë vesht…
-Po si kshtu ? A e din çka ka me të ba yt atë që ke marrë vendime pa ‘te ?
-Të bajnë çka të dojnë, asht vajza jeme e pikë, baj çka të du unë.
-Ajo asht edhe e jemja, pse s’po më pyt mu ?
-Nuk më duhet mendimi jot hiq, e di që ka me kenë jo.
-Rrik, për at’ Jezu Krisht mos e ban këtë gja, ke me më landu, ma shumë se me kë lëndu tanë jetën…
-Nuk më plas hiq, shko thuji edhe patër Leks nëse don.
-Tash të padis te yt atë, ai ta tregon qejfin ty…
Ai nuk iu përgjigj të shoqes.

***

Rita qau natën në mbulesat e veta. E mbylli gojën me durt e veta e nuk ia lejoi trupit me nxjerrë nji tingull tjetër, veç rrenës se po flinte. Kushedi sa herë iu lut Jezu Krishtit, kushedi sa herë e bani kryqin. Baba i saj po e fejonte me dikë, që as nuk e kishte marrë vesht se kush ishte dhe që s’kishte me e marrë vesht deri ditën e fundit. Ajo tesh e ndjente ftyrën e ndeztë, sikur dikush i kishte ra grusht turijve. Jo nji grusht, por shumë grushte, mijëra ftyra kërcënuese para saj, qindra durë që ngrihen, qindra flokë mbetë në durt e dikujt tjetër. Dhimbjen e dinte. Donte planetin e qetë e me ato re gazmore, ose edhe zjerminë, qoftë edhe atë ferrit, që të mund të harronte se po e banin gati me e shitë te i pari blerës që i ka dalë t’atit përpara. Këto asnji libër s’ia kishte mësu. I kishte mësu përditë e nga pak, nga histori të pashkrume shoqesh, kushrinash, grash të reja që baheshin plaka brenda natet.


***

E dielë. Neta me të bijën e vjehrrit afër njeni-tjetrit në kishë, pak ma andej i shoqi me nji zotni, të cilin e njihte prej larg e andej nga fundi dalloi kunatën e vet. Ishin veshë si për meshë, por ajo s’po e ndjente me iu lutë zotit. ‘Çka dreqin të kam ba ?’ e pyti me sy tanë nerva statujën e Jezu Krishtit. ‘Mirë unë, po pse eme bijë, shife pak, ende ferishte…’. Nuk donte as me e dëgju e as me e pa Patër Lekën, se kur i kishte thanë, se ishte kundër që Rriku me e feju vajzën e re, ai tanë butësi i kishte thanë, se ‘nuk kundështohet vendimi i prindit’, e ajo e kishte pytë menjiherë ‘po unë çka jam, lopa a ?’.

Kur mbaroi ceremonia u përshendet me të tanë që ishin në kishë, duhej me u tregu tanë gazmend. Iu afru kunatës. I ati e kishte feju edhe atë të re,por qysh se kishte dalë prej shpisë nuse, s’kishte shkelë kurrë ma në ‘te, as me pa t’amën. Askush s’i kishte shpjegu arsyn se pse. Ajo vetë shkonte herë mbas heret, pa qejf, por thjeshtë me kry ndonji detyrim familjar. Asnjiherë s’ishin pa mirë me njena-tjetrën.

-Du me folë me ty, sa ma shpejt që të jetë e mundun… - i tha Neta kunatës së vet.
-Po unë s’du me folë me ty, na nuk e durojmë njena-tjetrën, kjo temë asht e mbyllun, unë s’kam respekt për ty e ti për mu…
-Nuk bahet fjalë për ne të dyja…
-Aaaa, qenka ndezë andej në shpi eeee, nuk ditkam gja…çka ka ndodhë ?
-Du me të folë për Ritën…
-S’të ftoj dot as në shpi se i kam premtu vedit se ti nuk shkel te shpija jeme…-vazhdoj Fina.
-Aman Finë, ti këtë gjuhë përdore me dikë tjetër që nuk të njeh, se të dyja e dina, që as ti e as unë në shpijat ku po flejmë s’asht asgja e jona, as lëkura…
Tjetra uli kryt dhe i qeshi nji besimtares në moshë që u kaloi afër, s’kishin qejf me e marrë vesht njerzit se po grindeshin.
Ritën e nisi te i ati, i cili i bani me dorë me iu afru. E ajo përshëndeti t’atin dhe zotninë që rrinte afër tij. Ndoshta kishte me kenë ai shkusi. Pse nuk digjej kisha në vend ? Kur s’asht djegë për vujtjeve të njerzve të tjerë, s’kishte pse me u djegë prej Ritës.
Dy gratë që urrenin njena-tjetrën i ndejtën pak larg familjarëve të tyne.
-Rriku don me e feju vajzën Finë, e mu po më plas zemra, po des, ajo asht aq e re e pafajshme, më thuj a din gja ma tepër se unë…
-Haha, ta fejojnë, le ta fejojnë, moshën e ka…
-Po pse kaq shpejt moj Finë, ajo asht fmi ende, të lutem, je i vetmi njeri që mundem me kërku nji këshillë e ndihmë, se Rriku ta dëgjon fjalën…s’du me iu lutë zotni Ndoc apo zojës Rukije, ata janë në moshë që s’e kuptojnë lutjen teme…
-Nëse Rriku thotë që duhet me e feju, fejoje…s’ke zgjidhje tjetër, kaq di me të thanë, ai i din gjanat ma mirë…
-Po pse unë s’i di gjanat pra Finë, pse s’duhet me i ditë unë…pse kaq shpejt.
Fina iu afru te veshi Netës…
-Shife Netë tande bijë, s’asht fmi, asht gru, e po bahet gru e bukur, shifja trupin, shifja gjoksin, imagjino nën fustan, shalët e njoma të saj, përdhredhja e trupit të saj ndjell shumë njerz e sifate, kështu që fejoje, je në kohë…ma shumë ka me t’u dhimbtë po nuk e fejove.
-Të vraftë Zoti ishalla, pse feju ti e re, s’ka pse eme bijë me u feju, s’kam me e leju…
-S’ke kah me i shpëtu fatit…
Të dy gratë i dhanën dorën njena-tjetrës, për me u tregu të tjerëve që se nuk urreheshin.


***

Rita e harroi dhimbjen e vet se ndjeu praninë e Lecit në kishë. Oh sa të bukur u banen muret e asaj ndërtese, rrezet e diellit që hynin si zgjatim i dorës së Zotit me shëru dhimbjet e njerzve. Ja, ai aty, afër nanës së vet. Zemra mal. Nuk i dëgjoi lutjet. U humb në at’ lumni, e shtrime në tanë hapësinë. Iu duk se ishte në valët e buta të Drinit që po e merrnin prej aty ku ishte për me e çu larg, larg tanë shëmtimës për me e çu te planeti i vet. Tanë këtë andje ndër valë ia prishi disi i ati që i bani me dorë me iu afru. Përshëndeti tanë edukatë zotni Pjetrin, hiq nuk donte me e ditë se kush ishte. U harru në atë ikje. E në krah të saj ishte ai, djali, që edhe pse sot ishte veshë bukur e krehë, i dukej gjithmonë ai djali me nji rryp kanatieret të rame e nji në shpatull, me flokë të shpupurishun prej lojet e me pantallonat e shpërvjeluna, zdathtë tue luetjë futboll të rrugica e lagjes. Mbylli sytë dhe e puthi ajrinë e kishës. Oh sa e lumtun ishte. Nuk e dëgjoi se çka i ati po bisedonte me zotninë, as nuk ia prishi pamjen nana e saj që bisedonte me hallën. Në nji kohë tjetër kishte me pasë kenë çudi, por sot, nuk po i bante përshtypje asgja.

***

Ishte e mërkurë kur plasi shamata në shpi mes Rrikut e Ndocit. Ky i fundit e kundështonte fejesën e re të mbesës dhe në krah i doli Neta, ndërsa Rukija me të birin ishin darkord me e feju, pasi ishte rast i mirë.
Rukija, që fliste shumë pak dhe ato pak herë me frikë, i tha Netës tanë këmbëngulje dhe pa iu dridhë syni.
-Rriku ka të drejtë…
-‘Deksh ishalla aty ku je’ – mendoi Neta.

Mbasdite, pa marrë leje as të shoqit e as vjehrrive, veshi bukur Ritën dhe shkoi te shpija e s’amës. E dinte që e priste shamata në shpi kur të kthehej. Shkoi me e pà, por ma tepër me u largu prej shpisë. Po i merrej fryma. As e ama s’kishte me e kuptu, por ia tha disi, se ishte e shqetësume se Rriku kishte vendosë me e feju vajzën dhe ajo s’kishte as mundësi dhe as forcë me e ndalë këtë. Qau në sy të s’amës. Netës i shkonin ndër mend skena të tmerrshme, ku nji burrë shumë ma i madh se e bija vinte dorë në ‘te.
-Shko foli Fines – i tha e ama.
-Fola të dielën në kishë, ajo asht shpirtzezë, më tha të njëjtën gja si e ama e vet…
-Nuk thashë me u grindë, por me i folë si njerz, ajo e ka vujtë prej kohësh me u feju e re, katërmbëdhjetë vjeçe…
-Trembëdhjetë…
-He, trembëdhjetë…foli…nuk din nana çka me të thanë tjetër…s’di kujt me i thanë me të ndihmu. Ajo diçka duhet të dinë. E di që ka ma shumë se njizet vjet që nuk shkel n’at shpi, por ti vetë ke thanë që asht shumë e lidhun me Rrikun.

Neta mori çantën dhe u nis edhe njiherë te e kunata. S’donte me ia pa surratin mbas herës së fundit që kishin kenë bashkë. Po ja, halli. S’e dinte pse e ama po e çonte prapë te ajo derë.
Ajo ia hapi derën e kësaj here nuk i qeshi, as kishte në ftyrë atë ironinë e përhershme, i kishte sytë kuq.
-Serafinë të lutem, kam ardhë me folë si gruja me grunë, e si nana me nanën, edhe ti ke vajza, ashtu si unë.
-Hajde urdhno brendë…

Kur hyni në kuzhinë pa që aty ishte edhe i shoqi. Nuk donte që ai të ishte aty, se ajo kishte ardhë me folë me tjetër njeri e me atë aty s’kishte si me folë lirshëm. Ai nuk i tha pse kishte dalë pa leje prej shpisë, por e ktheu krytë në anë tjetër ? Serafina e ftoi me u ulë dhe pa e pytë i bani nji kafe.
Bisedunën gjatë, shumë gjatë. Aty gjeti ato përgjigje, nji pjesë të të cilave s’kishte pas dashtë as në dekë të saj me i ditë. Në fund, ndërsa fshiu sytë e hundën me shaminë që gjeti diku në fund të çantës i pyti të dy :

-E Patër Leka din gja ?

Të dy ia pohunen me kry. Ia kishin thanë, herë njeni e herë tjetri, por duhet ta dinte edhe prej Ndocit, se shkonte shpesh me la mëkatet. Pastaj njerzit e dinë, njerzit flasin, në këtë qytet dihet deri edhe historia e nji perdeje që mbulon dritaren e jo ma se çka pas asaj. Sigurisht jo tanë e dinin, por nji pjesë po.
Ajo donte me përqafu kunatën e vet, donte me e mbajtë në grykë e me i kërku falje, sepse ndjehej fajtore, jo vetëm se si ishte sjellë me ‘të, por për tanë dhimbjen që e kishte kalu tesh e sa vjet dhe që e kishte mbajt dhimbjen brendë.

-Si mundem me të ndihmu ?
-Ah, kanë kalu shumë vjet, e tesh jam ba shkamb, s’ka gja që ma heq nji cifël ma…boll…s’ke çka me më ndihmu ma…
-Po edhe Mejremja e shkretë ????
Ata nuk e panë në sy, por ia pohunen me heshtje. E kishin marrë vesht prej s’amës, të paktën nji, nji kishte guxu me folë. Ajo i kishte nxjerrë jashtë të tanë kur kishin shku kur kishte feju të bijën. I kishte thanë Rrikut në vesh, që asht gru e vetme pa burrë e pa mbështetje, se kishte me e varë me durt e veta Ndocin mu në mes të qytetit. Të tjerat sigurisht kanë heshtë, kanë heshtë, se njerzia të mbyt kur nuk pranon me dëgju.
Ku i kishte pasë sytë tesh sa vjet. Tash kishte shumë frikë për Ritën. Rriku e qetsoi, por prapë kishte frikë.

-…e kushedi sa të tjera moj Netë, kurrë s’kena me e ditë sa të tjera…e mu më dhambin të tjerat, ashtu si më ka dhimbtë mu. E atje jashtë nuk e dina sa janë si puna e Ndocit.
Neta iu kthy të shoqit.
-Rrik, të lutem, të ikim prej asaj shpisë të lutem, unë s’kam kambë me hy ma atje. Të lutem të gjejmë nji mënyrë tjetër me e shpëtu Ritë…-iu përgjëru Neta të shoqit.

***

Bora e mbuloi qytetin pikërisht ditën e Krishtlindjeve. Ishte hera e parë që shifte borë, kishte dëgju shumë për ftoftësinë e butësinë e saj, por kurrë s’e kishte provu këtë mrekulli me i ra në dorë e me iu shkri në pak sekonda e prapë me u përsëritë e njëjta gja, prapë e prapë. Fluturonte prej gëzimit. Veshi pallton, vuni shallin, kapuçin që ia kishte thurë nanë Rukija, çizmet ble për këtë rast dhe doli te rrugica. Kishin dalë shumë fmi që po i gëzoheshin borës, po gjuheshin me topa. Dorcat e saj nuk e lejonin me i formu mirë topat, prandaj i hoqi dhe i futi në xhep. Ashtu me durë të ngrime bante topa e gjuhej herë me Merin e herë me Françeskën e herë me Nerin. Kur nuk vonuen dhe erdhën djemtë e lagjes e fillunen me lujtë tanë bashkë. Asaj i dridheshin durt prej të ftohtit, por jo të pazojat me gjujtë Lecin. Ndjehej mirë që paksa borë i binte atij mbi flokë, që fillunen me i ra në sy, se s’kishte kapuç. Fillunen me rrokullisë nji top të vogël boret, që filloi me u ba i madh ndërsa merrte borën që ishte në rrugë.
-Hajde, shesim akullore, shesim akullore, kush don akullore…shesim borë për akullore.
Bërtitshin të dy sa kishin në kry.
Kjo kishte me kenë nji Krishtlindje pa gjyshin Ndoc, që kishte dekë prej zemrës muej ma parë. Ajo kishte pa shumë gjak, shumë gjak kishte zemra e nji njeriut, kishte pa edhe vujtjen e babës ndërsa lante gjakun mbetë te dhoma e gjumit e pleqve. Kishin ardhë gjithë ato njerz me i ngushëllu. Kjo vdekje e papritun e kishte anullu edhe martesën e saj me burrin e huj. E qysh prej dekës së gjyshit, halla Fina hynte e dilte lirshëm, ja kishte ardhë me vajzat me kalu festën te ata.
E tash kjo borë dukej se po lante trishtimin e tanë vitit.
-Shesim borë, shesim borë -thërriste ajo në nji za me shokun e vet.


Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde