Sandalet


Drita me Anën ishin shoqe të ngushta gati qysh kur kishin lindë, e para isjhte nji javë ma e madhe se e dyta. Afërsia me shpi e me moshë bante që të ishin ma shumë se shoqe. Ato tashma ishin në klasë të gjashtë dhe rrinin bashkë në bankë prej klasës së parë. Prindërit nuk ishin aq shokë e shoqe me njeni-tjetrin, por shkonin mirë. Kojshi ma.

Ishte fund prilli.
-Dritë, dëgjo, ti e din që nesër jena për Tiranë te parakalimi i madh i 1 majit ?
-Po, ma ke thanë…
-Po a mundesh me m’i dhanë sandalet e reja që të ka ble baba për 1 maj, se këto të mijat janë të vjetra e i ka dalë rrypi te nji vend ?
-Uuu, pa duhet me i thanë babës tem se, se ti e din si asht ai, bërtet me të parën…
-Ti m’i jep se vjen baba i jem e i thotë…
-Se edhe na nesër dona me dalë e baba s’m’i ka lanë me i veshë veç me i rujtë për 1 maj.
-Shiko, 1 maji jem nesër asht ma i madh, kena me pa udhëheqjen e madhe, kena me pa Enverin maj atje te tribuna, a e imagjinon ti ? Pastaj mas u mërzit ti se unë t’i ruej e t’i bi njashtu si m’i ke dhanë, hajt se të kam zemër.
-Mirë maj mirë, t’i jap, por mos t’harrojnë axha Gac me ardhë me i thanë babës.

Të nesërmen ishte ditë e bukur shumë, me nji diell e me qiell të pastër. Drita kishte dalë me familjen për me festu 1 majin. Baba e nana veshë me teshat që i ruenin veç për dasma, fejesa e festa. E banin edhe ndonji vizitë me ato tesha, por jo shpesh. Drita kishte veshë fundin me kuadrate, i blemë para dy vitesh, nji këmishë të bardhë, që ia kishte qepë e ama, çorapet e bardha deri poshtë gjunit dhe sandalet e bardha. Vëllai i vogël me paliçeta e sandale të zeza, nji këmishë e çorape të bardha. Baba e nana u ndalshin shpesh me përshendetë njerz që i njifnin, kushrij në përgjithësi, shokë e shoqe punet. Tanë ishin veshë bukur dhe ishin të qeshun.

-A t’i blejmë fmive kah nji akullore ? – pyt i ati ma shumë vedin se sa t’amën e fmive.
-…
-Hajt se po e hajmë të katërt kah nji akullore, hajdeni shkojmë te Beqja…
Rrugës i ati shef me vëmendje sandalet e Dritës e rrudhet.
-ça janë maj kta sandale?
Drita u step sa ia dëgjovi zanin.
-Ku i ke maj sandalet që t’i bleva javën tjetër ?
Drita asnji fjalë, por filloi me qa pa za.
-Ske pra akullore e tash flasim në shpi…se ta rregulloj unë ty…Kuku medet, s’ka tre ditë që i ka ble sandalet e reja për këtë ditë e kjo më del me sandale të shkyme…A din gja ti Mira ?
Mira, e ama ngriti shpatullat, edhe ajo ma e stepun se e bija.
-Në këtë shpi askush s’din asgja, çka më ka gjetë mu me ju…Ec kthehena, s’ka akullore. Marsh në shpi.

Edhe rrugës për në shpi prindërit u ndalshin me u folë të njoftunve, miqve e dashamirësve. I ati, ndryshonte krejt pamjen edhe e ama gjithashtu, pastaj riktheheshin te ajo e maparshmja. Ai me ftyrë të egërsume e ajo e trembun, Drita ia kishte frikën kësaj pamjeje e asaj që mund të ndodhte në shpi. Shpresonte që shpija të ishte sa ma larg që kjo zbutja e tij të ishte ma e gjatë e në shpi të harronte për sandalet.

Sa hynen te shkallat e pallatit takunen njerz që i kishin shku për vizitë e s’i kishin gjetë në shpi. Ata u kthynen më kry vizitën. Drita u qetsu. E ama gjithashtu. Veç i vëllai e ngacmonte. ‘uuu, çka tash të rrahë baba, e shkreta ti, ma mirë thuji se ku i ke shky sandalet’. Drita uronte që njerzit që ishin për vizitë të rrinin shumë gjatë. Por edhe ky urim mbaroi shpejt.

-Hajde këtu ti iherë, shpejt. Mira na ban me hangër ti se sa ta marr vesh unë iherë çka ndodhë në shpi teme…hajt tash fol…
Drita filloi me qa…
-A don me folë a ta hoqa rrypin…
Ai filloi me heqë rrypin e pantallonave. Ishte ndezë në fytyrë.
Sa pau rrypin, Drita u shkreh në vaj dhe u përpoq me i thanë ashtu mes lotve, që sandalet ia kishte dhanë Anës për 1 majin në Tiranë dhe se axha Gac kishte me ardhë vetë me i kërku, e nuk e dinte pse s’kishte ardhë.
-Ti me i dhanë pa lejen teme asaj kaurres sandalet…ajo familje e degjenerume, që s’du me i pa me sy asnjenin as tjetrin, kur nuk ta nxjerri jashtë at’ shoqen tande…u banen ata me ba çka të dojnë me shpinë teme e gjanat e mija…t’i kishte shku me ble vetë sandalet e reja…pse s’ka shku Gaci me i ble vajzës së vet sandalet, a asht punëtorë i dallum ai, a asht në tabelë të nderit, a e zgodhën me shku ai në Tiranë, t’i kishte ble vetë sandalet…
Ai fliste e ia shkulte flokët Dritës. Ma mirë me ia shkulë flokët se sa me e rrahë me rryp. Rrypin s’e duronte, flokët, hajt, ia shkulte edhe zysha e leximit sa herë. E hangri nji shputë të mirë Drita, që i shkoi kryet në anë tjetër.

-Marsh mos të shof më sy se po bindi zotin në ty…edhe tjetër herë nuk e du Anën me ma mësy shpinë, s’e du hiq dhe shiko, ishalla rren, se a din se çka kam me të ba, e mjera ti…tash ia tregoj unë atij Gac mutit unë, u ba ai me vu rregulla në shpi teme…u bane ti me i thanë edhe ‘axhë’ atij…
Drita u fsheh mbas shtratit ku flinte e ama me të atin dhe qante. E urrente axha Gacin. Atje jashtë ishte koha e mirë, Ana ishte në Tiranë, s’kishte kujt me ia thanë se e kishte rrahë i ati…
Ndërkohë i ati fliste me të amën, nuk fliste, turfullonte, siç e kishte e dëgju shpesh…nxjerrte tanë të keqen që kishte brendë për njerzit, për jetën, për fmitë…

‘Se ai Gaci, i mut spiunit asht, spiunon shokët e vet për me pasë nji pozitë te puna, punëtorë i dallum nji mut, s’len gja pa thanë për njerzit…e ka mirë me sekretarin e partisë, ai i jep punë të lehta, e mban afër, e ky Gaci çka ban, i jep kafe, i ka dhanë drekë edhe në Shirokë, masanej vjedhin bashkë…komunist i mut asht ai, ia ka tanëve me hile…nëse ka me i dhanë sekretarit drekë pse s’paska lek me i ble vajzës së vet sandalet të reja…Du me e nxjerrë për zhelesh jashtë kur më vjen ajo kurva e Gacit këtu me ndejtë…sa herë të kam thanë nuk e du në shpi, e ti s’i thu hiq…por tash ia tham unë sa të vijnë, s’i du asnjenin as tjetrin në shpi, as at’ kopilen e vogël…

Sa herë e kishte dëgjue këto shpërthime të t’atit. I dinte përmendësh fjalët që nxirrte. Ashtu siç e dinte përmendësh që e ama nuk lëvizte kambën nga qoshja e kuzhinës, që bante sikur ishte tuj ba me hangër drekën. Atë ishte tuj ba në fakt, por Drita e dinte që ajo qante. Edhe kur ai, i ati, ishte tuj ia shkulë flokët së bijës, Mira bahej një grusht, por rrinte në kuzhinë, nuk nxjerrte kryt.

-Hajde iherë këtu mar të pastë baba, se ti je për mu qetsi…
Drita e kuptoi se ma në fund, i ati po merrej me të vëllanë, po kënaqej me te deri sa u shtru dreka.
Pasi hangrën drekë ranën të flinin.
Mbasdite ishte qetësi e madhe në shpi. I ati doli për pak, me ba vizitë të disa shokë të tij. Mori me vedi vetëm të birin. Mira gjeti kohë dhe e shtërngoi të bijën, por s’i tha asnji fjalë.

Ra edhe nata. U ba vonë. Nesër kishin shkollë. Fmitë shkunen me fjetë. Drita u zgju prej nji kërcitjes në derë. Ishte axha Gac.
-Mbrama Gëzim, Mira si je ? Urime 1 majin. Më falni se u bana vonë.
-Ooooo Gaci, po ku je mar që hupe tanë ditën – iu përgjigj i ati, hajde urdhno…
-Jo se asht vonë, edhe na sa kena ardhë, erdha me pru sandalet e Dritës…
-Ec mar burrë hin brendë, s’ka gja, se s’asht mesnatë, ec merr nji karamele a nji pije…Mira na nxjerr i gotë raki…ma ka pru njeni prej malcijet ka nja dy ditë…
-S’du me të shqetsue…
-Hiq nuk më shqetson, thirr edhe Mozin, ec se kam edhe pak djathë…
-Prit sa të vejnë me fjetë Anën edhe po vjen…s’arrita mbramë me ardhë me të thanë se kisha nevojë për sandalet e Dritës për Anën, se s’kisha lek me i ble te reja dhe ishim në Tiranë te parada e madhe…edhe me më falë, por sa të kem lek kam me ia ble nji palë te reja Dritës, ishte dita shumë e gjatë, Ana ka ecë shumë, e i doli njeni rryp…e mbramë ku nuk kam shëtitë për me marrë borxh tesha të mira për vedi e për Mozin…
-S’ka gja mar burrë se rregullohena, janë prodhime të dobëta, po he iherë me thuj si ishte Tirana…a e patë shokun Enver…a kishte shumë njerz eeee…hajde Mozi, urdhna, shplodhu pak se kekeni lodhë, Mira a kena ndonjë gja me i nxjerrë me hangër…kanë kenë tanë ditën rrugash e s’do të kenë pasë mundësi me ba me hangër…
Dritën e zuni gjumi ndërkohë që dëgjonte të qeshunat e të mëdhejve. S’ishte ma e zoja me ndejtë me i dëgju.
Te nësermen i ati i dha sandalet. Ishin të qepuna në nji vend.





Comments

Popular posts from this blog

Klodian Kojashi: Ma jep dy herë buzën e saj ose pesëqind milion e s'e diskutojmë ma

Tre poezi nga Anna Akhmatova

Agim Morina: Gjuha e shkruar shqipe u zhvillu me tri gjuhë letrare dhe kishte dy gjuhë standarde